Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lufta shekullore për një shëndet më të mirë

Lufta shekullore për një shëndet më të mirë

Lufta shekullore për një shëndet më të mirë

XHOANA jetonte në Nju-Jork dhe vuante nga tuberkulozi. Por sëmundja e saj nuk ishte një rast tipik i tuberkulozit. Ajo kishte një formë mutante të bakterit të tuberkulozit, e cila është rezistente pothuajse ndaj të gjitha ilaçeve dhe vret gjysmën e viktimave të saj. Megjithatë Xhoana nuk mjekohej rregullisht dhe të paktën një herë ua kishte ngjitur tuberkulozin edhe të tjerëve. «Duhej ta kishim izoluar»,​—thotë e mërzitur mjekja që e kuronte.

Tuberkulozi është një vrasës i vjetër. Pa e zmadhuar, mund të themi se miliona veta kanë vuajtur dhe kanë vdekur nga tuberkulozi. Gjurmë të kësaj sëmundjeje janë gjetur edhe në mumiet e lashta të Egjiptit dhe të Perusë. Sot format e reja të bakterit të tuberkulozit vrasin rreth dy milionë njerëz çdo vit.

Ndërsa dergjej në shtrat në një kasolle afrikane, Karlitosi e kishte ballin të mbuluar me bulëza djerse. Malaria e kishte dobësuar aq shumë, saqë nuk kishte fuqi as të qante. Prindërit e shqetësuar nuk kishin para për ilaçe dhe aty afër nuk kishte ndonjë klinikë ku fëmijës së tyre të vogël t’i jepej ndihma mjekësore. Temperatura nuk i zbriste dhe brenda 48 orësh vdiq.

Malaria vret çdo vit afro një milionë fëmijë si Karlitosi. Në fshatrat e Afrikës Lindore shumë fëmijë pickohen 50 deri në 80 herë në muaj nga mushkonjat bartëse të malaries. Këto mushkonja po përhapen në zona të reja dhe ilaçet kundër malaries nuk bëjnë më edhe aq efekt. Çdo vit, rreth 300 milionë njerëz vuajnë nga malaria akute.

Kenethi, një 30-vjeçar që jetonte në San-Françisko të Kalifornisë, shkoi te mjeku në vitin 1980. Ai ankohej se kishte diarre dhe këputje. Pas një viti vdiq. Pavarësisht nga ndihma mjekësore që i dhanë specialistët, trupi i tij veç tretej dhe, si përfundim, vdiq nga pneumonia.

Dy vjet më vonë, 16.000 kilometra larg San-Françiskos, një grua nga veriu i Tanzanisë filloi të vuante nga simptoma të ngjashme. Brenda pak javësh, ajo nuk ecte më dhe pas pak kohësh vdiq. Bashkëfshatarët e saj e quajtën këtë sëmundje të çuditshme, sëmundja e Xhulianës, pasi një burrë, i cili shiste rroba që kishin të stampuar emrin Xhuliana, me sa duket kishte infektuar këtë grua dhe gra të tjera vendëse.

Kenethi dhe gruaja nga Tanzania kishin të njëjtën sëmundje: SIDA-n. Në fillim të viteve 80 të shekullit të 20-të, pikërisht kur dukej sikur mjekësia kishte arritur të «zbuste» mikrobet më të rrezikshme, ja ku doli kjo sëmundje e re e transmetueshme që nuk po e lë të qetë njerëzimin. Brenda dy dhjetëvjeçarëve numri i vdekjeve nga SIDA arriti numrin e vdekjeve nga murtaja që u përhap me shpejtësi në Evropë dhe Azi në shekullin e 14-të, një murtajë që Evropa s’ka për ta harruar kurrë.

Vdekja e zezë

Shpërthimi i epidemisë së murtajës, e cila u quajt Vdekja e zezë, nisi më 1347, kur një anije nga Krimeja u ankorua në Mesinë, në ishullin e Sicilisë. Përveç ngarkesës së zakonshme, anija solli me vete edhe murtajën. * S’kaloi shumë dhe Vdekja e zezë u përhap anembanë Italisë.

Vitin pasues Anjolo di Tura, nga Siena e Italisë, përshkroi tmerrin që kishte pushtuar qytetin e tij: «Në Sienë, vdekjet nga murtaja filluan në maj. Ishte diçka mizore dhe e tmerrshme. Viktimat vdisnin thuajse menjëherë. Vdisnin me qindra si ditën, edhe natën.» Pastaj shtoi: «Me duart e mia varrosa pesë nga fëmijët e mi dhe kështu bënë dhe shumë të tjerë. Askush nuk qante, pavarësisht nga humbja që kishte pësuar, sepse pothuajse të gjithë prisnin vdekjen. Vdiqën kaq shumë njerëz, saqë të gjithë besonin se kishte ardhur fundi i botës.»

