Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A keni qejf të provoni ca lule kungulli?

A keni qejf të provoni ca lule kungulli?

A keni qejf të provoni ca lule kungulli?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

KUR kungulli çel, kopshti i perimeve ngjan më tepër si kopsht lulesh. Lulet e bukura me ngjyrë të verdhë e me forma elegante dhe të thjeshta nuk kanë aromë, por na lëshon goja lëng kur i shohim. Mos duam të themi se njerëzit hanë lule? Po. Në fakt, sipas revistës Cuadernos de Nutrición, thuhet se Meksika është vendi ku shumica e recetave të gatimit përmbajnë lule.

Për sa i përket lules së kungullit, këtu ka shekuj që gatuhet. Nga të gjitha llojet e ndryshme të kungujve, ajo që përdoret më shumë për të ngrënë ka mundësi të jetë lulja e kungujve të vegjël. Por duhet të kemi kujdes që të përdorim vetëm lulet mashkull, nëse duam që kungulli të japë edhe fryte. Për t’i dalluar mjafton të shohim kërcellin. Nëse lulja në majë të tij ka formë kungulli në miniaturë, kjo do të thotë që është një lule femër të cilën do të bënim mirë të mos e këputnim.

Shija e këndshme e lules së kungullit shkon me shumë lloje gatimesh. Zakonisht skuqim lehtë pak hudhër e qepë dhe ndonjëherë me pak spec djegës. Pasi kemi hedhur erëzat dhe hudhra është zbutur, shtojmë lulet pa kërcell, të lara dhe të copëtuara. Pastaj i vëmë kapakun dhe e lëmë për disa minuta në zjarr të ngadalshëm. Bashkë me lulet mund të shtohen edhe kunguj të vegjël të prerë në forma kubike, kokrra misri të freskëta, pak gjalpë dhe erëza. Këtë përzierje ne meksikanët e vendosim mbi një tortijë, mbi një pite meksikane të pabërë dhe e palosim. Pastaj e lëmë tortijën të skuqet në tigan dhe pas kësaj kesadija e shijshme me lule kungulli është gati.

Kesadija nuk është vetëm e shijshme, por edhe ushqyese pasi lulet e kungullit përmbajnë proteina në sasira të vogla, kalcium, hekur, vitaminë B1, vitaminë B3, vitaminë C dhe vitaminë A1.

Ne bëjmë edhe një supë të shijshme me këtë lule. Mjafton të ndjekim hapat e mësipërme, i shtojmë lëng pule dhe e shërbejmë të nxehtë. Mund t’i vendosim si garniturë pak djathë dhe disa rripa të skuqura tortije.

Me këtë lule kaq të dobishme mund të gatuhen shumë gjëra të tjera. Atëherë, pse të mos gatuani edhe ju diçka me lule kungulli? Do të lëpini gishtat.