Konkordi bën fluturimin e fundit në historinë e aviacionit
Konkordi bën fluturimin e fundit në historinë e aviacionit
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FRANCË
Pas 27 vjetësh fluturim, Konkordi, «i vetmi avion pasagjerësh me shpejtësi supersonike», del në pension. British Airways, në tetor të vitit 2003, nxori nga shërbimi edhe avionin e fundit për pasagjerë të flotës së saj prej shtatë Konkordësh, duke përmendur si arsye rritjen e çmimeve dhe numrin e pasagjerëve në rënie. Pesë muaj para saj, Air France, e vetmja linjë tjetër ajrore që përdorte këtë lloj avioni me krahët e tij të veçantë në formë trekëndëshi, i kishte nxjerrë nga fluturimi të pesë avionët e këtij lloji.
Kështu u mbyll ky kapitull i historisë së aviacionit që filloi në vitin 1962, kur inxhinierët britanikë dhe francezë bashkuan forcat për të ndërtuar një avion për largësi të mëdha me shpejtësi supersonike. Këta prototipa fluturimet e para i bënë në vitin 1969, kurse në janar të vitit 1976 transporti i pasagjerëve me avionë supersonikë u bë realitet duke filluar me fluturimet për në Bahrejn dhe Rio-de-Zhanejro.
Konkordi mund të ketë qenë një sukses në teknologji, por në ekonomi ishte një falimentim. Krizat e naftës në vitet 70 ishin të vështira për t’u përballuar, pasi ky avion konsumonte më se 25.600 litra karburant në orë, sasi kjo sa trefishi i sasisë që konsumonte një avion i zakonshëm për çdo pasagjer. Pengesë për Konkordin ishte jo vetëm që mund të fluturonte në distancë të kufizuar prej 6.880 kilometrash, por edhe që mbante më pak pasagjerë, vetëm 100 veta. Kështu që nuk ishte shumë fitimprurës për linjat ajrore. Një gjë tjetër që pengoi përhapjen e Konkordit ishte edhe kundërshtimi që lindi kur filloi fluturimet në Shtetet e Bashkuara, ngaqë disa ishin ankuar për zhurmën.
Çmimi ishte një problem tjetër. Bileta kushtonte mijëra dollarë. Prandaj një numër relativisht i vogël njerëzish mund t’ia lejonte vetes të udhëtonte me Konkord. Me menunë e tij të zgjedhur që përfshinte shampanjë, pure me mëlçi rose ose pate dhe havjar, udhëtimi me Konkord, «ishte përvoja më e veçantë që mund të kishte një njeri. Por më e mira e të mirave ishte që të kursente kohë. Nuk ishte fluturimi më i rehatshëm në botë, por ndjesia që provoje ishte e mrekullueshme», siç thotë një biznesmen.
Më i shpejtë se rrezet e diellit?
Gjatë viteve të tij të punës, Konkordi transportoi përafërsisht katër milionë pasagjerë, dhe ky nuk është një numër shumë i madh po të mendosh që kaq pasagjerë, flota e avionëve Boing 747, i transporton vetëm në pak javë. Atëherë, çfarë e bëri Konkordin një avion kaq të famshëm?
Mendoni pak që në një lartësi më shumë se 18 kilometra Konkordi arrinte të fluturonte me shpejtësi 2.150 kilometra në orë që është dyfishi i shpejtësisë së zërit. Ai fluturonte aq shpejt sa, gjatë fluturimit, avioni 62 metra i gjatë zgjatej rreth 24 centimetra nga nxehtësia që krijohej nga fërkimi. Një udhëtim i zakonshëm nga Parisi në Nju Jork me Konkord zgjaste vetëm 3 orë e 55 minuta që ishte pothuajse sa gjysma e kohës së fluturimit me një avion tjetër. Udhëtimi ishte kaq i shpejtë saqë, për shkak të ndryshimit të orëve, pasagjerët që niseshin nga Parisi kur zbritnin në Nju Jork zbulonin që ishte më herët se ora kur ishin nisur nga Parisi.
Në karrierën e Konkordit pati vetëm një aksident vdekjeprurës. Në 25 korrik të vitit 2000, një aeroplan i Air France u rrëzua kur po ngrihej nga aeroporti i Parisit «Charles de Gaulle», duke vrarë 113 njerëz bashkë me 4 të tjerë që ishin në tokë. Pas një sërë rregullimesh që iu bënë për të qenë sa më i sigurt, ata i rifilluan fluturimet pas një viti. Por ishte ana ekonomike ajo që në fund përcaktoi gjithçka duke i dhënë fund fluturimeve të Konkordit.
Konkordi, i cili nuk pati as rivalë e as pasardhës, do ta kalojë pensionin e merituar në muzetë botërorë të aviacionit. Zhan-Siril Spineta, drejtori i Air France, thotë: «Në të vërtetë Konkordi nuk do të reshtë kurrë së fluturuari sepse do të mbetet në imagjinatën e njerëzve.»
[Figurat në faqen 26]
Lart: Shërbehet shampanjë
Në qendër: Kapiten në kabinë
Poshtë: Një prototip Konkordi, Francë, 1968
[Burimi]
Të gjitha fotografitë përveç prototipit: NewsCast; prototipi: AFP/Getty Images