Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Ç’po ndodh me mua?’

‘Ç’po ndodh me mua?’

‘Ç’po ndodh me mua?’

«M’u duk sikur një ditë u zgjova dhe çdo gjë kishte ndryshuar. Isha tjetër njeri dhe kisha tjetër trup.»​—Semi.

ÇFARË është adoleshenca? E thënë thjesht është faza e jetës ndërmjet fëmijërisë dhe moshës së rritur. Është një periudhë gjatë së cilës pëson ndryshime të mëdha fizike, emocionale, madje edhe shoqërore. Nga njëra anë, të hysh në adoleshencë është diçka entuziazmuese. Në fund të fundit, kjo nënkupton se pas ca kohësh edhe ti do të jesh i rritur. Nga ana tjetër, gjatë kësaj faze të jetës fillon të provosh ndjenja të reja dhe disa prej tyre mund të jenë pështjelluese, madje të të trembin.

Megjithatë nuk ka pse të kesh frikë nga adoleshenca. Është e vërtetë se gjatë saj njeriu provon njëfarë ankthi. Por ajo të jep edhe mundësinë e mrekullueshme që kalimi drejt moshës së rritur të jetë sa më i kënaqshëm. Le të shohim se si mund të arrihet kjo gjë. Së pari le të analizojmë disa nga vështirësitë e adoleshencës.

Fillimi i pubertetit

Gjatë adoleshencës në trupin tënd ndodhin ndryshime që të bëjnë gati për riprodhimin seksual. Ky proces, që quhet pubertet, vazhdon për disa vjet dhe siç do të shohim nuk ndikon vetëm në zhvillimin e organeve riprodhuese.

Zakonisht puberteti te vajzat fillon aty nga mosha 10-12 vjeçe, kurse te shumë djem nga mosha 12-14 vjeç. Megjithatë kjo është mosha mesatare. Sipas botimit Libri për trupin e ri të adoleshentit (anglisht), «çdo njeri ka orën e vet të veçantë biologjike që përcakton se kur do të ndodhin ndryshimet e pubertetit». Në libër thuhet: «Mosha që mund të konsiderohet si normale për pubertetin ndryshon shumë.» Prandaj nuk ka ndonjë gjë që s’shkon në qoftë se hyn në pubertet para ose pas bashkëmoshatarëve të tu.

Kurdo që të nisë, puberteti mund të ndikojë në pamjen tënde, në ndjenjat e tua dhe në pikëpamjen që ke për botën përreth. Shqyrto disa nga anët e mrekullueshme, por edhe të vështira të kësaj faze të veçantë të jetës.

‘Ç’po ndodh me trupin tim?’

Puberteti fillon me rritjen e nivelit të hormoneve, sidomos të estrogjenit te vajzat dhe të testosteronit te djemtë. Ndryshimi hormonal është një ndër faktorët për ndryshimin e mrekullueshëm fizik që vjen më pas. Pasi fillon puberteti, rritja e trupit ndodh më shpejt se në çdo periudhë tjetër që nga foshnjëria.

Në këtë kohë fillon pjekuria e organeve seksuale, por kjo është vetëm njëra anë e zhvillimit fizik. Veç kësaj trupi yt mund të zgjatet shpejt. Ndërkohë që gjatë fëmijërisë mund të jesh rritur rreth 5 centimetra çdo vit, nuk është çudi që gjatë pubertetit të rritesh çdo vit me dyfishin e kësaj gjatësie.

Gjatë kësaj periudhe mund të ndihesh disi i ngathët. Kjo është normale. Mos harro se në pjesë të ndryshme të trupit rritja ndodh me ritme të ndryshme. Si pasojë mund të ndiesh në siklet. Por ki durim: nuk do të jesh gjithë jetën kështu. Kjo ngathtësi e adoleshencës do të kalojë.

Në pubertet vajzave u fillojnë menstruacionet, të cilat janë rrjedhje të përmuajshme gjaku, sekrecionesh dhe mbeturinash të indeve të mitrës. * Menstruacionet zakonisht shoqërohen me dhembje dhe rënie të nivelit të hormoneve. Meqë kjo gjendje ndikon si nga ana fizike, ashtu edhe emocionale, ardhja e menstruacioneve mund të jetë diçka shqetësuese. «Papritur më duhej të mësohesha me këtë gjendje që për mua ishte fare e panjohur,​—sjell ndër mend Tereza që tani është 17 vjeçe.​—Kjo gjendje më turbullonte emocionalisht dhe kisha dhembje. Për më tepër përsëritej çdo muaj.»

