Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’ia bëj që të mos më keqtrajtojë më?

Si t’ia bëj që të mos më keqtrajtojë më?

Të rinjtë pyesin . . .

Si t’ia bëj që të mos më keqtrajtojë më?

«Sot ishte hera e parë që djali me të cilin po njihem më rrahu. Ai kërkoi falje, por nuk di ç’të bëj.»​—Stela. *

SIPAS një artikulli të revistës The Journal of the American Medical Association, «mesatarisht 1 në 5 studente tha se partneri me të cilin shoqërohej abuzonte me të fizikisht dhe (ose) seksualisht». Gjatë një ankete të zhvilluar në Gjermani me të rinj të moshës nga 17 deri në 20 vjeç, më shumë se çereku i vajzave thanë se kishin kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e tyre, duke qenë nën presionin e dhunës fizike, të fjalëve, nën ndikimin e drogës ose të alkoolit. Sipas një ankete në SHBA, 40 për qind e adoleshentëve të anketuar kanë parë shokë klase teksa «fyenin në mënyrë poshtëruese të dashurin ose të dashurën». *

A je një e re që po mendon të martohesh me dikë që të fyen a të bërtet ose të nënvlerëson, të shtyn a të bie me shuplakë? Në një nga artikujt e kaluar të kësaj serie tregohej se një keqtrajtim i tillë është përhapur në mënyrë alarmuese. * Më tej aty thuhej se Perëndia Jehova nuk e miraton keqtrajtimin me fjalë ose keqtrajtimin fizik dhe viktimat nuk duhet ta pranojnë këtë sjellje të keqe si normale ose si diçka që vjen për faj të tyre. (Efesianëve 4:31) Gjithsesi nuk është e lehtë të dish të veprosh në një rrethanë të tillë. Ndoshta ende e do shumë djalin me të cilin po shoqërohesh, edhe pse ai nuk sillet siç duhet. Ose më keq, mbase ke frikë se si do të reagojë ai po t’i thuash se nuk të pëlqen aspak sjellja e tij. Ç’duhet të bësh?

Shqyrtoje me kujdes gjendjen

Në fillim ke nevojë të qetësohesh dhe ta shohësh me gjakftohtësi atë që ndodhi. (Predikuesi 2:14) A je vërtet viktimë e keqtrajtimit me fjalë? A u soll keq qëllimisht djali që po njihesh apo thjesht po ‘fliste pa u menduar’? (Fjalët e urta 12:18, BR) Sa herë ka ndodhur kjo gjë? A është një gabim që ndodhi vetëm një herë dhe që thjesht mund ta kalosh? Apo ai e ka bërë zakon të të thotë gjëra përçmuese ose fyese?

Në qoftë se nuk je e sigurt a është vërtet ashtu siç mendon ti, bisedo me dikë, jo me ndonjë bashkëmoshatar, por me dikë që është më i rritur dhe më i pjekur se ty. Ndoshta mund të hapesh me prindërit ose me një të bashkëkrishtere të pjekur. Kjo bisedë mund të të ndihmojë të kuptosh nëse po e zmadhon atë që ndodhi apo me të vërtetë ekziston një problem serioz.

Në rast se të duket pa rrezik, bisedo me djalin që po njihesh. (Fjalët e urta 25:9) Thuaji me qetësi se si ndihesh nga sjellja e tij. Tregoji konkretisht përse je ofenduar. Vër kufij të qartë për gjërat që nuk do t’i tolerosh. Si reagon ai? A tregon mospërfillje për fjalët e tua apo të flet edhe me më shumë egërsi? Kjo tregon qartë se nuk është i gatshëm të ndryshojë.

Po nëse ai tregon përulësi duke imituar Perëndinë dhe shfaq pendim të sinqertë? Atëherë mbase është e mundur të mos e prishësh lidhjen që keni. Sidoqoftë, ki kujdes! Shpesh, ata që keqtrajtojnë me fjalë, pasi kanë lënduar dikë, thonë shprehje të menduara mirë që të duken sikur janë penduar, por që me provokimin e parë përdorin po atë të folur lëndues. Koha do ta tregojë në qoftë se ai është i sinqertë dhe dëshiron vërtet të ndryshojë. Një shenjë e qartë që do të tregojë se sa seriozisht e merr ai këtë është gatishmëria për të kërkuar ndihmë nga pleqtë e krishterë.​—Jakovi 5:14-16.

