Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse disa shkencëtarë besojnë te Perëndia?

Përse disa shkencëtarë besojnë te Perëndia?

Përse disa shkencëtarë besojnë te Perëndia?

SHKENCA po zbulon vazhdimisht gjëra të reja rreth universit dhe jetës që zien në planetin tonë. Megjithatë si shkencëtarët, ashtu edhe njerëzit e thjeshtë ende përballen me pyetje themelore si këto: Si erdhi në ekzistencë universi? Çfarë kishte para tij? Pse universi ka pikërisht ato kushte që janë të domosdoshme për jetën? Si lindi jeta në tokë?

Shkenca ende nuk u përgjigjet dot këtyre pyetjeve. Madje disa dyshojnë nëse ajo do të mund t’u përgjigjet ndonjëherë. Kjo gjë ka shtyrë shumë njerëz t’i rishikojnë pikëpamjet dhe bindjet e veta. Le të shqyrtojmë tri nga enigmat që i kanë nxitur disa shkencëtarë të mendojnë seriozisht për ekzistencën e një Krijuesi.

Një univers i harmonishëm: Rastësisht?

Një nga pyetjet kryesore lidhet me faktin që kozmosi është i harmonishëm, pra i sinkronizuar me përpikëri. Përse universi ka ligje fizike të pandryshueshme dhe ka konstante natyrore që janë përshtatur me përsosmëri për të mbajtur një planet si ky i yni dhe çdo gjallesë në të?

Çfarë kuptojmë me shprehjen i sinkronizuar me përpikëri? Për shembull, le të shqyrtojmë se me ç’saktësi janë përcaktuar dhe përshtatur me njëra-tjetrën katër forcat fizike themelore: forca elektromagnetike, forca e rëndesës, forca e fuqishme bërthamore dhe forca e dobët bërthamore. * Këto forca veprojnë mbi çdo objekt në univers. Ato janë përcaktuar dhe ekuilibruar kaq saktë saqë edhe ndryshime fare të vogla mund ta kthenin universin në një vend pa jetë.

Për shumë njerëz të arsyeshëm shpjegimi është i thjeshtë: nuk mund të jetë një rastësi. Xhon Polkinghorni, që dikur punonte si fizikan në Universitetin e Kembrixhit, nxori këtë përfundim: «Kur kupton se për t’u krijuar universi që shohim, ligjet e natyrës duhet të jenë në harmoni të jashtëzakonshme, kjo të bën të mendosh që universi nuk u shfaq ashtu rastësisht, por që kjo gjë duhet të ketë një qëllim.»

Fizikani australian Pol Dejvis bëri një argumentim të ngjashëm: «S’ka dyshim se shumë shkencëtarë . . . e shohin me përçmim idenë se mund të ekzistojë një Perëndi, ose qoftë edhe një forcë krijuese që nuk është një person.» Gjithashtu shtoi: «Personalisht nuk pajtohem me qëndrimin e tyre përçmues. . . . Nuk mund ta besoj se ekzistenca jonë në këtë univers është vetëm një trill i fatit, . . . një kthesë e rastësishme në zhvillimin e dramës së madhe të forcave kozmike.»

Kompleksiteti​—I vështirë për t’u shpjeguar

Një çështje tjetër që shkencëtarët e sotëm e kanë të vështirë ta shpjegojnë është kompleksiteti i madh i botës që na rrethon. Logjika na thotë se sa më komplekse të jetë një ngjarje, aq më pak mundësi ka që të ndodhë rastësisht. Le të marrim një shembull.

Për t’u formuar ADN-ja, elementi bazë i jetës, zhvillohen një mori reaksionesh kimike që duhet të ndodhin me një saktësi absolute. Tre dhjetëvjeçarë më parë dr. Frank Solsberi në Universitetin Shtetëror të Jutës, në SHBA, llogariti sa ishte probabiliteti që të formohej vetvetiu një molekulë bazë ADN-je, e domosdoshme për fillimin e jetës. Llogaritjet zbuluan se ky probabilitet ishte kaq i vogël, saqë matematikisht është i pamundur. *

Kompleksiteti duket qartë sidomos kur gjallesat përbëhen nga pjesë komplekse që nuk do të funksiononin dot pa ndihmën e pjesëve të tjera po aq komplekse. Le të përqendrohemi në rastin e riprodhimit.

