Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ku mund t’i gjeni përgjigjet?

Ku mund t’i gjeni përgjigjet?

Ku mund t’i gjeni përgjigjet?

A NDIHENI ndonjëherë disi të bezdisur nga debati që zien vazhdimisht për çështjen nëse ka pasur evolucion apo krijim? Nëse është kështu, nuk jeni i vetmi.

Në fund të fundit, në njërën anë të debatit janë disa shkencëtarë dhe studiues shumë të arsimuar që shpesh përdorin një gjuhë mjaft teknike. Ata këmbëngulin që nëse jeni njerëz inteligjentë dhe me shkollë, duhet ta pranoni si fakt teorinë e evolucionit. Në krahun tjetër qëndrojnë disa fetarë po aq prepotentë, të cilët duke përdorur shprehje të fryra e që zgjojnë emocione të forta, thonë se po të keni një besim të sinqertë duhet të pajtoheni me interpretimin që i bëjnë ata tregimit të Biblës për krijimin.

Pikëpamje të tilla ekstremiste shkaktojnë që shumë njerëz të arsyeshëm të bëhen indiferentë. Çështja e ekzistencës së Perëndisë meriton më shumë sesa pohime dogmatike të bëra me arrogancë. Mbani parasysh që kjo çështje nuk është thjesht një temë për debat, nuk është thjesht diçka teorike. Problemet e përfshira mund të ndikojnë në jetën dhe në të ardhmen tuaj.

Një gabim i zakonshëm i shkencëtarëve

Siç e pamë, nuk janë të paktë ata shkencëtarë të shquar e me mjaft njohuri që thonë se dëshmitë flasin për ekzistencën e një Projektuesi ose Krijuesi. Të tjerë shkojnë edhe më tej. Ata vënë në dyshim besnikërinë ndaj shkencës të atyre kolegëve që në mënyrë dogmatike hedhin poshtë ekzistencën e Perëndisë.

Për shembull, gjeofizikani Xhon R. Baumgardner thotë: «Të gjendur përballë një pamundësie të skajshme, si është e mundur që ndonjë shkencëtar me njëfarë ndershmërie profesionale të mbështetë pikëpamjen se ishin bashkëveprimet e rastësishme ato që sollën kompleksitetin që vërejmë te gjallesat? Për mendimin tim, të përkrahësh këtë pikëpamje, duke qenë i vetëdijshëm për një pamundësi të tillë, është një shkelje e rëndë e besnikërisë ndaj shkencës.»

Fizikani i mirënjohur Riçard Fajnmën nxori në pah një aspekt tjetër të besnikërisë ndaj shkencës. Në një fjalim që mbajti me rastin e ndarjes së diplomave në një universitet, ai foli për «një lloj besnikërie tjetër, të veçantë». Ai tha se kjo nënkuptonte «të përpiqesh të tregosh se në cilat pika ti, si shkencëtar, mund ta kesh gabim». Gjithashtu shtoi se ta pranojmë këtë gjë «është përgjegjësia jonë si shkencëtarë, sigurisht ndaj shkencëtarëve të tjerë, por mendoj edhe ndaj njerëzve të thjeshtë».

Sa herë ndodh të dëgjojmë evolucionistët që kur flasin për teoritë e tyre të thonë shprehje të tilla, si «mbase është e gabuar»? Mjerisht, një modesti e tillë ndeshet rrallë tek ata. Ç’është e vërteta, modestia dhe besnikëria ndaj shkencës duhet të shtyjë më shumë shkencëtarë të pranojnë se shkenca, e cila kufizohet vetëm në studimin e botës fizike, nuk është e pajisur për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth ekzistencës së Perëndisë. Por ç’mund të thuhet për udhëheqësit fetarë dhe për idetë e tyre rreth krijimit?

Një gabim i zakonshëm i fetarëve

Modestia dhe besnikëria ndeshen rrallë edhe midis krerëve fetarë. Në fund të fundit ku është besnikëria kur pohojnë se Bibla thotë diçka që në të vërtetë nuk e thotë? Ku është modestia kur pikëpamjet personale dhe traditat që i kanë për zemër vihen para Biblës? Pikërisht këtë kanë bërë shumë nga ata që mbrojnë interpretimin personal të asaj që thotë Bibla për krijimin.

