Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Mania për përsosmëri Dua t’ju falënderoj për artikujt «Të rinjtë pyesin . . . Pse kërkoj të jem i përsosur?» dhe «Si të çlirohem nga mania për përsosmëri?» (22 korrik dhe 22 gusht 2003) E kisha fiksim t’i bëja gjërat në mënyrë të përsosur dhe kjo ishte bërë një barrë që nuk mund ta mbaja më; po më prishte gëzimin. Madje, frika se mos flisja gabim më pengonte të komentoja në mbledhjet e krishtere. I jam shumë mirënjohëse Jehovait për këta artikuj. Më ndihmojnë të mbaj në kontroll mendimet negative.
S. M., Itali
Pikërisht për këta artikuj kisha nevojë që të zgjidh një problem që e kam prej 50 vjetësh. Mendoja që s’kishte asgjë të gabuar të mundoheshe për të qenë e përsosur dhe se thjesht po i jepja Jehovait më të mirën. Pyesja veten përse hasja aq shpesh vështirësi me fëmijët e mi, kolegët dhe vëllezërit e krishterë. Tani e kuptoj që disa nga pikëpamjet e mia nuk janë të ekuilibruara dhe në harmoni me mënyrën se si mendon Jehovai. Duke qenë ‘tepër e drejtë’ i kam shkaktuar shkretim vetes dhe të tjerëve. (Predikuesi 7:16) Nuk do të jetë e lehtë ta kaloj këtë problem, por me ndihmën e Jehovait jam gati të përpiqem.
S. H., Shtetet e Bashkuara
Pohimi që mania për përsosmëri mund të të bllokojë dhe të bëjë të mos i futesh fare një pune është më se i vërtetë. Në të shkuarën zhgënjehesha dhe nuk e kuptoja përse nuk arrija t’i përfundoja gjërat që i dëshiroja aq shumë. Po kështu ishin edhe pjesët e artikullit që flisnin për mungesën e miqve. Shpesh më dukej sikur asnjë nuk kishte dëshirë të rrinte me mua, dhe nuk arrija ta kuptoja arsyen. Tani e di që një betejë e gjatë dhe e vështirë më pret dhe se Jehovai do të më ndihmojë.
L. R., Shtetet e Bashkuara
Kam vite që luftoj me këtë problem gjithnjë duke menduar se çdo gjë që bëj nuk është tamam si duhet. Ndihem kaq e lehtësuar që nuk jam e vetmja që luftoj me maninë për përsosmëri.
A. B., Kanada
E kuptoj që askush nuk mund të jetë i përsosur, por përbrenda ndihem ndryshe. Më bëri vërtet mirë kur lexova se Jehovai nuk pret që të jemi të përsosur dhe se për të ka rëndësi ajo çfarë kemi në zemër. Jam mirënjohëse për këta artikuj.
S. K., Gjermani
Frika se mos dështoj, shpesh nuk më lë të veproj. Kam mësuar që mania për përsosmëri shkakton zemërim të vazhdueshëm, pesimizëm, depresion dhe vlerësim të paktë për veten. Akoma nuk e kam ndrequr plotësisht problemin, por dua të zhvilloj ndjenjën e humorit kundrejt gabimeve të mia.
A. I., Japoni
Kam vuajtur tmerrësisht nga stresi dhe ankthi. E shaja veten duke thënë: «Jam njeri pa vlerë.» Artikujt tuaj më dhanë një pikëpamje të dobishme dhe më dhanë zemër. Barra e rëndë që kisha në zemër, kërkesa për të qenë e përsosur, është lehtësuar. Shkrimet më kanë ndihmuar të ndryshoj qëndrim dhe të kem një pikëpamje më të shëndetshme.
M. N., Japoni
Shën-Pjetërburgu Ju falënderojmë për artikullin «Sh. Pjetërburgu—‘Dritarja në Evropë’ e Rusisë». (22 gusht 2003) Gjatë muajit tonë të mjaltit, për dy javë, mundëm të shihnim me sytë tanë vendet historike të Shën-Pjetërburgut. Vizitat në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait, në Teatrin Marinski, në muzeun e shtetit «Manastiri», dhe në Pjetërhof na lanë mbresa të paharrueshme. Shumë faleminderit për artikullin. Na shërbeu si udhërrëfyes në këtë qytet madhështor.
A. dhe O. S., Rusi