Sipas teorive evolucioniste, gjallesat vazhdonin të riprodhoheshin ndërkohë që bëheshin gjithnjë e më komplekse. Megjithatë, në njëfarë pike te femra e shumë llojeve duhej të zhvilloheshin qeliza riprodhuese dhe këto duhej të pllenoheshin nga një mashkull i cili do të kishte qelizat riprodhuese plotësuese. Që t’u japin pasardhësve të tyre numrin e duhur të kromozomeve, qelizat riprodhuese të secilit prind i nënshtrohen një procesi të mrekullueshëm të quajtur mejozë. Gjatë këtij procesi përgjysmohet numri i kromozomeve të qelizave që vijnë nga secili prind. Ky proces nuk lejon që pasardhësi të ketë më tepër kromozome se ç’duhet.

Sigurisht i njëjti proces do të kishte qenë i nevojshëm edhe për llojet e tjera. Pra, si arriti «nëna e parë» e çdo lloji të bëhej e aftë për t’u riprodhuar me ndihmën e një «babai të parë» plotësisht të zhvilluar? Si ka mundësi që papritur të dy u bënë të aftë të përgjysmonin numrin e kromozomeve të qelizave riprodhuese, siç nevojitej për të dhënë një pasardhës të shëndetshëm me disa tipare të trashëguara nga të dy prindërit? Dhe nëse këto veçori të riprodhimit u zhvilluan dalëngadalë, si arritën të mbijetonin mashkulli dhe femra e çdo lloji ndërkohë që këto veçori jetësore ende nuk ishin formuar plotësisht?

Edhe për një lloj të vetëm, mundësitë që ky bashkëveprim dhe zhvillim i njëkohshëm gjatë riprodhimit të ndodhte rastësisht janë tejet të papërfillshme. Mundësia që e njëjta gjë të ndodhte në shumë lloje është jashtë çdo logjike. A mundet procesi i evolucionit, që është vetëm një teori, të shpjegojë një kompleksitet të tillë? Si është e mundur që nga ngjarje të rastësishme e pa ndonjë qëllim të krijoheshin sisteme kaq të ndërlikuara dhe të ndërvarura? Gjallesat kanë plot karakteristika të cilat japin prova për largpamësi dhe planifikim, veçori që flasin për një Planifikues inteligjent.

Shumë studiues kanë arritur në një përfundim të tillë. Për shembull, matematikani Uilliam A. Demski shkroi se «projekti inteligjent» që shihet qartë në «veçoritë që vërejmë në natyrë . . . mund të shpjegohet siç duhet vetëm në qoftë se merita i jepet një shkaku inteligjent». Biokimisti Majkëll Bihi, e përmbledh kështu dëshminë që shihet te gjallesat: «Mund të jesh një katolik i devotshëm e megjithatë të besosh në darvinizëm. Por biokimia e ka bërë gjithnjë e më të vështirë që të jesh edhe shkencëtar që thellohesh, edhe të besosh në darvinizëm.»

Boshllëqe në dëshmitë fosile

Një mister i tretë që i ka vënë në mendime shkencëtarët lidhet me dëshmitë fosile. Nëse evolucioni do të kishte ndodhur për mijëvjeçarë të tërë, duhej të pritnim të gjenim një mori organizmash të ndërmjetme ose hallkash lidhëse ndërmjet tipave kryesorë të gjallesave. Megjithatë, në këtë drejtim fosilet e panumërta, të zbuluara që nga koha e Darvinit nuk kanë provuar atë që pritej. Nuk ka hallka lidhëse ndërmjet tipave kryesorë të gjallesave.

Prandaj shumë shkencëtarë kanë arritur në përfundimin se provat për evolucionin janë tepër të dobëta dhe kontradiktore për të provuar se jeta evoluoi. Luter D. Sadhërlendi, inxhinier për mjetet e fluturimit në hapësirë, në librin e tij, Enigma e Darvinit (anglisht), shkroi: «Provat shkencore tregojnë se sa herë që shfaqej ndonjë formë jete në Tokë, duke filluar që nga protozoarët njëqelizorë e deri te njeriu, asaj nuk i mungonte asgjë. Organet dhe ndërtimi i saj ishin plotësisht të zhvilluar e funksional. Përfundimi i pashmangshëm që duhet nxjerrë nga ky fakt është se para se jeta të shfaqej në tokë, ekzistonte një lloj inteligjence.»