Për shembull, shpesh ata thonë se i gjithë universi u krijua në gjashtë ditë 24-orëshe rreth 6.000 vjet më parë. Me mësime të tilla i shtrembërojnë fjalët e Biblës, e cila thotë se Perëndia i krijoi qiejt dhe tokën «në fillim», pra në një kohë që nuk dihet, para se të fillonin «ditët» krijuese që janë më të përcaktuara. (Zanafilla 1:1) Vlen për t’u përmendur që tregimi i Zanafillës na mëson se fjala «ditë» përdoret në disa kuptime. Te Zanafilla 2:4, e tërë periudha prej gjashtë ditësh që përshkruhet në kapitullin e mëparshëm quhet një ditë e vetme. Është e logjikshme që këto nuk ishin ditë 24-orëshe, por periudha të gjata. Është e qartë se çdonjëra nga këto epoka zgjati mijëra vjet.

Mjerisht shpesh edhe mësuesit fetarë e kanë gabim kur flasin për besimin. Me sa duket disa thonë se besimi nënkupton të besosh me pasion diçka për të cilën nuk ka prova bindëse. Shumë njerëzve të arsyeshëm, kjo u duket më shumë si naivitet ose si besim i verbër. Bibla e përkufizon krejt ndryshe besimin: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve, edhe pse nuk shihen.» (Hebrenjve 11:1) Pra besimi i vërtetë nuk është naivitet. Ai bazohet në prova bindëse dhe në logjikë.

Atëherë cilat janë dëshmitë ku bazohet besimi te Perëndia? Ka dy grupe dëshmish dhe që të dyja janë bindëse.

Shqyrtimi i dëshmive

I prekur, apostulli Pavël shkroi për Perëndinë se «cilësitë e tij të padukshme shihen qartë qysh prej krijimit të botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij». (Romakëve 1:20) Për mijëra vjet burra dhe gra të mençura kanë vërejtur në natyrë dëshmi të ekzistencës së Perëndisë.

Siç kemi parë, shkenca mund të jetë një mjet i dobishëm në lidhje me këtë. Sa më shumë mësojmë për kompleksitetin dhe rregullin e universit, aq më shumë arsye kemi të nderojmë Atë që i projektoi të gjitha këto gjëra. Disa shkencëtarë i shqyrtojnë me mendje të hapur këto dëshmi dhe u duken bindëse. Pa dyshim ata do të thoshin se shkenca i ka ndihmuar të njohin Perëndinë. Siç duket shkencëtarë të tjerë nuk dëshirojnë të binden, sado të shumta të jenë dëshmitë. Po ju?

Në rast se jeni i gatshëm të shqyrtoni dëshmitë rreth kësaj çështjeje, ju inkurajojmë ta bëni këtë. Libri A ka një Krijues që interesohet për ju? është hartuar që t’ju ndihmojë të gjeni përgjigjet e pyetjeve që lidhen me këtë çështje jetësore. * Veç kësaj, ai do t’ju ndihmojë të shqyrtoni një grup të dytë dëshmish që flasin për ekzistencën e Perëndisë: Biblën.

Bibla jep shumë dëshmi që tregojnë se ajo është e frymëzuar nga një inteligjencë mbinjerëzore. Për shembull, ajo ka shumë profeci, ose histori të shkruara para se të ndodhin. Disa prej tyre flasin pikërisht për kushtet në botën e sotme. (Mateu 24:3, 6, 7; Luka 21:10, 11; 2 Timoteut 3:1-5) Njeriu nuk është në gjendje të thotë me siguri se ç’do të ndodhë në të ardhmen. Kush tjetër, veç Perëndisë, mund ta bënte këtë?

