Pse vuajnë kaq shumë njerëz nga alergjia e ‘barit’?
Pse vuajnë kaq shumë njerëz nga alergjia e ‘barit’?
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Spanjë
SYTË ju hanë dhe ju lotojnë, teshtini gjithë ditën, hundët nuk reshtin së kulluari dhe merrni frymë me vështirësi. Çfarë po ndodh? Mund t’ju ketë zënë gripi. Por, nëse këto simptoma ju shfaqen kur në ajër ka pjalm atëherë ka shumë mundësi që të vuani nga alergjia e ‘barit’. Në qoftë se është kështu, nuk jeni të vetmit. Numri i njerëzve që diagnostikohen me alergjinë e ‘barit’ vazhdon të rritet nga viti në vit.
Në revistën Muher de Oj thuhet: «Alergjia e ‘barit’ nuk është gjë tjetër veçse reagimi i tepërt i trupit ndaj një substance që e konsideron të dëmshme. Sistemi imunitar i njerëzve me alergji nuk pranon asnjë substancë që e konsideron të huaj, përfshirë këtu edhe pjalmin, edhe pse ato nuk janë vërtet të rrezikshme.» Dhe kur sistemi imunitar reagon së tepërmi, shkakton simptomat acaruese që u thanë në fillim të artikullit.
Në vitin 1819, mjeku anglez Xhon Bostok ishte i pari që shkroi për alergjinë e ‘barit’. Ai tregoi çdo hollësi të simptomave stinore nga të cilat vuante vetë. Besonte se shkaku i këtyre simptomave ishte bari që korrej në atë stinë, kështu që kjo sëmundje u quajt alergjia e ‘barit’. Më vonë u zbulua që substancat që e provokojnë alergjinë në të vërtetë janë lloje të ndryshme pjalmesh. Në fillim të shekullit të 19-të, rastet me alergjinë e ‘barit’ që Bostoku gjeti në të gjithë Anglinë ishin të pakta.
Po sot, pse ka kaq shumë raste me alergji të tillë? Dr. Havier Suvisa, drejtor i Qendrës së Astmës dhe Alergjive në Madrid, Spanjë, përmend dy teori që studiuesit po shqyrtojnë. Një nga këto teori fajëson motorët me naftë. Mendohet se grimcat që vijnë nga djegia e këtij karburanti mund të nxitin veprimin e alergjenëve, që janë substanca që provokojnë alergjinë. Sipas mjekut specialist të alergjisë dr. Huan Kotni Pomër «në vendet e zhvilluara alergjia e ‘barit’ prek deri në 20 për qind të popullsisë, duke qenë më e shpeshtë në qytete».
Sipas teorisë së dytë hidhet ideja që shkaku është thjesht pastërtia e tepërt. «Lindim në salla operacionesh të sterilizuara, përdorim ushqime sterile, vaksinohemi kundër shumë sëmundjeve dhe marrim menjëherë antibiotikë në rast se sëmuremi. Domethënë, që në fëmijëri gjendja në të cilën ndodhet sistemi ynë imunitar favorizon zhvillimin e alergjive»,—shpjegon dr. Suvisa.
Nëse jeni viktimë e këtij reagimi imunitar, mos u dëshpëroni! Me diagnozën dhe kurën e duhur mund të kontrollohen dhe të ulen si shpeshtësia, ashtu edhe simptomat acaruese të alergjisë së ‘barit’.