Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gomat: Nga to mund të varet jeta juaj!

Gomat: Nga to mund të varet jeta juaj!

Gomat: Nga to mund të varet jeta juaj!

IMAGJINONI sikur të bllokoheni brenda një kafazi prej xhami dhe prej pjesësh çeliku të salduara dhe sikur afër jush të ndodhen edhe enë me acid e lëndë të djegshme. Pastaj këtë mjet vdekjeprurës e ngrini pezull vetëm disa centimetra nga toka dhe e lëvizni me shpejtësi rreth 30 metra në sekondë. Në fund e vendosni mjetin midis mjetesh të tjera të ngjashme dhe i lëshoni të gjitha si shigjetë, ndërkohë që nga drejtimi i kundërt vijnë me vrull mjete të tjera.

Në thelb ndodh e njëjta gjë sa herë hipni në një automjet dhe ecni në rrugë. Çfarë ju ndihmon për ta mbajtur në kontroll dhe për të mos rrezikuar kur i jepni makinës? Për këtë ju ndihmojnë shumë rrotat.

Për çfarë shërbejnë rrotat?

Rrotat përdoren për një sërë qëllimesh të rëndësishme. Ato jo vetëm mbajnë peshën e automjetit, por edhe amortizojnë tronditjet në rast grope, në rast kurrizi mbi rrugë ose kur rruga është e keqe. Ç’është më e rëndësishmja, rrotat sigurojnë tërheqjen e cila është e domosdoshme për të rritur shpejtësinë, për të marrë kthesat, për të frenuar dhe për të mbajtur drejtimin e duhur pavarësisht nga kushtet e rrugës. Por gjatë rrotullimit vetëm një pjesë e vogël e rrotës, një pjesë sa një kartolinë, takon me rrugën.

Duke pasur parasysh rëndësinë e tyre, çfarë mund të bëni për të pasur gjithmonë rrota të sigurta dhe funksionale? Dhe kur vjen koha për t’i ndërruar, nga ta kuptoni se cilat janë gomat e duhura për automjetin tuaj? Para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve le t’i hedhim një vështrim të shkurtër historikut të rrotave.

Nismëtarët e gomës

Megjithëse rrotat kanë mijëra vjet që përdoren, vendosja e gomës anës rrethit të rrotës nuk është një ide shumë e hershme. Në fillim të viteve 1800 rrotave prej druri ose çeliku iu vendos gomë e papërpunuar. Por prisheshin shumë shpejt, prandaj e ardhmja e rrotave me gomë nuk dukej shumë premtuese. Por shpresat u ringjallën kur me këtë u mor një shpikës i vendosur, Charles Goodyear nga Kënektikati i SHBA-së. Në vitin 1839, Goodyear zbuloi një proces që njihet si vullkanizimi në të cilin lënda e kauçukut përpunohej me squfur në nxehtësi të madhe dhe me presim. Pas këtij procesi jo vetëm që ishte më e lehtë për t’i dhënë formë gomës, por ajo u bë edhe më rezistente. Rrotat me gomë të ngurtë u përhapën më shumë, por i shkaktonin shumë tronditje makinës.

Më 1845 inxhinieri skocez Robert U. Tomson mori të drejtën ekskluzive për prodhimin e gomave të para pneumatike ose të mbushura me ajër. Por gomat pneumatike patën sukses në treg vetëm pasi një skocez tjetër, John Boyd Dunlop, u përpoq t’i bënte më të mira gomat e biçikletës së djalit të tij. Dunlop mori të drejtën e prodhimit të shpikjes së tij të re në vitin 1888 dhe hapi kompaninë e vet. Prapëseprapë, goma pneumatike duhej të kalonte të tjera pengesa të mëdha.

Një ditë, në vitin 1891, një çiklisti francez iu shpua goma. U përpoq ta rregullonte, por nuk arriti, sepse goma nuk hiqej dot nga rrota. Kërkoi ndihmën e një djaloshi francez, Édouard Michelin i cili njihej për kontributin e tij në procesin e vullkanizimit. Michelin ndenji nëntë orë për të riparuar gomën. Kjo përvojë e nxiti të prodhonte një gomë pneumatike që mund të hiqej nga rrota për t’u riparuar me lehtësi.

Gomat Michelin ishin aq të suksesshme, sa vitin pasues u përdorën me kënaqësi nga 10.000 çiklistë. Pa kaluar shumë kohë, në Paris gomat pneumatike u përdorën edhe te karrocat me kuaj, për kënaqësinë e udhëtarëve francezë. Në vitin 1895, Édouardi dhe vëllai i tij, Andrea, për të treguar se këto goma mund të përdoreshin edhe për automjetet, i vendosën në një makinë garash, por ajo doli e fundit. Pavarësisht nga kjo, njerëzit u mahnitën aq shumë nga këto goma të pazakonta, saqë provuan t’i çanin gomat e makinës për të parë se çfarë kishin fshehur vëllezërit Michelin në to.