Nga ana tjetër, dëshmitë fosile përputhen shumë me radhën e përgjithshme, sipas së cilës janë shfaqur gjallesat, radhë e cila përshkruhet në librin biblik të Zanafillës. Donald E. Çitiku, shkencëtar në fushën e kimisë fizike, i cili mori doktoratën në Universitetin Shtetëror të Oregonit, thotë: «Një shqyrtim nga afër i dëshmive fosile të çon në përfundimin se kafshët u riprodhuan sipas llojit të tyre, siç thotë Zanafilla. Ato nuk ndryshuan nga një lloj në një tjetër. Si në ditët e Darvinit, edhe sot, provat mbështetin atë që thotë Zanafilla, se gjërat kanë ardhur drejtpërdrejt si pasojë e krijimit. Kafshët dhe bimët vazhdojnë të riprodhohen sipas llojit të tyre. Në fakt, konflikti ndërmjet paleontologjisë (studimi i fosileve) dhe darvinizmit është kaq i fortë, saqë disa shkencëtarë po fillojnë të besojnë se format e ndërmjetme të gjallesave nuk do të gjenden kurrë.»

Përballë dëshmive

Ajo që u tha më sipër është vetëm maja e ajsbergut të pyetjeve pa përgjigje të cilat i mundojnë ata që shpërfillin dëshmitë se ka një Krijues. Disa shkencëtarë e kuptojnë se mohimi i ekzistencës së Perëndisë është një rrugë e shtruar jo me prova bindëse dhe me një logjikë të shëndoshë, por me hamendje dhe supozime.

Prandaj, pas një jete me punë dhe kërkime shkencore të frytshme, astronomi Alan Sendixh tha: «Ishte pikërisht studimi im shkencor që më çoi drejt përfundimit se bota është shumë më e ndërlikuar, sesa arrin të shpjegojë shkenca. Vetëm në rast se pranoj një shkak të mbinatyrshëm, arrij të kuptoj misterin e jetës.»

[Shënimet]

^ par. 6 Për më shumë hollësi shihni kapitullin e 2-të të librit A ka një Krijues që interesohet për ju? botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 11 Ai supozoi sikur kjo molekulë të kishte mundësi të krijohej në saje të reaksioneve kimike natyrore në 100.000.000.000.000.000.000 (1020) planetë «mikpritës» gjatë një periudhe katër miliardë vjeçare. Sa janë mundësitë që të formohej një molekulë e vetme ADN-je? Sipas llogaritjeve të tij ishte një në 10415.

[Kutia në faqen 6]

Pyetje që mundojnë shkencëtarët

▪ Pse katër forcat fizike themelore janë sinkronizuar me përsosmëri gjë që bën të mundur ekzistencën e universit dhe të jetës?

▪ Si shpjegohet kompleksiteti i jashtëzakonshëm i gjallesave, që po të thjeshtohej fare pak, shumë gjallesa nuk do të ekzistonin?

▪ Pse është e paplotë dëshmia fosile dhe ku janë provat që tregojnë për organizma, të cilët shërbejnë si hallka lidhëse ndërmjet tipave kryesorë të gjallesave?

[Kutia në faqen 8]

Thjesht rastësi?

Kohët e fundit në kopertinën e revistës National Geographic ishte një pamje tërheqëse që tregonte lidhjen e dashur të nënës me fëmijën. Një lexues i shkroi revistës këto fjalë: «Kopertina me nënën dhe fëmijën është një kryevepër. S’ma rrok dot truri që dikush ta shohë atë foshnjë të ëmbël, e cila vetëm para nëntë muajsh ishte një vezë sa maja e një gjilpëre, dhe pastaj të thotë se ky zhvillim i mrekullueshëm ishte vetëm një rastësi.»

Shumë do të pajtoheshin me këtë mendim. Autori i një libri dhe ish-pedagogu i fizikës bërthamore dr. Xherald Shrëderi e krahason probabilitetin që universi dhe jeta të kenë ardhur nga rastësia me probabilitetin që të fitosh lotarinë tri herë radhazi: «Para se të merrnit shumën e tretë të parave do t’ju çonin në burg me akuzën e manipulimit të rezultateve. Mundësia për të fituar tri herë radhazi ose tri herë gjatë jetës është kaq e vogël saqë nuk ia vlen të merret parasysh.»

[Figurat në faqen 7]

Nëse këto katër forca nuk do të ishin sinkronizuar dhe ekuilibruar me saktësi, nuk do të kishte fare jetë

Forca e dobët bërthamore bën që dielli të vazhdojë të digjet me të njëjtën shpejtësi

Forca e rëndesës bën të mundur që objektet të qëndrojnë në tokë

Forca e fuqishme bërthamore e mban të bashkuar bërthamën e atomit

Forca elektromagnetike shkakton vetëtimat

[Figurat në faqen 7]

Si ka mundësi që forca të rastësishme të krijonin diçka kaq të ndërlikuar sa një qelizë e vetme me ADN-në e saj, e aq më tepër njeriun?

[Figurat në faqen 8]

Dëshmitë fosile nuk kanë arritur të provojnë se jeta evoluoi