Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’do të thotë të jesh kreu i familjes?

Ç’do të thotë të jesh kreu i familjes?

Pikëpamja e Biblës

Ç’do të thotë të jesh kreu i familjes?

SIPAS Biblës «kreu i gruas është burri». (1 Korintasve 11:3; Efesianëve 5:23) Por shumë persona që thonë se e respektojnë Biblën mendojnë se parimi i kryesisë së burrit jo vetëm që ka dalë jashtë mode, por është edhe i rrezikshëm. Një çift komentonte: «Nëse doktrina që gruaja duhet ‘t’i nënshtrohet [burrit] me gjithë zemër’ zbatohet deri në ekstrem, mund të çojë si në abuzim fizik, ashtu edhe emocional.» Mjerisht, abuzimi i kryesisë është përhapur dhe ka marrë përmasa të mëdha. Një shkrimtare thotë që «në shumë vende rrahja e gruas konsiderohet si diçka normale, si një e drejtë e burrit së cilës i thuren lavde me anë të këngëve, të fjalëve të urta dhe në ceremonitë martesore».

Disa hedhin mendimin se parimi i Biblës ka çuar në këtë mizori. A e ul gruan dhe a e përkrah dhunën në familje parimi i Biblës për kryesinë? Ç’do të thotë në të vërtetë të jesh kreu i familjes? *

Kryesi nuk do të thotë diktaturë

Kryesia biblike është një rregullim i dashur dhe në asnjë mënyrë nuk nënkupton diktaturën. Përkundrazi ishte shpërfillja e njeriut ndaj autoritetit të dhënë nga Perëndia që çoi në shfrytëzimin e gruas nga ana e burrit, shfrytëzim ky shpesh mizor. (Zanafilla 3:16) Që nga koha kur njerëzit e parë u përzunë nga kopshti i Edenit, burrat e kanë keqpërdorur fuqinë e tyre, duke shfrytëzuar me egërsi të tjerët, duke përfshirë gra dhe fëmijë.

Por kjo gjë nuk ka qenë kurrë pjesë e qëllimit të Perëndisë. Jehovai ndjen neveri ndaj atyre që abuzojnë me autoritetin e tyre. Ai i dënoi burrat izraelitë që ‘silleshin me pabesi’ me gratë e tyre. (Malakia 2:13-16) Për më tepër, Perëndia thotë që «shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën». (Psalm 11:5) Prandaj, ata që i rrahin dhe i keqtrajtojnë gratë e tyre nuk mund ta përdorin në asnjë mënyrë Biblën si justifikim për veprimet e tyre të dhunshme.

Çfarë është kryesia e vërtetë?

Kryesia është një rregullim bazë që Perëndia e përdor për të mbajtur rregullin në të gjithë universin. Të gjithë, përveç Perëndisë, kanë një krye mbi veten. Burrat duhet t’i nënshtrohen Krishtit, fëmijët duhet t’i nënshtrohen prindërve dhe të krishterët duhet t’i nënshtrohen qeverive. Madje edhe Jezui duhet t’i nënshtrohet Perëndisë.​—Romakëve 13:1; 1 Korintasve 11:3; 15:28; Efesianëve 6:1.

Nënshtrimi ndaj atyre që marrin drejtimin nevojitet për të pasur një shoqëri të qëndrueshme e me rregull. Po kështu, nënshtrimi ndaj kreut të familjes është shumë i rëndësishëm për të pasur një familje të bashkuar, të lumtur dhe paqësore. Mungesa e burrit ose e babait në familje nuk e ndryshon këtë fakt. Në familje të tilla kryesinë e merr nëna. Kur mungojnë të dy prindërit, rolin e kreut të shtëpisë e merr fëmija më i madh ose një i afërm. Sido që të jetë rasti, anëtarët e familjes nxjerrin dobi kur tregojnë respektin e duhur për atë që ka marrë përsipër drejtimin.

