Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Kontrollimi i lindjeve—Një dilemë për kopshtet zoologjike
«Sot asnjë kopsht zoologjik nuk mund t’ia dalë pa kontraceptivë»,—thotë Hening Visner, kryezoologu i Kopshtit Zoologjik të Helabrunit në Munih. Kafshët nëpër kopshtet zoologjike shtohen shumë shpejt, të vegjëlit e tyre rriten të fortë dhe kanë prirjen të jetojnë më shumë se kafshët e të njëjtit lloj që jetojnë në gjendje të lirë. Por kopshtet zoologjike kanë hapësirë të kufizuar. Ja pse duhen kontraceptivët. Megjithatë, siç thuhet në revistën gjermane Focus, «ka diçka që e pengon planifikimin familjar në kopshtet zoologjike: kafshët nuk duan t’ia dinë fare për këtë». Për shembull, arinjtë i diktojnë nga era kontraceptivët e fshehur në ushqim, dhe kështu i heqin mënjanë. Jo vetëm kaq, por kontraceptivët që merren nga goja mund të shkaktojnë probleme shëndetësore. Për shembull, te disa kafshë shkaktojnë kancerin në gjoks. Disa mundësi të tjera janë tredhja dhe sterilizimi, por këto sjellin probleme të tjera. Një e keqe është që këto masa janë të përhershme dhe në të ardhmen mund të lindë nevoja për të bërë këlyshë. Së dyti, kafshët e sterilizuara ose të tredhura nuk prodhojnë më hormone seksuale, dhe ky ndryshim mund të dëmtojë pozitën që kanë ndërmjet kafshëve të tjera të të njëjtit lloj. Ndërsa mundësia tjetër është të eliminojnë ose të vrasin të vegjëlit e padëshiruar, por ata që i duan kafshët dhe grupet që mbrojnë kafshët, do të revoltoheshin nga kjo. Prandaj kopshtet zoologjike janë vërtet në dilemë.
Plehra elektronike
Gazeta kanadeze National Post raporton se në vitin 2002 kanadezët hodhën rreth 155.000 tonë mbeturina elektronike. Sipas asaj që njoftonte Environment Canada, kanadezët kanë hedhur «afërsisht dy milionë televizorë, 1,1 milion video dhe 348.000 magnetofonë me kompakt disk. Shumica e tyre konsideroheshin të vjetër pasi ishin përdorur vetëm për pak vjet». Artikulli thoshte që pajisjet elektronike «shpesh hidhen jo sepse janë prishur, por sepse nuk i plotësojnë më nevojat e përdoruesit». Shumë nga këto mbeturina mund të jenë të rrezikshme. Për shembull, gazeta Post thotë se vetëm një televizor «mund të përmbajë deri në dy kilogramë plumb». Ndërsa merkuri që gjendet në disa ekrane, tani po ndot gropat e plehrave. Environment Canada paralajmëron që, nëse vazhdohet me këtë ritëm, deri në vitin 2010 mbeturinat elektronike do të dyfishohen.
Milingonat dhe antibiotikët
«Shkencëtarët kanë zbuluar se disa milingona rritin kërpudha për të ushqyer të vegjlit e tyre. Madje ato përdorin antibiotikë ‘si pesticide’ për të mbrojtur të mbjellat e tyre»,—thotë botimi ndërkombëtar i gazetës The Miami Herald. Këto quhen milingona gjethe-brejtëse dhe i mbëltojnë kërpudhat, i krasitin dhe u heqin barërat e këqija, tamam siç bën edhe një bujk me të mbjellat. Antibiotiku që i mbron të mbjellat e milingonave nga një myk ngjitës prodhohet nga një bakter që i përket familjes Streptomycete dhe që jeton në lëkurën e gjethe-brejtësit. Ted Shulci, specialist insektesh në Muzeun Kombëtar të Historisë së Natyrës në Uashington, D.C., pohon se njerëzve u duhet të shpikin vazhdimisht antibiotikë të rinj për të mposhtur mikrobet që u rezistojnë ilaçeve, kurse gjethe-brejtësit kanë epoka që përdorin me sukses të njëjtin antibiotik. Shulci thotë se po ta kuptonim sekretin e milingonave, kjo «mund të ishte jetëshpëtuese për njeriun».