Nuk ka pse të frikësohesh kur menstruacionet fillojnë të vijnë. Në fund të fundit, kjo është një shenjë se trupi yt funksionon në rregull. Me kalimin e kohës do të mësosh se si t’i kalosh më lehtë shqetësimet që shoqërojnë menstruacionet. Për shembull, disa kanë parë se ushtrimet e rregullta fizike ua pakësojnë dhembjet e barkut. Por çdo trup ka të veçantën e vet. Mbase ti e ndjen shumë të nevojshme që kur je me menstruacione t’i kufizosh veprimtaritë fizike. Mëso «ta dëgjosh» trupin tënd dhe t’i japësh atë që ka nevojë.

Gjatë adoleshencës, si djemtë edhe vajzat bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm për pamjen e tyre. «Pikërisht kjo ishte koha kur fillova të vëreja dhe të më interesonte vërtet se çfarë mendonin të tjerët për pamjen time,​—thotë Tereza.​—Dhe të them të drejtën, në shumicën e rasteve ende nuk më pëlqen pamja ime. Flokët nuk rrinë siç dua unë, rrobat nuk më rrinë mirë dhe më duket sikur s’gjej dot rroba që më pëlqejnë.»

Ndoshta ka edhe gjëra të tjera që nuk të pëlqejnë te trupi yt. Për shembull gjëndrat e djersës punojnë më shumë gjatë pubertetit, dhe kjo mund të bëjë që të djersitësh më shumë. Po të bësh banjë rregullisht dhe po të kujdesesh që t’i lash shpesh rrobat mund ta kesh më të lehtë që trupi të mos të vijë erë të keqe. Për këtë mund të përdorësh edhe ndonjë deodorant të zakonshëm ose deodorant kundër djersës.

Gjatë pubertetit edhe gjëndrat e yndyrës në lëkurë punojnë më shumë, dhe kjo mund të sjellë puçrra dhe akne. «Më duket sikur sa herë që dua të dukem më e bukur më del një puçërr,​—ankohet një vajzë me emrin Ana.​—Është vetëm përshtypja ime apo puçrrat kanë vërtet intuitë dhe dalin pikërisht atëherë kur do të doje më shumë se kurrë që të mos i kishe?» Edhe Tereza ka problem me aknet. «Më bëjnë që të më duket vetja e shëmtuar dhe të ndihem në siklet,​—thotë ajo,​—sepse kur të tjerët më shohin, më duket sikur sytë u mbeten pikërisht atje.»

Natyrisht, edhe djemtë mund të kenë probleme me lëkurën. Disa specialistë thonë se djemtë janë më të prirur të kenë këto probleme. Nëse je një i ri ose e re mund të jetë një ndihmë po t’i lash rregullisht zonat e yndyrshme të trupit, përfshirë fytyrën, qafën, shpatullat, kurrizin dhe kraharorin. Veç kësaj, larja e shpeshtë e flokëve ndihmon që yndyra të mos përhapet në lëkurë. Gjithashtu ka edhe produkte që janë bërë posaçërisht për të luftuar aknet dhe puçrrat. «Prindërit më ndihmuan të gjeja pastrues dhe pomada për lyerje lokale,​—thotë Tereza.​—Gjithashtu më ndihmuan që të mos haja shumë ushqime pa vlera ushqyese. Kur nuk ha ushqime pa vlera dhe pi shumë ujë, zakonisht aknet më ikin.»

Një ndryshim tjetër fizik që vihet re veçanërisht te djemtë është zëri. Ka shumë të ngjarë që gjatë pubertetit kordat e zërit të trashen e të zgjaten dhe si pasojë dalëngadalë zëri bëhet më i trashë. Billi as që e kuptoi fare se si i ndodhi kjo. «Nuk e kuptoja se zëri më kishte ndryshuar,​—thotë ai,​—por vetëm vija re që kur përgjigjesha në telefon njerëzit nuk më ngatërronin më me mamin ose me motrën.»

Ndonjëherë zëri që është në procesin e ndryshimit ka prirjen të çirret, të ndryshojë papritur nga një zë i trashë në një zë të hollë. «Ishte gjëja më e sikletshme,​—thotë Tajroni, duke sjellë ndër mend adoleshencën.​—Më ndodhte sa herë që nervozohesha ose entuziazmohesha. Përpiqesha të mos emocionohesha tepër, por sigurisht që nuk ia dilja.» Tajroni shton: «Pas një ose ndoshta dy vjetësh, nuk më ndodhte më.» Nëse edhe ty po të ndodh kjo gjë, mos u dëshpëro! Edhe zëri yt shpejt do të stabilizohet ndërkohë që bëhet më i trashë dhe më i thellë.

‘Pse ndihem kështu?’

