Pse ai më trajton kaq keq?
Të rinjtë pyesin . . .
Pse ai më trajton kaq keq?
«Shpesh [ai] më akuzon për gjëra koti. Por jam shumë e lidhur emocionalisht me të!»—Ketrina. *
«Nga jashtë s’ngeli gjë [ndonjë shenjë], por nga brenda më lëndoi shumë!»—Andrea, të cilën e qëlloi me shuplakë djali me të cilin po njihej.
ËSHTË një situatë që haset dendur: Një vajzë fillon të dalë me një djalë që duket sikur është mishërimi i bukurisë dhe i mirësjelljes. Por pak nga pak ai fillon të ndryshojë. Fjalët e ëmbla ia lënë vendin sarkazmës therëse dhe kritikave poshtëruese. Fillimisht vajza i justifikon se djali i ka thjesht nga dashuria këto, ndonëse janë fjalë shpotitëse e pa takt. Mirëpo, gjërat keqësohen derisa ai e bën zakon ta keqtrajtojë me fjalë, të shpërthejë në zemërim dhe pastaj të shprehë keqardhje për këtë. Duke u ndier disi fajtore për këtë sjellje të keqe, vajza vuan në heshtje, me shpresën se e gjithë kjo do të kalojë. Por kjo situatë nuk kalon. Më pas djali fillon nga të bërtiturat e të ulëriturat. Madje në një rast, në inat e sipër, i jep një të shtyrë të fortë. Vajza ka frikë se mos herën tjetër do të hajë ndonjë shuplakë. *
Të rinjtë e të rejat që kanë një lidhje romantike të karakterizuar nga keqtrajtimet fizike ose me fjalë, mund të durojnë një lumë kritikash, sharjesh dhe shpërthimesh zemërimi. A je në një situatë të tillë? (Shih kutinë «Disa shenja paralajmëruese».) Nëse po, ndoshta je kaq e dëshpëruar dhe në siklet, saqë nuk di çfarë të bësh.
Situata të tilla nuk janë edhe aq të pazakonshme, sa ç’mund të mendosh. Studiuesit llogaritin që 1 në 5 veta ka provuar ndonjë formë dhune gjatë periudhës së njohjes. Po të konsiderohet edhe keqtrajtimi me fjalë si një formë dhune, numri shkon 4 në çdo 5 veta. Veç kësaj, ndryshe nga sa mendohet në përgjithësi, jo të gjitha viktimat janë femra. Sipas një studimi britanik për dhunën gjatë periudhës së njohjes, «pothuajse një numër i njëjtë burrash e grash» thanë se kishin të dashur të dhunshëm. *
Pse vërehet kjo sjellje e keqe gjatë periudhës
së njohjes? Çfarë duhet të bësh në një rrethanë të tillë?Kupto pikëpamjen e Perëndisë
Së pari, duhet të kuptosh sa e rëndë është kjo gjë në sytë e Perëndisë. Është e vërtetë se njerëzit e papërsosur kanë prirjen të thonë e të bëjnë gjëra që lëndojnë të tjerët. (Jakovi 3:2) Po ashtu, është e vërtetë se edhe njerëzit që e duan e që kanë besim te njëri-tjetri, nganjëherë do të kenë mosmarrëveshje. Për shembull, apostulli Pavël dhe Barnaba ishin të krishterë të pjekur, por në një rast patën ‘një shpërthim të fortë zemërimi’. (Veprat 15:39) Prandaj, në qoftë se po njihesh me dikë, ndoshta hera-herës do të keni ndonjë mosmarrëveshje.
Për më tepër, nuk do të ishte realiste të prisje që djali me të cilin po njihesh të mos bënte kurrë ndonjë kritikë. Fundja ju të dy po mendoni të martoheni së bashku, dhe në qoftë se atë e shqetëson ndonjë tipar ose zakon i yti, do të ishte gjë e dashur të bisedonte me ty për këtë, apo jo? Kuptohet, kritika shkakton dhembje. (Hebrenjve 12:11) Por në qoftë se është e nxitur nga dashuria dhe jepet me dashuri, nuk përbën keqtrajtim.—Fjalët e urta 27:6.
