Si ta mposhtësh vetminë?
Si ta mposhtësh vetminë?
NUK është e lehtë ta mposhtësh vetminë. Ajo krijon ndjenja të forta. Si mund t’i bëhet ballë vetmisë? Çfarë kanë bërë disa për ta mposhtur këtë ndjenjë të fortë?
Përballojnë vetminë
Helenës * i pëlqen të jetë vetëm kur merr disa vendime, por mendon se vetmia mund të jetë e rrezikshme. Kur ishte fëmijë i mungonte një komunikim i mirë me prindërit. Meqë nuk dinte ç’të bënte që ata t’i kushtonin vëmendje, Helena mbyllej në dhomën e saj. Ajo thotë: «Fillova të vuaja nga çrregullimet në të ngrënë. Rashë në depresion. Thosha me vete: ‘Përse duhet të shqetësohem për problemet e prindërve, kur ata nuk bëhen merak për të miat?’ Pastaj mendoja se martesa mund ta mbushte boshllëkun që më shkaktonte vetmia. E dëshiroja martesën, pasi e shihja si një rrugë shpëtimi. Por shpejt arsyetova: ‘Pse duhet t’ia nxij jetën dikujt tjetër? Në fillim kam nevojë të ndreq mendimet e mia!’ I kërkova ndihmë Jehovait në lutje, duke i zbrazur gjithë pikëllimin tim.
Isaia 41:10: ‘Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.’ Këto fjalë më ndihmuan shumë, sepse ndihesha sikur nuk kisha baba. Tani e lexoj rregullisht Biblën dhe i lutem Atit tim qiellor. Kam mësuar ta mposht vetminë.»
Në Bibël gjeta fjalë shumë ngushëlluese, siç janë ato që thuhen tekVdekja e një njeriu të dashur sjell trishtim, dhe kjo mund të çojë në vetmi. Luiza 16-vjeçare e shpreh me këto fjalë trishtimin që ndien: «Babin ma vranë kur isha 5 vjeçe. Kërkova të gjeja ngushëllim te gjyshja, por kurrë nuk e ndjeva dashurinë e saj. Nuk mora shumë dashuri gjatë fëmijërisë, atëherë kur kisha më tepër nevojë. Aty nga mosha tetë ose nëntëvjeçare, provova tri herë të vritja veten. Mendoja se kështu do të ishte më mirë për familjen time, meqë mami sfilitej për të ushqyer tri motrat e mia dhe mua. Më vonë fillova të shoqërohesha me Dëshmitarët e Jehovait. Një çift i ri u interesua sinqerisht për mua. Ata shpesh më thoshin: ‘Ne të çmojmë dhe kemi nevojë për ty.’ Fjalët ‘kemi nevojë për ty’ më jepnin shumë forcë. Ndonjëherë nuk ia shpreh dot të tjerëve atë që ndiej, por kur lexoj artikuj të botuar në revistën Kulla e Rojës ose Zgjohuni!, e falënderoj Jehovain, sepse me anë të këtyre botimeve kam ndier dashurinë e tij. Kam bërë shumë ndryshime. Sot mund të qesh dhe jam në gjendje të hapem me mamin kur ndihem e gëzuar ose e trishtuar. Ndonjëherë kujtimet e së kaluarës më rikthehen, por jo si atëherë kur provova të vras veten ose kur nuk bisedoja më me të afërmit. Gjithmonë më kujtohet ajo që tha psalmisti David: “Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: ‘Paqja qoftë te ti.’”»—Psalmi 122:8.
Marta ka 22 vjet e divorcuar dhe gjatë kësaj kohe ka rritur e vetme një fëmijë. «Kur mendoj se kam dështuar në diçka, provoj prapë vetmi dhe ndjenja pavlefshmërie»,—thotë ajo. Si i përballon ajo këto ndjenja? Ajo tregon: «Kam parë se mënyra më e mirë për t’i mposhtur ato është që menjëherë t’ia them Perëndisë Jehova se çfarë ndiej.
Kur lutem e di që nuk jam vetëm. Jehovai më kupton më mirë sesa e kuptoj unë veten. Gjithashtu përpiqem të gjej mënyra që të interesohem për të tjerët. Sidomos shërbimi në kohë të plotë është një armë e fuqishme kundër ndjenjave shkurajuese. Kur u flet të tjerëve për bekimet që do të sjellë Mbretëria e Perëndisë, kupton se ata që të dëgjojnë nuk kanë absolutisht asnjë shpresë dhe i shohin problemet e tyre si të pazgjidhshme. Atëherë bëhesh më i vetëdijshëm se ke arsye të forta që ta duash jetën e të vazhdosh t’i luftosh këto mendime shkurajuese.»Elba është 93 vjeçe dhe ka një vajzë të vetme që shërben si misionare në një vend tjetër. Ajo na tregon se si e përballon vetminë: «Kur vajza ime dhe i shoqi morën ftesën për të ndjekur Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit, pashë që u ndriti fytyra nga gëzimi. Bashkë me ta u gëzova edhe unë. Më vonë, kur morën caktimin për të shërbyer në një vend të huaj, fillova të ndihesha pak egoiste. E dija që nuk do t’i kisha më afër dhe u ndjeva disi e trishtuar. Më dukej vetja si Jefteu me vajzën e tij të vetme, për të cilin flitet në kapitullin e 11-të të Gjyqtarëve. Ndërsa qaja i lutesha Jehovait për t’i kërkuar falje. Vajza dhe dhëndri mbajnë gjithnjë lidhje me mua. E di që janë shumë të zënë, por kudo që shërbejnë ata gjejnë kohë për të më shkruar dhe më tregojnë përvojat që kanë pasur në shërbim. I lexoj dhe i rilexoj sa e sa herë letrat e tyre. Më duket sikur flasim çdo javë dhe u jam kaq mirënjohëse për këtë. Edhe pleqtë e krishterë në kongregacionin tim na kushtojnë vëmendjen e duhur ne të moshuarve dhe të sëmurëve. Ata kujdesen që të kemi gjithmonë dikë që të na çojë në mbledhjet e kongregacionit dhe na plotësojnë edhe nevoja të tjera. Për mua vëllezërit dhe motrat frymore janë një bekim nga Jehovai.»
