Një botë pa sëmundje
Një botë pa sëmundje
«Të gjitha vendet duhet të bashkëpunojnë me frymën e solidaritetit dhe të shërbimit ndaj njerëzve që t’u sigurojnë të gjithëve kujdesin shëndetësor bazë, pasi shëndeti i mirë i njerëzve në cilindo prej vendeve u intereson dhe i sjell dobi çdo vendi tjetër.»—DEKLARATA E ALMA-ATËS, 12 SHTATOR 1978.
NJËZET E PESË vjet më parë, kishte nga ata që mendonin se sigurimi i kujdesit shëndetësor bazë për çdo njeri në botë ishte një synim i arritshëm. Delegatët e Konferencës Ndërkombëtare për Kujdesin Shëndetësor Bazë në Alma-Ata, e cila ndodhet në vendin që sot quhet Kazakistan, vendosën që brenda vitit 2000, të gjithë njerëzit të imunizoheshin nga sëmundjet ngjitëse kryesore. Gjithashtu, ata shpresonin se po brenda kësaj kohe, çdo banori të tokës do t’i siguroheshin kushtet elementare higjienike dhe uji i pijshëm i pastër. Të gjitha shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) e firmosën këtë deklaratë.
Pa dyshim që ky ishte një synim i lavdërueshëm, por realiteti doli zhgënjyes. As që bëhet fjalë që kujdesi shëndetësor bazë të jetë në dispozicion të gjithkujt, e veç kësaj, sëmundjet ngjitëse ende kërcënojnë jetën e miliarda njerëzve në tokë. Shpesh këto sëmundje vdekjeprurëse prekin si fëmijët, ashtu edhe të rriturit që janë në lulen e moshës.
Edhe rreziku i tri sëmundjeve, SIDA-s, tuberkulozit dhe malarjes, nuk i ka detyruar vendet të «bashkëpunojnë me një frymë solidariteti». Fondi Botëror në Luftën kundër SIDA-s, Tuberkulozit dhe Malarjes, i krijuar kohët e fundit, u kërkoi qeverive 13 miliardë dollarë si ndihmë për t’i pasur nën kontroll këto epidemi. Megjithatë, deri në verën e vitit 2002 ishin mbledhur rreth 2 miliardë dollarë, ndërkohë që po atë vit, shpenzimet për ushtrinë arritën rreth 700 miliardë dollarë. Mjerisht, në botën e sotme të përçarë vetëm në pak situata të vështira kombet i bashkojnë forcat për të mirën e përbashkët.
Edhe pse nisen nga qëllime të mira, autoritetet në shëndetësi janë të kufizuara në gjërat që mund të bëjnë për luftën kundër sëmundjeve ngjitëse. Qeveritë mund të mos u sigurojnë paratë e nevojshme. Nga ana tjetër mikrobet kanë fituar rezistencë ndaj shumë ilaçeve. Veç kësaj, njerëzit mund të mos heqin dorë nga një mënyrë jetese që i vë përballë rrezikut të sëmundjeve. Për më tepër, probleme të tilla, si varfëria, lufta dhe zia e bukës, që janë karakteristike për disa zona, ua bëjnë më të lehtë mikrobeve sëmundjeshkaktuese që të përhapen te miliona njerëz.
Perëndia interesohet për shëndetin tonë
Problemi i sëmundjeve e ka një zgjidhje. Kemi dëshmi të qarta se Perëndia Jehova interesohet thellësisht për shëndetin e njerëzve. Sistemi ynë imunitar është një provë e dukshme e këtij interesimi. Shumë ligje që Jehovai i dha Izraelit të lashtë zbulonin dëshirën e Tij për t’i mbrojtur nga sëmundjet ngjitëse. *
Edhe Jezu Krishti, i cili pasqyron personalitetin e Atit të tij qiellor, ndien dhembshuri për të sëmurët. Ungjilli i Markut flet për takimin e Jezuit me një njeri që vuante nga lebra. «Po të duash ti, mund të më bësh të pastër»,—tha i lebrosuri. Kur pa dhembjen dhe vuajtjen e atij njeriu, Jezui ndjeu një keqardhje të thellë. Prandaj i tha: «Dua. Bëhu i pastër.»—Marku 1:40, 41.
