Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një botë tingujsh nën gishtat tuaj

Një botë tingujsh nën gishtat tuaj

Një botë tingujsh nën gishtat tuaj

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

«MË MADHËSHTORI nga të gjitha instrumentet muzikore»,​—kështu mendojnë disa për pianon. Është një instrument shprehës dhe që përshtatet lehtë, prandaj e gjen si në botën e muzikës klasike, ashtu edhe në botën e xhazit e të muzikës popullore. Mbizotëron sallën e koncerteve kur është në rolin e një solisteje të fuqishme, e megjithatë mund të dëgjohet edhe në sfond teksa shoqëron me modesti zërin e butë të një këngëtari. Është si një «orkestër me një orkestrant», por gjithashtu harmonizohet lehtë pothuajse me çdo instrument. E përshkruar si «ekuivalenti muzikor i paletës së piktorit», ajo ka frymëzuar disa nga pjesët muzikore më të bukura që janë kompozuar ndonjëherë. Kush e shpiku pianon dhe përse ajo admirohet nga shumë njerëz edhe sot? *

Paraardhësit e pianos

Ndër instrumentet më të hershme që nxirrnin tinguj po t’i pickoje me duar telat radhiteshin harpa dhe lira. (Zanafilla 4:21, BR) Më vonë doli çembali. Ai që i binte çembalit godiste telat me çekiçë të vegjël. Gjatë Mesjetës, në Evropë dolën instrumente me tastierë, të cilëve u binin duke i pickuar ose duke i goditur telat. Më të përhapurit ishin klavikordi dhe klaviçembali. Klavikordi kishte formën e një kutie drejtkëndëshe me kapak dhe telat e tij goditeshin nga poshtë me anë të shiritave të vegjël metalikë të quajtura tangjente. Tingujt e tij të zgjonin ndjenjat, por zërin e tij të dobët e mbysnin lehtë instrumentet e tjera dhe këngëtarët. Klaviçembali, që ishte më i madh dhe dukej si pianoja e sotme e koncerteve, kishte tela të gjatë që pickoheshin me pendë pate ose me një copë të vogël fildishi ose metalike. Ai nxirrte një tingull të fortë dhe kumbues, por nuk kishte larmi në volum.

Aty nga viti 1700, meqë po kompozonin pjesë muzikore dramatike e që përcillnin ndjenja të forta, muzikantët donin një instrument me tastierë që të kishte edhe butësinë e klavikordit, por edhe tingullin e fortë të klaviçembalit.

Shpiket pianoja

Mjeshtri italian i prodhimit të instrumenteve, Bartolomeo Kristofori, kombinoi modelin bazë të klaviçembalit me funksionin e çekiçit të klavikordit, duke përdorur çekiçë të vegjël druri të veshur në majë me lëkurë për t’u rënë telave. Ai e quajti shpikjen e tij gravicembalo col piano e forte (klaviçembal me tinguj të butë dhe të fortë), ose shkurt piano. Më në fund një instrument me tastierë, tingujt e të cilit ishin më të plotë, më të fortë! Ai mund të nxirrte edhe tinguj të butë, edhe të fortë.

Mjerisht Kristofori nuk jetoi aq gjatë sa ta shihte se sa sukses pati instrumenti i tij i ri. Meqë vetëm pak njerëz u interesuan për shpikjen e tij, ai iu kthye ndërtimit të klaviçembalëve. Pothuajse 30 vjet pasi Kristofori bëri pianon e parë, mjeshtri gjerman i organos Gotfrid Zilberman e shqyrtoi edhe një herë me kujdes modelin e pianos dhe filloi të bënte vetë piano. Mjeshtrat në Gjermani dhe në Austri vazhduan të eksperimentonin, duke u përqendruar në ndërtimin e një modeli më të vogël dhe më të lehtë që u quajt piano katrore.

Ndërkohë në Angli një grup tjetër po punonte për një model tjetër pianoje. Ata kishin emigruar nga Gjermania nga fundi i viteve 50 të shekullit të 18-të. Një nga këta, Johans Cumpe, krijoi një model të pianos katrore dhe e shiti me sukses. Sebastian Erard nga Franca dhe mjeshtra të tjerë në Evropë dhe në Amerikë e përmirësuan më tej këtë model. Mobilieri mendjehollë nga Skocia, Xhon Brodudi, e kuptoi se pianoja do të ishte fantastike për zonjushat e familjeve nga shtresa e mesme që ishin pasuruar rishtazi. Shpejt shoqëria e tij po prodhonte shumë piano, qoftë katrore, qoftë piano koncerti.

Vështirësia tjetër ishte të projektonin një piano që edhe të zinte pak vend, por edhe të nxirrte tinguj të fortë si piano koncerti. Prandaj pianot u bënë me tela vertikalë dhe kështu bëheshin gjithnjë e më të larta. Telat vertikalë të modelit Brodud ngriheshin 2,7 metra mbi tastierë; por meqë dukej qartë se pjesa e sipërme ishte tepër e rëndë, të luaje në të ishte shumë e rrezikshme. Një model tjetër me tela vertikalë, i quajtur modeli gjirafë, ishte vërtet si një piano koncerti, por fundin si bisht e kishte vertikal. Në vitin 1800, anglezi Xhon-Ajzek Hokins projektoi modelin e parë vertikal që pati sukses, duke vendosur skajin e poshtëm të telave pothuajse në nivelin e dyshemesë. Kjo më në fund çoi në ndërprerjen graduale të prodhimit të pianove katrore.