Megjithatë, Bibla nuk na ndihmon vetëm për të gjetur përgjigjen e pyetjes nëse ekziston apo jo Perëndia. Ajo gjithashtu na tregon emrin, përshkruan personalitetin e tij dhe na tregon se si është kujdesur ai për njerëzimin gjatë viteve. Madje Bibla na zbulon se çfarë ka përgatitur Perëndia për ne. Në të gjitha këto fusha, shkenca nuk ka fuqi të na ndihmojë që të gjejmë përgjigjet. Vërtet, shkenca e njerëzve nuk mund të na japë një shpresë të qëndrueshme në jetë. Ajo nuk mund të ngulitë as norma morale, as vlera njerëzore të përshtatshme.

Një bazë për normat morale dhe vlerat njerëzore

Mjerisht, mënyra se si e përdorin disa shkencën sot, nga sa duket i dobëson dalëngadalë normat morale, vlerat njerëzore dhe rregullat. Biologu Riçard Dokins, i cili e hedh poshtë mendimin se ka një Perëndi, tha: «Në një univers të forcave të verbra fizike dhe të kopjimit të gjeneve, disa njerëz do të dëmtohen, të tjerë do të kenë fat, dhe në gjithë këtë nuk do të gjeni ndonjë shpjegim të logjikshëm, as arsye dhe as drejtësi.» A nuk ju duket disi e zymtë kjo pikëpamje për botën? A nuk mendoni se shoqëria njerëzore ka nevojë për një kod moral që e shpërblen sjelljen e mirë dhe dënon keqbërjen?

Në këtë pikë ka një ndryshim thelbësor ndërmjet pikëpamjes së Biblës për njerëzimin dhe pikëpamjes ateiste evolucioniste. Fjala e Perëndisë thekson se njerëzit zënë një vend të veçantë në krijim; sipas evolucionit, njerëzit janë rrjedhojë e rastësishme e proceseve të verbra natyrore. Bibla shpjegon se njerëzit janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së një Perëndie të drejtë e të dashur dhe janë në gjendje të bëjnë një jetë të virtytshme e të kënaqshme; evolucioni, nga ana tjetër, duke e vënë theksin te lufta për mbijetesë, nuk mund të shpjegojë pse njeriu ka cilësi të tilla, si dashuria dhe altruizmi.

Evolucioni nuk mund të na japë një shpresë ose qëllim të vërtetë. Bibla na vë përpara qëllimin madhështor që ka Krijuesi për të ardhmen tonë. Ai e ka shpallur qartë qëllimin e tij se ‘do të na japë një të ardhme dhe një shpresë’.​—Jeremia 29:11.

Mësoni rreth Krijuesit

Një psalmist i mençur pranoi me përulësi nga zemra: «Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë.» (Psalmi 100:3) Për shumë njerëz me arsye, ky pohim modest ka shumë më tepër kuptim, sesa teoritë e sotme që thonë se njeriu erdhi nga rastësia.

Ndonjëherë shkenca moderne ushqen një koncept që pasqyron arrogancë, sipas të cilit arsyetimi dhe njohuria njerëzore duhet të jenë udhëheqja më e shkëlqyer. Mjerisht fetë tradicionale shpesh kanë bërë po të njëjtin gabim. Gjithsesi njohuria njerëzore është dhe do të mbetet e kufizuar. Ndonëse kishte mjaft njohuri për shkrimet, apostulli Pavël qëndroi i përulur. Ai pranoi me realizëm: «Tani për tani, ne shohim me konture të mjegullta me anë të një pasqyre . . . Tani për tani, njoh pjesërisht.»​—1 Korintasve 13:12.

Sigurisht, besimi i vërtetë te Perëndia nuk varet nga shkenca moderne. Por një njeriu që i shqyrton me kujdes faktet, shkenca mund t’ia forcojë besimin. Besimi i vërtetë dhe çmueshmëria për vlerat shpirtërore janë të domosdoshëm për një jetë të lumtur e të pasur. (Mateu 5:3) Në qoftë se e përdorni Biblën për ta njohur mirë Jehovain dhe qëllimin e tij për njerëzimin dhe tokën, do të gjeni arsyen për një qëllim të vërtetë në jetë dhe një bazë të fortë për të pasur shpresë.

