A tregon ankthi mungesë besimi?
Pikëpamja e Biblës
A tregon ankthi mungesë besimi?
«NDALOHET ANKTHI!» Poshtë këtij titulli, një pastor që jetoi në fillim të shekullit të 20-të shkroi se ankthi për gjërat materiale jo vetëm që është i gabuar, por është edhe «një mëkat shumë i rëndë». Më vonë, duke shkruar se si të mposhten shqetësimet dhe ankthet, një komentues vërejti: «Shqetësimi është si një deklaratë se nuk kemi besim te Perëndia.»
Në të dyja rastet shkrimtarët i nxorën përfundimet nga Predikimi në Mal i Jezuit, gjatë të cilit ai tha: «Mos jini më në ankth.» (Mateu 6:25) Meqë sot shumë njerëz i zë ankthi, ndoshta pyesim: ‘A duhet të ndihet fajtor një i krishterë kur është në ankth? A tregon ankthi mungesë besimi?’
Perëndia i kupton papërsosmëritë tona
Bibla nuk thotë se çdo ankth që provojmë vjen nga mungesa e besimit. Meqë po jetojmë «në kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», është thuajse e pamundur që të mos kemi njëfarë ankthi. (2 Timoteut 3:1) Të krishterët besnikë përballojnë ankthe të përditshme që vijnë nga shëndeti i dobët, pleqëria, problemet ekonomike, konfliktet familjare, krimet dhe probleme të tjera. Edhe në kohët e lashta, shërbëtorët e Perëndisë kishin frikë dhe shqetësime.
Shqyrtoni tregimin biblik që flet për Lotin. Perëndia i tha të ikte me të shpejtë në male, që të mos shfarosej kur të ndodhte shkatërrimi i Sodomës dhe i Gomorrës. Por Lotin e kapi ankthi. Ai tha: «Jo, zoti im!» Pastaj vazhdoi me ngurrim: «Por unë nuk do të mund të arrij malin para se të [nga Zanafilla 19:18-22.
frika se mos, BR] më zërë fatkeqësia dhe unë të vdes.» Përse Loti kishte frikë të ikte në male? Bibla nuk e thotë. Cilado qoftë arsyeja, Loti ndihej mjaft i frikësuar. Si reagoi Perëndia? A e qortoi ai Lotin, sepse tregoi mungesë besimi te Perëndia? Jo. Përkundrazi, Jehovai mori parasysh ndjenjat e Lotit dhe e lejoi që të shkonte në një qytet aty afër.—Bibla ka edhe shembuj të tjerë të cilët tregojnë për adhurues besnikë që ndonjëherë kishin shumë ankth. Profeti Elija u frikësua dhe ia mbathi kur e kërcënuan me vdekje. (1 Mbretërve 19:1-4) Gjithashtu Moisiu, Hana, Davidi, Habakuku, Pavli, burra e gra të tjerë me besim të fortë e shprehën hapur se ndiheshin në ankth. (Eksodi 4:10; 1 Samuelit 1:6; Psalmi 55:5; Habakuku 1:2, 3; 2 Korintasve 11:28) Megjithatë, Perëndia tregoi dhembshuri dhe vazhdoi t’i përdorte në shërbimin e tij, duke treguar kështu se i kupton me të vërtetë papërsosmëritë njerëzore.
‘Mëkati në të cilin ngecim lehtësisht’
Gjithsesi, nëse ankthi është i vazhdueshëm mund të na dobësojë dhe të na bëjë të humbim besimin te Perëndia. Apostulli Pavël e quajti mungesën e besimit ‘mëkati në të cilin ngecim lehtësisht’. (Hebrenjve 12:1) Duke përfshirë edhe veten, me sa duket Pavli po pranonte se kishte prirjen e natyrshme ‘të ngecte lehtësisht’, pra hera-herës t’i dobësohej përkohësisht besimi.
Ndoshta kështu ndodhi edhe me Zakarian kur nuk e besoi engjëllin që e lajmëroi se e shoqja do të mbetej shtatzënë. Një herë apostujt e Jezuit nuk qenë në gjendje të bënin një shërim, për shkak të ‘besimit të paktë’. Megjithatë, këta individë vazhduan të kishin miratimin e Perëndisë.—Mateu 17:18-20; Luka 1:18, 20, 67; Gjoni 17:26.
Nga ana tjetër, Bibla ka edhe shembuj që flasin për njerëz të cilët e humbën besimin te Perëndia dhe vuajtën pasoja të rënda. Për shembull, shumë izraelitë që u larguan nga Egjipti nuk u lejuan të hynin në Tokën e Premtuar për shkak të mungesës së besimit. Madje një herë ata folën kundër vetë Perëndisë dhe thanë: «Pse na nxorët nga Egjipti që të vdesim në këtë shkretëtirë? Sepse këtu nuk ka as bukë as ujë.» Duke treguar indinjatën e tij, Perëndia u dërgoi atyre gjarpërinj helmues për t’i ndëshkuar.—Numrat 21:5, 6.
Banorët e qytetit të Jezuit, Nazaretit, e humbën privilegjin për të parë mrekulli të tjera në vendin e tyre, sepse nuk kishin besim. Për më tepër, brezi i lig i atyre ditëve mori një qortim të ashpër nga Jezui, sepse u mungonte besimi. (Mateu 13:58; 17:17; Hebrenjve 3:19) Në mënyrë të përshtatshme, apostulli Pavël paralajmëroi: «Hapni sytë, vëllezër, nga frika se mos, duke u larguar nga Perëndia i gjallë, zhvillohet te ndonjëri prej jush një zemër e ligë, së cilës i mungon besimi.»—Hebrenjve 3:12.
Po, në raste ekstreme, mungesa e besimit mund të vijë nga një zemër e ligë. Megjithatë në rastin e Zakarias dhe të apostujve të Jezuit nuk ishte ky problemi. Mungesa e tyre e besimit ishte një dobësi e çastit. Në përgjithësi jeta e tyre tregoi se ata ishin «me zemër të kulluar».—Mateu 5:8.
Perëndia i di nevojat tona
Shkrimet na ndihmojnë të bëjmë një dallim ndërmjet anktheve të përditshme dhe mëkatit të mungesës së besimit. Ankthet e përditshme ose edhe një mungesë besimi e çastit, e cila vjen nga dobësia njerëzore, nuk duhet ngatërruar me mungesën e plotë të besimit te Perëndia që buron nga një zemër e ligë dhe e pandjeshme. Prandaj të krishterët nuk ka pse t’i torturojë ndjenja e fajit vetëm sepse herë pas here mund të kenë ankth.
Sidoqoftë duhet kujdes që ankthi të mos na mbysë dhe të mbizotërojë jetën tonë. Prandaj me mençuri Jezui tha: «Kurrë të mos jeni në ankth e të thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Me se do të vishemi?’» Pas kësaj ai tha këto fjalë qetësuese: «Ati juaj qiellor, pra, e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»—Mateu 6:25-33.
[Figura në faqen 16]
Apostulli Pavël përjetoi ankthe