Pianoja hyn në botën e kompozitorëve

Ndërkohë kompozitorët filluan të tregonin interes për pianon. Në vitin 1777, kur i riu Volfgang-Amadeus Moxart vizitoi punishten e bavarezit Johan Shtajn për të provuar këtë instrument të ri, i la mbresa të thella. S’kaloi shumë dhe Moxarti nisi të shkruante muzikë për piano. Kështu, vetëm në katër vjet, ai kompozoi jo pak, por 15 koncerte për piano. Gjithsesi, pak vjet më vonë, ishte Ludvig van Bethoveni që dha një kontribut të madh për t’i hapur rrugën këtij instrumenti të ri. Ai i dha jetë pianos, gati-gati e bëri të këndonte. Më në fund, ja tek ishte instrumenti që kishte pritur bota e muzikës! Në skenë vërshoi një valë e re me muzikë romantike, pasionante. Frederik-Fransua Shopeni, «poeti i pianos» zbuloi se ajo ishte e shkëlqyer për të shprehur ndjenjat dhe mendimet. Franc Listi kompozoi muzikë origjinale dhe emocionuese, duke e bërë pianon të dukej si orkestër. Gjithashtu ai e drithëroi publikun me ekzekutimin e tij virtuoz.

Mjerisht skeleti i pianos, i gjithi prej druri, dhe telat e hollë nuk ishin të pajisur siç duhet për t’i bërë ballë muzikës së fortë dhe plot pasion të koncerteve energjike. Prandaj, mjeshtrat filluan të shtonin përforcues hekuri derisa arritën të bënin një skelet të vetëm hekuri. Tani mund të përdornin tela më të trashë dhe çekiçë më të rëndë për të prodhuar një volum më të lartë. Tingujt disi të ashpër që prodhonte ky model u përmirësuan duke i veshur çekiçët me lëndë tingullthithëse. Mbi telat e shkurtër u tendosën diagonalisht tela më të gjatë, që e përmirësuan më shumë tonalitetin dhe që kursenin vend. Në skenë erdhi pianoja moderne dhe bashkë me të edhe një armatë pianistësh të mëdhenj. Ata bënin që sallat e koncerteve të mbusheshin plot e përplot nga publiku entuziast. Këta spektatorë prisnin si në ethe të dëgjonin repertorin me pjesë për piano, i cili pasurohej vazhdimisht. Ndërkohë prodhuesit e pianove në Evropë dhe Amerikë prodhonin sa më shpejt që ishte e mundur instrumente në seri që t’u përgjigjeshin kërkesave të jashtëzakonshme të tregut.

Ngado piano

Në fillim të shekullit të 20-të, çdo shtëpi evropiane ose amerikane duhej ta kishte një piano, kishte ose jo ndonjë pjesëtar që dinte t’i binte, pasi ajo ishte bërë simboli i ri i pozitës shoqërore. Pianistët kërkoheshin që të dëfrenin klientët dhe udhëtarët, të krijonin muzikën e filmave të rinj pa zë dhe të mësonin amatorët ambiciozë që sa vinin e shtoheshin. Në raste grumbullimesh familjare, njerëzit mblidheshin rreth pianos. Amatorët luanin pjesët muzikore që i kishin kompozuar vetë. Dilnin rregullisht pjesë të reja muzikore për piano. Gjithashtu dolën edhe stile të reja muzikore, krejt të ndryshme nga njëri-tjetri: regtajmi, melodia mjaft popullore me sinkopa, ritmi i ngadaltë i bluzit dhe ritmi monoton i bugi-vugit.

Shitja e pianove pësoi rënie pas Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1910 prodhimi botëror i pianove kishte arritur një maksimum prej 600.000 pianosh në vit, por gradualisht shitja e pianove filloi të binte. Me kalimin e kohës, në argëtimet familjare, vendin e pianos e zuri fonografi, radioja, gramafoni dhe televizori. Gjithsesi bota ende nuk e kishte humbur plotësisht interesin për pianon. Përparimi në teknikë pas Luftës së Dytë Botërore e gjallëroi sërish këtë interes. Rreth vitit 1980 prodhimi i pianove ishte rritur sërish në më shumë se 800.000. Sot pianot më të lehta bëhen me plastikë dhe aliazhe, kurse tastet e bardha mbulohen me materiale sintetike dhe jo me fildish. Japonia është bërë një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë, kurse Kina e ka mirëpritur atë që e quan «mbretëreshë të instrumenteve».

A do t’ju pëlqente të luanit në piano?

