Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Marko Polo përshkon rrugën e mëndafshit për në Kinë

Marko Polo përshkon rrugën e mëndafshit për në Kinë

Marko Polo përshkon rrugën e mëndafshit për në Kinë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

Është viti 1295. Tre burra zbresin nga një galerë në një skelë të Venecias. Askush nuk rend për t’i uruar mirëseardhjen. Kthimi i tyre në shtëpi pas 24 vjetësh do të kalonte pa u vënë re po të mos kishte qenë për pamjen e tyre të çuditshme që binte menjëherë në sy. Ishin veshur me rroba të rreckosura prej mëndafshi dikur shumë të mirë, në stilin mongol dhe sipas një burimi kishin «njëfarë ngjashmërie të papërshkrueshme me tartarët si në sjellje, ashtu edhe në theks, pasi pothuajse e kishin harruar gjuhën e tyre veneciane». Këta udhëtarë janë Marko Polo, babai dhe xhaxhai i tij.

RRËFIMET e Polove për udhëtimin që bënë në Katain e largët, Kina e sotme, ishin të pabesueshme për bashkëkohësit e tyre. Kujtimet e Markos u hodhën në një libër që në fillim u quajt Libër i titulluar mbi shumëllojshmërinë e botës dhe më vonë Udhëtimet e Marko Polos. Aty flitej për vende të qytetëruara të panjohura e shumë të pasura, që kishin mallra tregtare me bollëk e që lakmoheshin nga tregtarët perëndimorë. Libri i tij pati një ndikim të fuqishëm në fantazinë e njerëzve. Brenda 25 vjetëve pas kthimit të Markos, versione të dorëshkrimeve të tij ishin në qarkullim në gjuhët frëngo-italiane, frënge, latine, toskane, veneciane, dhe ndoshta edhe në atë gjermane; një sukses i paparë gjatë periudhës së mesjetës. Libri i tij u kopjua me dorë për dy shekuj me radhë dhe që në vitin 1477 është botuar në vazhdimësi në shumë gjuhë. Marko Polo ka mundësi të jetë njeriu më i famshëm i botës së perëndimit që ka përshkuar Rrugën e Mëndafshit për në Kinë. Po përse e ndërmori këtë udhëtim? Dhe a mund të besohet çdo gjë që ai thotë se ka parë e ka bërë?

Tregtarët e Venedikut

Në shekullin e 13-të, shumë tregtarë venedikas u vendosën me banim në Kostandinopojë, Stambolli i sotëm, dhe nxorën fitime të mëdha atje. Në mes tyre ishin edhe Nikolò dhe Mateo Polo, babai dhe xhaxhai i Markos. Rreth vitit 1260, të dy shitën pronat e tyre, blenë bizhuteri dhe udhëtuan për në Saratov që ndodhet përgjatë lumit Vollga. Saratovi ishte kryeqyteti i hanatit perëndimor, një nga nëndarjet e Perandorisë Mongole. Tregtia eci mirë dhe ata i dyfishuan pasuritë e tyre. Për shkak të luftës, nuk u kthyen dot në Kostandinopojë, por udhëtuan për në lindje, ka të ngjarë me kuaj, drejt qytetit të madh tregtar të Buharës, ku sot ndodhet Uzbekistani.

Për shkak të trazirave, qëndruan aty për tre vjet derisa takuan të dërguarit e Hubilajit që po kalonin në Buhara. Hubilaji ishte Hani i Madh i gjithë Mongolisë, zotërimet e të cilit shtriheshin nga Koreja deri në Poloni. Të dërguarit ftuan Nikolonë dhe Mateon të shkonin me ta meqë, sipas tregimit të Markos, Hani i Madh nuk kishte takuar ndonjëherë «latinë», (ndoshta duke përfshirë këtu popujt e Evropës së Jugut) dhe do t’i pëlqente të fliste me ta. Pas një vit udhëtimi, vëllezërit Polo arritën në oborrin e Hubilaj Hanit, nipit të Çangis Hanit, themeluesit të Perandorisë Mongole.

Hani i Madh i priti mirë dy vëllezërit dhe u bëri shumë pyetje për Perëndimin. U dha një pllakë ari si lejekalim gjatë kthimit në Evropë dhe u besoi një letër në të cilën i kërkonte Papës të dërgonte «rreth njëqind burra të ditur që kishin njohuri rreth ligjit të Krishtit dhe në aritmetikë, gjeometri, astronomi, muzikë, gramatikë, retorikë dhe në logjikë në mënyrë që t’ua mësonin popullit [të Hubilajit]».

