T’i vëmë fre gjuhës, ashtu si kalit
T’i vëmë fre gjuhës, ashtu si kalit
«Kali është diçka e përgatitur për ditën e betejës»,—tha mbreti i mençur i Izraelit të lashtë, Solomoni. (Fjalët e urta 21:31, BR) Kavaleria, prej kohësh, ka luajtur një rol vendimtar për fitimin e betejave. Që në kohë të lashta ushtritë kanë përdorur frerë për të kontrolluar karakterin dhe forcën e kalit.
Frerët, shpjegon Encyclopædia Britannica «janë rripa që fiksojnë gojëzën në gojën e kafshës, dhe kështu bëjnë që njeriu ta mbajë nën kontroll me anë të kapistrës». Frerët e lashtë nuk ndryshojnë shumë nga frerët e sotëm dhe kanë dalë të pazëvendësueshëm në zbutjen e kalit dhe në kalërim.
Babai i Solomonit, mbreti David, foli tërthorazi për rëndësinë e frerëve kur shkroi: «Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër.» (Psalmi 32:9) Pasi një kalë zbutej, ai mund të bëhej një shok besnik. Aleksandri i Madh e vlerësonte kaq shumë kalin e tij, Bucefalin, saqë për nder të tij një qyteti në Indi i vuri këtë emër.
Edhe pse për mijëvjeçarë të tërë njerëzit kanë arritur me sukses të zbutin kuaj, është krejt ndryshe t’i vëmë fre natyrës sonë të papërsosur. «Të gjithë ne pengohemi shumë herë,—theksoi dishepulli i krishterë Jakovi.—Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, ky është njeri i përsosur, në gjendje për t’i vënë fre edhe gjithë trupit të vet.» (Jakovi 3:2) Dhe në të vërtetë, kush nga ne mund të pretendojë që nuk ka nxjerrë kurrë nga goja një fjalë të pamend, therëse ose nuk ka folur me nervozizëm?
Pse atëherë u dashka të mundohemi për të frenuar gjuhën e pakontrollueshme kur «asnjë njeri nuk mund ta zbutë»? (Jakovi 3:8) Njerëzit janë të gatshëm të harxhojnë kohën dhe mundin e tyre për të zbutur një kalë sepse e dinë se do të nxjerrin dobi pasi ta kenë stërvitur. Në mënyrë të ngjashme edhe ne sa më mirë ta stërvitim ose ta kontrollojmë gjuhën tonë, aq më shumë dobi do të nxjerrim.
Fjalët mirëdashëse mund t’i lehtësojnë dhe t’u japin zemër miqve, shokëve të punës dhe të afërmve tanë. (Fjalët e urta 12:18) Fjalë të tilla mund t’ua bëjnë jetën më të këndshme atyre që na rrethojnë. Por një gjuhë pa fre hap telashe. Bibla paralajmëron: «Frenoje . . . gjuhën tënde, kështu do t’u qëndrosh larg telasheve.» (Fjalët e urta 21:23, The New English Bible) Sa më shumë të arrijmë ta frenojmë gjuhën, aq më shumë do të ndihmojmë veten dhe ata që na dëgjojnë. *
[Shënimi]
^ par. 7 Është interesante se Bibla i kujton të krishterët që të folurit e tyre lidhet ngushtë me adhurimin. Ajo thotë: «Nëse ndonjërit i duket vetja se ka një formë adhurimi dhe megjithatë nuk i vë fre gjuhës së tij, por vazhdon ta mashtrojë zemrën e vet, forma e adhurimit të këtij njeriu është e kotë.»—Jakovi 1:26.
[Figura në faqen 31]
Aleksandri i Madh
[Burimi]
Alinari/Art Resource, NY