Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Xhevahiri i detit»

«Xhevahiri i detit»

«Xhevahiri i detit»

Diatometë janë alga mikroskopike që gjenden me shumicë në çdo oqean të tokës. Ato mbështillen me guaska qelqi të zbukuruara që kanë forma të këndshme për syrin. Shkencëtarët janë mahnitur pas tyre për shekuj me radhë. Në fakt që kur u shpik mikroskopi, njeriu mundi të hidhte në letër bukurinë e tyre. Jo më kot diatomeja është quajtur xhevahiri i detit.

Në vitet 1860, Alfred Nobel, shpikësi i dinamitit, përdori silicën e nxjerrë nga diatometë për ta bërë më të qëndrueshme nitroglicerinën, gjë që bëri të mundur prodhimin e kallëpeve të transportueshme të dinamitit. Me guaskat e fosilizuara të diatomeve prodhohen produkte që përdoren për qëllime të ndryshme, si për shembull, për t’i dhënë ndriçim bojës së shenjave mbi rrugë, për të filtruar verën dhe për të pastruar ujin e pishinave.

Por më e rëndësishmja është se këto bimë të vockla njëqelizore kryejnë një të katërtën e fotosintezës në planetin tonë. Studiuesit Alen Miligën dhe Fransua Morel, të Universitetit të Prinstonit, SHBA, kanë zbuluar se silica në guaskën prej qelqi të diatomesë shkakton reaksione kimike në ujin brenda saj duke krijuar kështu kushte të përsosura për zhvillimin e fotosintezës. Shkencëtarët besojnë se falë zbukurimeve të shumta të guaskës prej qelqi, uji brenda saj arrin të lagë një pjesë më të madhe të sipërfaqes, dhe kështu fotosinteza bëhet edhe më e efektshme. Mënyra se si formohen këto mbështjellëse të vockla e të bukura nga silici i tretur në ujin e detit, ka mbetur një mister. Por shkencëtarët dinë se duke thithur dyoksid karboni dhe duke çliruar oksigjen, diatometë luajnë një rol thelbësor për jetën në tokë; madje ndoshta një rol më të rëndësishëm se pjesa më e madhe e bimëve në tokë.

Moreli i rendit diatometë «ndërmjet organizmave më të suksesshëm në tokë». Ndërsa Miligëni shton se, pa urinë e tyre për dyoksid karboni, «efekti serë mund të ishte shumë më i rëndë».

Kur vdesin diatometë, përbërësit e tyre prej karboni shkojnë në fund të detit dhe përfundimisht kthehen në fosile. Disa shkencëtarë mendojnë se këto mbetje të fosilizuara, nën një trysni të lartë, kanë dhënë një ndihmë të madhe në prodhimin e rezervave të naftës në botë. Por, po shtohet shqetësimi për rritjen e temperaturës së detit si pasojë e ngrohjes globale pasi kjo i lejon bakteriet të hanë mbetjet e diatomeve para se ato të fundosen, dhe kështu karboni i çliruar kthehet në sipërfaqen e detit. Pra, edhe «xhevahiri i detit», kjo gjallesë e vockël, është pjesë e një sistemi të projektuar në mënyrë të mrekullueshme dhe shumë të rëndësishëm për jetën në tokë që tani mund të jetë në rrezik.

[Burimi i figurës në faqen 31]

© Dr. Stanley Flegler/Visuals Unlimited