Ndërkohë, lindi Marko. Ishte 15 vjeç kur e takoi të atin për herë të parë në vitin 1269. Kur u kthyen në tokat «e krishtere», Nikolò dhe Mateo morën vesh që Papa Klementi IV kishte vdekur. Pritën pasardhësin e tij, por kjo periudhë trevjeçare pa qeverisjen e Papës ishte më e gjata në histori. Pas dy vjetësh, në vitin 1271, ata u kthyen përsëri te Hani i Madh. Me vete morën edhe Markon 17-vjeçar.

Udhëtimi i Markos

Në Ako të Palestinës, një politikan i shquar i kishës, Teobaldo Viskonti, u dha letra për Hanin e Madh ku i shpjegonte se përse Polot nuk kishin qenë në gjendje të plotësonin kërkesën e tij për njëqind burrat e ditur. Në kohën që arritën në Azinë e Vogël, morën vesh se vetë Viskonti ishte zgjedhur Papë, kështu që u kthyen përsëri tek ai në Ako. Në vend të njëqind burrave të mençur Papa i ri, Gregori X, dërgoi vetëm dy murgj me kompetencat për të emëruar priftërinj dhe peshkopë dhe me vete u dha letra rekomandimi e dhurata për Hanin. Kështu grupi u nis përsëri, por nga frika e luftërave shkretuese në ato vende, dy murgjit u kthyen mbrapsht. Polot vazhduan.

Të tre përshkuan vendet që tani njihen si Turqia dhe Irani dhe zbritën në Gjirin Persik me mendimin për të vazhduar udhëtimin në rrugë detare. Por kur panë që anijet «ishin të katandisura si mos më keq . . . që mbaheshin vetëm me gjalmë», vendosën të shkonin në rrugë tokësore. Duke shkuar në drejtim të verilindjes, kaluan shkretëtira të pafund, vargmale mbresëlënëse, pllaja të gjelbërta, dhe kullota pjellore të Afganistanit dhe Pamirit para se të arrinin në Kashgar, ku tani ndodhet krahina e pavarur kineze Urumçi. Pastaj duke ndjekur rrugën që bënin karvanët në kohët e lashta në jug të pellgut Tarim dhe të shkretëtirës së Gobit, arritën në Kambaluk, Pekini i sotëm. Në luftë me motin e ashpër dhe me një sëmundje të panjohur të Markos, i gjithë udhëtimi zgjati tri vjet e gjysmë.

Gjatë rrugës Marko vëren gjëra interesante, për shembull, malin në Armeni mbi të cilin thuhet të ketë qëndruar arka e Noesë, vendin në Persi ku supozohet të jenë varrosur astrologët lindorë që vizituan Jezuin kur lindi dhe vendet në veriun e largët, që janë tmerrësisht të ftohta dhe gjithmonë të errëta. Markoja është i pari që përmend naftën në letërsinë evropiane. Ai zbulon se «salamandra» nuk ishte ashtu si besonin njerëzit, leshi i një kafshe që i rezistonte zjarrit, por ishte një mineral, asbesti, që gjendet në krahinën e Urumçit. Guri i zi që digjet, qymyrguri, ishte kaq me bollëk në Kinë, saqë çdo ditë mund të bëje banjë me ujë të nxehtë. Kudo që shkon, vëren stolitë, ushqimet, pijet, sidomos qumështin e fermentuar të pelës në Mongoli, zakonet fetare dhe ato të magjisë mongole, tregtinë dhe mallrat që shiteshin. Krejtësisht e re për të ishte kartëmonedha që përdorej në mbretërinë e Hanit të Madh.

Marko nuk i shfaq kurrë mendimet e tij, por bën një përmbledhje të thatë të asaj që sheh dhe dëgjon. Lexuesi duhet ta marrë me mend se si u ndie kur e sulmuan grabitësit të cilët i rrëmbyen disa nga shokët dhe të tjerët i vranë.

Në shërbim të Hubilaj Hanit?

Marko thotë se ata qëndruan për 17 vjet në shërbim të Hubilaj Hanit, ose Hanit të Madh. Gjatë kësaj kohe, ai dërgohej shpesh nga Hani i Madh si njeri i besuar për të mbledhur informata në pjesët e largëta të perandorisë dhe madje shërbeu edhe si guvernator i qytetit që njihet tani me emrin Jangzhou, provinca e Çiangsit.

