Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Bllokimi i trafikut si dukuri fizike

Kur jeni gjendur në një trafik të rënduar, ec e ndalo për një kohë të gjatë, a e keni pyetur ndonjëherë veten pse rruga krejt papritur zhbllokohet, dhe ju ecni me shpejtësi normale, pa e kuptuar arsyen e bllokimit? «Nga ana praktike ekzistojnë disa arsye përse bllokohet trafiku edhe kur nuk ka aksidente ose kur rruga nuk duket e keqe,​—shkruan The Wall Street Journal.​—Makinat lëvizin pak a shumë si molekulat e një gazi.» Edhe një ngadalësim fare i vogël sjell «një valë ngjeshjeje» makinash njëra pas tjetrës, duke bërë që edhe makinat e tjera që janë shumë më mbrapa ta ulin shpejtësinë në minimum. «Është llogaritur që afërsisht treçereku i bllokimeve të trafikut nuk ka një arsye të dukshme,​—thotë gazeta.​—Problemi ndoshta ndodh e zgjidhet orë më parë, por pasojat e tij vazhdojnë edhe më pas.» Të ndryshosh rrugën për të shmangur bllokimet e trafikut mund të zgjidhë punë vetëm kur qyteti është disi jo i ngarkuar. Por, kur rrugët mbushen plot dhe shoferët e tjerë bëjnë të njëjtën gjë, «të gjesh rrugën më të shpejtë» është tepër e vështirë. Artikulli vazhdon: «Në fakt, shoferëve që nuk e vrasin mendjen u del më mirë se shoferëve që mundohen të gjejnë rrugën më të shpejtë.»

Nikotina​—Një ves që merret shpejt

«Vetëm një thithje e cigares do të mjaftonte që një adoleshent të binte pre e vesit të duhanit,​—thotë gazeta National Post e Kanadasë.​—Ky zbulim i jashtëzakonshëm hedh poshtë idenë që mbizotëronte më parë, se duhani bëhet ves dalëngadalë dhe ndodh vetëm atëherë kur ke vite që e pi shumë.» Siç thuhej më tej në gazetë, pas një studimi gati 6-vjeçar që u bë me 1.200 adoleshentë, studiuesit zbuluan se «varësia që krijon trupi ndaj nikotinës ushtron më tepër forcë se presioni i bashkëmoshatarëve, qoftë edhe tek ata që e pinë shumë rrallë». Sipas studimit, «te shumë përdorues të rinj simptomat e varësisë ndaj nikotinës shfaqen në periudhën midis cigares së parë dhe fillimit të pirjes së përditshme të duhanit». Studiuesit thonë se fushatat kundër duhanit duhen përshtatur në mënyrë të atillë që jo vetëm të ndihmojnë të rinjtë t’i rezistojnë presionit për të pirë duhan, por të ndihmojë edhe ata që e pijnë duhanin që të mposhtin varësinë ndaj nikotinës.

A është e tepërt të jesh tepër i pastër?

Të lahesh në vaskë apo të rrish për një kohë të gjatë në dush me ujë të nxehtë është një zakon që e pëlqejnë shumë njerëz. Por gazeta australiane The Daily Telegraph paralajmëron se «larja e tepërt mund të shkaktojë shumë probleme me lëkurën. Njerëzit tani lahen shumë shpesh, qëndrojnë në dush për një kohë shumë të gjatë dhe nuk përdorin produktin e përshtatshëm për lëkurën e tyre». Dermatologia dr. Megan Endrjus shpjegon: «Të gjithëve na pëlqen të jemi të pastër dritë, por në fakt, të jesh tepër i pastër do të thotë që lëkura është dëmtuar . . . Njerëzit ndihen mirë pas kësaj, por duke i bërë dëm vetes.» Pse? Sepse larja e shpeshtë e me shumë përkushtim «ia heq lëkurës yndyrën natyrore që ka dhe prish murin mbrojtës me mikroorganizma, kështu që lëkura ka të ngjarë të pësojë plasaritje dhe gërvishtje të vogla», siç raporton gazeta, duke theksuar se moti i thatë i dimrit «është një periudhë gjatë së cilës duhet të bëjmë veçanërisht kujdes». Endrjusi këshillon që të mos bëjmë më shumë se një dush të shpejtë në ditë.

