Livanda—Një gosti për shqisat
Livanda—Një gosti për shqisat
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Australi
MBRETËRESHA ELIZABETA I e Anglisë dha urdhër që në tryezën mbretërore të kishte erëza të bëra me të. Karli VI i Francës ulej në jastëkë të mbushur me atë bimë. Mbretëresha Viktoria e Anglisë lahej me ujë të parfumuar me atë bimë. Po cila ishte kjo bimë që dëshirohej kaq shumë nga mbretërit e mbretëreshat? Një shkurre erëmirë e quajtur livandë. Atij që i ka rastisur të kalojë në një fushë të mbushur me livandë ngjyrë vjollcë të hapur e kupton pse kjo bimë aromatike bën për vete kaq shumë njerëz.
Sot njihen më shumë se 30 lloje livande. Kjo shkurre rezistente lulëzon pothuajse në çdo klimë, si në ajrin e ftohtë të Alpeve franceze, ashtu edhe në ajrin e thatë e të nxehtë të Lindjes së Mesme. Emri botanik i saj, Lavandula, vjen nga fjala lavare në gjuhën latine, që do të thotë «të lahesh». Këtë emër e ka marrë nga një zakon i romakëve të lashtë që e parfumonin me vaj livande ujin me të cilin do të laheshin.
Kurë tradicionale fuqizuese
Përdorimi mjekësor i bimës së livandës njihet që prej 2.000 vjetësh. Gjatë epokës së mesjetës, ajo ishte përbërëse kryesore në një përzierje të njohur si uthulla ‘katër hajdutët’, që përdorej kundër murtajës. Duket se kjo uthull ka marrë këtë emër ngaqë grabitësit e varreve që rrëmonin ndër plaçkat e atyre që kishin vdekur nga murtaja, laheshin me këtë solucion me bazë livande. Megjithëse puna që bënin ishte goxha e rrezikshme, me sa duket rrallë ndodhte që ta merrnin sëmundjen.
Mjekët popullorë të shekullit të 16-të thoshin se livanda kuronte jo vetëm ftohjet dhe dhembjet e kokës, por edhe paralizën e gjymtyrëve dhe neurozat. Veç kësaj, besonin se po të vije në kokë një kësulë të thurur me livandë, të shtohej inteligjenca. Madje edhe gjatë Luftës I Botërore, disa qeveri u kërkonin shtetasve të tyre të mblidhnin lulet e livandës nga kopshtet e shtëpive, që me vajin e tyre të mjekonin plagët e ushtarëve.
Një shqyrtim i mjekimeve popullore
Disa vajra livande, sidomos ai i nxjerrë nga livanda e vërtetë, Lavandula angustifolia, duket se bëjnë efekt te disa baktere dhe kërpudha. Kërkues të ndryshëm
kanë thënë se vaji i livandës mund të përdoret për të kuruar infeksionet e baktereve që u rezistojnë antibiotikëve. «Vaji i livandës është përdorur edhe në fushën e obstetrikës,—thotë një artikull kërkimor i kohëve të fundit.—Në një eksperiment klinik që u bë në shkallë të gjerë, u provua se nënat që e përdornin vazhdimisht vajin e livandës [në ujin me të cilin laheshin] thoshin se kishin më pak shqetësime 3 deri në 5 ditë pas lindjes . . . Veç kësaj, vaji i livandës po përdoret tani në shumë salla lindjeje, sepse ka një efekt qetësues të përgjithshëm.»Po mbretëreshës Elizabeta I që i pëlqente livanda si ushqim? A hahet vërtet livanda? «Livanda përdorej shumë si erëz në gatim në Anglinë e dinastisë së Tudorëve dhe të epokës elizabetiane. I shtihej mishit të gjahut, mishit të pjekur, sallatës me fruta, ëmbëlsirave ose shërbehej edhe si ëmbëlsirë vetë»,—thotë Xhudit Maklaudi në një libër që ka shkruar për livandën. Sot, disa lloje livande përdoren për t’u dhënë shije biskotave, kekut dhe akullores. Por, jo të gjitha llojet e livandës janë të dëshiruara, sidomos për insektet. Në fakt, sipas një studimi «vaji i livandës ose gjethet dhe lulet e saj të shkërmoqura mund të përdoren qoftë në industri, . . . qoftë në shtëpi si insekticid, sepse livanda mban larg këpushat, mizat e grurit, morrat e bimëve dhe molat e rrobave».
