Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Relikt nga e fuqishmja Perandori Romake

Relikt nga e fuqishmja Perandori Romake

Relikt nga e fuqishmja Perandori Romake

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GJERMANI

Është më shumë se 1.900-vjeçar, më i gjatë se 500 kilometra dhe përfaqëson një nga monumentet historike më të mrekullueshme të Perandorisë Romake në Evropën Qendrore. Cili është? Përgjigja: kufiri me fortifikata i Perandorisë Romake ose siç njihet ndryshe limes.

KY KUFI përfshin një varg fortifikatash të ndërtuara nga romakët, të cilët përpiqeshin të mbronin kufirin e tyre verior nga fiset gjermanike. Sot këto fortifikata dëshmojnë për fuqinë e Perandorisë së lashtë Romake.

Fjala limes e përkthyer kufi me fortifikata vjen nga latinishtja dhe kuptimi origjinal i saj është ‘një shteg i bërë nga njerëzit, që kalon tejpërtej një territori, duke e ndarë në dy pjesë’. Fillimisht nuk kishin ndër mend ta përdornin si kufi, por u hap thjesht si shteg ose rrugë. Por pasi u ndërtua, me kalimin e kohës ky shteg u kthye në kufi. Ndërtimi i tij shënoi një pikë kthese në historinë e Perandorisë Romake.

Përse u ndërtua?

Fiset gjermanike në anën tjetër të kufirit verior të Perandorisë Romake, një rajon që ndonjëherë e quanin barbarikum, ishin në armiqësi me Romën. Në atë zonë, fise të tilla, si fisi kati shpesh sulmonin papritur kufirin e territorit romak. Ata ishin luftëtarë të egër, prandaj një fushatë ushtarake kundër tyre do të ishte shumë e kushtueshme.

Në vend që të përpiqej të pushtonte barbarikumin, ushtria romake hapi përmes tij një korridor që kalonte midis lumenjve Ren dhe Danub tejpërtej territorit të papushtuar. Në disa vende, ky korridor u hap duke prerë pemët në pyjet e dendura. Ai patrullohej nga ushtarët, dhe kështu ishte një kalim pak a shumë i sigurt për udhëtarët.

Në fillim, romakët thjesht ndërtuan një rrugë të gjerë. Me kalimin e kohës, përgjatë rrugës u ndërtuan kulla të drunjta ku mund të rrinin ushtarët. Çdo kullë u ndërtua në mënyrë të tillë që të shihej tjetra. Gjithashtu, buzë rrugës bënë një gardh mbrojtës 2,7 metra i lartë, të ndërtuar me hunj me majë. Më vonë u ndërtua një ledh dhe një hendek. Vende-vende ndërtuan një mur të gurtë dhe kulla vrojtimi të gurta.

Në rajonet e izoluara u ndërtuan më shumë fortesa për të strehuar trupat. Si përfundim, aty nga shekulli i tretë i e.s., kufiri me fortifikata në Gjermani ishte më shumë se 500 kilometra i gjatë. Ai përfshinte 60 kulla të mëdha dhe shumë e shumë fortifikata të tjera më të vogla. Për më tepër, kishte të paktën 900 kulla vrojtimi me roja që patrullonin kufirin. Disa thonë se këto ishin të larta sa tri kate, pra arrinin 10 metra lartësi.

Kufi artificial

Pra, ai që fillimisht u hap si një shteg në tokën e armikut, u bë një kufi artificial. Ky kufi me fortifikata shtrihej përtej Gjermanisë, futej në vendin që sot është Holanda dhe arrinte deri në Detin e Veriut. Në Anglinë e pushtuar nga romakët u ndërtua Muri i Adrianit dhe Muri i Antonios për të mbrojtur kufirin nga fiset kaledoniane që banonin atje ku sot është Skocia.

Kufiri me fortifikata nuk u ndërtua për të ndaluar kalimin e njerëzve. Ai kishte porta që u krijonin mundësi banorëve të barbarikumit të kalonin kufirin dhe të hynin në provincat romake të Retisë dhe të Gjermanisë së Madhe. Kjo u krijonte mundësi njerëzve të bënin tregti.

Ky kufi me fortifikata jep dëshmi të një ndryshimi të madh në politikën romake. T. U. Poteri shkruan: «Për shumë shekuj, për romakët ishte e pamendueshme që perandoria të kishte kufij të përcaktuar.» Prandaj, kufiri shënoi «fillimin e një ndryshimi vendimtar në politikë, nga zgjerimi i kufijve në përcaktimin e kufijve».

Ç’ka mbetur ende?

Nga shekulli i tretë kishte filluar rënia e zgjatur dhe e ngadaltë e perandorisë. Si përfundim ushtria u tërhoq nga kufiri me fortifikata. Fortifikatat u rrënuan ngaqë nuk kujdesej njeri; gurët dhe lëndën drusore i morën për punë të tjera. Kufiri i njërës prej perandorive më të fuqishme që kishte parë bota shpejt u mbulua nga bimësia, u la pas dore dhe dalëngadalë u harrua.