Shërimet e mrekullueshme të Jezuit nuk u kufizuan vetëm te disa njerëz. Shkrimtari i njërit prej ungjijve, Mateu, thotë se Jezui «shkoi rreth e përqark në mbarë Galilenë, duke mësuar . . . e duke predikuar lajmin e mirë të mbretërisë dhe duke shëruar çdo lloj lëngate e çdo lloj sëmundjeje mes njerëzve». (Mateu 4:23) Shërimet e tij nuk shërbyen vetëm për të ndihmuar të sëmurët e Judesë e të Galilesë. Këto shërime na japin një tablo paraprake të kohës kur të gjitha sëmundjet do të zhduken përfundimisht. Kjo do të ndodhë kur Mbretëria e Perëndisë, për të cilën predikoi Jezui, do të sundojë mbi njerëzimin pa pasur asnjë kundërshtar.
Shëndeti i mirë për këdo, jo vetëm një ëndërr
Bibla na siguron se nuk është një ëndërr e parealizueshme që çdo njeri në botë të ketë shëndet të mirë. Apostulli Gjon foli për kohën kur ‘tenda e Perëndisë do të ishte me njerëzimin’. Si pasojë e këtij veprimi të Perëndisë «vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar». Ndoshta ju duket aq e mrekullueshme, saqë s’mund ta besoni? Në vargun vijues vetë Perëndia thotë: «Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.»—Zbulesa 21:3-5.
Sigurisht që të mos ketë më sëmundje duhet medoemos që të mos ekzistojnë më varfëria, zia e bukës dhe luftërat, pasi këto katastrofa shpesh ecin krah për krah me mikrobet që shkaktojnë sëmundjet ngjitëse. Prandaj, Jehovai ia ka ngarkuar këtë detyrë kolosale Mbretërisë së tij, një qeverie qiellore të drejtuar nga Krishti. Në përgjigje të miliona lutjeve të zjarrta, kjo qeveri do të vijë dhe do të bëjë që vullneti i Perëndisë të kryhet në tokë.—Kur do të vijë Mbretëria e Perëndisë? Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Jezui tha se bota do të shihte një sërë ngjarjesh të rëndësishme që do të shërbenin si shenjë se Mbretëria do të veprojë së shpejti. Ai tha se një nga këto ngjarje do të ishte shpërthimi i ‘murtajave nga njëri vend në tjetrin’. (Luka 21:10, 11; Mateu 24:3, 7). Fjala greke e përkthyer «murtajë» i referohet «çdo sëmundjeje ngjitëse vdekjeprurëse». Sigurisht që shekulli i 20-të ishte dëshmitar i murtajave të tmerrshme, pavarësisht nga arritjet në mjekësi.—Shih kutinë «Vdekje prej murtajave që nga 1914-a».
Një profeci në librin e Zbulesës, e cila është një paralelizëm i fjalëve të Jezuit në Ungjij, përshkruan disa kalorës që shoqërojnë Jezu Krishtin kur ai merr pushtetin në qiell. Kalorësi i katërt nget ‘një kalë të zbehtë’ i cili ngado që shkon lë pas «plagë vdekjeprurëse». (Zbulesa 6:2, 4, 5, 8) Po t’i hedhim një sy numrit të vdekjeve të shkaktuara nga disa prej sëmundjeve ngjitëse kryesore që nga viti 1914, vërtetojmë se ky kalorës figurativ me të vërtetë po kalëron. Fakti që e gjithë bota po vuan nga ‘plagët vdekjeprurëse’ është një provë tjetër që tregon se Mbretëria e Perëndisë është afër. *—Marku 13:29.