[Shënimi]

^ par. 18 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait

[Kutia dhe figurat në faqen 9]

Ç’thonë vetë ata?

Shumë shkencëtarë nuk ngurrojnë të deklarojnë se besojnë te një Krijues. Megjithëse disa kanë një ide të përgjithshme ose të mjegullt se kush është Perëndia, ata pajtohen me mendimin se dëshmitë flasin për një Projektues inteligjent. Vini re komentet e mëposhtme:

«Si shkencëtar, shoh botën përreth dhe vërej mekanizma inxhinierike me një kompleksitet kaq të mahnitshëm, saqë arrij në përfundimin se pas një rregulli kaq kompleks është një projekt i bërë me inteligjencë.»​—ENDRJU MEKINTOSH, MATEMATIKAN, UELLS, MBRETËRIA E BASHKUAR.

«Kompleksiteti i natyrës tregon qartë për një Krijues. Çdo sistem biologjik dhe fizik, kur arrijmë ta kuptojmë, flet për një kompleksitet të pabesueshëm.»​—XHON K. G. KREIMER, BIOKIMIST, KANADA.

«Rregullsia e botës së gjallë shihet qartë. Atë e vendosi një Fuqi më e lartë që personalisht e quaj Perëndi. Pikërisht këtu besimi pajtohet me të vërtetën shkencore. Në vend që të bjerë ndesh me shkencën, ai e plotëson duke na dhënë një kuptueshmëri më të thellë për universin tonë.»​—ZHAN DORST, BIOLOG, FRANCË.

«Nuk arrij ta përfytyroj që universi dhe jeta njerëzore të mos kenë ardhur nga një burim inteligjent, të mos kenë pasur një burim ‘ngrohtësie’ shpirtërore, një burim që qëndron përtej materies dhe ligjeve të saj.»​—ANDREJ DIMITRIJEVIÇ SAKAROV, FIZIKAN I FIZIKËS BËRTHAMORE, RUSI.

«Në njëfarë mënyre çdo kafshë ka një projektim të pashoq, i cili e bën të përshtatet me mjedisin e veçantë ku jeton. Pra nuk mund të rri pa ia dhënë meritën e kompleksitetit të këtij projekti një Krijuesi dhe jo forcave të rastësishme të evolucionit.»​—BOB HOSKEN, BIOKIMIST, AUSTRALI.

[Kutia dhe figurat në faqen 10]

Një vlerësim i tregimit të Zanafillës

Xherald Shrëderi, ish-pedagog i fizikës bërthamore, shkruan: «Bibla tregon në tridhjetë e një vargje, vetëm në disa qindra fjalë, ngjarje që kanë ndodhur në një hark kohor prej gjashtëmbëdhjetë miliardë vjetësh. Këto janë ngjarje për të cilat shkencëtarët kanë shkruar miliona fjalë. I gjithë krijimi i jetës së kafshëve përmblidhet në tetë fjali në Bibël. Duke marrë parasysh se sa i shkurtër është tregimi biblik, befasohesh nga përputhja e pohimeve dhe e radhës së ngjarjeve, siç tregohen në kapitullin I të Zanafillës, me zbulimet e sotme shkencore. Kjo të befason sidomos kur kuptojmë se i gjithë shpjegimi që jep Bibla këtu, u regjistrua shekuj, madje mijëvjeçarë më parë, dhe për pasojë nuk u ndikua në ndonjë mënyrë nga zbulimet e shkencës moderne. Është shkenca moderne ajo që është përputhur me tregimin biblik që flet për zanafillën tonë.»​—SHKENCA E PERËNDISË​—PËRPUTHJA E NJOHURISË SHKENCORE ME NJOHURINË BIBLIKE (anglisht).

[Figurat]

Bibla flet për gjashtë periudha krijimi

[Figura në faqen 12]

Bibla jep dëshmi të forta që tregojnë se është e frymëzuar nga Perëndia