«Kujto Krijuesin tënd»
«Kujto Krijuesin tënd»
«Kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat ke për të thënë: ‘Nuk gjej asnjë kënaqësi në to.’»—Predikuesi 12:1.
VARGU i mësipërm i Biblës të fut në mendime. Rinia vjen veçse një herë. Më vonë kur të shohësh prapa në vitet e adoleshencës ose do të ndihesh i kënaqur, ose do të ndjesh keqardhje të thellë. Ç’do të ndodhë në rastin tënd? Ç’mund të bësh që më vonë të mos pendohesh?
«Kujto Krijuesin tënd»,—na nxit Bibla, siç thuhet më sipër. Si mund ta bësh këtë? Duke ndjekur ligjet dhe parimet e Perëndisë që gjenden në Fjalën e tij, në Bibël. Kjo nuk do të thotë aspak se duhet të kthehesh në një fanatik fetar dhe të bësh një jetë të vetmuar e të mundimshme, duke i mohuar vetes çdo kënaqësi. Përkundrazi, po të kujtosh Krijuesin tënd do të provosh lumturinë më të madhe që mund të ekzistojë. Si ka mundësi?
Le ta ilustrojmë: përfytyro sikur të kanë dhënë një makinë dhe një patentë. Para teje është hapur mundësia për të qenë i lirë. Kjo liri të entuziazmon dhe mund të të sjellë shumë kënaqësi. Vetëm mendo se në sa vende interesante mund të shkosh. Megjithatë liria e sapogjetur sjell edhe përgjegjësi të mëdha. Kur nget makinën duhet të respektosh rregullat e qarkullimit rrugor dhe t’u kushtosh kujdes shenjave të trafikut, kufirit të shpejtësisë dhe tabelave paralajmëruese. A të pengon kjo përgjegjësi që të kënaqesh? Aspak! Përkundrazi është një mbrojtje. Sigurisht që nuk ndien asnjë kënaqësi kur bën aksident, apo jo?
Është e njëjta gjë edhe me lirinë që të ka dhënë Krijuesi yt, Perëndia Jehova. Teksa rritesh, ai të lë të vendosësh vetë se si ta jetosh jetën tënde. (Ligji i përtërirë 30:19; Fjalët e urta 27:11) Çfarë privilegji i mrekullueshëm është ky! Por kjo liri mbart edhe një përgjegjësi serioze. Në Fjalën e tij, Jehovai ka vënë ‘rregullat e qarkullimit rrugor’, norma sipas të cilave ai dëshiron që të jetosh. A të pengojnë këto norma që të jesh i lumtur? Sigurisht që jo! Përkundrazi, ato të mbrojnë nga vuajtjet dhe dhembjet që pësojnë shumë të rinj sot.
Federiko, që tani është në fillim të të 30-ave, e di që kjo gjë është shumë e vërtetë. Kur ishte adoleshent, ai shihte që shokët e shkollës merrnin pjesë në gjithfarëlloj veprimtarish që ai duhej të shmangte. «Nga jashtë dukej sikur bënin qejf,—thotë ai,—por kurrë nuk mendoja se ishin vërtet të lumtur.» Kur sjell ndër mend të kaluarën, Federiko është i lumtur që parimet e Biblës e drejtuan gjatë gjithë adoleshencës. «Sigurisht,—thotë ai,—edhe unë kisha probleme si çdo i ri tjetër. Por Bibla më mbrojti vërtet. Veç kësaj, gjithnjë më gjendej pranë ndonjë i bashkëkrishterë. Ndjekja e parimeve të Biblës më ka dhënë më shumë lumturi nga ç’kisha menduar!»
Perëndia Jehova dëshiron që ti të jesh i lumtur, vërtet i lumtur. Kjo lumturi nuk është vetëm një fasadë, sa për t’u dukur se po bën qejf, por që fsheh vuajtjen e brendshme. Bibla thotë: «Gëzoje rininë tënde. Ji i lumtur sa je ende i ri.» Por i njëjti varg i Biblës jep edhe një paralajmërim. «Mbaj mend,—thuhet aty,—që Perëndia do të gjykojë për gjithçka që bën.»—Predikuesi 11:9, Today’s English Version.
Kujtoje Krijuesin tënd duke e përdorur me mençuri lirinë që të ka dhuruar. Nëse bën kështu, mund të jesh i sigurt se edhe Krijuesi yt do të të kujtojë ty dhe do të të bëjë të lumtur sa më s’ka. Bibla thotë: «Bekimi i Zotit pasuron dhe ai nuk shton asnjë vuajtje.»—Fjalët e urta 10:22.
Për t’i ndihmuar të rinjtë që të përballojnë me sukses vështirësitë e adoleshencës, Dëshmitarët e Jehovait kanë botuar një libër me 320 faqe, të titulluar Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike. Deri tani janë shtypur gati 34 milionë kopje në 77 gjuhë. Nëse dëshironi një kopje mund të flitni me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj.
[Figurat në faqet 8, 9]
Për të kaluar një adoleshencë të mbarë
Gjej kohë për të lexuar Fjalën e Perëndisë
Ji i zellshëm në shërbim
Shmang shoqëritë e këqija
Vazhdimisht fol hapur me prindërit
[Burimi]
Kopertina e broshurës: Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.