Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Qytetet Jam 13 vjeçe dhe u gëzova shumë kur lexova artikujt «Madridi​—Kryeqytet i ndërtuar për një mbret» (22 qershor 2003), «Barcelona​—Një muze në natyrë plot ngjyra dhe stil» (8 korrik 2003) dhe «Sevilja​—Një portë drejt Amerikës» (22 korrik 2003). Si spanjolle me banim në Gjermani, isha e lumtur që lexova diçka për atdheun tim. Ju lutem vazhdoni të shkruani artikuj të tillë.

K.G.R., Gjermani

Është gjithmonë kënaqësi për mua të lexoj Zgjohuni!, por në veçanti më pëlqejnë artikujt që flasin për shtete ose qytete të ndryshme. Më magjepsën artikujt për qytetet e Spanjës. Përveç kësaj u ngazëlleva kur pashë artikullin «Sh. Pjetërburgu​—‘Dritarja në Evropë’ e Rusisë». (22 gusht 2003) Dua vërtet të shoh vendet e tij të bukura dhe netët e bardha. Me anë të këtij artikulli, bëra një «vizitë» atje.

O.A.V., Rusi

Insektet Ju falënderoj për serinë e artikujve «Kur insektet përhapin sëmundje», ku bënte pjesë edhe kutia «A e përhapin insektet HIV-in?» (22 maj 2003) Kam disa vjet që jetoj në një qytet që ka shumë mushkonja gjatë verës. Kam jetuar me frikën se mos infektohesha me virusin e HIV-it. Falë artikullit tuaj këtë verë nuk do të kem më frikë.

J. L., Shqipëri

Nga lexuesit tanë Më pëlqen të lexoj rubrikën «Nga lexuesit tanë». Ndonjëherë përdor komente nga lexuesit për të nxitur ata të cilët studiojnë Biblën me mua që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë disa artikujve. Kjo rubrikë tregon që përpjekjet tuaja për të prekur zemrat e njerëzve nuk janë të kota.

S. A., Rusi

Gjumi Kur fillova të lexoja serinë e artikujve «A flini sa duhet?» (22 mars 2003), s’e hiqja dot nga duart revistën. Që kur isha adoleshent, shpesh natën bëj vetëm dy ose tri orë gjumë. Kjo revistë më ka ndihmuar të kuptoj që kam nevojë për ndihmë mjekësore.

U. A., Tajvan

Uji Puna ime është të jap këshilla për vlerat e ushqimeve dhe për mbajtjen nën kontroll të peshës, dhe artikulli «Lëngu i çmuar i jetës​—Uji» ishte pikërisht ai për të cilin kisha nevojë. (8 qershor 2003) Atë që unë e kisha mësuar në një kurs 30 orësh për të ushqyerit ju arritët ta përmblidhnit vetëm në një artikull. Kam ndër mend ta përdor këtë informacion për të ndihmuar klientët e mi.

J.F.S.F., Brazil

Depresioni i paslindjes Në prill burri im dhe unë u bëmë me fëmijë. Pas lindjes së djalit tonë, fillova të provoja të njëjtat gjëra që përshkruante edhe artikulli «Të kuptojmë depresionin e paslindjes». (8 qershor 2003) Të gjithë më thoshin se sa i bukur ishte fëmija jonë, por unë as që doja ta shihja. Rrija në shtëpi dhe qaja. Pasi lexova artikullin, e përqafova burrin dhe i hapa zemrën duke i shpjeguar se si ndihesha. Ai u lehtësua që më në fund e kuptoi se cili ishte shkaku i ndryshimeve që kishte vërejtur tek unë. Ju jam mirënjohëse që e keni trajtuar këtë temë me taktin e duhur. Më prekët zemrën.

S. V., Itali

Turi i Francës Për një detyrë që duhet të bëja në shkollë zgjodha temën e biçikletave. Artikulli «Turi i Francës: 100-vjetori i provës më të madhe të çiklizmit» (8 korrik 2003) erdhi tamam në kohën e duhur. Pata mundësinë ta lexoja referatin edhe para klasës. Kam përdorur shumë artikuj nga Zgjohuni! për detyrat e shkollës. Faleminderit!

N. K., Gjermani