Një farë që rreh detet
Një farë që rreh detet
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Britani
PO ECJA përgjatë një plazhi ranor në bregun lindor të Anglisë ku deti kishte nxjerrë leshterikë e gjëra të tjera. Papritur më zuri syri një gur të çuditshëm. U përkula dhe e mora. Ishte i lëmuar dhe ngjyrë gështenjë, por nuk ishte gur. Por ç’të ishte vallë? Një farë e ardhur nga vendet tropikale. Si kishte ardhur deri këtu?
Origjina
Kjo farë prodhohet nga një bimë gjigante bishtajore që quhet lianë. Ajo përshkruhet si një bimë drunore kacavjerrëse që varet nëpër pemë sidomos në pyjet tropikale të shiut. Për t’u kacavarur te pema ku mbështetet përdor dredhëzat e saj, dhe ndonjëherë arrin deri në 30 metra lartësi. Kjo bimë është shumë e përhapur përgjatë brigjeve të deteve dhe lumenjve në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, Kolumbi, Ishujt e Antileve dhe në Amerikën Qendrore. Në Kosta-Rikë njihet si shkalla e majmunit, sepse majmunët që jetojnë nëpër drurë e përdorin për të kaluar nga njëra pemë në tjetrën.
Fara, e cila për së gjeri arrin deri në 6 centimetra, formohet brenda një bishtaje të madhe që varet në pemën që e mban. Kjo bishtajë e madhe me fara mund të arrijë deri në dy metra gjatësi. Përbëhet nga segmente rrumbullake që kanë nga një farë secili dhe ndahen nga njëri-tjetri me një hulli të vogël. Ashtu si te shumë bimë të zakonshme bishtajore, në fazat e para të rritjes bishtaja është e butë dhe e gjelbër. Por duke u pjekur ajo forcohet, thahet dhe bëhet e rëndë. Po ashtu bëhet ngjyrë kafe dhe merr pamjen e drurit.
Për arsye se pesha e saj rritet, bishtaja bie në lumë ose në det. Duke pluskuar në ujë, segmentet me fara veçohen nga njëri-tjetri. Kështu secila farë fillon udhëtimin e vet brenda një lëvozhge mbrojtëse. Mund të ndodhë që disa prej tyre ngecin dhe rriten në baltinën përgjatë bregut të lumit. Por, shumica vazhdojnë udhëtimin përgjatë lumit, ndonjëherë duke përshkuar me qindra kilometra deri në grykëderdhjen e tij. Nëse fara kalon përmes grupeve të ishujve, një baticë mund ta marrë me vete dhe ta nxjerrë në ndonjë breg aty afër.
Udhëton në gjithë botën
Çfarë ndodh me farën që e vazhdon aventurën në det të hapur? Lëvozhga mbrojtëse pak
nga pak prishet dhe fara del jashtë. Por, a fundoset? Jo, sepse është e padepërtueshme nga uji. Ajo pluskon falë një boshllëku ajri brenda saj që formohet nga tkurrja e thelbit, pra gjethëzës embrionale që ndodhet brenda farës. Me një mjet kaq të mrekullueshëm mbijetese, kjo farë në formë zemre mund të qëndrojë e paprishur në det për muaj e madje për vite të tëra, derisa deti ta nxjerrë në ndonjë breg të largët.Si është e mundur që fara arrin të shkojë në vende kaq të largëta, si në Ishujt Britanikë, Skandinavi dhe në vende të tjera të Evropës Perëndimore? Për shekuj me radhë këto fara kanë përdorur rrymën e Golfstrimit për të kaluar përmes Atlantikut. Në fakt, miliona fara të këtij lloji vazhdimisht kanë lundruar përreth botës me anë të rrymave oqeanike.
A mund të mbijë ende kjo farë pas një udhëtimi kaq të gjatë dhe të rrezikshëm? Provoni të çani lëvoren me një limë ose sharrë mundësisht afër kilës, një shenjë në farë që tregon pikën e bashkimit me vezoren. Pastaj mbilleni farën në një vazo, ujiteni dhe lëreni në një vend të ngrohtë e me diell. Ka shumë të ngjarë që të mbijë.
Por, çfarë ndodh zakonisht me një farë që deti e nxjerr në brigjet e vendeve evropiane që kanë një klimë më të ftohtë, e cila nuk është e përshtatshme për mbirjen e saj? Ai që e gjen mund ta mbajë si kujtim, por shumë fara i mbledhin dhe i shesin si diçka të rrallë, ndonjëherë duke i kombinuar me guaska ose rruaza e duke i bërë varëse. Ato që i afrohen më shumë formës së zemrës çmohen më tepër nga koleksionuesit.
Banorët e Evropës Veriore i përdorin këto fara në formë zemre—si dhe farën drejtkëndëshe të një lloji tjetër shumë të ngjashëm—për të bërë kuti burnoti, kuti shkrepëse dhe medaljone. Në Angli këto fara ua japin fëmijëve të vegjël për të kruar dhëmbët që po u dalin. Marinarët i përdorin shpesh si hajmali duke menduar që përderisa këto fara mund të mbijetojnë nga një udhëtim kaq i gjatë dhe i rrezikshëm përmes oqeanit, mund të mbrojnë edhe atë që e mban.
Kështu që herën tjetër kur të bëni shëtitje përgjatë bregut, shikoni mirë mes leshterikëve dhe gjërave që nxjerr deti. Edhe ju mund të gjeni një farë që ka rrahur shumë dete.
[Figura në faqen 23]
Bishtaja e varur mund të rritet deri në 2 metra
[Burimi]
Me mirësjelljen e Jean-Jacques Segalen/ Barbadine.com
[Figura në faqen 23]
Varëse të bëra me këtë lloj fare