Në vitet 30 dhe 40 të shekullit të 20-të, materialet më të dobëta të pambukut dhe gomës natyrore u zëvendësuan me materiale të reja më rezistente të tilla, si mëndafshi artificial, najloni, dhe poliestra. Pas Luftës së Dytë Botërore nisi puna për një gomë hermetike kështu që nuk do të kishte më nevojë për një kamerdare që të mbante ajrin. Më vonë edhe shumë gjëra të tjera u përmirësuan.

Sot përdoren më shumë se 200 lëndë të para për të prodhuar një gomë. Dhe me ndihmën e teknologjisë moderne, disa goma kanë një jetëgjatësi të lavdërueshme prej 130.000 kilometrash ose më shumë, ndërsa disa të tjera që përdoren në makinat e garave mund të përballojnë një shpejtësi prej qindra kilometrash në orë. E ndërkaq, çmimi i gomave është ulur vazhdimisht, dhe prandaj blerësi i thjeshtë mund ta përballojë.

Si t’i zgjidhni gomat?

Nëse keni një automjet mund të gjendeni përballë detyrës së vështirë për të zgjedhur goma të reja. Nga ta kuptoni nëse është koha për të ndërruar gomat? Duke i kontrolluar rregullisht për shenja konsumimi ose dëmtimi. * Prodhuesit e gomave e pajisin gomën me disa pllakëza konsumimi, që tregojnë nëse përdorimit të tyre i ka ardhur fundi. Pllakëzat e konsumimit janë shirita gome të fortë të vendosura për së gjeri në faqen shkelëse. Do të ishte mirë të kontrolloni edhe nëse faqja shkelëse është ndarë nga pjesa tjetër e gomës, nëse ka tela të nxjerrë, deformime në faqet anësore dhe çrregullime të tjera. Në rast se pikasni një nga këto probleme, mos e përdorni makinën derisa ta riparoni ose ta ndërroni gomën. Shitësi i gomave mund t’ua ndërrojë gomën e dëmtuar me çmim më të ulët, nëse e keni blerë të re dhe është me garanci.

Do të ishte mirë që kur të ndërroni gomat, të vinit në të njëjtin aks goma të të njëjtit lloj. Nëse po vendosni vetëm një gomë të re, çiftëzojeni me gomën më të mirë në mënyrë që të drejtpeshohet tërheqja gjatë frenimit.

Mund të çorientoheni kur zgjidhni midis llojeve, përmasave dhe modeleve të shumta të gomave. Megjithatë duke iu përgjigjur disa pyetjeve kyç do ta shihni që është shumë më e lehtë. Në fillim shikoni rekomandimet e fabrikës prodhuese të automjetit. Automjeti juaj ka nevoja të veçanta që duhen marrë parasysh, si për shembull, përmasat e gomës dhe të rrotës, distanca nga bazamenti i makinës deri në tokë dhe maksimumi i ngarkesës që mund të mbajë. E rëndësishme është edhe modeli i makinës suaj. Makinat moderne që janë të pajisura me sisteme automatike, si vetëzhbllokimi i frenave, kontrolli i tërheqjes së gomave dhe ato makina që kanë fuqi motorike në të gjitha rrotat, kërkojnë goma me veti të veçanta. Në manual zakonisht përcaktohet se çfarë gomash duhet t’i vendosni automjetit tuaj.

Një faktor tjetër që ndikon është edhe gjendja e rrugës. A do ta përdorni automjetin tuaj kryesisht në rrugë të shtruara apo të pashtruara, në kohë me shi apo në kohë të thatë? Ka shumë të ngjarë që ta përdorni në kushte të ndryshme. Në qoftë se është kështu, atëherë mund t’ju duhen goma për të gjitha llojet e terreneve dhe për të gjitha stinët.

Duhet të merrni parasysh edhe jetëgjatësinë dhe aftësinë tërheqëse të gomës. Në përgjithësi, sa më i butë të jetë materiali i gomës në faqen shkelëse, aq më e madhe do të jetë aftësia e saj tërheqëse, por goma do të vjetërohet më shpejt. Kurse, nëse materiali i faqes shkelëse është disi i fortë, tërheqja e gomës do të jetë më e vogël, por goma do të rrojë më shumë. Këto informacione mund t’i gjeni atje ku shiten gomat. Kini kujdes sepse kjo aftësi tërheqëse ndryshon nga njëra markë në tjetrën.

Kur keni njëfarë ideje se çfarë gomash ju duhen, ai që përcakton zgjedhjen përfundimtare është çmimi. Zakonisht markat e njohura sigurojnë një cilësi më të mirë dhe japin më shumë garanci.

Si t’i mirëmbani gomat?

Një mirëmbajtje si duhet përfshin tri gjëra. Duhet të mbani trysninë e duhur të ajrit në gomë, t’u ndërroni vendet rregullisht dhe t’i barazpeshoni dhe t’u bëni centrimin (konvergjencën). Është shumë e rëndësishme të ruani presionin e duhur të ajrit në gomë. Nëse një gomë fryhet tepër, do të konsumohet mjaft shpejt në qendër të faqes shkelëse. Ndërsa nëse fryhet pak, atëherë do të konsumohet më shumë anash saj dhe karburanti do të harxhohet më kot.

