Macja me veshë qesharak
Macja me veshë qesharak
UILLIAM ROSI, një bari, interesohej për macet e racës së pastër. Në vitin 1961 Rosi shkoi në fermën e fqinjit në Pert, Skoci. Atje pa Suzin, macen e fqinjit. Por Suzi nuk dukej si macet e zakonshme. Ajo ishte e bardhë dhe ishte racë e kryqëzuar, por cepi i veshëve të saj palosej përpara, dhe kështu i jepte asaj një pamje disi qesharake. I magjepsur nga ajo që kishte zbuluar, Rosi mori një kotele femër me veshë të palosur që Suzi lindi afërsisht pas një viti.
Pas kësaj, Rosi foli me një mbarështuese kafshësh në Londër, e cila ishte e interesuar për ndërtimin gjenetik të kafshëve të familjes së maces dhe të dy ndihmuan që të fillonte një program për shtimin e pasardhësve të Suzit. Nuk është rastësi që kjo racë mori emrin raca skoceze me veshë të palosur. Që prej asaj kohe, këto mace janë bërë shumë të kërkuara. Megjithatë shoqëritë angleze për macet nuk kanë pranuar t’i regjistrojnë ato. Disa kanë shprehur shqetësimin se këto mace mund të kenë prirjen të vuajnë nga disa probleme shëndetësore të cilat vijnë nga gjeni që shkakton palosjen e veshëve. Por ky shqetësim nuk u bë pengesë që kjo racë macesh të regjistrohej në Shtetet e Bashkuara, ku në fillim të viteve 70 të shekullit të 20-të filloi një program për shtimin e tyre. Në fund të atij dhjetëvjeçari, këto mace tashmë kishin fituar çmimin e parë në spektaklet e zhvilluara në këtë vend.
Pse i kanë veshët të palosur?
«Ç’ka nga veshët macja jote?»,—pyesin shpesh njerëzit kur shohin për herë të parë një racë skoceze me veshë të palosur. Palosja e veshëve krijohet si pasojë e një mutacioni që ka pësuar një gjen, të cilin shkencëtarët e quajnë gjen dominant. Edhe sikur ta trashëgojë këtë gjen vetëm nga njëri prind, kotelja do t’i ketë veshët të palosur.
Megjithatë shkalla e palosjes së veshëve mund të jetë e ndryshme. Kështu veshët mund të mos kenë asnjë palë, por mund të kenë edhe një, dy e madje tri pala. Veshët e Suzit, maces së parë të kësaj race, kishin vetëm një përkulje të lehtë. Macet që i çojnë në konkurse zakonisht kanë veshë me tri pala dhe që rrinë rrafsh mbi kokë. Është interesante se macet e racës skoceze me veshë të palosur, kur lindin i kanë veshët të drejtë. Por, pak a shumë pas tri javësh, ata që merren me mbarështimin e maceve mund të dallojnë se cilat kotele do të kenë veshë të palosur.
Kryqëzimi i pakujdesshëm i maceve të kësaj race mund të shkaktojë probleme shëndetësore. Për shembull,
nëse të dy, si mashkulli, edhe femra kanë veshë të palosur, pasardhësit mund të kenë një defekt gjenetik, siç është osteodistrofia e lindur që sjell si pasojë shformimin e kockave. Prandaj mbarështues të shquar macesh gjithmonë i çiftojnë macet e racës skoceze me veshë të palosur me mace të racave me veshë normalë, zakonisht me mace të racës amerikane qimeshkurtër ose angleze qimeshkurtër.Një problem tjetër shëndetësor i mundshëm është edhe higjiena e veshëve, sidomos në rastin e maceve që kanë veshë me tri pala. Meqë veshët e tyre palosen kaq afër kokës, kanë prirjen të bëhen pis nga brenda. Enciklopedia me Ilustrime e Racave të Maceve (anglisht) këshillon që i zoti i maces t’ia pastrojë me kujdes «palat nga brenda me pambuk të njomur». Por, siç thuhej në një faqe interneti për ata që kanë mace, The Cat Site, macet e shëndetshme «nuk janë shumë të prirura të sëmuren me infeksion në vesh ose të zënë këpusha në vesh, siç dyshohej disa vjet përpara».
Shoqe të dashura
Macet e racës skoceze me veshë të palosur mbahen si mace të urta, të afrueshme e të zgjuara. Ato jetojnë rreth 15 vjet dhe me sa duket gjithçka që dëshirojnë është një jetë e rehatshme shtëpiake. «Macja e racës skoceze me veshë të palosur është një mace e dashur, e qetë dhe miqësore. Ajo i do edhe njerëzit, edhe kafshët e tjera shtëpiake»,—thuhet në Enciklopedinë me Ilustrime të Racave të Maceve. Ato kanë zë të butë e të hollë që nuk e përdorin shpesh. Edhe kur janë të uritura, shpesh ato vetëm rrinë e t’i ngulin sytë derisa t’u japësh për të ngrënë.
Ashtu si macet e tjera, edhe këto mace kanë ngjyra e kombinime ngjyrash nga më të ndryshmet dhe mund të jenë qoftë qimegjata, qoftë qimeshkurtra. Megjithatë veçoritë që i kanë bërë këto mace gjithnjë e më të kërkuara janë veshët e tyre të palosur, koka e rrumbullakët, qafa e shkurtër, fytyra si e bufit dhe sytë e mëdhenj të rrumbullakët. Në fakt, macet me veshë të palosur janë bërë një nga racat më të kërkuara në botë. Shpesh atyre që dëshirojnë të blejnë një mace të tillë u duhet të presin gjashtë muaj ose më shumë derisa të gjejnë një kotele. Sigurisht, nëse blerësi ka ndonjë preferencë të veçantë për gjatësinë e qimes së maces, për ngjyrën ose gjininë, mbase i duhet të presë më gjatë.
Kur Uilliam Rosi pa Suzin në vitin 1961, ka shumë mundësi që nuk e kishte idenë se pasardhësit e kësaj maceje të thjeshtë ferme do të bëheshin kaq të njohur, sidomos po të mbajmë parasysh që fama e kësaj race nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë tipari të lindur që e bën këtë racë superiore. Përkundrazi, shkaku i saj është një mutacion gjenetik që shfaqet sidomos te veshët.