Nuk është e pazakontë që adoleshentët të provojnë lloj-lloj ndjenjash të mundimshme. Për shembull, ndoshta ti dhe shokët e tu të ngushtë të fëmijërisë keni filluar të ftoheni disi. Nuk është e thënë që kjo të ketë ardhur ngaqë jeni zënë keq. Ndoshta nuk keni shumë gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin. Edhe prindërit, tek të cilët dikur vrapoje për të gjetur mbështetje dhe siguri, papritur mund të të duken se janë prapa kohës dhe e ke të vështirë t’u afrohesh.

Për shkak të këtyre ndjenjave adoleshenti mund të ndihet i shkëputur nga të tjerët. «Disa studiues kanë thënë se njeriu ndihet më shpesh dhe më shumë i vetmuar gjatë adoleshencës, sesa në fëmijëri ose në moshën e rritur»,​—thuhet në një enciklopedi. Ngaqë ke frikë se mos u dukesh i çuditshëm të tjerëve, mund të kesh prirjen ti mbash përbrenda mendimet dhe ndjenjat. Ose mbase ngurron t’u afrohesh të tjerëve, sepse thellë brenda vetes të duket sikur askush nuk do të të donte për shok.

Shumica e adoleshentëve kalojnë periudha vetmie dhe po kështu u ndodh edhe shumë të rriturve. Çka është e rëndësishme dhe që nuk duhet harruar është se me kohë këto ndjenja do të kalojnë. * Mos harro se meqë je në adoleshencë thuajse çdo gjë te ty po ndryshon. Mendimi që ke për jetën, për të tjerët e madje edhe për veten është vazhdimisht në ndryshim. Me të vërtetë, njeriu që sheh kur del para pasqyrës ndonjëherë mund të të duket krejtësisht i huaj. Mund të ndihesh si Stivi 17-vjeçar, i cili pohon: «Është shumë e vështirë të thuash se e njeh veten kur vetë ti ndryshon kaq shpejt.»

Një nga mënyrat më të mira për të luftuar vetminë është të interesohesh për të tjerët. Kjo mund të nënkuptojë të njihesh me të tjerë që nuk i ke moshatarë. A njeh ndonjë të rritur që do t’i bëhej qejfi po t’i shkoje për një vizitë miqësore? A mund t’u bësh disa punë, sidomos nëse kanë nevojë për ndihmë? Bibla i inkurajon të gjithë, të rinj a të rritur qofshin, ‘të zgjerohen’ në përzemërsinë që tregojnë ndaj të tjerëve. (2 Korintasve 6:11-13) Kjo gjë do të të krijojë mundësi të mrekullueshme.

Fragmenti biblik i cituar më sipër është vetëm një nga parimet e shumta të cilat kanë ndihmuar disa të rinj që t’i përballojnë me sukses vështirësitë e adoleshencës. Ndërkohë që lexon artikullin vijues, shiko se si Fjala e Perëndisë mund të ketë një ndikim të fuqishëm në jetën tënde teksa ecën drejt moshës së rritur.

[Shënimet]

^ par. 13 Në fillim menstruacionet mund të vijnë më shumë ose më pak se një herë në muaj. Edhe sasia e fluksit mund të ndryshojë shumë. Asnjë nga këto ndryshime nuk duhet të të alarmojë. Megjithatë, në rast se për një ose dy vjet menstruacionet janë të çrregullta mbase është e nevojshme të flasësh me mjekun.

^ par. 24 Nëse ndjenja e vetmisë është kronike ose vazhdimisht të vijnë mendime vetëvrasjeje duhet të kërkosh ndihmë. Duhet të flasësh sa më shpejt me prindërit ose me një të rritur të pjekur me të cilin mund të shprehesh lirshëm.

[Kutia në faqen 6]

Prindërit nuk janë të përsosur

«Kur isha fëmijë mendoja se prindërit e mi ishin të përsosur. S’di pse, por kur u bëra adoleshente, ata më dukeshin, si të them, më pak të zgjuar. Ajo që dua të them është se kuptova që prindërit e mi nuk janë të përsosur dhe kjo më bënte të ndihesha e turbulluar. Mjerisht nga ajo që kuptova fillova të vija në dyshim mendimet e tyre. Gjithsesi mësimet që nxora nga përvojat e hidhura më bënë të kem sërish respekt të plotë për ta. Jo, ata nuk janë të përsosur, por shpesh kanë të drejtë. Por edhe nëse nuk kanë të drejtë, prapëseprapë janë prindërit e mi. Dalëngadalë po bëhemi miq dhe sipas meje kjo gjë është e zakonshme midis fëmijëve dhe prindërve.»​—Tereza, 17 vjeçe.

[Figura në faqen 7]

Shumë adoleshentë kanë lidhur miqësi të ngushta me njerëz të rritur