Është në pikëpyetje nëse Marko tregon të vërtetën lakuriqe apo jo. Mongolët nuk kishin besim te kinezët që kishin pushtuar dhe ua besonin qeverisjen e perandorisë së tyre të huajve. Por që Marko, një i pashkolluar, të mund të bëhej guvernator duket e pamundur. Ndoshta ai e tepronte kur fliste për pozitën e tij. Sidoqoftë, disa studiues s’e kanë problem ta pranojnë që ai mund të ketë pasur «njëfarë pozite në administrim».

Prapëseprapë, Marko ishte i aftë të paraqiste një panoramë marramendëse të atyre metropoleve me pasuri të papërshkrueshme dhe të zakoneve pagane të pazakonta që i përkitnin një bote tjetër tërësisht të shpërfillur nga Perëndimi ose për të cilën kishin dëgjuar vetëm nëpër fabula ose me anë të gojëdhënave. A mund të ekzistonte një qytetërim kaq i madh dhe më i pasur se Evropa? Dukej e pamundur.

Marko thoshte se pallati i Hanit të Madh ishte «pallati më i madh që ka ekzistuar ndonjëherë». «E gjithë ndërtesa është kaq e madhe, kaq luksoze dhe kaq e bukur, saqë asnjë njeri mbi tokë nuk mund të projektojë diçka më madhështore.» Muret ishin të veshura me ar dhe argjend, të skalitura dhe të zbukuruara me dragonj, kafshë, zogj, kalorës e heronj, të gjitha këto të praruara. Çatia e tij e lartë​—në të kuqe të ndezur, në të verdhë, të gjelbër dhe blu​—shkëlqente si kristali. Parqet e tij të mrekullueshme ishin plot me kafshë të të gjitha llojeve.

Ndryshe nga rrugicat dredha-dredha të Evropës mesjetare, Kambaluku i kishte rrugët aq të drejta dhe të gjera, saqë mund të shihje nga njëri mur i qytetit në tjetrin. Këtu, thotë veneciani, «vinin mallra nga më të shtrenjtat e më të rrallat dhe ishin më me bollëk . . . , se në çdo vend tjetër të botës». «Përveç mallrave të tjera, nuk ka ditë të vitit që të mos hyjnë në qytet 1000 ngarkesa vetëm me mëndafsh.»

Ishte mahnitës numri i anijeve që lundronin në lumin Jance, një nga më të mëdhenjtë në botë. Sipas llogaritjeve të Markos në portin Sinxhu, mund të ankoroheshin deri në 15.000 anije.

Ndër zakonet mongole që Marko përmend është dhe ajo e martesës së fëmijëve të vdekur. Nëse dikujt i vdiste djali në moshën katërvjeçare a më shumë dhe dikujt tjetër vajza në të njëjtën moshë, atëherë baballarët mund të vendosnin që fëmijët e vdekur të martoheshin, duke bërë pastaj një kontratë martese dhe duke organizuar një festë të madhe. Festa bëhej me të ngrëna dhe gjatë saj digjeshin portrete letre të skllevërve, para dhe orendi shtëpiake, me bindjen e plotë se do t’i shkonin «çiftit» në të ashtuquajturën botë e përtejme.

Markos i bënte përshtypje zotësia e ushtrisë mongole, mënyra e qeverisjes dhe toleranca fetare. Ndër arritjet ekonomiko-shoqërore futeshin edhe ndihmat për ata që ishin të varfër dhe të sëmurë, mbrojtja në rast zjarri ose kur prishej rendi, depot me rezerva për të përballuar fatkeqësinë në rast përmbytjeje dhe një sistem postar për një komunikim sa më të shpejtë.

Edhe pse e dinte për përpjekjet e mongolëve për të pushtuar Japoninë, Marko nuk tha që kishte qenë atje. Megjithatë ai pohon se ari në Japoni ishte kaq me bollëk, saqë gjithë çatia dhe dyshemeja e pallatit të perandorit ishte prej ari. Libri i Markos ishte i pari që përmendi Japoninë në shkrimet evropiane para shekullit të 16-të.

Libri i Markos u admirua, por edhe u vu shumë në lojë për shekuj të tërë. Studiuesit sot, pasi kanë studiuar të gjitha pasaktësitë e librit, e përkufizojnë si «një përshkrim i pakrahasueshëm» i mbretërimit të Hubilajit kur kishte arritur kulmin e tij.

