Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Birra: Historia e pijes së artë

Birra: Historia e pijes së artë

Birra: Historia e pijes së artë

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Republikën Çeke

ÇFARË ëndërron zakonisht një i etur? Në shumë vende, punëtor apo biznesmen qoftë, mund t’i shkojë mendja te një gotë me pijen e artë shumë të preferuar. Imagjinon gotën plot shkumë në majë dhe atë shijen e athët e të mrekullueshme. Pastaj thotë me vete: ‘Çfarë s’do të jepja për një gotë me birrë të ftohtë!’

Birra është e vjetër pothuajse sa vetë njerëzimi. E ka ruajtur famën e saj për mijëvjeçarë të tërë dhe në shumë vende ka qenë një pjesë përbërëse e kulturës vendëse. Mjerisht, sidomos në disa vende të Evropës, birra është kthyer në një burim problemesh për ata që e teprojnë në të pirë. Por, për ata që pinë me masë shija dhe cilësitë e saj të rralla mund të jenë një kënaqësi e vërtetë. Le t’i hedhim një sy historisë së kësaj pijeje kaq të famshme.

Kur i ka pasur fillimet e saj?

Siç tregohet në pllakat kuneiforme që janë gjetur në vendin e sumerëve të lashtë në Mesopotami, birra përdorej atje që në mijëvjeçarin e tretë p. e. s. Gjatë së njëjtës periudhë, kjo pije gjendej edhe në tavolinat babilonase dhe egjiptiane. Madje në Babiloni, ku njiheshin 19 lloje birrash, prodhimi i birrës bëhej sipas ligjeve që bënin pjesë në Kodin e Hamurabit. Këto ligje përcaktonin disa standarde, si për shembull, çmimin e birrës, dhe mosrespektimi i këtyre standardeve dënohej me vdekje. Në Egjiptin e lashtë, prodhimi i birrës ishte shumë i përhapur dhe parapëlqehej si pije. Gërmimet arkeologjike që janë bërë atje kanë zbuluar recetën më të vjetër të prodhimit të birrës.

Më pas teknologjia e prodhimit të birrës u fut edhe në Evropë. Disa historianë romakë në fillim të erës sonë përmendin keltët, gjermanët dhe fise të tjera që e pëlqenin birrën. Vikingët besonin se edhe në Valhalla, banesa ku sipas mitologjisë nordike shkonin luftëtarët trima pas vdekjes, kupat e burrave mbusheshin plot e përplot me birrë.

Në Evropë gjatë mesjetës, birra filloi të prodhohej nëpër manastire. Murgjit evropianë e përmirësuan teknologjinë e prodhimit duke përdorur kulprën e butë që birra të mos prishej. Industrializimi në shekullin e 19-të bëri të mundur mekanizimin e prodhimit të birrës, dhe ky ishte një moment i shënuar në historinë e kësaj pijeje kaq të famshme. Më vonë ndodhën disa zbulime shkencore shumë të rëndësishme.

Kimisti dhe mikrobiologu francez Lui Paster zbuloi se majaja që shkaktonte fermentimin e birrës përbëhej nga organizma të gjalla. Ky zbulim bëri të mundur që të kontrollohej më mirë transformimi i sheqerit në alkool. Botanisti danez Emil Kristian Hansen u bë një nga personazhet kryesore në historinë e prodhimit të birrës. Gjatë gjithë jetës ai bëri kërkime dhe i ndau llojet e majave në kategori të ndryshme. Ndërmjet të tjerave, kërkimi i tij kishte të bënte edhe me kultivimin e një majaje birre të pastër. Në këtë mënyrë Hanseni solli një revolucion të vërtetë në industrinë e birrës.

Por, a është kaq i vështirë prodhimi i birrës? Mund të duket e pabesueshme, por në të vërtetë është kështu. Le të shikojmë shkurtimisht se cili është sekreti që fshihet pas një gote birre të mirë.

Para se të vijë në gotën tuaj

Teknologjia e prodhimit të birrës ka ndryshuar shumë gjatë shekujve. Madje edhe sot ajo ndryshon nga njëra punishte ose fabrikë birre në tjetrën. Por në përgjithësi të gjitha llojet e birrave përmbajnë katër përbërës kryesorë: elb, kulpër të butë, ujë dhe maja. I gjithë procesi i prodhimit mund të ndahet në katër faza: maltimi, përgatitja e mushtit të maltit, fermentimi dhe staxhionimi.

Maltimi. Gjatë kësaj faze, zgjidhet elbi, peshohet dhe pastrohet nga lëndët e huaja. Pastaj futet në ujë, pasi kjo është e nevojshme për mbirjen e elbit. Mbirja zgjat nga pesë deri në shtatë ditë në një temperaturë rreth 14 gradë celsius. Ajo që përftohet nga ky proces, quhet malti i gjelbër, i cili transportohet në furra të veçanta për t’i bërë procesin e tharjes. Përqindja e ujit në maltin e gjelbër ulet në 2 deri në 5 për qind, që kështu të mos vazhdojë mbirja. Pas tharjes, filizat ndahen nga malti dhe malti bluhet. Në këtë moment është gati për fazën tjetër.