Por të bërtiturat, shuplakat, grushtet e sharjet janë krejt tjetër. Bibla e dënon «furinë, zemërimin, të keqen, sharjen». (Kolosianëve 3:8) Jehovai zemërohet shumë kur një njeri e përdor ‘forcën’ për të poshtëruar, për të frikësuar ose për të shtypur të tjerët. (Predikuesi 4:1; 8:9) Madje Fjala e Perëndisë i urdhëron burrat «t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre . . . , sepse asnjeri nuk e ka urryer kurrë trupin e vet; por e ushqen dhe përkujdeset për të». (Efesianëve 5:28, 29) Një djalë që keqtrajton me fjalë ose me veprime vajzën me të cilën po njihet tregon se nuk është i përshtatshëm si bashkëshort. Në të njëjtën kohë, i shkakton pakënaqësi edhe vetë Perëndisë Jehova.
Nuk e ke ti fajin!
Mirëpo, shpesh këta që sillen keq ua hedhin fajin viktimave të tyre. Prandaj, ndoshta nganjëherë ti mendon se është faji yt që djali me të cilin po njihesh zemërohet kaq shumë. Por zemërimin mund të mos ia kesh shkaktuar fare ti ose ndoshta ke shumë pak gisht në këtë. Shpesh burrat që sillen ashpër janë rritur në familje ku përdorimi i dhunës ose keqtrajtimi me fjalë shiheshin si diçka normale. * Në disa vende, të rinjtë ndikohen nga kultura vendëse, ku pritet që burrat të sundojnë mbi gjithçka. Edhe moshatarët mund t’i bëjnë presion një të riu që të tregojë se është «burrë». Duke mos pasur siguri në vetvete, atij mund t’i duket një kërcënim gati çdo gjë që ti thua ose bën.
Sido që të jetë puna, ti nuk je fajtore për shpërthimet e zemërimit të dikujt tjetër. Keqtrajtimi me fjalë dhe dhuna nuk janë asnjëherë të justifikueshme.
Ndrysho mënyrën tënde të të menduarit
Por ndoshta ti vetë ke nevojë të ndryshosh mënyrën si i sheh gjërat. Pse e themi këtë? Për shembull, në rast se një vajzë është rritur në një mjedis me dhunë e me sharje, mund t’i duket normale kjo sjellje e keqe. Në vend që të ndiejë neveri për këtë sjellje jo të krishterë, ajo mund ta tolerojë e madje edhe t’i duket diçka tërheqëse. Po, vërtet, disa viktima të keqtrajtimit e pranojnë se u duken monotonë burrat që sillen tepër mirë. Vajza të tjera rrojnë me iluzionin se mund ta ndryshojnë djalin me të cilin po njihen.
Romakëve 12:2) Me anë të lutjes, studimit dhe meditimit, duhet të fitosh edhe ti pikëpamjen e Jehovait për sjelljen e dhunshme dhe ta shohësh këtë sjellje si diçka të neveritshme. Duhet të kuptosh se nuk e meriton që të të keqtrajtojnë. Zhvillimi i modestisë, domethënë i vetëdijes për kufizimet e tua, mund të të ndihmojë të kuptosh se nuk e ke aftësinë ta ndryshosh një djalë që ka prirje të zemërohet. Është përgjegjësia e tij të ndryshojë.—Galatasve 6:5.
Nëse ke ndonjërin nga mendimet e mësipërme, ke nevojë që ‘të transformohesh duke përtërirë mendjen’ në këtë drejtim. (Në disa raste, vajzat e durojnë këtë keqtrajtim sepse s’kanë shumë vlerësim për veten. Ketrina, e përmendur në fillim, thotë: «Nuk e mendoj dot jetën pa të, nuk arrij të mendoj që mund të gjej dikë më të mirë.» Po ashtu, një e re me emrin Helga, tha për djalin me të cilin po njihej: «E lë të më qëllojë, sepse gjithsesi është më mirë kështu, sesa të mos i biesh në sy askujt.»
A të duken pikëpamjet e shprehura në këto komente një bazë e mirë për një lidhje të suksesshme? Se fundi-fundit, a mund ta duash vërtet dikë në qoftë se nuk arrin të duash as veten tënde? (Mateu 19:19) Përpiqu të kesh respekt për veten në një masë të ekuilibruar. * Po të vazhdosh të durosh keqtrajtimin, kjo nuk do të të ndihmojë. Siç e ka mësuar në kurrizin e vet një e re me emrin Irena, të durosh dhunën mund «të të heqë gjithë vlerësimin që ke për veten».