Një katastrofë botërore shëndetësore
Bota po shkon drejt «një prej katastrofave më të mëdha shëndetësore» që ka parë, dhe kjo vjen si pasojë e një shtimi alarmues të rasteve me diabet. Kështu paralajmëron profesori Sër Xhorxh Alberti nga Britania, president i Federatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF). Gazeta britanike Guardian raporton se sipas shifrave që ka nxjerrë IDF-ja, më shumë se 300 milionë njerëz në të gjithë botën nuk janë në gjendje ta përvetësojnë siç duhet glukozën, dhe shpesh kjo çon në diabet. Diabeti i tipit 2, që më parë prekte kryesisht moshat e mëdha, tani po ndikon edhe në shëndetin e të rinjve britanikë, të cilët kanë vënë dhjamë sepse hanë ushqime të thata pa vlera ushqyese dhe nuk bëjnë fizkulturë. Alberti thotë: «Ajo për të cilën të vjen më tepër keq është se shumica e këtyre [rasteve me diabet dhe ndikimi i tij] mund të shmangen duke ndrequr mënyrën e jetesës.» Rastet me diabet mund të rriten ndjeshëm edhe në vendet në zhvillim ndërkohë që ato kopjojnë «të ushqyerit e pashëndetshëm dhe mënyrën e të jetuarit të vendeve të pasura»,—komenton The Guardian.
Ndryshime në familjen italiane
Në Itali, që nga viti 1995 deri më 2001, numri i çifteve që bashkëjetojnë pa u martuar gati është dyfishuar, numri i të martuarve ka rënë dhe është rritur numri i atyre që jetojnë vetëm. Këto rezultate që janë botuar në gazetën La Repubblica, bazohen në të dhënat e nxjerra nga Instituti i Statistikave Kombëtare në Itali (ISTAT). Gjatë kësaj periudhe, mesatarja e anëtarëve të familjes ka rënë në 2,6 anëtarë. Sipas ISTAT-it, shumë çifte po vendosin të bashkëjetojnë pa u martuar, si «një periudhë prove», ndoshta me mendimin për t’u martuar më vonë.
Shqisat e zhvilluara të bufit
Revista Australian Geographic raporton se «nga e gjithë mbretëria e kafshëve, bufi është ai që ka shikimin më të mprehtë natën», dhe kjo në saje të syve të mëdhenj dhe përdorimit të të dy syve. Dhe shumë prej tyre «mund të dëgjojnë tinguj që janë 10 herë më të dobët se ata që arrin të dëgjojë njeriu». Çfarë i bën bufët të kenë një dëgjim kaq të mprehtë? Artikulli vazhdon se «me disa ndryshime, llojet e ndryshme të bufëve kanë një tipar të veçantë të veshëve: vrima e njërit vesh është më lart se ajo e veshit tjetër». Kjo gjë ia bën më të lehtë bufit të përcaktojë vendndodhjen e gjahut që lëviz. Bufët e gjinisë Tyto kanë edhe diçka tjetër që i ndihmon. Puplat e fytyrës së tyre formojnë një si disk, i cili mund të ndryshojë formë në mënyrë të atillë që të mbledhë tingujt dhe t’i drejtojë për në vesh. Për më tepër palca, ajo pjesë e trurit që ka të bëjë me dëgjimin, është më e zhvilluar te bufët sesa te zogjtë e tjerë.
Infeksione të hepatitit që mund të shmangen
Shumica e «infeksioneve të hepatitit vijnë nga mungesa e pastërtisë nga ana e personelit mjekësor»,—thotë e përjavshmja polake Polityka. Në vitin 1997 Instituti Kombëtar i Higjienës në Poloni raportoi 992 raste me hepatitin C, por pas pesë vjetësh ky numër arriti në 1.892. Artikulli kritikon mungesën e vaksinimit kundër hepatit C. Profesori Anzhej Guadish, specialist për sëmundjet infektive në atë vend, thotë: «Nuk e teprojmë nëse themi që në Poloni kemi 500 deri në 600 mijë të infektuar me virusin e hepatitit C.» Jacek Jushçik i Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Mjekësisë në Poznan pohon se shumica e këtyre personave «infektohen kur shkojnë te mjeku ose te dentisti». Polityka përfundon: «Kur jemi në duart e mjekut, do të donim të ishim të sigurt se jemi në duar vërtet të pastra.»
Shtohen barakat në qytet
«Gati një miliardë njerëz, 32 për qind e banorëve të qyteteve të botës, jetojnë në zona urbane të varfra»,—thotë gazeta El Universal e Meksikos. Një studim i Kombeve të Bashkuara përmend si shembuj qytetet Bogotá, Havanë, Kuito, Meksiko, dhe Rio-de-Zhanejro ku barakat po shtohen si kërpudhat pas shiut. Cilat janë shkaqet? Gazeta vazhdon se Kombet e Bashkuara për rastin e qytetit të Bogotásë, mendojnë që shkaktarë janë «rritja e vrullshme e popullsisë, emigrimi i madh nga zonat rurale dhe dhuna, që ka bërë të shpërngulen grupe të mëdha njerëzish». Një arsye tjetër është se, në krahasim me vitin 1994, kur 19,4 për qind e popullsisë në atë qytet jetonte nën nivelin e varfërisë, në vitin 2000 kjo përqindje arriti në 23 për qind.