Këshilla që çuan në katastrofë

«Deri në vitet 1970, shumica e fshatrave në Bangladesh dhe në Bengalin Perëndimor [Indi] e siguronin ujin duke bërë puse të cekëta ose duke e marrë ujin nga pellgjet e lumenjtë, dhe vuanin vazhdimisht nga kolera, dizenteria dhe nga sëmundje të tjera që transmetoheshin nëpërmjet ujit,​—raporton gazeta The Guardian Weekly.​—Pastaj OKB-ja i këshilloi njerëzit të gërmonin puse të thella duke futur tuba në formacionet ujëmbajtëse (masa shkëmbore shumë poroze dhe të depërtueshme që përmbajnë ujë) për të pasur ujë të pastër dhe pa mikrobe.» Pothuajse 20 milionë puse me tuba u gërmuan në Bangladesh, Vietnam, Laos, Burmë (tani Mjanmar), Tajlandë, Nepal, Kinë, Pakistan, Kamboxhia dhe në Bengalin Perëndimor, Indi. Por shumë prej këtyre puseve, prekën thellë në tokë shtresa sedimentare që përmbanin arsenik. Kjo ka çuar në helmim me arsenik deri në atë shkallë sa Organizata Botërore e Shëndetësisë e quan «helmimi më i madh në masë i një popullsie, që ka njohur historia botërore». Gjatë 20 viteve të fundit, rreth 150 milionë njerëz kanë pirë ujë të ndotur. Vetëm në Bangladesh, numri i rasteve të rënda me helmim nga arseniku ka arritur deri në 15.000 njerëz. Grupe pune vendëse, qeveritë dhe OKB-ja kanë shqyrtuar shumë alternativa, por mënyra e duhur për të përmirësuar situatën nuk është gjetur akoma.

Jini syçelë ndaj shenjave paralajmëruese për vetëvrasje te fëmijët

«Tetëdhjetë për qind e fëmijëve që tentojnë ose që kryejnë vetëvrasje e shprehin atë gojarisht ose me shkrim ditë ose muaj më përpara»,​—raporton gazeta Milenio e Meksikos. Arsyet kryesore pse fëmijët humbasin dëshirën për të jetuar janë keqtrajtimi (fizik, emocional ose me fjalë), shfrytëzimi seksual, ndarja e familjeve dhe problemet që kanë lidhje me shkollën. Sipas Hose-Luis Vaskesit, psikiatër specialist në Institutin e Sigurimit Shoqëror të Meksikës, vdekja është bërë një gjë kaq e zakonshme në televizion, filma, lojërat në video dhe në libra, saqë fëmijët kanë krijuar një ide të gabuar në lidhje me vlerën e jetës. Ai shton që në çdo 100 fëmijë të moshave tetë deri dhjetë vjeç, 15 mendojnë për vetëvrasje dhe 5 për qind arrijnë ta bëjnë vërtet këtë. Gazeta këshillon që të jemi syçelë kur fëmija përmend vetëvrasjen, jo ta kalojmë thjesht si një shantazh nga ana e fëmijës ose si përpjekje për të tërhequr vëmendjen. Ajo vazhdon: «Prindërit duhet të kalojnë kohë me fëmijët dhe të luajnë me ta, të mos e humbin kurrë komunikimin midis tyre dhe t’u tregojnë vazhdimisht dashuri.»

Zemërimi të bën keq

Sipas Valentina D’Ursos, pedagoge psikologjie në Universitetin e Padovës në Itali, «shpërthimet e zemërimit janë një dukuri gjithnjë e në rritje e shoqërisë, që ndikon për keq në organizmin tonë». Muskujt tendosen, rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja bëhen më të shpeshta, ndërsa trupi fillon të jetë në gjendje tensioni. Zemërimi mund të dobësojë aftësinë për të arsyetuar dhe të vështirësojë vetëkontrollin. «Le të përgatitemi më parë se si të përballemi me një situatë që mund të na shkaktojë zemërim . . . Që në fillim, të themi me qetësi: ‘Nuk jam dakord’ dhe gjithçka do të jetë më e lehtë»,​—këshillon D’Urso.

Mjekë të tensionuar

Kohët e fundit Shoqata Mjekësore Kanadeze vrojtoi 2.251 mjekë në të gjithë vendin dhe «zbuloi se 45,7 për qind prej tyre ishin në faza të përparuara të sfilitjes, gjendje që karakterizohet nga lodhja emocionale, mosbesimi dhe ndjenja e paaftësisë në punë», siç thotë gazeta Vancouver Sun. Dr. Pol Farnani, koordinator i Programit të Ndihmës për Mjekët në Kolumbinë Britanike, mendon se faktorët që i çojnë shumë mjekë drejt stresit, janë vështirësia për të gjetur një zëvendësues kur duan të marrin pushime, të qenët në dispozicion orar pa orar dhe kartelat pa mbarim që duhet të mbushin. Dr. Farnani i inkurajon mjekët e tensionuar të gjejnë ekuilibër në jetën e tyre, duke kaluar kohë me familjen dhe të përfshihen në veprimtari që u japin kënaqësi emocionale dhe fetare.