Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Rosat plastike kapërcejnë dallgët

Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung shpjegon se në janar të vitit 1992 një anije që udhëtonte nga Hong-Kongu për në Shtetet e Bashkuara hasi një stuhi të fortë dhe humbi një ngarkesë me 29.000 rosa plastike. Në nëntor të po atij viti, në ishullin Baranof të Alaskës arritën rosat e para. Të tjerat u gjendën dy vjet pas stuhisë «në akujt pluskues në veri të ngushticës Bering». Pritet që këto lodra tepër rezistente të shfaqen edhe në brigjet e Anglisë së Re në Amerikën Veriore. Është interesante se gazeta thotë që ky incident në det ka qenë një ndihmë për shkencëtarët pasi ka vërtetuar teorinë e tyre që uji i detit rrjedh «nga Paqësori, mes për mes Oqeanit Arktik dhe pastaj në atë Atlantik».

Buburrecat vijnë në ndihmë

«Shteti i Beninit, në Afrikën Perëndimore gjatë një periudhe 20-vjeçare ka kursyer 260 milionë dollarë dhe meritën për këtë e kanë dy lloje buburrecash,​—thotë revista New Scientist.​—Së bashku ata kanë mposhtur një barishte uji [zymbylin e ujit] që shumohet shpejt, vret peshq, pengon lundrimin dhe që ndryshon ekologjinë e liqeneve.» Artikulli shton se «gjethet e kësaj bime, që qëndrojnë mbi ujë, mund të rriten dyfish në më pak se dy javë dhe dendësia e tyre e madhe e bën peshkimin dhe lundrimin pothuajse të pamundur». Kjo bimë pakëson oksigjenin në ujë, ngre nivelin e aciditetit në të dhe ngadalëson rrjedhjen e tij, e kështu në fund të liqenit ka më shumë baltë. Ajo u shërben edhe krokodilëve si mbulesë dhe kjo përbën një rrezik për njerëzit që mbushin ujë. New Scientist shpjegon se shpëtimtarët, pra dy llojet e noçkëgjatëve që ushqehen vetëm me zymbylë uji, kanë qenë të suksesshëm aty ku makineritë kanë dështuar dhe ku kimikatet do të helmonin ujin dhe do të shkatërronin bimë të tjera.

Shtëpiake që luajnë bixhoz

Në Britani «një numër gjithnjë e më i madh grash shtëpiake po jepen tepër pas siteve të Internetit ku luhet bixhoz duke kaluar në to orë të tëra në ditë dhe duke hyrë në borxhe prej mijëra sterlinash»,​—njofton gazeta Sunday Telegraph e Londrës. Ato gra që do të ngurronin të hynin në një dyqan bastesh e kanë më pak të sikletshme të futen në Internet. Përveç kësaj, ato e kanë shumë të lehtë ta bëjnë bixhozin pjesë të rutinës së përditshme në shtëpi. Shumë prej tyre po e bëjnë ves këtë, por shpesh ato nuk e pranojnë se kanë një problem të tillë, sepse gratë që luajnë bixhoz nuk shihen me sy të mirë. Sipas gazetës, profesori Mark Grifiths, në Universitetin e Notingemit, tha se kjo prirje pasqyron një «ndryshim kulturor në masë që po e nxjerr bixhozin nga kazinotë dhe po e fut nëpër shtëpi ose në vendet e punës». Gjithashtu ai vërejti: «Nëse je një bixhozçi që sjell probleme, . . . ka shumë mundësi që mos të të pranojnë në kazino apo në dyqanet e basteve. Ndërsa në Internet nuk ka rojë që të të ndalojë.»

Shtohen të rinjtë e pastrehë

Botimi në anglisht i të përditshmes spanjolle El País njofton: «Numri i adoleshentëve që jetojnë në rrugët e Madridit është në rritje.» Sipas një studimi universitar, «afërsisht 1.250 nga 5.000 të pastrehët e Madridit u bënë të tillë nën moshën 20-vjeçare». Zbulimi tregoi se «pjesa dërrmuese e të rinjve pa strehë vijnë nga familje të shpërbëra dhe është e qartë që bëjnë një jetë të traumatizuar». Në fakt «dy në çdo tre të rinj janë fëmijë me prindër të alkoolizuar ose të droguar dhe po kaq ishin keqtrajtuar nga një pjesëtar i familjes». Manuel Munjos, një nga autorët e artikullit, tha se «ajo lidhje e fortë familjare që është tipike e kulturës mesdhetare, po fillon të prishet».

