Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kulla e Londrës​—Monument historik i një të kaluare të trazuar

Kulla e Londrës​—Monument historik i një të kaluare të trazuar

Kulla e Londrës​—Monument historik i një të kaluare të trazuar

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

MBI lumin Tamiz, në lindje të Londrës, ngrihet hijerëndë një nga monumentet më të famshme të botës​—Kulla e Londrës. Për gati një mijë vjet, kjo kështjellë, burg dhe pallat madhështor ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e trazuar të Anglisë. Në portat e saj u futën mbretër, mbretëresha, oborrtarë, klerikë, politikanë dhe gjyqtarë​—disa dolën triumfues, disa nuk dolën më kurrë. Pse u ndërtua Kulla dhe cilat ishin dramat njerëzore që u zhvilluan brenda mureve të saj e që ndikuan në rrjedhën e historisë angleze?

Kështjellë mbretërore

Pasi pushtoi Anglinë në vitin 1066, duka i Normandisë, Vilhelmi, ndërtoi një varg kështjellash për të frikësuar anglo-saksonët armiqësorë. Ndërtesa më e frikshme u ngrit në Londër. Fortesa e drunjtë e cila fillimisht u ndërtua në cepin juglindor të mureve të lashta romake që rrethonin qytetin, shpejt u zëvendësua me një strukturë të gurtë e të stërmadhe​—Kulla e Madhe. Pothuajse në formë katrore, me përmasa 32 me 36 metra, ajo ngrihej me një pamje kërcënuese 27 metra drejt qiellit, duke u ngjallur frikë banorëve vendës. Kur njëri nga mbretërit e mëvonshëm e leu me bojë të bardhë, ajo u bë e njohur si Kulla e Bardhë.

Mbretërit pasues shtuan edhe kulla të tjera të madhësive të ndryshme, dy mure rrethuese masive dhe një hendek të thellë. Kështu ky kompleks u bë një nga fortesat më të pamposhtshme në Evropë. Ndonjëherë mbretërit detyroheshin të gjenin strehë brenda mureve të saj për t’u shpëtuar nënshtetasve të tyre rebelë. Kur kishte ndonjë luftë civile, pala fitimtare merrte nën kontroll Kullën, e cila shihej si simbol i fuqisë dhe i pushtetit. Në kohëra më paqësore ajo ishte pika ku nisej procesioni madhështor për kurorëzimin e monarkut. Kur banonin atje, mbreti dhe shoqëruesit e tij jetonin në apartamente shumë të zbukuruara, ku shtronin bankete të mëdha për të kënaqur miqtë e tyre. Por armiqtë e mbretit priteshin ndryshe.

Burg shtetëror

Me sa dihet, në vitin 1100 pati për herë të parë një të burgosur në Kullë. Sidoqoftë ky burg nuk ishte si të tjerët. Ai ishte rezervuar vetëm për njerëz të rëndësishëm e të rangut të lartë. Ndër njerëzit e ngritur që u burgosën në Kullë ishin mbretërit e mundur të Skocisë e të Francës si edhe pjesëtarë të aristokracisë e klerikë që nuk shiheshin më me sy të mirë ose ishin bërë tradhtarë. Herë pas here kishte ekzekutime e madje ndodhte edhe ndonjë vrasje. Në Kullë u vra Henriku VI e po kështu ndodhi edhe me Eduardin V, që ishte 12 vjeç, dhe me vëllanë e tij më të vogël.

Të burgosurit futeshin ku të kishte vend dhe mbaheshin në izolim të rreptë ose lejoheshin të lëviznin brenda territorit të kështjellës. Disa dënime me burgim ishin të shkurtra, të tjerat ishin të gjata. Uilliam Peni që më vonë u bë themeluesi i kolonisë amerikane të Pensilvanisë, u burgos për tetë muaj për shkak të bindjeve të tij fetare. Pasi humbi një betejë, nipin e mbretit të Francës, Karlin, që ishte dukë i Orleanit, e mbajtën me ndërprerje për 25 vjet të burgosur, derisa për lirimin e tij paguan një shumë tepër të madhe. Oborrtari, eksploruesi dhe shkrimtari sër Uollter Rallej kaloi 13 vjet të trishtueshëm duke shkruar Historinë e botës (anglisht) para se të lirohej përkohësisht dhe në fund të ekzekutohej.

Shtohen ekzekutimet

Ç’është e vërteta, në kohën e Reformës, Kullës i doli nami si një vend ku të burgosurit trajtoheshin ashpër. Ngaqë ishte i dëshiruar për një trashëgimtar mashkull, Henriku VIII u shkëput nga Kisha Katolike e Romës dhe filloi të ekzekutonte njerëzit që nuk e pranonin si kreun e Kishës Anglikane. Gruaja e dytë të Henrikut, Ana Bolena, nuk bëri dot një djalë, prandaj iu pre koka në Kullë me akuzën për tradhti dhe kurorëshkelje. Bashkë me të u ekzekutuan i vëllai dhe katër të tjerë. Katerina Hauard, gruaja e pestë e Henrikut pësoi të njëjtin fund. Veç kësaj, shumë fisnikë me gjak mbretëror, që ishin një kërcënim për fronin, u burgosën në Kullë dhe përfunduan në gijotinë ose në trekëmbësh.

