Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Udhëtim në ishullin e qelqit

Udhëtim në ishullin e qelqit

Udhëtim në ishullin e qelqit

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

MJESHTRI e vendos tubin në dritaren e vogël të furrës tejet të nxehur dhe nxjerr prej andej një sferë me qelq të shkrirë që kuqëlon si dielli në perëndim. Një fije e hollë ngjyrë portokalli shndrit midis furrës dhe tubit dhe pastaj zhduket. Pasi mjeshtri e rrotullon në një tavolinë prej metali këtë topth qelqi të shkrirë, sfera bëhet cilindër. Ai fryn pak në tubin e zbrazët dhe masa e qelqit fryhet, pastaj e rrotullon përsëri, e ngre lart, e këqyr dhe e vë prapë në zjarr.

Jemi në Murano, një ishull i vogël në lagunën e Venecies, Itali. Ky ishull është i famshëm për sendet prej qelqi që prodhon. Në fakt, në këtë krahinë ka më shumë se 1.000 vjet që prodhohen sende qelqi me fryrje. Rrënojat e një punishteje qelqi në Torçelo, një ishull fqinj në lagunë, i përkasin shekullit të shtatë të erës sonë. Megjithatë, dëshminë e parë nga vetë qyteti i Venecies e gjejmë në një kontratë të vitit 982 të e.s. Aty njëri prej dëshmitarëve quhej «Domeniko qelqpunuesi».

Në vitin 1224 qelqpunuesit venecianë tashmë kishin krijuar një shoqëri zejtarësh. Në vitin 1291, Këshilli i Madh i Venecies urdhëroi që punishtet e qelqit të hiqeshin nga qyteti, ndoshta për arsye sigurie. Shumë prej këtyre punishteve u vendosën këtu në Murano, më pak se një kilometër larg në lagunë, ku vazhdojnë të jenë edhe sot.

Pse është i famshëm?

Qelqin e kanë prodhuar shumë vende të botës që nga lashtësia. Atëherë, pse është kaq i veçantë qelqi i Muranos ose ndryshe qelqi venecian? Mendohet se zejtarët e atjeshëm arritën ta përmirësonin shumë artin e tyre sepse Venecia kishte lidhje me krahina të tjera që kishin tradita shumë të vjetra për prodhimin e sendeve prej qelqi me fryrje. Ndër to përmendim Egjiptin, Fenikinë, Sirinë dhe Korintin e kohës së Bizantit. Duket se metodat dhe prodhimet e fabrikave më të vjetra veneciane kanë marrë shumë nga ekuivalentët e tyre orientalë. Falë metodave të përparuara mjeshtëria e Muranos arriti një nivel të lartë që ndoshta s’e kishte arritur kurrë një qendër tjetër evropiane e prodhimit të qelqit me fryrje.

Sipas librit Qelqi në Murano (anglisht), në Evropën e shekullit të 13-të dhe të 14-të, Venecia ishte «e vetmja qendër e prodhimit të qelqit që mund të siguronte ‘vepra arti’ prej qelqi të bëra me fryrje». Produktet veneciane eksportoheshin anembanë, që nga pjesa lindore e Mesdheut e deri në Evropën Veriore. Në vitin 1399, mbreti Rikardi II i Anglisë u dha leje dy anijeve veneciane të ankoruara në portin e Londrës që të shitnin sende prej qelqi. Në të njëjtën periudhë, sendet prej qelqi venecian gjendeshin edhe midis zotërimeve të fisnikëve francezë. Me kalimin e kohës, Muranoja u bë i njohur, ndër të tjera, për pasqyrat, llambadarët, artikujt prej qelqi të ngjyrosur, zbukurimet me ar dhe emal, sendet prej kristali, imitimet e gurëve të çmuar, kupat me fron të gdhendur bukur dhe për sendet me forma elegante.

Duke i mbrojtur me xhelozi sekretet e këtij zanati, Venecia u përpoq të pengonte rritjen e konkurrencës në cilësinë e sendeve prej qelqi. Që në shekullin e 13-të, qelqpunuesve iu ndalua të largoheshin nga krahina për t’u vendosur me banim diku tjetër. Masat mbrojtëse u bënë edhe më të rrepta. Vetëm ata që ishin qytetarë të Muranos me të drejta të plota mund të punonin si qelqpunues ose çirakë. Gjatë një periudhe, qelqpunuesit që iknin fshehurazi dhe i kapnin, duhej të paguanin gjoba të rënda dhe dënoheshin me pesë vjet burg që do t’i kryenin si rremtarë në anije, me këmbët e lidhura me zinxhirë.

Megjithatë disa qelqpunues emigruan fshehurazi në zona të tjera anembanë Italisë dhe Evropës e filluan të konkurronin me Muranon. Prodhonin të njëjtët artikuj qelqi dhe përdornin të njëjtat metoda si në Murano. Në shumë raste, është pothuajse e pamundur t’i dallosh prodhimet e tyre nga ato të bëra në Murano. Këto prodhime u bënë të njohura si stili venecian ose à la façon de Venise.

Arti venecian arriti kulmin në shekullin e 15-të dhe të 16-të. Muranoja sundonte tregun dhe furnizonte tryezat e mbretërve me sende prej qelqi. Kjo për shkak të stileve që përdoreshin aty, ku përmendim: stilet krijuese të kristalit me fryrje, artikujt e emaluar e të pikturuar, stilin e patejdukshëm lattimo (qelq i veshur) dhe stilin reticello (qelq me punim rrjetë).