Mbaj parasysh se «të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë». (Romakëve 3:23) Është e kotë të kërkosh dikë të përsosur. Të gjitha çiftet e martuara kanë njëfarë ‘shtrëngimi në mish’ për shkak të papërsosmërisë. (1 Korintasve 7:28) Pasi e ke shqyrtuar mirë gjendjen duhet të vendosësh nëse të metat e tij janë gjëra që mund t’i durosh pa problem. Edhe në këtë rast, mënyra më e mirë për të vendosur është të lësh të kalojë ca kohë.

Kur ushtrohet dhunë

Megjithatë puna ndryshon kur keqtrajtimi përfshin fjalë të pista të thëna me zemërim a kërcënime për dhunë ose kur të keqtrajton fizikisht, ndoshta duke të të shtyrë ose duke të të goditur. Kjo tregon një mungesë vetëkontrolli të rrezikshme; gjërat fare lehtë mund të keqësohen dhe të kthehen në veprime më të rënda dhune.

Rruga më e mirë është që çiftet e pamartuara të mos rrinë vetëm në vende të veçuara. Por, edhe sikur të ndodhë që të gjendesh vetëm me një njeri të dhunshëm, ‘mos ia kthe të keqen me të keqe’. (Romakëve 12:17) Mbaj mend: «Përgjigja e ëmbël [e butë, BR] e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin.» (Fjalët e urta 15:1) Ruaj qetësinë. Thuaji që dëshiron të shkosh në shtëpi. Po të jetë e nevojshme, largohu ose ik me vrap.

Po nëse djali përpiqet ta detyrojë vajzën të kryejë marrëdhënie seksuale? Natyrisht është e mençur që një çift, që kur fillojnë të shoqërohen, të përcaktojnë qartë se deri ku do t’i lejojnë shprehjet e dashurisë. (1 Selanikasve 4:3-5) Në qoftë se një i ri i bën presion një vajze për të shkelur parimet e Biblës, ajo duhet t’i thotë me vendosmëri dhe me fjalë të qarta që nuk do ta bëjë kurrë këtë. (Zanafilla 39:7-13) «Mos u jep,​—thotë me përgjërim Ana e cila u thye para presionit për të pasur marrëdhënie seksuale.​—Ki respekt për veten. Të lutem, mos e bëj këtë gabim, pavarësisht se sa shumë e do!» Në rast se ai nuk do t’ia dijë për refuzimin tënd, thuaji që çdo përpjekje të mëtejshme do ta quash përdhunim. Në rast se edhe pas kësaj ai nuk heq dorë, thirr për ndihmë dhe përpiqu të mbrohesh siç do të bëje nëse një njeri i çfarëdoshëm do të kërkonte të të përdhunonte. *

Në të dyja rastet, është me vend këshilla e Biblës te Fjalët e urta 22:24: «Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak.» Nuk ke asnjë detyrim të vazhdosh një lidhje me një njeri që të keqtrajton. Kuptohet qartë se do të ishte veprim prej kokëkrisuri, të takohesh vetëm për vetëm me një mashkull që të keqtrajton për ta lajmëruar se do të ndahesh nga ai. Ndoshta rruga më e mençur është t’u tregosh prindërve se ç’ka ndodhur. Sigurisht, ata do të zemërohen dhe do të mërziten që ai të ka keqtrajtuar. Por mund të të ndihmojnë të vendosësh se çfarë hapash duhet të bësh. *

A mund ta ndryshosh?

Sido që të jetë, nuk e ke ti përgjegjësinë të ndryshosh djalin me të cilin po njihesh. Irena pohon: «Ti mendon se e dashuron, se do t’ia dalësh dhe se mund ta ndihmosh. Por ja që nuk mundesh.» Po kështu edhe Nadina pranon: «Gjithnjë mendoj se mund ta ndryshoj.» Por në të vërtetë vetëm ai mund ‘ta përtërijë mendjen e tij’ dhe të ndryshojë. (Romakëve 12:2) Ky është një proces i gjatë, që do shumë përpjekje.