Djali i Henrikut, protestanti Eduardi VI, që u bë mbret kur ishte ende i vogël, nuk hoqi dorë nga ekzekutimet mizore. Ai vdiq brenda gjashtë vjetësh nga kurorëzimi dhe pas tij hipi në fron vajza e Henrikut, Maria, një katolike e flaktë. Pa humbur kohë, ajo i preu kokën 16-vjeçares lejdi Xhejn Greit dhe bashkëshortit të saj në moshë të re që ishin përdorur si gurë shahu në luftën për pushtet. Tani e kishin radhën armiqtë protestantë të vdisnin. Gjysmëmotra e Marisë, Elisabeta, kaloi shumë javë të ankthshme në Kullë para se ta lironin. Por, kur u bë vetë mbretëreshë, ajo burgosi dhe ekzekutoi ata që nuk pranuan të hiqnin dorë nga besimi katolik ose që kundërshtuan autoritetin e saj.

Ndonëse në Kullë u burgosën mijëra vetë, brenda territorit të saj iu pre koka vetëm pesë grave dhe dy burrave e në këtë mënyrë këtyre ua kursyen poshtërimin që sillte ekzekutimi në sy të publikut. Tre nga këto gra ishin Ana Bolena, Katerina Hauardi dhe Xhejn Grei, e cila kishte mbretëruar vetëm nëntë ditë. Shumica e ekzekutimeve të tjera, zakonisht ato me prerje koke, bëheshin afër Kodrës së Kullës përpara turmave të mëdha e të zhurmshme. Koka e prerë vihej në një shtyllë në Urën e Londrës si paralajmërim për të tjerët, kurse trupin pa kokë e çonin përsëri në Kullë dhe aty digjej në bodrumin e kishës. Si përfundim, atje u varrosën më shumë se 1.500 trupa.

Ndonjëherë të burgosurit torturoheshin që të tregonin dhe kjo zakonisht bëhej vetëm pasi jepej një leje zyrtare. Më 1605, Gaj Fouksin, i cili tentoi të hidhte në erë mbretin dhe parlamentin në komplotin Ganpaudër, para se ta ekzekutonin e torturuan në rrotën e torturës së Kullës që të zbulonte emrat e bashkëpunëtorëve.

Për një kohë të shkurtër në shekullin e 17-të Anglia dhe Kulla ranë nën kontrollin e Oliver Kromuellit dhe të parlamentarëve, por kur Karlit II iu rikthye froni mbretëror, në Kullë burgoseshin më pak njerëz. Më 1747, në Kodrën e Kullës u bë ekzekutimi i fundit me prerje koke, por Kulla ende nuk e kishte humbur plotësisht funksionin e saj si burg shtetëror. Gjatë Luftës së Parë Botërore, atje u burgosën dhe u ekzekutuan me pushkatim 11 spiunë gjermanë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, aty mbaheshin për pak kohë robërit e luftës, një prej të cilëve ishte edhe Rudolf Hesi që vinte menjëherë pas shefit të SS-ve në kohën e Hitlerit. Viktima e fundit që vdiq brenda mureve të Kullës ishte spiuni Jozef Jakops, i pushkatuar në gusht të vitit 1941.

Rojat e gardës dhe simbolet e çmuara të kurorës

Që nga fillimet e ekzistencës së Kullës, rojat kanë ruajtur si të burgosurit, ashtu edhe ndërtesat. Por rojat e gardës, të zgjedhura posaçërisht, fillimisht u organizuan në vitin 1485. Në ato ditë shpesh të burgosurit mbërrinin nëpërmjet lumit dhe hynin në Kullë nga Porta e Tradhtarit. Kur i akuzuari kthehej nga gjyqi, njerëzit shihnin me kujdes se në cilën anë e mbante sëpatën roja i gardës që e shoqëronte. Nëse tehu ishte drejtuar nga i burgosuri, kjo nënkuptonte një ekzekutim tjetër.

