Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Prepotenca Mbrëmë vajza ime 7-vjeçare më tha se nuk donte të shkonte më në shkollë, sepse dy vajza e ngacmonin pa pushim. Fillova të lexoja serinë e artikujve «Prepotenca—Çfarë mund të bëni?» (22 gusht 2003) Këta artikuj më kanë ndihmuar jo vetëm që të ndihmoj vajzën time, por edhe të kuptoj pse njerëzit sillen në një mënyrë të caktuar.
L. H., SHBA
Atje ku punoja, më bombardonin shumë me fjalë të pista, më poshtëronin në sy të kolegëve dhe njëri nga eprorët e mi më shpërfillte fare, derisa së fundi e lashë punën. Nga ana emocionale jam akoma shumë e vrarë për shkak të asaj që kalova. Por, tani që lexova artikujt, ndihem më mirë sepse e di që dikush më kupton.
H. N., Japoni
Kur lexova këta artikuj m’u kujtuan kohët e shkuara. Kur isha në shkollë, s’më linin rehat asnjë ditë. Pyesja veten përse ndodhte një gjë e tillë. Kjo seri artikujsh më ndihmoi të kuptoja dhe më ngushëlloi vërtet.
M. M., Japoni
Nga mënyra se si më trajtonin në shkollë ndihesha sikur shoqëria më kishte flakur tej dhe kjo ndikoi shumë në vetëbesimin tim. Më kishin mësuar t’u qeshja në fytyrë atyre që më tallnin, por ju keni të drejtë kur thoni që është më mirë t’i shohim në sy dhe t’u shpjegojmë me qetësi që ajo që po bëjnë nuk është për të qeshur.
M. G., Francë
Duhet ta pranoj se e kisha shumë të vështirë të lexoja artikujt për prepotencën sepse, si në adoleshencë, ashtu edhe kur u rrita, kam qenë viktimë e sulmeve fizike, sulmeve me fjalë dhe atyre të tërthorta. Tani, pasi kam lexuar artikujt, arrij të kuptoj pse kam pasur mendime negative dhe mungesë respekti për veten. Prandaj dua t’ju falënderoj për këta artikuj që japin këshilla praktike dhe ngushëlluese.
A. M., Itali
Qëkur fillova shkollën e mesme, jam ndeshur me problemin e prepotencës çdo ditë. Këta artikuj më ndihmuan të kuptoja që nuk jam i pavlerë vetëm se i përkas një pakice fetare. Ndërsa koha kalon, po ndihem gjithnjë e më krenar që jam një Dëshmitar i Jehovait dhe jam i lumtur edhe nëse më duhet të vuaj për këtë. Më parë, reagoja me nervozizëm. Tani di çfarë të bëj dhe jam i sigurt se gjërat do të shkojnë më mirë.
M. S., Itali
Motra ime binjake dhe unë jemi 16 vjeçe dhe në të njëjtën klasë. Shokët e klasës e dinë se jemi Dëshmitare të Jehovait dhe shpesh bëjnë si të fortë me ne. Tema e prepotencës trajtohej në mënyrë shumë realiste dhe kjo na inkurajoi shumë.
E. P., Itali
Shpërtheva në lot kur lexova artikujt sepse m’u kujtua çdo gjë që ish-shokët e shkollës më bënin çdo ditë, për gjashtë vjet rresht. Si e re, mendoja se isha e vetmja që vuaja nga kjo gjë. As nuk e dija që ky tmerr psikologjik quhej prepotencë. Tani jam e rritur, dhe jam mirënjohëse që mësoj rreth këtij problemi. Më në fund ndiej se dikush më kupton.
A. P., Gjermani
Kaloj kaq shumë telashe në shkollë sa ndonjëherë as nuk dua të shkoj më. Megjithatë, këta artikuj më ndihmuan të shqyrtoja përsëri situatën time dhe jepnin disa këshilla të mira. Po përdor disa nga këshillat e përmendura dhe që tani kanë dhënë rezultat. Faleminderit për artikujt inkurajues dhe të dobishëm.
M. T., Rusi