Shihe realitetin në sy
Disa mund të mos e kenë të lehtë ta pranojnë se lidhja e tyre është pa të ardhme, sidomos nëse tashmë kanë lindur ndjenja të forta romantike. Por mos i mbyll sytë para realitetit. Një fjalë e urtë biblike thotë: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.» (Fjalët e urta 22:3) Një vajzë me emrin Hana sjell ndër mend: «Kur bie në dashuri me një djalë, je e verbër, shikon vetëm cilësitë e mira që ka.» Megjithatë, në rast se ai të keqtrajton, është e rëndësishme ta shohësh për atë që është në të vërtetë. E nëse ai djalë të bën të ndihesh e kërcënuar ose e nënvlerësuar, këtu ka diçka shumë, shumë të gabuar. Mos u përpiq t’i mohosh ndjenjat e tua, ta shfajësosh ose t’ia hedhësh fajin vetes. Jeta tregon se keqtrajtimi, po të mos frenohet, vetëm sa keqësohet. Mund të jetë në rrezik të madh mirëqenia jote.
Sigurisht, më e mira është që të mos lidhesh fare me dikë që s’ka vetëkontroll. (Fjalët e urta 22:24) Prandaj, në qoftë se të kërkon periudhë njohjeje një djalë të cilin ti nuk e njeh mirë, do të ishte e mençur të merrje ndonjë informacion për të. Pse të mos i sugjerosh që më parë të shoqëroheni me njëri-tjetrin vetëm në grup? Kështu mund ta njohësh pa u lidhur tepër shpejt nga ana romantike. Bëji vetes pyetje të rëndësishme, të tilla si: ‘Çfarë shokësh ka? Ç’lloj muzike, filmash, lojërash në kompjuter e sportesh pëlqen? A tregojnë bisedat e tij se ka interes për gjërat frymore?’ Fol me njerëz që e njohin, si për shembull me pleqtë e kongregacionit të tij. Ata do të ta thonë nëse të tjerët ‘flasin mirë’ për atë djalë, sepse ka një sjellje të pjekur e të perëndishme.—Veprat 16:2.
Por, ç’mund të bësh në rast se tashmë ke lidhje me dikë që të keqtrajton? Një artikull në të ardhmen do të trajtojë këtë pyetje.
[Shënimet]
^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.
^ par. 5 Ky artikull u drejtohet viktimave të keqtrajtimit me fjalë dhe keqtrajtimit fizik. Këshilla që mund të ndihmojnë keqtrajtuesit janë dhënë në artikujt «Nga fjalë që lëndojnë në fjalë që shërojnë», «Prepotenca: Ç’të keqe ka?» dhe «Të lirë nga prepotenca», përkatësisht te Zgjohuni!, 22 tetor 1996, anglisht; 22 mars 1997, anglisht; dhe 22 gusht 2003.
^ par. 7 Gjithsesi, për ta bërë më të thjeshtë, do t’u drejtohemi në gjininë femërore viktimave të keqtrajtimit. Parimet që trajtohen këtu zbatohen edhe për djemtë, edhe për vajzat.
^ par. 14 Shih artikullin «Të zbulojmë rrënjët e të folurit sharës», në numrin e 22 tetorit 1996, anglisht.
^ par. 20 Shih kapitullin 12 të librit Të rinjtë pyesin—Përgjigje praktike, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia në faqen 21]
Disa shenja paralajmëruese
▪ Shpesh ai bën komente poshtëruese për ty, për familjen ose për shoqet e tua, kur jeni vetëm ose kur jeni me të tjerë
▪ Zakonisht s’i merr parasysh dëshirat ose ndjenjat e tua
▪ Përpiqet të ketë nën kontroll çdo aspekt të jetës sate, duke ngulur këmbë që të dijë ku shkon ose ku je në çdo kohë e duke marrë çdo vendim për ty
▪ Të bërtet, të shtyn ose të kërcënon
▪ Përpiqet të të bindë që të bësh veprime të papërshtatshme për të treguar dashurinë
▪ S’mund të bësh dot asgjë pa u shqetësuar se mos kjo do ta acarojë në ndonjë mënyrë
[Figura në faqen 20]
Kritikat ose fyerjet e vazhdueshme mund të tregojnë se kjo lidhje është pa të ardhme