A bie ndesh me shkencën besimi te Perëndia?
A bie ndesh me shkencën besimi te Perëndia?
KUR lexoni për shkencën, nuk është e pazakontë që të hasni shprehje fetare. Për shembull, shkencëtarët janë quajtur «kryepriftërinjtë e një botëkuptimi të ri teknologjik» dhe laboratorët e tyre janë quajtur «tempuj» ose «vende të shenjta». Sigurisht, shprehje të tilla janë thjesht metafora. Megjithatë ato mund të çojnë te një pyetje e rëndësishme: A ka vërtet një hendek midis shkencës dhe fesë?
Disa njerëz mund të mendojnë se sa më shumë mësojnë shkencëtarët, aq më shumë largohen nga besimi te Perëndia. Është e vërtetë që shumë njerëz në qarqet shkencore e shohin me përçmim fenë. Por ka edhe një numër të konsiderueshëm shkencëtarësh të cilëve u bëjnë shumë përshtypje dëshmitë që tregojnë se bota që na rrethon është fryt i një projekti. Shkencëtarë të tjerë nuk janë kureshtarë vetëm për projektin, por fillojnë të mendojnë edhe për Projektuesin.
Ndryshime në pikëpamje
Teoria e evolucionit e Çarls Darvinit ka mbizotëruar për një shekull e gjysmë. Mbase disa njerëz të arsimuar kanë menduar se tashmë vetëm njerëzit pa shkollë dhe naivët do të besonin ende te Perëndia. Por nuk ka ndodhur aspak kështu. Shumë shkencëtarë e pranojnë hapur se besojnë te një Krijues. Vërtet, ndoshta nuk besojnë se Perëndia është një person ose nuk besojnë në Bibël. Sidoqoftë janë të bindur se projekti që shihet qartë në natyrë kërkon një Projektues inteligjent.
A mund të quhen naivë këta shkencëtarë? Duke folur për shkencëtarët që besojnë se kozmosi dhe jeta në të janë rrjedhojë e një projekti inteligjent, një artikull i botuar në The New York Times, që bën vlerësimin e një libri, thotë: «Ata mbajnë titullin Doktor i Filozofisë dhe punojnë në disa nga universitetet më të mira. Kundërshtimi që ata i bëjnë darvinizmit nuk bazohet në Shkrime; përkundrazi bazohet në argumente shkencore.»
I njëjti artikull thotë se ata që përkrahin idenë e një projekti inteligjent «nuk bëjnë asnjë pohim të paarsyeshëm. . . . Ajo që kundërshtojnë ata është teoria e përhapur e Darvinit ose çdo teori tjetër ‘natyraliste’, sipas të cilave shkaqet mekanike dhe pa *
inteligjencë, që veprojnë dalëngadalë me kalimin e kohës, mjaftojnë për të shpjeguar gjithë botën e gjallë. Ata argumentojnë se bota biologjike është plot me dëshmi që flasin për një projekt inteligjent, dëshmi që nuk lënë vend pothuajse për asnjë dyshim rreth faktit që në të ka pasur rol një Projektues Inteligjent».Përfundime të tilla ndeshen mjaft dendur mes shkencëtarëve. Për shembull, nga një studim i botuar më 1997 u zbulua se në SHBA, në çdo 10 shkencëtarë 4 besojnë që Perëndia është një person. Ky raport kishte mbetur pothuajse i njëjti që nga 1914-a, kur u bë një studim i ngjashëm.
Është e kuptueshme se në vende ku njerëzit s’janë shumë fetarë, si për shembull në Evropë, ky raport është më i ulët. Megjithatë gazeta britanike The Guardian thoshte që «besojnë më shumë profesionistët e shkencave të tilla, si fizika dhe gjeologjia, që bazohen në të dhëna të sakta, dhe më pak ata të shkencave që bazohen pjesërisht në hipoteza, siç është antropologjia». Ajo shtonte: «Në Mbretërinë e Bashkuar ka organizata të tilla, si ‘Të krishterët në shkencë’.» Gjithashtu gazeta thoshte se në Britaninë e Madhe «pjesëmarrja në kishë është përpjesëtimisht shumë më e madhe te studentët e shkencave, sesa te studentët e arteve».
Gjithsesi, me sa duket, shumica e shkencëtarëve tallen me pikëpamjen se ka një Krijues. Ky qëndrim përçmues ushtron një presion të fuqishëm te shkencëtarët e tjerë. Astronomi Alan Sendixh thotë se «vihet re një ngurrim për t’u thënë të tjerëve se je besimtar». Pse? «Qëndrimi kritik,—thotë ai, pra mosmiratimi dhe përbuzja e kolegëve,—është mjaft i madh.»
Si pasojë, shkencëtarët që guxojnë të thonë se shkenca nuk është medoemos në kundërshtim me besimin që ka një Krijues shohin se zërin e tyre e mbysin pikëpamje më dyshuese. Artikujt vijues do të përqendrohen te këta zëra që shpesh shpërfillen dhe te arsyet pse mendojnë kështu këta shkencëtarë. Por, si ndikon kjo çështje te ju personalisht? A mund t’ju ndihmojë shkenca të njihni Perëndinë? Ju lutemi të lexoni më tej.
[Shënimi]
^ par. 7 Ndër akademikët dhe shkencëtarët e shquar që e kanë shpallur publikisht se përkrahin idenë e «një Projektuesi Inteligjent» janë: Filip E. Xhonsoni, i cili jep jurisprudencë në Universitetin e Kalifornisë, në Berkli; biokimisti Majkëll J. Bihi, autor i librit Darwin’s Black Box—The Biochemical Challenge to Evolution; matematikani Uilliam A. Demski; filozofi i shkencës së logjikës Alvin Plantinga; fizikanët Xhon Pokinghorn dhe Friman Dajson; astronomi Alan Sendixh; e të tjerë që do të ishin shumë për t’i radhitur.
[Burimi i figurës në faqen 3]
Yje: Me mirësjelljen e ROE/Anglo-Australian Observatory, fotografi nga David Malin