Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Këshilli i bashkisë s’duhet të luajë rolin e padronit»

«Këshilli i bashkisë s’duhet të luajë rolin e padronit»

«Këshilli i bashkisë s’duhet të luajë rolin e padronit»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KANADA

KARTA e të Drejtave dhe e Lirive në Kanada mbron liritë e të gjithë shtetasve kanadezë. Liria e fjalës, liria e shtypit dhe e adhurimit janë vendosur me kushtetutë dhe mbrohen nga gjykatat.

Prandaj, kur këshilli i bashkisë së Blenvilit, një qytet në veriperëndim të Monrealit, propozoi një shtesë të urdhëresës së nxjerrë prej tyre, me qëllimin që të ndalonte ‘vizitat me natyrë fetare’ shtëpi më shtëpi pa marrë një leje, kjo gjë tërhoqi vëmendjen e Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo shtesë e propozuar do të prekte drejtpërdrejt shërbimin e tyre shtëpi më shtëpi. (Veprat 20:20, 21) Por, pse u propozua një shtesë e tillë? Autoritetet e qytetit thanë se kishin pasur shumë ankesa për vizitat shtëpi më shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait. Mirëpo, sipas regjistrave të rajonit të policisë, për pesë vitet e shkuara s’kishte pasur as edhe një ankesë të vetme për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait.

Megjithatë, kjo urdhëresë e propozuar u bë ligj në vitin 1996. Si pasojë, Dëshmitarët e Jehovait në Blenvil morën disa avokatë të cilët e njoftuan bashkinë se, meqë kushtetuta garantonte lirinë e fesë, do të ishte e paligjshme që bashkia të përdorte ligjin për të ndërhyrë në veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Autoritetet nuk e morën parasysh këtë njoftim dhe nxorën 17 fletëthirrje për në gjyq. Avokatët e marrë nga Dëshmitarët u përgjigjën duke nisur veprimet ligjore për ta ndaluar Blenvilin që të kufizonte lirinë e fesë dhe lirinë e shprehjes, të cilat janë të drejta të të gjithë shtetasve kanadezë.

Çështja u gjykua në Gjykatën e Lartë të Kuebekut, para gjykatësit Zhan Krepo, më 3 dhe 4 tetor 2000. Pasi e shqyrtoi me kujdes çështjen, gjykatësi dha vendim në favor të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai pranoi «se pala paditëse po ecën në gjurmët e kongregacionit të krishterë të shekullit të parë, duke bërë vizita shtëpi më shtëpi në lagjen e tyre për t’i nxitur njerëzit që të mbajnë një nivel të lartë të normave morale dhe të vlerave fetare. . . . Vizitat nëpër shtëpi janë një shërbim që u bëhet njerëzve. Dëshmitarët e Jehovait i vizitojnë banorët e Blenvilit mesatarisht çdo katër muaj, dhe i ftojnë të shkëmbejnë ide për tema që janë ndërtuese dhe me interes të përbashkët». Në vendimin që dha, gjykatësi Krepo tha: «[Gjykata] i shpall Dëshmitarët e Jehovait të lirë nga kërkesa për të marrë leje që të kryejnë shërbimin e tyre.»

Bashkia e Blenvilit e apeloi vendimin e gjykatësit Krepo në Gjykatën e Apelit të Kuebekut. Apeli u shqyrtua në gjykatë më 17 qershor 2003 dhe vendimi u dha më 27 gusht 2003, në mbështetje të vendimit të gjykatësit të mëparshëm. Duke iu referuar Kartës së të Drejtave dhe Lirive në Kanada, e cila mbron lirinë e fesë dhe përfshin të drejtën për t’i shfaqur bindjet fetare me anë të mësimit dhe të shpërndarjes së informacioneve, gjykata tha sa vijon: «Urdhëresa që po diskutohet kufizon rëndë lirinë e fesë së Dëshmitarëve të Jehovait dhe lirinë e mendimit, të besimit, të opinionit dhe të shprehjes së banorëve të Blenvilit . . . Faktet tregojnë se banorët e Blenvilit nuk po ankoheshin për veprimtari të dëmshme të Dëshmitarëve të Jehovait, por për shitësit e shumtë ambulantë dhe tregtarët shëtitës. S’kishte ndonjë nevojë urgjente dhe reale për të vënë rregulla për vizitat shtëpi më shtëpi me qëllime fetare. Për më tepër, rregullat e vendosura u përpiluan me pakujdesi dhe u miratuan nxitimthi, pa u konsultuar më parë; ato janë të paarsyeshme dhe të tepruara në krahasim me qëllimin e deklaruar për të mbrojtur jetën private të qytetarëve. . . . Në një shoqëri të lirë e demokratike, këshilli i bashkisë s’duhet të luajë rolin e padronit, duke vendosur kë duhet të presin në shtëpi banorët e atij qyteti në mbrëmje ose në fundjavë. Gjykatësi i mëparshëm kishte të drejtë kur tha se urdhëresa e diskutuar nuk duhet të ketë fuqi ose të zbatohet për Dëshmitarët e Jehovait.»

Dëshmitarët e Jehovait gëzohen që gjykatat në Kuebek përdorën në këtë rast Kartën e të Drejtave për të mbrojtur lirinë fetare të të gjithë shtetasve të Kuebekut nga ushtrimi mendjengushtë i autoritetit.

[Harta në faqen 24]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

KANADA

Blenvil

Monreal

SHBA

[Figura në faqen 24]

Karta e të Drejtave dhe Lirive në Kanada mbron liritë e të gjithë shtetasve kanadezë

[Figurat në faqen 25]

Tani Dëshmitarët mund të kryejnë lirisht shërbimin publik në Blenvil. Fotografia e vogël: mblidhen në Sallën e Mbretërisë