Kërkesa gjithnjë në rritje
Në dhjetëvjeçarët e fundit livanda ka fituar përsëri shumë popullaritet. Tani kultivohet në Amerikën e Veriut, në Australi, në Evropë, në Japoni dhe në Zelandën e Re. «Livanda është si vera,—thotë Bajroni, një i ri kopshtar që kujdeset për rreth 13 hektarë tokë të kultivuar me livandë, në juglindje të Viktorias, në Australi.—Edhe sikur të jetë kultivuar i njëjti lloj, vaji i nxjerrë në një krahinë ndryshon nga ai i një krahine tjetër, sepse ndikon dheu e klima. Edhe koha e korrjes ose metoda e korrjes mund të ndikojë në produktin përfundimtar që do të dalë.»
Gjithsesi, ndryshe nga vera, vaji i livandës nuk nxirret duke i shtypur ose shtrydhur lulet, por duke i trajtuar me avull. Bajroni shpjegon: «Për të nxjerrë një litër vaj duhen rreth 250 kilogramë livandë. Lulet, kërcejtë dhe gjethet e sapokorrura futen në një enë të madhe metalike dhe ngjishen mirë. Avulli pompohet në pjesën e poshtme të enës dhe, duke u ngjitur lart, çliron vajin nga bima. Avulli dhe vaji kalojnë nëpër një kondensator e pastaj në një enë, ku vaji ndahet nga uji dhe qëndron në sipërfaqe. Vajin e heqin dhe e ruajnë nëpër enë të veshura nga brenda me qeramikë, ku lihet që të staxhionohet për disa muaj.»
Vaji i livandës që nxirret në fermën e Bajronit përdoret për sapunë, kremra dhe për qirinj. Lulet shiten të freskëta ose të thara dhe janë një ndër përbërësit më të lakmuar në përzierjet me bimë që bëhen me lule të thara aromatike. Mijëra turistë vijnë çdo vit për të shijuar ëmbëlsirat me livandë, për të soditur fushat me livandë e për të nuhatur aromën e tyre. Shpesh Bajroni u thotë këtyre turistëve që e vlerësojnë punën e bërë: «Vajin nuk e bëjmë ne, vetëm e nxjerrim prej bimëve. Prodhuesi i vërtetë i livandës është Ai që e krijoi këtë bimë, duke na e dhënë si një gosti për shqisat.»
[Kutia në faqen 11]
Me rrugë industriale prodhohen tri lloje vajrash livande
Vaji i livandës së vërtetë nxirret nga lloji i njohur «Lavandula angustifolia». Ndryshe nga vajrat e përmendura më poshtë, ka shumë pak erë kamfuri ose nuk ka fare. Çdo vit prodhohen rreth 200 tonë vaj i tillë.
Vaji i livandës gjethegjerë nxirret nga lloji «Lavandula latifolia». Nga ky lloj vaji mund të prodhohen deri në 200 tonë në vit.
Vaji i livandëzës nxirret nga një lloj hibrid që është përzierje e dy llojeve të mësipërme. Çdo vit në gjithë botën nga ky vaj shiten më shumë se 1.000 tonë.
[Figura në faqen 10]
Në shumë ferma përdoren ende metodat tradicionale për të korrur livandën
[Figura në faqen 10]
Vaji i livandës nxirret në distileri të mëdha
[Figura në faqen 10]
Vaji i livandës staxhionohet në enë metalike të veshura nga brenda me qeramikë, para se të përdoret për produkte të ndryshme