Ka instrumente për të cilat duhet të ushtrohesh shumë që të nxjerrësh qoftë edhe një tingull, por me pianon ndryshon puna. Mjafton t’u biesh sipas radhës së duhur disa tasteve të pianos dhe tashmë je duke luajtur muzikë. Pak njerëz kanë dhuntinë që t’i bien me veshë. Megjithatë shumica e njerëzve shohin se botimet me udhëzime për amatorë janë të mira për të mësuar shpejt që t’i bien një melodie me dorën e djathtë ndërkohë që e majta e shoqëron. Imagjinoni se sa shumë do të kënaqeni kur t’i bini vetë një melodie të preferuar me ndihmën e partiturave. A do t’ju pëlqente një marsh entuziazmues, një vals i lehtë apo një baladë e preferuar? Ndoshta do t’i binit ndonjë ritmi amerikano-latin ose ndonjë pjese xhazi. Sa bukur do të ishte të bënit një duet me një shok! Gjithashtu mendoni se sa do të kënaqeshit nëse do të shoqëronit me piano një grup shokësh që po këndojnë ose u bien veglave të tjera muzikore. A nuk ju ka lindur dëshira ta shijoni vetë këtë botë tingujsh?

[Shënimi]

^ par. 3 Shih revistën Zgjohuni! të 8 nëntorit 2002, faqet 19-21, anglisht.

[Kutia dhe figura në faqen 21]

Pianoja mekanike

Për njerëzit që ishin ushtruar pak në tastierë, pianoja mekanike ishte një zgjidhje e mirë. Ajo ishte një kombinim i karijonit, pajisje mekanike që nxirrte muzikë dhe i pianos. Tastet e saj uleshin dhe ngriheshin automatikisht pasi viheshin në lëvizje nga dhëmbëzat e një bobine të lëvizshme prej letre. Në modelet e para të viteve 90 të shekullit të 19-të, përballë pianos ishte një mekanizëm që shtypte tastet me gishta druri dhe ndërkohë ai që i binte pianos shtypte pedalet. Modelet e mëvonshme e kishin të montuar brenda pianos këtë pajisje. «Pianoja riprodhuese», teknikisht më e përparuar, riprodhonte pjesët muzikore origjinale të pianistëve të mëdhenj dhe bobinat e tyre të regjistruara riprodhoheshin për shitje, siç bëhet sot me disqet ose shiritat e regjistrimeve. Aty nga viti 1925, në Shtetet e Bashkuara prodhoheshin më shumë piano mekanike, sesa piano tradicionale. Megjithatë, si pasojë e shpikjes së radios dhe të gramafonit, rreth viteve 30 të shekullit të 20-të pianot mekanike ishin zhdukur nga qarkullimi.

[Burimi]

Culver Pictures

[Kutia dhe diagrami në faqet 22, 23]

Si punon një piano koncerti?

Ajo ka më shumë se 200 tela çeliku të vendosur paralel, të cilët janë të tendosur fort dhe prodhojnë 88 nota. Telat e shkurtër dhe të hollë që dridhen shpejt prodhojnë notat e larta, kurse telat e trashë të gjatë, që shpesh janë të veshur me bakër, prodhojnë tingujt e ulët. Të gjitha notat, përveç notave më të ulëta basë, prodhohen nga dy ose tre tela të akorduar njëkohësisht.

Kur një pianist shtyp një nga tastet (1), levat lëvizin një çekiç të veshur me material tingullthithës, i cili godet një ose disa nga telat që prodhojnë notën e atij tasti dhe pastaj menjëherë çekiçi kthehet në vend. Kur e mban gishtin mbi tast, teli vazhdon të dridhet dhe tingulli shuhet dalëngadalë. Kur pianisti e heq gishtin nga tasti (2), një pajisje zhurmëmbytëse e shtyp telin që të pushojë. Kur pedali djathtas është i shtypur, ai nuk i lë këto pjesë të posaçme që të veprojnë, dhe kështu notat vijuese bashkohen me të tjerat.

Telat kalojnë sipër shiritave prej druri të quajtur ura (3), të ngjitura në pllakën e drunjtë rikumbuese (4), e cila dridhet me të njëjtën frekuencë me telat dhe bën që tingulli të jetë më i fuqishëm dhe të kumbojë më shumë. Kasa e drunjtë përreth luan rolin e kutisë së rikumbimit për të rritur volumin.

Telat kapen te një skelet gize me anë të kunjave prej çeliku (5). Skeleti i pianos së koncertit duhet të jetë aq i fortë, sa të mund të përballojë forcën tërheqëse që ushtrojnë të gjithë telat e tendosur, një forcë që duhet për të tërhequr një trup me masë deri në 30 tonë.

[Diagrami]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Zhurmëmbytës

Tel

Çekiç

Tast i shtypur

Tast i pashtypur

[Figura]

Pianoja më e vjetër që ka mbijetuar nga pianot e Kristoforit, 1720

[Burimi]

The Metropolitan Museum of Art, The Crosby Brown Collection of Musical Instruments, 1889. (89.4.1219) Fotografia ©1983 The Metropolitan Museum of Art