Ta matësh Tokën me shkop!
Ta matësh Tokën me shkop!
A KENI dëgjuar ndonjëherë për Eratostenin, matematikanin dhe astronomin grek? Ka shumë të ngjarë që emri i tij të jetë më i dëgjuar mes astronomëve. Po pse e vlerësojnë kaq shumë?
Eratosteni lindi rreth vitit 276 p.e.s dhe u arsimua kryesisht në Athinë, Greqi. Megjithatë, një pjesë të madhe të jetës e kaloi në Aleksandri, Egjipt, që në atë kohë ishte nën sundimin grek. Aty nga viti 200 p.e.s., Eratosteni vendosi të gjente përmasat e Tokës duke përdorur një shkop të thjeshtë. Ju mund të thoni: ‘E pamundur!’. Por si arriti ta bënte?
Në qytetin e Sienës (tani me emrin Asuan), Eratosteni vërejti se ditën e parë të verës, në mesditë, dielli qëndronte pingul mbi kokë. Ai e kuptoi këtë sepse në këtë orë drita e diellit nuk krijonte fare hije në fund të puseve të thella. Por vuri re se në qytetin e Aleksandrisë, i cili ndodhej 5.000 stadë * në veri të Sienës, në të njëjtën ditë dhe orë dielli krijonte hije. Nga kjo, Eratostenit i lindi një ide.
Eratosteni nguli një shkop të thjeshtë, dhe, kur dielli në mesditë arriti kupën e qiellit, mati këndin e hijes që bënte shkopi në Aleksandri. Këndi ishte 7,2 gradë nga vertikalja.
Eratosteni besonte se Toka ishte në formë sferike dhe ai e dinte që një rreth ka 360 gradë. Kështu që 360 gradët i pjesëtoi me këndin 7,2 gradë që kishte matur. Përfundimi? Këndi i tij ishte sa një e pesëdhjeta e një rrethi të plotë. Duke u nisur nga kjo, arriti në përfundimin se largësia nga Siena në Aleksandri ose 5.000 stadët, duhet të ishin sa një e pesëdhjeta e perimetrit të Tokës. Duke shumëzuar 50-n me 5.000-n, Eratosteni arriti në shifrën 250.000 stadë që duhet të ishte perimetri i Tokës.
Sa e përafërt është kjo shifër me llogaritjet e sotme? Largësia 250.000 stadë sipas njësive të sotme është 40.000 deri në 46.000 kilometra. Duke i rënë orbitës përreth me anije kozmike, astronomët matën perimetrin e Tokës nga njëri pol në tjetrin dhe shifra që rezultoi ishte 40.008 kilometra. Pra, 2.000 vjet më parë, Eratosteni në mënyrë të habitshme iu afrua shumë llogaritjeve të sotme. Por një saktësi e tillë të habit edhe më shumë kur mendon se ky njeri përdori vetëm një shkop dhe një arsyetim logjik në gjeometri. Sot astronomët e përdorin këtë metodë gjeometrike për të matur largësitë jashtë sistemit tonë diellor.
Disave mund t’u duket i habitshëm sidomos fakti që Eratosteni e dinte se toka është e rrumbullakët, duke pasur parasysh që vetëm pak shekuj më parë edhe disa njerëz të ditur të shkencës besonin se Toka ishte e rrafshët. Grekët e lashtë e kishin kuptuar nga vrojtimet shkencore ç’formë kishte Toka. Megjithatë, rreth 500 vjet para Eratostenit, një profet hebre i frymëzuar shkroi: «Ai [Perëndia] është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës.» (Isaia 40:22) Isaia nuk ishte shkencëtar. Po nga e dinte ai që Toka ishte e rrumbullakët? Ishte frymëzimi nga Perëndia që e zbuloi këtë të vërtetë.
[Shënimi]
^ par. 4 Stadi ishte njësia greke matëse për largësinë. Edhe pse vlera e saktë e saj ndryshonte nga njëri vend në tjetrin, një stad mendohet të ishte rreth 160 deri në 185 metra.
[Diagrami në faqen 13]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Rreze dielli
Sienë
7,2°
Aleksandri
7,2°