Disa historianë thonë se brenda katër vjetësh murtaja u përhap anembanë Evropës dhe gati një e treta e popullsisë humbi jetën​—ndoshta 20 deri në 30 milionë njerëz. Kjo sëmundje bëri kërdinë edhe në Islandën e largët. Thuhet se në Lindjen e Largët, popullsia e Kinës nga 123 milionë banorë që ishte në fillim të shekullit të 13-të, ra në 65 milionë gjatë shekullit të 14-të. Me sa duket, kjo erdhi si pasojë e murtajës dhe e zisë së bukës që e shoqëroi atë.

Asnjë epidemi, luftë ose zi buke nuk kishte shkaktuar një vuajtje me përmasa kaq të mëdha. «Një katastrofë e tillë s’ishte parë ndonjëherë në historinë e njerëzimit,​—thuhet në librin Njeriu dhe mikrobet (anglisht).​—U shfaros gati çereku deri gjysma e popullsisë së Evropës, Afrikës së Veriut dhe disa pjesëve të Azisë.»

Amerika e Veriut dhe e Jugut i shpëtuan rrënimit të Vdekjes së zezë, falë pozicionit të tyre të veçuar nga pjesa tjetër e botës. Por shpejt anijet që udhëtonin në oqean i dhanë fund këtij veçimi. Në shekullin e 16-të, një dallgë epidemish që ishin edhe më vdekjeprurëse se murtaja, rrënuan Botën e Re.

Lia pushton Amerikën e Veriut e të Jugut

Kur Kolombi mbërriti në Inditë Perëndimore në vitin 1492, ai i përshkroi vendësit si njerëz me ‘pamje të këndshme dhe tipare të bukura, me gjatësi mesatare dhe me trupa muskulozë’. Gjithsesi, pamja e tyre e shëndetshme nuk do të thoshte se ishin të paprekshëm ndaj sëmundjeve të Evropës.

Më 1518, në ishullin e Haitit shpërtheu epidemia e lisë. Amerikanët vendës nuk e kishin njohur kurrë më parë linë, dhe kështu pasojat ishin katastrofike. Një spanjoll, që e pa me sytë e tij këtë gjë, tha se afërsisht në ishull mbijetuan vetëm një mijë njerëz. Shpejt epidemia u përhap në Meksikë e në Peru dhe pasojat ishin pak a shumë të njëjta.

Shekullin vijues, kur kolonizatorët anglezë mbërritën në zonën e Masaçusetsit, në Amerikën e Veriut, zbuluan se lia pothuajse kishte fshirë nga faqja e dheut të gjithë njerëzit. «Thuajse të gjithë vendësit janë shfarosur nga lia»,​—shkroi udhëheqësi i kolonizatorëve Xhon Uintrop.

Epidemi të tjera erdhën pas lisë. Sipas një libri, afro një shekull pas mbërritjes së Kolombit, sëmundjet që kishin sjellë të huajt kishin shfarosur 90 për qind të popullsisë së Botës së Re. Popullsia e Meksikës ishte pakësuar nga 30 milionë në 3 milionë banorë, kurse ajo e Perusë nga 8 milionë në një milion. Sigurisht që amerikanët vendës nuk ishin viktimat e vetme të lisë. «Gjatë rrjedhës së historisë lia mori qindra milionë jetë, shumë më tepër se murtaja . . . dhe të gjitha luftërat e shekullit të njëzetë të marra së bashku»,​—thuhet në librin Katastrofë: Rreziku i dikurshëm dhe i ardhshëm i lisë (anglisht).

Lufta nuk është fituar ende

Në ditët tona, epidemitë e tmerrshme të murtajës e të lisë mund të duken si tragjedi që i gjen vetëm në faqet e historisë. Gjatë shekullit të 20-të, njerëzimi fitoi shumë beteja në luftën kundër sëmundjeve ngjitëse, sidomos në vendet e industrializuara. Mjekët zbuluan jo vetëm shkaqet e shumë sëmundjeve, por edhe mënyrën për t’i kuruar ato. (Shih kutinë poshtë.) Vaksinat dhe antibiotikët e rinj dukeshin si plumba magjikë, të aftë për të shfarosur edhe sëmundjen më të vështirë.

Megjithatë, siç thotë edhe dr. Riçard Krauze, ish-drejtor i Institutit Kombëtar për Alergjinë dhe Sëmundjet Ngjitëse në SHBA, «sa mund t’u shpëtosh vdekjes dhe taksave, aq mund t’u shpëtosh edhe epidemive». Tuberkulozi dhe malarja nuk janë zhdukur. Po kështu, përhapja e jashtëzakonshme e SIDA-s kohët e fundit na kujton gjithnjë realitetin e trishtueshëm se epidemitë ende e kërcënojnë njerëzimin. «Sëmundjet ngjitëse mbeten shkaktaret kryesore të vdekjeve në botë; ato do të mbeten të tilla për një kohë të gjatë»,​—thotë libri Njeriu dhe mikrobet (anglisht).