Pra, mos u lëkund nga vendimi që ke marrë dhe mos u ndiko nga orvatjet e tij për të përfituar nga ndjenjat e tua. Përpiqu të largohesh sa më shumë prej tij, emocionalisht dhe fizikisht. Mos e lejo të të bindë, të të lutet ose të të kërcënojë që të kthesh mendje. Kur Irena u nda me djalin që po njihej, i cili ishte i dhunshëm, ai tha se do të vriste veten. Është e qartë se një njeri i tillë ka nevojë për ndihmë, por jo për ndihmën tënde. Ndihma më e mirë që mund t’i japësh është t’i kundërvihesh me vendosmëri sjelljes jo të krishterë. Nëse ai dëshiron të ndryshojë, askush nuk e pengon të kërkojë ndihmë.

Megjithatë disa mendojnë se martesa do ta zgjidhë problemin. Një studiues thotë: «Gratë që martohen me një djalë që i keqtrajtonte ose burrat që martohen me një vajzë që i keqtrajtonte që kur shoqëroheshin, zakonisht habiten kur shohin se dhuna vazhdon. Shumë njerëz besojnë përrallën se me të firmosur dokumentin e martesës, probleme të tilla do të zhduken. Mos e besoni.» E vërteta është se abuzimi fizik që fillon në kohën e shoqërimit ka shumë të ngjarë të vazhdojë edhe në martesë.

«Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet»,​—thotë Bibla. (Fjalët e urta 22:3) Është e rëndë të ndahesh me dikë që e ke për zemër. Por është shumë më e rëndë të zihesh si në lak në një martesë ku ka keqtrajtim. Veç kësaj, nuk ka pse të kesh frikë se nuk do të gjesh kurrë një shok jete të përshtatshëm. Me mendjemprehtësinë që ke fituar do të jesh më e prirur se kurrë të kërkosh dikë që është i sjellshëm, i dashur dhe me vetëkontroll.

Shërimi i plagëve emocionale

Mund të jetë diçka tronditëse të jesh viktimë e keqtrajtimit fizik ose me fjalë. Një vajzë me emrin Maria, e cila ishte viktimë e keqtrajtimit, këshillon: «Kërko ndihmë. Thuaji menjëherë dikujt. Mendoja se mund ta kaloja vetë, por ishte një ndihmë e madhe kur fola me të tjerët.» Hapu me prindërit, me një mike të pjekur të besuar ose me një plak të krishterë. *

Gjithashtu për disa ka qenë e dobishme që ta zënë kohën me gjëra të tilla si leximi i materialeve të dobishme, marrja me sport ose me gjërat që i kanë pasion. «Gjëja më e rëndësishme,​—kujton Irena,​—ishte studimi i Biblës dhe mbledhjet e krishtere.»

Është e qartë se Jehovai nuk e miraton keqtrajtimin me fjalë ose fizik. Me ndihmën e tij mund ta mbrosh veten nga keqtrajtimi.

[Shënimet]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 4 Ndonëse viktima të keqtrajtimit fizik ose me fjalë mund të jenë si meshkujt, ashtu edhe femrat, sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve «femrat keqtrajtohen shumë më tepër sesa meshkujt». Sidoqoftë, për thjeshtësi, në këtë artikull keqtrajtuesin do ta marrim në gjininë mashkullore.

^ par. 5 Shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Pse ai më trajton kaq keq?» në revistën Zgjohuni! të 22 majit 2004.

^ par. 15 Në revistën Zgjohuni! të 8 marsit 1993 (anglisht) ka informacione se si të mbrohesh në rast të ndonjë sulmi për përdhunim.

^ par. 16 Në disa raste, si për shembull në një tentativë për përdhunim, prindërit mund të vendosin që të denoncojnë në polici. Kjo mund të parandalonte që një përvojë kaq tronditëse të mos u ndodhte edhe vajzave të tjera.

^ par. 23 Në raste traumash, disa mund të vendosin të kurohen te një mjek ose te një specialist i shëndetit mendor.

[Figura në faqen 24]

Keqtrajtimi gjatë periudhës së shoqërimit ka të ngjarë të vazhdojë edhe në martesë

[Figura në faqen 25]

Mos u dorëzo nëse të detyron ta shfaqësh dashurinë në mënyra të papërshtatshme