Sot rojat e gardës ende e ruajnë Kullën, por shërbejnë edhe si ciceronë kompetentë për vizitorët e shumtë. Në raste ceremonish ata veshin uniformat madhështore të stilit tudorian. Pjesë të kësaj uniforme janë një xhaketë e gjatë, me ngjyrë të kuqe të ndezur e me ngjyrë ari, kurse jaka e kollarisur është e bardhë, në formë disku dhe me pala. Megjithatë kur kryejnë detyrat e zakonshme ata veshin uniformat e tyre të stilit viktorian që kanë ngjyrë blu e të kuqe. Rojat në përgjithësi i njohin me emrin ‘ngrënës të mishit të viçit’, një nofkë që ka shumë mundësi të jetë përdorur fillimisht me shpoti gjatë kohës së zisë së bukës. Ndërkohë që londinezët vuanin për të ngrënë, rojave të gardës u jepnin rregullisht një racion mish që t’i mbanin me të mirë, dhe kështu t’i qëndronin besnikë mbretërisë.

Një nga rojat e gardës ka si detyrë të kujdeset për korbat e mëdhenj të Kullës. Sipas një besëtytnie, Anglinë do ta pllakosë fatkeqësia nëse korbat largohen nga Kulla, prandaj atyre ua shkurtojnë krahët.

Rojat e Shtëpisë së Thesarit ruajnë simbolet e famshme të kurorës britanike, të cilat janë të ekspozuara për publikun që nga shekulli i 17-të. Diamanti më i madh i zbuluar dhe i prerë, i cilësisë më të lartë, Kallinani I, është një nga gurët e çmuar që zbukurojnë diademat, rruzujt dhe skeptrat që përdoren ende nga familja mbretërore.

Kopsht zoologjik, vend ku priten monedhat dhe depo armësh

Në fillim të shekullit të 13-të mbreti Xhon mbante luanë në Kullë, por në të vërtetë grumbullimi i kafshëve të egra filloi kur pasardhësi i tij, Henriku III, mori nga monarkët evropianë tre leopardë, një ari polar dhe një elefant. Kafshët mbaheshin për të argëtuar mbretin dhe oborrtarët e tij. Megjithatë kur ariu, i lidhur me një litar, notonte në lumin Tamiz për të zënë peshq, spektaklin mund ta shijonte e gjithë Londra. Me kalimin e viteve nga jashtë sollën edhe kafshë të tjera dhe që nga koha e Elisabetës I, ky kopsht zoologjik u hap për të kënaqur publikun. Atë e mbyllën në vitet 30 të shekullit të 19-të kur kafshët i transferuan në kopshtin zoologjik të sapohapur në Regent’s Park, të Londrës.

Për më shumë se 500 vjet, brenda territorit të Kullës funksiononte një nga degët kryesore të agjencisë për prerjen e monedhave të Mbretërisë. Një nga periudhat kur ky vend ziente më shumë nga puna ishte gjatë mbretërimit të Henrikut VIII, kur aty bënë monedha me argjendin që u konfiskua nga manastiret e shpërndara rishtazi. Gjithashtu në Kullë ruheshin dokumente të rëndësishme shtetërore e ligjore dhe veç kësaj aty prodhoheshin dhe mbaheshin pajisje ushtarake për mbretin dhe ushtrinë e tij.

Na kujton të kaluarën

Sot Kulla e Londrës është një nga pikat kryesore turistike të Britanisë. Meqë ajo ka mbetur pothuajse siç ka qenë në kohërat më të hershme, vështirë të mos mendosh për dhunën, vuajtjet dhe tragjeditë që kanë ndodhur brenda mureve të saj gjatë shekujve, teksa ecën përqark kullave të zymta në ngjyrë gri dhe nëpër rrugët e shtruara me kalldrëm. E kaluara e saj e trazuar përmblidhet bukur me disa fjalë të shkruara në vendin e ekzekutimit në Kodrën e Kullës. Atje ndodhet një pllakë e vogël në përkujtim të ‘historisë tragjike dhe shpesh edhe të martirizimit, të atyre njerëzve që për hir të besimit, vendit ose idealeve vunë në rrezik jetën dhe e humbën atë’.

[Figurat në faqen 13]

Ana Bolena

Katerina Hauardi

Xhejn Grei

Uilliam Peni

[Burimet]

Bolena dhe Hauardi: Nga libri Heronj të Reformës, 1904; Grei: Nga libri Ngjarje të rëndësishme të botës; Peni: Nga libri Arkiv i figurave historike dhe ngjarjeve të rëndësishme, vëll. V, 1895

[Figura në faqen 13]

Një nga apartamentet e Kullës që më vonë shërbeu si burg

[Burimi]

Copyright Historic Royal Palaces

[Figura në faqen 14]

Roja i gardës për të burgosurit

[Burimi]

Copyright Historic Royal Palaces

[Figura në faqen 15]

Disa nga simbolet e çmuara të kurorës mbretërore

[Burimi]

Kurorë ©/The Royal Collection © 2004, Madhëria e saj mbretëresha Elisabeta II

[Figura në faqen 15]

Monedhë e shekullit të 16-të ku paraqitet Henriku VIII

[Burimet e figurave në faqen 12]

Sipër: © London Aerial Photo Library/CORBIS; fotografia e vogël: Copyright Historic Royal Palaces