Ndonëse mjekësia ka arritur të frenojë për disa dhjetëvjeçarë përhapjen e vrullshme të sëmundjeve ngjitëse, një valë e re sëmundjesh po fillojnë të na kërcënojë. Është e qartë se kemi nevojë për diçka që shkon përtej fuqive njerëzore për ta zgjidhur një herë e mirë këtë problem. Krijuesi ynë premton se do të bëjë pikërisht këtë gjë. Profeti Isaia na siguron se kur të sundojë Mbretëria e Perëndisë asnjë banor «nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’» Për më tepër, «[Perëndia] do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë». (Isaia 25:8; 33:22, 24) Kur të agojë ajo ditë, sëmundjet do të jenë mposhtur një herë e përgjithmonë.
[Shënimet]
^ par. 8 Ligji i Moisiut kishte udhëzime që flitnin për eliminimin e jashtëqitjeve, kushtet sanitare, higjienën dhe futjen në karantinë. Dr. H. O. Filipsi tha se «informacionet e Biblës për marrëdhëniet seksuale dhe riprodhimin, për diagnostikimin, kurimin dhe masat parandaluese, janë shumë më të përparuara e të besueshme, sesa teoritë e Hipokratit».
^ par. 15 Për një shqyrtim të aspekteve të tjera që provojnë se Mbretëria e Perëndisë është afër, shikoni kapitullin e 11-të të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia në faqen 12]
Vdekje prej murtajave që nga 1914-a
Pa dyshim që këto statistika janë me përafërsi. Megjithatë ato tregojnë se deri në ç’masë murtajat e kanë goditur njerëzimin që nga viti 1914.
▪ Lia (300 milionë-500 milionë viktima) Nuk u zbulua kurrë një kurë e efektshme për linë. Por më në fund, me anë të një programi ndërkombëtar vaksinimi në masë, aty nga viti 1980 u arrit të zhdukej kjo sëmundje.
▪ Tuberkulozi (100 milionë-150 milionë viktima) Sot tuberkulozi vret rreth dy milionë njerëz çdo vit dhe afërsisht një në çdo tre veta në botë është bartës i bacilit të tuberkulozit.
▪ Malarja (80 milionë-120 milionë viktima) Gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20-të malarja merrte afro dy milionë njerëz në vit. Numrin më të madh të vdekjeve nga malarja tani e kanë vendet afrikane që ndodhen poshtë Saharasë, ku malarja ende vret më shumë se një milion njerëz në vit.
▪ Gripi spanjoll (20 milionë-30 milionë viktima) Disa historianë thonë se numri i të vdekurve ishte shumë më i madh. Kjo epidemi vdekjeprurëse u përhap në botë në vitet 1918 dhe 1919, shumë shpejt pas Luftës së Parë Botërore. «Edhe murtaja bubonike nuk vrau kaq shumë njerëz në kaq pak kohë»,—thuhet në librin Njeriu dhe mikrobet.
▪ Tifoja (rreth 20 milionë viktima) Epidemia e tifos e ka shoqëruar shpesh luftën. Epidemia e tifos që solli Lufta e Parë Botërore bëri kërdinë në disa vende të Evropës Lindore.
▪ SIDA (më shumë se 20 milionë viktima) Kjo murtajë e ditëve tona po vret tre milionë njerëz çdo vit. Llogaritjet aktuale të bëra nga Programi i Kombeve të Bashkuara për SIDA-n tregojnë se «po të mos bëhen përpjekje të menjëhershme dhe në shkallë të gjerë për ta parandaluar dhe për ta kuruar, 68 milionë njerëz do të vdesin . . . nga viti 2000 deri në vitin 2020».
[Figurat në faqen 11]
Nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, sëmundje si këto nuk do ta kërcënojnë më njerëzimin
SIDA
Malarja
Tuberkulozi
[Burimet]
SIDA: CDC; malarja: CDC/Dr. Melvin; TB: © 2003 Dennis Kunkel Microscopy, Inc.
[Figura në faqen 13]
Jezui shëroi çdo lloj sëmundjeje dhe lëngate