Disa mjekë kanë frikë se, me gjithë përparimin e jashtëzakonshëm në luftën kundër sëmundjeve, arritjet e dhjetëvjeçarëve të fundit mund të jenë vetëm të përkohshme. «Rreziku i sëmundjeve ngjitëse nuk është zhdukur, madje është bërë më i madh»,​—paralajmëron epidemiologu Robert Shop. Artikulli vijues do të shpjegojë arsyen.

[Shënimi]

^ par. 10 Murtaja u shfaq në disa forma, duke përfshirë murtajën bubonike dhe murtajën pneumonike. Pleshtat që kryesisht i sollën minjtë përhapën formën bubonike, kurse spërklat e teshtimës dhe të kollës së njerëzve të infektuar në shumicën e rasteve përhapën formën pneumonike.

[Diçitura në faqen 5]

Brenda dy dhjetëvjeçarëve numri i vdekjeve nga SIDA arriti numrin e vdekjeve që shkaktoi murtaja e cila u përhap me shpejtësi në Evropë dhe Azi në shekullin e 14-të

[Kutia dhe figurat në faqen 6]

Njohuria përballë besëtytnive

Në shekullin e 14-të, kur Vdekja e zezë kërcënoi familjen e papës në Avinjon, mjeku i tij i tha se shkaku kryesor i murtajës ishte që tri planete, Saturni, Jupiteri dhe Marsi ishin në një drejtim në shenjën e Ujorit.

Rreth katër shekuj më vonë, Xhorxh Uashingtoni zuri shtratin pasi u sëmur me infeksion të bajameve. Tri mjekë të shquar u përpoqën ta kuronin infeksionin duke i marrë nga venat dy litra gjak. Brenda pak orësh i sëmuri vdiq. Nxjerrja e gjakut nga venat mbeti një praktikë mjekësore për 2.500 vjet, që nga koha e Hipokratit deri në mesin e shekullit të 19-të.

Ndonëse besëtytnitë dhe traditat e vonuan përparimin në mjekësi, mjekë të përkushtuar punuan shumë për të zbuluar shkaqet e sëmundjeve ngjitëse dhe si t’i kuronin ato. Poshtë janë përmendur disa nga arritjet e tyre të rëndësishme.

Lia. Në vitin 1798, Eduard Jeneri ia doli me sukses të përgatiste një vaksinë për linë. Gjatë shekullit të 20-të, vaksinat kanë pasur sukses edhe në parandalimin e sëmundjeve të tjera, si: të poliomielitit, etheve të verdha, fruthit dhe të rubeolës.

Tuberkulozi. Më 1882, Robert Kohu zbuloi bakterin e tuberkulozit dhe përpunoi një metodë për ta diagnostikuar sëmundjen me anë të analizave. Rreth 60 vjet më vonë, u zbulua streptomicina, një antibiotik i efektshëm për kurimin e tuberkulozit. Ky ilaç bëri efekt edhe për kurimin e murtajës bubonike.

Malaria. Që nga shekulli i 17-të e tutje, kinina, që përftohej nga lëvorja e drurit të kinës, u shpëtoi jetën miliona të sëmurëve me malarje. Në vitin 1897 Ronald Rosi zbuloi se bartëse të sëmundjes ishin mushkonjat anofele. Pas kësaj u bënë përpjekje për të penguar përhapjen e mushkonjave me qëllim që të ulej vdekshmëria në vendet tropikale.

[Figurat]

Skicë sipas zodiakut (sipër) dhe marrja e gjakut nga venat

[Burimi]

Të dyja: Biblioteca Histórica “Marqués de Valdecilla”

[Figurat në faqen 3]

Sot, format e reja të bakterit të tuberkulozit vrasin afro dy milionë njerëz çdo vit

[Burimet]

Rreze X: Qendra Kombëtare për Trajtimin e Tuberkulozit pranë Fakultetit të Mjekësisë në Nju-Xhersi; burri: fotografia: OBSH/Thierry Falise

[Figura në faqen 4]

Gravurë gjermane që daton rreth vitit 1500. Në të tregohet një mjek që mban një maskë për t’u mbrojtur nga Vdekja e zezë. Sqepi kishte parfum

[Burimi]

Godo-Foto

[Figura në faqen 4]

Bakteri që shkaktoi murtajën bubonike

[Burimi]

© Gary Gaugler/Visuals Unlimited