Kthimi në Venecie

Polot u larguan nga Kina aty nga viti 1292. Marko thotë që kjo ekspeditë zgjati 21 muaj dhe filloi nga Kuanzhou i sotëm, bëri një ndalesë të shkurtër në Vietnam, në Gadishullin e Malakës, në Sumatra dhe në Sri-Lankë. Pastaj vazhduan përgjatë bregut Indian për në Persi. Ndalesa e fundit e udhëtimit ishte në Kostandinopojë dhe e më pas në Venecie. Duke qenë se të afërmit e tyre nuk i kishin parë për 24 vjet, nuk është e vështirë të imagjinohet që mezi i njohën. Në këtë kohë Marko ishte o 41, o 42 vjeç.

Se sa larg shkoi Marko është e vështirë të gjendet. Kohët e fundit një shkrimtar që u përpoq të ndiqte hapat e Markos, vetëm midis Iranit dhe Kinës përshkoi një distancë prej më shumë se 10.000 kilometrash. Edhe me mjetet e transportit modern ishte një udhëtim shumë i vështirë.

Thuhet që Marko t’ia ketë diktuar librin njëfarë të burgosuri me emrin Rustikelo në një burg të Gjenovës në vitin 1298. Sipas gojëdhënave Markon e zunë rob në një galerë veneciane, ndërsa e komandonte gjatë një beteje në det midis gjenovezëve dhe venecianëve. Rustikeloja kishte përvojë në shkrimin e prozës në frëngjisht e në gjuhën frëngo-italiane dhe qëndrimi me Markon duket që e nxiti të shkruante.

Ka mundësi që Marko të jetë liruar aty nga viti 1299 kur Venecia dhe Gjenova bënë paqe. U kthye në Venecie, u martua dhe pati tri vajza. Vdiq në qytetin e tij të lindjes në vitin 1324 kur ishte në moshën 69-vjeçare.

Ende disa njerëzve u vërtiten dyshime në mendjen e tyre nëse Marko i kishte përjetuar vërtet ato që pretendonte të kishte bërë apo thjesht tregoi përrallat që kishte dëgjuar nga udhëtarët e tjerë. Cilatdo qofshin burimet e librit të Marko Polos, Libër i titulluar mbi shumëllojshmërinë e botës, studiuesit e pranojnë vlerën e tij. Një historian thotë: «Askush më parë ose deri tani nuk i ka dhënë Perëndimit njohuri gjeografike në masë kaq të plotë.» Libri i Marko Polos dëshmon për magjepsjen e njeriut pas udhëtimit, pas vendeve të panjohura dhe të largëta.

[Harta në faqet 24, 25]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Udhëtimi i Markos për në Kinë (shiko botimin)

Kur ishte në Kinë (shiko botimin)

Kthimi për në shtëpi (shiko botimin)

ITALI

Gjenovë

Venecie

TURQI

Stamboll (Kostandinopojë)

Trabzon

Ako (Akra)

(Saratov)

GJEORGJI

M. Ararat

IRAN (PERSI)

Gjiri Persik

AFGANISTAN

UZBEKISTAN

Buhara

PAMIR

Kashgar

PELLGU TARIM

SHKRETËTIRA E GOBIT

MONGOLI

(KORE)

KINË (KATAI)

Pekin (Kambaluk)

Jangzhou

Lumi Jance

Kuanzhou

MJANMAR

VIETNAM

GADISHULLI I MALAKËS

SUMATRA

SRI-LANKË

INDI

[Burimi]

Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 24]

Venecie

[Figura në faqet 24, 25]

M. Ararat

[Burimi]

Robert Azzi/Saudi Aramco World/PADIA

[Figura në faqen 24]

Grua mongole

[Burimi]

C. Ursillo/Robertstock.com

[Figura në faqet 24, 25]

Lundërtar, Mjanmar

[Figura në faqen 25]

Muri i Madh Kinez

[Figura në faqen 25]

Pekin

[Figura në faqen 25]

Vietnam

[Figura në faqen 25]

Erëza indiane

[Figurat në faqen 26]

Kalorës kinezë, Hubilaji Hani, lumi Jance

[Burimet]

Kalorës: Tor Eigeland/Saudi Aramco World/PADIA; Hubilaji Hani: Collection of the National Palace Museum, Tajvan; Lumi Jance: © Chris Stowers/Panos Pictures

[Burimi i figurës në faqen 23]

© Michael S. Yamashita/CORBIS

[Burimi i figurës në faqen 27]

© 1996 Visual Language