Megjithatë, në fund të shekullit të 19-të, në Gjermani u rrit interesi për historinë dhe traditën romake. Që prej asaj kohe janë restauruar pjesë të vogla të hendekut, të ledhit dhe të mureve si edhe disa fortesa dhe kulla vrojtimi. Megjithatë, pjesë të mëdha të kufirit kanë mbetur pa u restauruar dhe mezi njihen.

Një nga fortesat më të mira të restauruara është Zalburgu në rajonin e Taunusit, rreth 40 kilometra larg zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani. Fortesa ka një sipërfaqe me përmasa 147 me 221 metra dhe rrethohet me një hendek dhe me një mur të gurtë ku ka kulla vrojtimi. Fillimisht aty strehoheshin 500 ushtarë. Në qendër të fortesës është ndërtesa e saj më e rëndësishme, shtabi ose principia.

Prapa principias ishte një vend i shenjtë ku mbanin simbolin ose flamurin. Në broshurën Fortesa e kufirit me fortifikata në Zalburg (gjermanisht), thuhet: «Vendi i shenjtë ku mbahej flamuri i kushtohej perëndive mbrojtëse të Perandorisë Romake dhe adhurimit të perandorit. Një rojë nderi parakalonte përpara këtij vendi gjatë ditës.» Kështu, restaurimi i kufirit vërteton se feja ndikonte në ushtri.

Që nga ky restaurim, kufiri me fortifikata është bërë një pikë e famshme turistike. Në shumë vende rruga ku dikur kalonte ky kufi, sot shërben si shteg për ekskursionistët. Nëse vini ndonjëherë në Gjermani pse të mos e shihni me sytë tuaj? Përpara jush do të keni një relikt që na kujton se edhe perandoritë më të fuqishme njerëzore, herët a vonë, bien e zhduken.

[Kutia dhe figura në faqen 15]

JETA E NJË USHTARI ROMAK

Ushtria romake përbëhej nga legjionarë, të cilët ishin qytetarë romakë, dhe nga trupat ndihmëse (auksilia) të rekrutuar nga popujt që kishte pushtuar perandoria. Njësia më e vogël ushtarake ishte kontuberniumi që kishte pak a shumë dhjetë ushtarë të cilët jetonin bashkë. Dhjetë kontubernia drejtoheshin nga një oficer, centurioni. Gjashtëdhjetë centurione formonin një legjion që kishte rreth 4.500 deri në 7.000 ushtarë.

«Një ushtri marshon falë stomakut të saj»,​—tha Napoleon Bonaparti. Romakët e kishin kuptuar këtë gjë shumë kohë para se ta thoshte Napoleoni, prandaj i ushqenin mirë ushtarët e tyre. «Në ushtrinë romake nuk ndodhte kurrë ndonjë kryengritje për shkak të ushqimit të keq,​—thotë revista Arkeologjia në Gjermani (gjermanisht).​—Në fakt, në disa pjesë të botës romake, ushqimi i ushtarëve ishte më i mirë sesa ai i popullsisë civile.»

Racioni i përditshëm përbëhej nga mish i freskët, fruta, perime, bukë gruri dhe vaj ulliri. Megjithatë, ushtarët nuk i llastonin. «Ushtria romake nuk kishte mensë,​—shpjegon revista e mësipërme. Çdo kontubernium duhej ta përgatiste vetë ushqimin për ushtarët e tij.

Pasi bënte 25 vjet shërbim ushtarak, një ushtar romak lirohej me nderime nga ushtria dhe në shenjë vlerësimi për shërbimin e tij i jepnin një shumë të hollash ose një ngastër toke. Ushtarët që bënin pjesë në trupat ndihmëse merrnin qytetarinë romake, ata vetë dhe fëmijët e tyre. «Për shumë njerëz, shërbimi në ushtrinë romake ishte rruga më e shpejtë për t’u bërë qytetarë romak»,​—thuhet në librin Kufiri me fortifikata midis Renit dhe Majnit (gjermanisht).

[Harta dhe figurat në faqet 16, 17]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

PJESË TË RESTAURUARA TË KUFIRIT ME FORTIFIKATA NË GJERMANI

–– Kufiri me fortifikata

1 Visbaden

Gardh mbrojtës dhe një kullë vrojtimi e gurtë

2 Butsbah

Kullë vrojtimi me skelet të drunjtë dhe me mure balte

3 Vajsenburg

Porta veriore e një fortese të gurtë

4 Zalburg

Një nga fortesat e restauruara më mirë

5 Rainau

Kullë e drunjtë dhe një gardh mbrojtës

[Burimi]

Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.