Atëherë zgjidhja nuk është të hedhësh poshtë parimin e kryesisë, por të mësosh ta ushtrosh dhe ta kuptosh si duhet atë. Apostulli Pavël i nxit burrat e krishterë që të jenë kreu i familjes «ashtu si edhe Krishti është kreu i kongregacionit». (Efesianëve 5:21-23) Në këtë mënyrë Pavli e drejton vëmendjen te mënyra e përsosur me të cilën Krishti e ushtroi kryesinë mbi kongregacionin. Çfarë shembulli la Krishti?

Edhe pse si Mesia dhe Mbret i ardhshëm, Jezui e kishte autoritetin nga vetë Perëndia dhe ishte shumë më tepër inteligjent dhe më me përvojë sesa dishepujt e tij, ai ishte i dashur, i butë dhe i dhembshur. Nuk u tregua kurrë i ashpër, i ngurtë ose tepër kërkues. Ai nuk e keqpërdorte autoritetin që kishte dhe nuk u kujtonte të tjerëve vazhdimisht se ishte Biri i Perëndisë. Jezui ishte i butë e i përulur në zemër. Prandaj, ‘zgjedha e tij ishte e këndshme dhe ngarkesa e tij ishte e lehtë’. (Mateu 11:28-30) Në këtë mënyrë ai ishte i afrueshëm dhe i arsyeshëm me të tjerët. Në fakt, Pavli thotë që Jezui e donte kongregacionin aq shumë, saqë «dorëzoi veten e vet për të».​—Efesianëve 5:25.

Si mund ta imitojmë kryesinë e Krishtit?

Si mund t’i imitojë kreu i familjes cilësitë e Krishtit? Kreu i familjes që është i përgjegjshëm kujdeset për mirëqenien fizike dhe frymore të familjes së tij. Ai bëhet copë duke u kushtuar kohë dhe vëmendje nevojave të përbashkëta dhe nevojave të secilit prej anëtarëve të familjes. Interesat e bashkëshortes dhe ato të fëmijëve vijnë para interesave të tij. * (1 Korintasve 10:24; Filipianëve 2:4) Duke praktikuar parimet dhe mësimet e Biblës në jetën e tij të përditshme, burri fiton respektin dhe përkrahjen e gruas e të fëmijëve. Në rast se kryesia ushtrohet me dashuri, përpjekjet e përbashkëta për të kaluar çfarëdolloj vështirësie mund të kurorëzohen me sukses. Duke e ushtruar kryesinë sipas asaj që thonë Shkrimet, burri ndërton një familje të lumtur që i sjell lavdi e nderim Perëndisë.

Ai që e ushtron kryesinë me mençuri është edhe i përulur. Kur është e nevojshme, duhet të jetë gati për të kërkuar falje edhe pse mund ta ketë të vështirë ta pranojë që e kishte gabim. Bibla thotë se aty ku ka ‘një numër të madh këshilltarësh’ ka shpëtim. (Prov. 24:6) Po, përulësia do ta shtyjë kreun e familjes ta dëgjojë dhe ta marrë parasysh mendimin e gruas dhe të fëmijëve, nëse është e përshtatshme. Në rast se një burrë i krishterë imiton Jezuin, është e sigurt që kryesia e tij jo vetëm i sjell lumturi dhe siguri familjes, por edhe nderon dhe i jep lavdi Nismëtarit të familjes, Perëndisë Jehova.​—Efesianëve 3:14, 15.

[Shënimet]

^ par. 4 Megjithëse ky artikull përqendrohet në rolin e burrit e të babait, edhe nënat pa burrë dhe jetimët që duhet të kujdesen për motrat e vëllezërit më të vegjël mund të përfitojnë nga parimet që jepen për kryefamiljarët.

^ par. 14 Libri Sekreti i Lumturisë Familjare, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, përmban këshilla praktike se si të kujdesemi me dashuri për familjen.

[Figura në faqen 26]

Një bashkëshort i arsyeshëm merr parasysh mendimin e gruas dhe të fëmijëve