Siç thotë një historiane e mjeshtërisë së punimit të qelqit, në atë kohë «udhëtarët kureshtarë që mbërrinin në lagunë në kohën kur punishtet ishin të hapura, nuk e humbnin rastin për t’i vizituar». As ne nuk duam ta humbim rastin për të bërë një vizitë. Prandaj, këtë mëngjes, po marrim një traget të vogël që shërben si autobus (italisht, vaporetto), për të shkuar nga Kanali i Madh në Murano. Ejani edhe ju me ne.

Furrat dhe dyqanet

Sapo zbresim nga trageti i vogël në ndalesën e parë në Murano, disa njerëz na drejtojnë te punishtet më të afërta të qelqit, ku mund të shohim pa pagesë demonstrime të artit të qelqpunuesve. Brenda në punishte shohim një mjeshtër që fryn e rrotullon një topth qelqi të shkrirë derisa bëhet një flluskë e zgjatur në fund të tubit. Pastaj, duke përdorur me mjeshtëri pinca e gërshërë, ai e tërheq, e pret dhe e nduk këtë masë pa formë. Dalëngadalë del në pah koka, këmbët dhe bishti i një hamshori që ngrihet me dy këmbët e përparme përpjetë.

Dalim nga punishtja e parë dhe shëtitim përgjatë kanalit të qetë Rio dei Vetrai ose Kanali i Qelqpunuesve. Këtu, ashtu si në pjesën më të madhe të Venecies, njerëzit ose ecin në trotuare, ose lëvizin me barka në ujë. Ndërsa shëtitim shohim që në Murano ka shumë punishte e dyqane. Në disa prej tyre ka sende elegante e me cilësi të lartë, si komplete çaji, abazhurë dhe skulptura hijerënda e të plota, të cilat pa dyshim kërkojnë shumë mjeshtëri dhe përqendrim. Në të tjera ka sende më pak të kushtueshme, që nga rruazat e deri te vazot dhe ca objekte shumëngjyrëshe për të mbajtur letrat. Janë shumë të bukura dhe që të gjitha janë bërë me dorë.

Mbetemi pa fjalë duke parë se si prodhohen sendet e ndryshme. Qelqi i Muranos (që ka 70 për qind rërë dhe 30 për qind karbonat natriumi, gur gëlqeror, nitrat dhe arsenik) arrin gjendjen e lëngshme në temperaturën 1.400 gradë Celsius dhe gjendjen e ngurtë në temperaturën rreth 500 gradë Celsius. Butësinë dhe elasticitetin e arrin në temperaturën e duhur midis dy temperaturave të mësipërme. Prandaj, për ta fryrë një masë qelqi ose për t’i dhënë formë, ajo duhet futur disa herë në zjarr që të rifitojë elasticitetin. Zejtarët ulen në stola që ndodhen ndërmjet krahëve horizontalë të furrës, ku mbështetin dhe rrotullojnë tubat. Në njërën dorë mbajnë tubin që e rrotullojnë, kurse në dorën tjetër kanë një mjet ose një kallëp të bërë me dru dardhe. Këtë kallëp që është shumë rezistent ndaj nxehtësisë, e zhytin më parë në ujë dhe me të i japin formë masës së qelqit.

Qëndrojmë të shohim një zejtar që fryn një flluskë qelqi në një kallëp me dallgëzime, i thotë ndihmësit që ta presë njërin cep të flluskës, pastaj e rrotullon tubin në boshtin e vet, kështu që flluska hapet, si një gonxhe që po çel. Pasi ta nxehë përsëri e t’i japë më tej formë, dhe t’i shtojë një rreth qelqi të shtypur, do të ketë përftuar një llambë në formë zambaku, për ta vënë në një llambadar.

Për t’i dhënë ngjyrë një mase qelqi të tejdukshme, zejtari e spërkat me pluhura me ngjyrë, që mund të shkrihen. Efektet me lule arrihen me metodën murrine. Me këtë metodë, masës së qelqit i shtohen petëza në formë monedhe, të prera nga shufra të holla qelqi të përgatitura më parë, që kanë rremba me ngjyra të ndryshme. Masën cilindrike të qelqit mund ta rrotullohet mbi një fletë metalike, ku janë vendosur paralelisht këto shufra qelqi ose copëza shufrash, kështu që e gjithë sipërfaqja e saj mbulohet me to. Kur masa e qelqit vihet prapë në furrë, këto shufra që mund të jenë shumëngjyrëshe, në formë rrjete ose spirale, shkrihen dhe bëhen njësh me masën e qelqit. Kjo e fundit, pastaj, me fryrje mund të kthehet në një vazo, llambë ose në çfarëdo forme tjetër që dëshirohet. Sendet prej qelqi me anë të trasha e me disa shtresa qelqi të ngjyrosur ose të tejdukshëm, bëhen duke e zhytur objektin në poçe të ndryshme shkrirjeje.

Po, çdo send duket se ka një histori krejt të vetën dhe një metodë të veçantë prodhimi. Falë traditave shumëshekullore, qelqpunuesit e këtij ishulli historik në Venecie arrijnë ta përdorin zjarrin për të kthyer rërën në krijime të mrekullueshme që shndritin.

[Figura në faqen 16]

Rio dei Vetrai, Murano, Itali

[Figura në faqen 17]

«Kupa Barovier», e shekullit të 15-të

[Figura në faqen 17]

Kupë e shekullit të 16-të, e gdhendur me gur diamanti

[Figurat në faqen 18]

1. Dritarja e furrës

2. Një zejtar i jep formë një mase qelqi

3. Qelqin e nxehin përsëri për t’i rikthyer elasticitetin

4. Duke përdorur pinca dhe gërshërë, zejtari i bën këmbët hamshorit

5. Sendi i përfunduar

[Burimi]

Fotografitë me mirësjelljen e http://philip.greenspun.com