Shtohen rastet me gonorre në Kanada

«Pas 20 vjetësh rënieje të vazhdueshme, numri i rasteve me gonorre është rritur më shumë se 40 për qind gjatë 5 viteve të fundit»,​—thotë gazeta kanadeze Vancouver Sun. Gonorrea është një sëmundje që transmetohet me rrugë seksuale e mund të shkaktojë shterpësi si dhe «nëpërmjet qarkullimit të gjakut mund të përhapet në kyçe duke shkaktuar mahisje dhe ënjtje ose ‘artritin e gonorresë’». Për më tepër, Sun thotë se bakteri që shkakton gonorrenë po bëhet rezistent «ndaj çdo ilaçi». Një arsye tjetër për t’u shqetësuar është se «shtimi i rasteve me gonorre mund të çojë në shtimin e numrit të të infektuarve me HIV sepse duke pasur ndonjë infeksion që transmetohet me rrugë seksuale rritet rreziku i marrjes ose i përhapjes së virusit të SIDA-s». Në fakt, mjekët mendojnë që rritja e rasteve me gonorre vjen se frika ndaj virusit HIV është pakësuar. «Njerëzit nuk merakosen më aq shumë se me kë flenë dhe me sa flenë»,​—thotë dr. Dejvid Fismën, specialist në fushën e infeksioneve të transmetuara me rrugë seksuale.

Gjyshër me qira

«Më shumë se 1.000 nëna ose baballarë që janë prindër të vetëm dhe me fëmijë deri në dhjetë vjeç, kanë mundur të zgjedhin gjyshër për fëmijët e tyre»,​—raporton gazeta gjermane Nassauische Neue Presse. Melania 7-vjeçare thotë: «Gjyshërit e mi të vërtetë jetojnë shumë larg nga Berlini. Nënë Klara jeton shumë afër nesh. Më merr nga shkolla, vjen me mua në kopshtin zoologjik, te parku i lojërave dhe te pishinat. Ajo edhe gatuan e ha bukë me mua dhe me mamin tim në shtëpi.» Nënë Klara erdhi me anë të një agjencie «për gjyshër» që vë në dispozicion të prindërve të vetëm njerëz të moshuar kundrejt një pagese nga 3 deri në 5 dollarë në orë. «Ky projekt është zgjidhja e duhur për prindërit e vetëm me të ardhura të kufizuara»,​—thuhet në artikull.

Një plazh për «buçkot»

Gazeta El Economista raporton se një hotel në Meksikë ka rezervuar një plazh për ata që u vjen turp të dalin në një plazh që është plot me njerëz me trup elegant. Hoteli që ndodhet afër plazhit, në Kankun ka zgjedhur parrullën «I shëndoshë dhe i lumtur». Qëllimi i hotelit është «të tërheqë ata persona që ngurrojnë të dalin me rroba banje në plazh, për shkak të mbipeshës së tyre». Artikulli thotë se personeli i hotelit, që përfshin punonjës të të gjitha peshave, është stërvitur që t’i trajtojë pushuesit e shëndoshë pa dallim, «pasi ata diskriminohen jashtë mase në rutinën e tyre të përditshme».

Deti Mesdhe po ngrohet

«Kemi dhjetë vjet që regjistrojmë . . . në Mesdhe një ngrohje të atillë si në tropik»,​—thotë Mauricio Vurts, biolog detar në Universitetin e Gjenovës në Itali. Artikulli që doli në gazetën italiane La Repubblica, thotë se, ngaqë ujërat janë ngrohur më shumë, ato po tërheqin bimë dhe kafshë ujore të reja. Vurts thotë: «Lloje të shumta po zhvendosen nga bregu afrikan në veri të Mesdheut.» Këta imigrantë përfshijnë peshkun-papagall që e ka prejardhjen nga ujërat tropikale; peshkun-zonjushë që vjen nga gjerësitë tropikale të Atlantikut; peshkun-derr që zakonisht jeton në Oqeanin Indian dhe Paqësor dhe një lloj alge që ka arritur në Mesdhe nëpërmjet kanalit të Suezit.