Gomat mund të humbasin çdo muaj gjysmë kilogram ajër ose më shumë, sepse ai del vetvetiu nga goma. Kështu që mos mendoni se mund ta përcaktoni nëse goma është e fryrë aq sa duhet vetëm duke parë me sy formën e saj. Sipas Shoqatës së Prodhuesve të Gomave «një gomë mund të humbasë gjysmën e trysnisë së saj e të mos duket fare që është e shfryrë.» Prandaj, përdorni një trysnimatës gomash për të përcaktuar trysninë e ajrit në të dhe këtë gjë bëjeni të paktën një herë në muaj. Për lehtësi, shumë shoferë e mbajnë një trysnimatës në sirtarin e makinës. Kur t’i hidhni vajin motorit gjithmonë bëjini një kontroll gomave, por vetëm atëherë kur janë të ftohta, domethënë kur kanë të paktën tri orë pa ecur ose kur kanë ecur më pak se një kilometër e gjysmë. Përcaktimet e trysnisë së ajrit në gomë zakonisht tregohen në manualin e shoferit, në një etiketë nga brenda kasës së derës së shoferit ose në sirtarin makinës. Nëse nuk doni të keni shumë tronditje gjatë udhëtimit, mos i fryni gomat mbi trysninë maksimale që shkruhet në faqet anësore të gomës.

Gomat do të rrojnë më gjatë dhe do të konsumohen në mënyrë të njëtrajtshme në rast se u ndërroni vendet rregullisht. Në qoftë se fabrika prodhuese nuk rekomandon të kundërtën, do të ishte mirë t’u ndërroni vendet pas çdo 10.000 deri në 13.000 kilometrash. Edhe në këtë rast shikoni manualin e shoferit për vendet ku do të vendosni secilën gomë.

Dhe si përfundim, kontrolloni centrimin e gomave çdo vit ose sa herë që vini re ndonjë dridhje të pazakontë ose çrregullim në sistemin e drejtimit të makinës. Megjithëse sistemi i amortizimit në makinë është ndërtuar në mënyrë të atillë që t’i centrojë gomat në varësi të peshës, herë pas here lind nevoja që t’i kontrolloni dhe centroni, për shkak të konsumimit dhe prishjes. Mekaniku që është i kualifikuar për të bërë amortizimin dhe centrimin e rrotave e di se si ta bëjë centrimin e duhur të makinës suaj, gjë që rrit në maksimum jetëgjatësinë e gomave dhe e bën më të rehatshëm udhëtimin.

Goma «inteligjente»

Me ndihmën e kompjuterëve, disa makina e sinjalizojnë shoferin kur trysnia e ajrit në gomë është nën nivelin e duhur. Disa goma, për periudha të shkurtra, mund të punojnë edhe pa trysni dhe disa të tjera ngjiten vetë pasi çahen. Në fakt, inxhinierët po prodhojnë goma që mund të punojnë në gjithfarëlloj kushtesh.

Ndërsa materialet, lulet e gomës, sistemi i amortizimit, i drejtimit dhe i frenimit përmirësohen, dhe këto përmirësime bëhen pjesë e automjeteve moderne, gomat na e bëjnë udhëtimin jo vetëm më të rehatshëm, por edhe më të sigurt.

[Shënimi]

^ par. 15 Shikoni tabelën në faqen 21 që ju ndihmon se si të kontrolloni gomat.

[Tabela dhe figurat në faqen 21]

Lista e mirëmbajtjes së gomave

Kontrolloni me sy:

□ A janë deformuar faqet anësore të gomës?

□ A kanë dalë telat në sipërfaqe?

□ A janë ngrënë së tepërmi lulet e gomës ose a duken pllakëzat e konsumimit?

Kontrolloni edhe:

□ A është trysnia e ajrit në gomë aq sa rekomandon edhe fabrika prodhuese?

□ A ka ardhur koha për t’u ndërruar vendin gomave? (Përdorni sugjerimet që jep fabrika prodhuese se pas sa kilometrash do t’i ndërroni dhe ku do të vendosni secilën gomë.)

□ A duhet të vini goma të një lloji tjetër për shkak të ndërrimit të stinëve?

[Figura]

Pllakëzat e konsumimit

[Diagrami në faqen 20]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Pjesët e gomës

Lulet e gomës sigurojnë tërheqjen dhe ndihmojnë në kthesa

Rripat stabilizojnë dhe forcojnë faqen shkelëse

Faqja anësore mbron anët e gomës që të mos dëmtohen nga rruga dhe bordurat e saj

Pëlhurat e brendshme e bëjnë gomën më të fortë dhe më elastike

Kamerdarja mban ajrin brenda gomës

Buza e kopertonit e puthit gomën hermetikisht pas rrotës

[Figurat në faqen 19]

Një nga biçikletat dhe një nga makinat e para me goma me ajër; punëtorë në një nga fabrikat e para të gomave

[Burimi]

The Goodyear Tire & Rubber Company