Edhe ti mund ta mposhtësh vetminë
Nëse je i ri ose i moshuar, beqar ose i martuar, me prindër a jetim, nëse ke humbur ndonjë njeri të dashur ose po vuan nga vetmia për ndonjë arsye tjetër, ka mënyra se si t’i mposhtësh ndjenjat e vetmisë. Babai i Jokabedës 18-vjeçare e braktisi familjen me gjashtë pjesëtarë dhe shkoi në një shtet tjetër. Jokabeda thotë: «Fol hapur! Është e rëndësishme që të shprehim atë që ndiejmë. Në qoftë se nuk bëjmë kështu, askush nuk do të na kuptojë.» Ajo këshillon: «Mos mendo tepër për veten. Kërkoju ndihmë njerëzve të pjekur dhe jo të rinjve që mund të jenë më keq se ty.» Luiza, që u përmend më sipër, thotë: «Lutjet me gjithë zemër drejtuar Jehovait na japin ndihmën që na duhet për të dalë nga ajo që mbase ne na duket rrugë pa krye.» Jorge, të cilit i ka vdekur gruaja, thotë se si e përballon vetminë: «Duhet këmbëngulje. Interesimi për të tjerët më ndihmon shumë. Kur ‘tregojmë ndjenja të përbashkëta’ ndërsa bisedojmë me të tjerët, biseda mund të bëhet domethënëse dhe na ndihmon të zbulojmë bukurinë e brendshme të të tjerëve.»—1 Pjetrit 3:8.
Shumë gjëra mund të bëhen për të luftuar vetminë. Por, a do të vijë ndonjëherë dita kur vetmia të jetë diçka e së shkuarës? Në rast se po, si do të ndodhë kjo? Artikulli vijues do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.
[Shënimi]
^ par. 4 Disa emra janë ndryshuar.
[Diçitura në faqen 6]
«Lutjet me gjithë zemër drejtuar Jehovait na japin ndihmën që na duhet për të dalë nga një rrugë pa krye.»—Luiza
[Kutia dhe figurat në faqen 7]
Ç’mund të bësh kur ndihesh i vetmuar?
▪ Mbaj parasysh se gjendja që po kalon mund të ndryshohet, nuk është një gjendje pa rrugëdalje, por një përvojë e zakonshme që e kalojnë edhe të tjerë.
▪ Mos kërko tepër nga vetja.
▪ Në përgjithësi ji i kënaqur me veten.
▪ Mëso zakone të mira në të ngrënë e në bërjen e ushtrimeve fizike dhe fli mjaftueshëm.
▪ Kohën që kalon vetëm shfrytëzoje për të bërë ndonjë gjë që të vë në punë fantazinë dhe për të mësuar të bësh diçka të re.
▪ Ki kujdes që të mos i paragjykosh njerëzit që takon duke u bazuar në përvojat që ke pasur me të tjerë.
▪ Çmoji miqtë dhe cilësitë e tyre të veçanta. Përpiqu të krijosh një rreth të mirë miqsh. Kërko mendim nga njerëz më të rritur dhe me përvojë.
▪ Bëj diçka për të tjerët: jepu një buzëqeshje, thuaju një fjalë të mirë, fol me ta për diçka nga Bibla. Të ndjesh se të tjerët kanë nevojë për ty është një ilaç kundër vetmisë.
▪ Mos ëndërro sikur ke miqësi me yjet e kinemasë, të TV ose me personazhet e librave a të Internetit.
▪ Nëse je i martuar, mos prit që bashkëshorti të t’i plotësojë të gjitha nevojat emocionale. Mëso të bashkëpunosh e të bësh lëshime, ta ndihmosh e ta mbështetësh tjetrin.
▪ Mëso të bisedosh me të tjerët dhe të jesh një dëgjues i mirë. Përqendrohu te njerëzit e tjerë dhe tek interesat e tyre. Trego ndjenja të përbashkëta.
▪ Prano që ndihesh i vetmuar dhe fol me një mik të pjekur, me dikë që ke besim. Mos vuaj në heshtje.
▪ Mos pi tepër ose më mirë mos pi fare. Alkooli nuk i zhduk problemet, pas pak ato shfaqen sërish.
▪ Mos ji krenar. Fali ata që të lëndojnë dhe bëj ç’të mundesh për të përmirësuar marrëdhënien me ta. Mos ji gjithnjë në një pozitë mbrojtjeje duke menduar se ta kanë me të keq.
[Figura në faqen 6]
Si mund të mposhtet vetmia?