Përgatitja e mushtit të maltit. Malti i bluar përzihet me ujin dhe bëhet një masë e cila pastaj ngrohet dalëngadalë. Në temperatura të caktuara enzimat fillojnë ta shndërrojnë niseshtenë në sheqerna të thjeshta. Kjo fazë zgjat më shumë se katër orë, dhe kështu përftohet mushti i maltit që më vonë kalohet në filtra për të hequr papastërtitë. Pas kësaj vjen procesi i zierjes që ndalon veprimtarinë e enzimave. Gjatë zierjes, mushtit i shtohet kulpra për t’i dhënë hidhësinë karakteristike birrës. Pasi ka zier nja dy orë, mushti ftohet deri në temperaturën e duhur.

Fermentimi. Ndoshta kjo është faza më e rëndësishme e prodhimit të birrës. Sheqernat e thjeshtë që ndodhen në musht me anë të majasë kthehen në alkool dhe në dyoksid karboni. Koha e fermentimit, që zgjat e shumta një javë, dhe temperatura e procesit janë në varësi të llojit të birrës që do të prodhohet. Mund të jetë, e zezë ose me ngjyrë të verdhë. E ashtuquajtura birrë jeshile, që përftohet në fund të kësaj faze, futet pastaj në fuçi të mëdha dhe lihet në kantinë për t’u staxhionuar.

Staxhionimi. Gjatë kësaj faze, birra merr shijen dhe aromën e saj karakteristike dhe dyoksidi i karbonit që çlirohet e bën birrën me gaz. Staxhionimi i birrës shkon nga tri javë deri në disa muaj, por kjo varet nga lloji i birrës. Në fund, kur mbaron i gjithë procesi, birra futet në fuçi ose në shishe dhe është gati të dërgohet për në vendmbërritjen e fundit, e më pas ndoshta në tavolinën tuaj. Po, ç’lloj birre do t’ju pëlqente?

Llojet e birrave

Në të vërtetë llojet e saj mund të ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Mund t’ju pëlqejë birra me ngjyrë të verdhë ose të zezë, e hidhur ose jo e hidhur, ajo që bëhet nga elbi ose nga gruri. Shija e saj varet nga shumë faktorë, dhe këtu futen cilësia e ujit, lloji i maltit, teknologjia e prodhimit dhe majaja që përdoret.

Një nga birrat më të njohura është pilsner (ose pils), një birrë klasike me ngjyrë të çelët. Kjo lloj birre prodhohet në qindra punishte ose fabrika anembanë botës. Megjithatë, pilsneri origjinal prodhohet vetëm në qytetin e Pelzenit ose Pilsenit, në Republikën Çeke. Sekreti i prodhimit të kësaj birre gjendet jo vetëm te teknologjia, por edhe te lëndët e para, siç janë uji i lehtë, malti i një cilësie të lartë dhe lloji i duhur i majasë.​—Shih kutinë shoqëruese.

Një lloj tjetër është edhe birra weiss që pëlqehet në mënyrë të veçantë në Gjermani dhe që prodhohet nga gruri. Të preferuara në Britani janë porteri dhe stouti. Porteri është birrë e fortë, e fermentuar në maksimum dhe bëhet nga malti i pjekur, që i jep pijes një ngjyrë të errët dhe të theksuar. Porteri u prodhua për herë të parë në Londër në shekullin e 18-të. Në fillim qëllimi ishte që të prodhohej një pije «ushqyese» për punëtorët e krahut, si për shembull për hamejtë. Stouti, është një birrë goxha e errët dhe e fortë që u bë e famshme në Irlandë dhe në botë nga familja Gines. Ajo është një nënprodukt i porterit tradicional. Mund të provoni ose stoutin e ëmbël anglez, që zakonisht përmban laktozë (sheqeri i qumështit), ose stoutin e athët irlandez që është i hidhur dhe me një përqindje më të lartë alkooli.

Një faktor tjetër i rëndësishëm për shumë njerëz që e pëlqejnë birrën është edhe nëse është me shishe, me kanaçe apo është birrë fuçie. Amerikanëve në përgjithësi u pëlqen birra e ftohtë akull. Të tjerët e pëlqejnë në temperaturën e ambientit ose pak të ftohtë dhe të nxjerrë direkt nga fuçia në kantinën e bareve.

