Vlera e mjedisit
Vlera e mjedisit
Kohët e fundit, shkencëtarët dhe ekonomistët së bashku bënë një studim mbi pesë habitate natyrore që përdoren për nevojat e njerëzve ose për përfitime tregtare. Këto habitate ishin: një pyll tropikal në Malajzi që u rrafshua për lëndë drusore; një tjetër në Kamerun që u kthye në plantacione kauçuku dhe palmash vaji; një moçal me pemë rrënjëmëdha në Tajlandë që u kthye në një rezervat për rritjen e karkalecave të detit; një kënetë me ujë të ëmbël në Kanada që u tha për të bërë toka bujqësore dhe shkëmbinj koralorë në Filipine ku peshkohej me dinamit.
Përfundimet që arritën studiuesit ishin të habitshme. Nëse njeriu nuk do të kishte vënë dorë në këto pesë vende të virgjëra, vlera e tyre afatgjatë ekonomike do të kishte qenë 14 deri 75 për qind më e madhe sesa fitimi që u nxor. Në fakt, si rezultat i ndërhyrjes së njeriut, çdo ekosistem humbet mesatarisht gjysmën e vlerës dhe këto ndërhyrje çdo vit kushtojnë 250 miliardë dollarë. Përkundrazi, ruajtja e mjedisit do të kushtonte 45 miliardë dollarë. Gazeta e Londrës The Guardian raporton se studiuesit thonë që «të mirat materiale dhe shërbimet» që këto mjedise na japin në këmbim, si për shembull, ushqim, ujë, ajër, strehim, lëndë djegëse, veshmbathje, barna dhe mbrojtje nga stuhitë e përmbytjet, vlejnë të paktën 4,4 trilionë dollarë. Pra fitimi do të ishte 100 herë më i madh se kostoja e ruajtjes. Dr. Endrju Balmfordi i Universitetit të Kembrixhit, Angli, i cili drejtoi këtë studim, tha: «Ekonomia nuk është aspak premtuese. E prisnim që shifrat të ishin në favor të ruajtjes së mjedisit, por nuk e mendonim kaq shumë.»
Mjerisht, që nga Samiti për Tokën që u mbajt në vitin 1992 në Rio-de-Zhanejro, 11,4 për qind e mjediseve të paprekura janë ndryshuar nga njeriu. Kryesisht kjo ndodh sepse nuk e kuptojnë atë që humbasin dhe se duan të nxjerrin fitime brenda një kohe të shkurtër. Pas dhjetë vjetësh, në Samitin Botëror për Shfrytëzimin Ekologjik të Burimeve Natyrore që u mbajt në Johanesburg, nuk rezultoi asgjë konkrete për të zgjidhur problemin. Dr. Balmfordi shprehu shqetësimin e tij duke thënë: «Qëkur isha fëmijë dhe dëgjova për herë të parë shprehjen ‘mbrojtja e mjedisit’, ka humbur një e treta e mjedisit të virgjër. Për këtë nuk vë gjumë në sy.»
Megjithatë lexuesit e Biblës mund të jenë të sigurt për premtimin që Krijuesi bën te Zbulesa 11:18. Aty thuhet se së shpejti ai do ‘të shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’. Atëherë ekosistemet natyrore të planetit tonë do të rimëkëmben, për të mirën e përhershme të njerëzimit.