Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Komunikimi Nuk rrija dot pa ju shkruar për serinë e artikujve «Komunikimi është jetësor». (22 shtator 2003) Aty përshkruhej ajo që shihet në të gjithë krijimin, që krijesat ndihmojnë njëra-tjetrën. Madje edhe lulet e paralajmërojnë njëra-tjetrën për insektet e dëmshme. Do të jetë e mrekullueshme kur edhe njerëzit të mësojnë të kujdesen për njëri-tjetrin.
S. Ç., Shtetet e Bashkuara
Më pëlqeu shumë përshkrimi që i bënit mënyrës se si komunikojnë kafshët me njëra-tjetrën. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të pranojmë që ekziston një Perëndi që është burimi i të gjitha këtyre gjërave të mrekullueshme.
R. C., Gjermani
Nuk gjej dot fjalët për të shprehur gëzimin që provova kur lexova këta artikuj. Çfarë privilegji të jashtëzakonshëm kemi që komunikojmë me Perëndinë!
A. U., Afrika e Jugut
Sot në mëngjes kur fillova të lexoja artikullin, isha vërtet e mërzitur. Por më shkriu së qeshuri pjesa që tregonte se si komunikojnë insektet me njëra-tjetrën. Rrugën për në punë e bëra me buzë në gaz.
L. L., Francë
Tatuazhet Shumë faleminderit për artikullin «Të rinjtë pyesin . . . A duhet të bëj tatuazh?» (22 shtator 2003) Mendoja vërtet që tatuazhet ishin klas fare dhe doja të bëja një të përkohshëm me ngjitëse. Por kuptova sa serioze është kjo gjë kur lexova se nuk duhet të bëjmë në trupin tonë shenja, «qoftë edhe të përkohshme», të cilat do të çnderonin Perëndinë. Kur mendova që tatuazhi im mund të bëhej pengesë për të tjerët dhe se mund të më konsideronin si një rebele, vendosa të mos e bëja.
A. K., Japoni
Më pëlqente shumë të bëja një tatuazh. Por nga artikulli e kuptova që mund të pendohesha më vonë. Ju përmendnit edhe rreziqet shëndetësore që nuk i kisha menduar fare. Ju falënderoj për këtë artikull kaq bindës.
D. T., Francë
Pinjatat E lexova me interes artikullin «Pinjata—Një traditë e lashtë». (22 shtator 2003) Pasi e lexova më lindën disa pyetje. Lidhjet me fenë e rreme janë të dokumentuara mirë. Por artikulli linte të nënkuptoje se nuk ka problem për aq kohë sa kjo nuk turbullon ndërgjegjen e ndokujt. Po ditëlindjet dhe festat e tjera, siç janë Krishtlindjet?
S. U., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Të krishterët e shmangin çdo festë ose zakon që vazhdon të përfshijë besime ose aktivitete të rreme fetare që shkelin parimet biblike. Për shembull, është e qartë që Bibla i paraqet ditëlindjet në një dritë të keqe. (Zanafilla 40:20; Mateu 14:6-10) Por, nëse dihet mirë që një zakon nuk ka më lidhje me doktrinat e rreme fetare dhe nuk përfshin shkelje të parimeve biblike, atëherë çdo i krishterë duhet të marrë një vendim personal nëse do ta ndjekë një zakon të tillë apo jo.
Historia e shkencëtarit Shumë faleminderit për artikullin e mrekullueshëm «Shkenca ishte feja ime». (22 shtator 2003) Kenet Tanaka nuk kishte frikë të përballej me faktet. Gjithashtu, me përulësi pranoi se ajo që kishte besuar për vite me radhë ishte e gabuar. Ai ka qëndrimin e duhur.
S. A., Rusi
Kam vuajtur nga depresioni, gjithmonë duke luftuar me dëshirën për të vdekur. Pastaj lexova pyetjen në artikullin e Kenet Tanakës që thoshte: «Nëse fati ynë në fund të fundit do të ishte mosekzistenca, si mund të kishte ndonjë qëllim ekzistenca jonë?» Kjo më preku në zemër. Ishte sikur Perëndia po më thoshte «Jeto!»
Ç. I., Japoni