Është e vërtetë pra që ka shumë lloje birrash. Nëse nuk e kaloni cakun mund t’ju bëjë mirë për shëndetin. Ajo përmban shumë vitamina dhe minerale të rëndësishme, si për shembull: vitaminë B2, acid folik, krom dhe zink. Sipas disa autoriteteve, birra ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe në problemet e lëkurës, kur pihet me masë. Nëse bëni zgjedhjen e duhur ndër të gjitha llojet dhe prodhimet e shumta dhe nëse nuk e teproni, mund ta shijoni këtë pije freskuese e të mrekullueshme. Kështu, herën tjetër që do të keni përpara një gotë me pijen e artë dhe me shkumën si kurorë, sillni ndër mend historinë e saj interesante.

[Kutia dhe figura në faqen 13]

Aktorët kryesorë

Në të kaluarën, një numër i madh zanatesh përfshiheshin në prodhimin e birrës. Ja disa prej tyre.

Maltuesi​—aktori i parë në ‘shfaqjen’ e prodhimit të birrës. Ai kishte si detyrë të prodhonte maltin nga elbi ose gruri. Mbikëqyrte mbirjen e drithit dhe tharjen e maltit të gjelbër. Ai mbante mbi shpatulla një përgjegjësi të madhe pasi shija e birrës varet jashtë mase nga cilësia e maltit.

Prodhuesi (që tregohet edhe më sipër)​—merrej me zierjen. Në fillim, ai përziente maltin e bluar me ujin dhe pastaj gjatë zierjes shtonte kulprën. Në përfundim të punës së tij përftohej mushti i maltit.

Mbikëqyrësi i kantinës​—ishte një specialist me përvojë, i cili mbikëqyrte fermentimin e birrës në kade dhe staxhionimin në kantinë. Më pas, e hidhte birrën e përfunduar në enë më të vogla.

[Burimi]

S laskavým svolením Pivovarského muzea v Plzni

[Kutia dhe figurat në faqen 14]

Pilsner​—Birra më e imituar

Gjithçka filloi në vitin 1295. Mbreti i Bohemisë, Vençeslasi II, themeloi qytetin e Pelzenit dhe pas kësaj 260 qytetarëve të saj u dha të drejtën që të prodhonin birrë. Në fillim ata e prodhonin në shtëpitë e tyre dhe në sasi të vogla, por më vonë krijuan shoqata esnafësh dhe ngritën punishtet e birrës. Por, me kalimin e kohës, ekonomia dhe kultura në Bohemi pësoi rënie, dhe kjo ndikoi në prodhimin e birrës. Duke shpërfillur teknologjinë tradicionale dhe duke përdorur recetat e tyre, shpesh birra që bënin ishte pa shije dhe as nuk mund ta quaje birrë.

Në atë kohë, në Evropë, prodhoheshin dy lloje birrash. Njëra ishte birra e fermentuar në maksimum, që prodhohej kryesisht në Bohemi. Kurse tjetra, një birrë me cilësi shumë më të mirë, që fermentohej pak, e cila ishte mjaft e përhapur, sidomos në Bavari. Kishte një ndryshim shumë të madh midis birrës së çelët bavareze dhe asaj të Pelzenit.

Një pikë kthese e rëndësishme ndodhi në vitin 1839. Rreth 200 qytetarë të Pelzenit vendosën të bënin diçka për të zgjidhur problemin. Ata themeluan punishten «Burxhis», ku do të prodhohej vetëm birrë me fermentim të ngadaltë ose birrë bavareze. Thirrën Jozef Grollin, prodhuesin e famshëm të birrës nga Bavaria. Dhe ai iu fut menjëherë punës që të prodhonte një birrë tipike bavareze. Birra që doli ishte shumë ndryshe nga ajo bavareze, por shumë më e mirë nga ç’e priste. Përvoja e Grollit, e gërshetuar me lëndën e parë të mrekullueshme të vendit, bëri të mundur prodhimin e një birre që bëri për vete botën mbarë. Pse? Për shkak të shijes së veçantë, ngjyrës dhe aromës. Por fama e birrës së Pelzenit kishte edhe të këqijat e saj. Shumë prodhues birre duke dashur të përfitonin nga kjo famë, filluan t’i vinin birrës së tyre emrin pilsner. Në këtë mënyrë pilsneri u bë jo vetëm i famshëm, por edhe birra më e imituar ndër llojet e pijes së artë.

[Figurat]

Jozef Groll

Kullë uji në një punishte të Pelzenit

[Burimi]

S laskavým svolením Pivovarského muzea v Plzni

[Harta në faqen 12]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Pelzen

[Figura në faqet 12, 13]

Skulpturë e vogël egjiptiane që tregon përgatitjen e bukës dhe të birrës

[Burimi]

Su concessione del Ministero per i Beni e le Attività Culturali-Museo Egizio-Torino

[Figurat në faqen 15]

Kulpra, malti dhe një punishte birre