Një urë e veçantë që ndryshoi një ishull
Një urë e veçantë që ndryshoi një ishull
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Kanada
FUTUR si në fole në gjirin e Sent-Lorencit, në bregun e Atlantikut në Kanada, ndodhet një ishull i gjelbër e në formë gjysmëhëne, ishulli Princ Eduard, provinca më e vogël e Kanadasë. Zhak Kartier, një eksplorues francez i shekullit të 16-të, e përshkroi si «vendi më magjepsës që mund të të shohë syri». I quajtur me dashuri ‘Ishulli’ nga më shumë se 130.000 banorët e tij, ishulli Princ Eduard shquhet për plazhet e virgjëra, për patatet që rriten në tokën e kuqe pjellore dhe për karavidhet që kapen përgjatë brigjeve të tij. Më shumë se një shekull më vonë, pasi u bë një nga zotërimet e Kanadasë në vitin 1873, ai vendosi një lidhje të qëndrueshme me kontinentin, dhe kjo lidhje ishte një urë e veçantë, Ura e Konfederatës. Çfarë ndikimi pati kjo urë tek ishulli dhe te banorët e tij?
Ajo që e ndan ishullin Princi Eduard nga kontinenti është vetëm një rrip relativisht i ngushtë uji, që në pikën më të ngushtë dhe më të cekët është vetëm nja 13 kilometra i gjerë. Megjithatë, ngushtica e Northambërlendit 300 kilometra e gjatë ka bërë që banorët e ishullit të ndihen si të veçuar dhe të veçantë. Ata e vlerësojnë vërtet historinë, traditat bujqësore dhe qetësinë e ishullit që ngjan si një kopsht.
Izolimi mori fund në nëntor të vitit 1996, kur u vendos pjesa e fundit e Urës së Konfederatës. Zyrtarisht ura u përurua më 31 maj të vitit 1997. Që atëherë banorët e ishullit dhe vizitorët mund ta kalojnë ngushticën me makinë për rreth 12 minuta dhe mund të kenë hyrje-dalje nga ishulli gjatë gjithë vitit.
Por çfarë i tërheq njerëzit te ky ishull i izoluar? Për shumë
persona përgjigjja e kësaj pyetjeje gjendet te një libër me titullin Ana flokëkuqja. Po, autorja e këtij libri të famshëm, Lusi Mod Montgomeri (1874-1942), ishte nga Kavëndishi, ku ndodhet ende shtëpia e saj. Çdo verë më shumë se 200.000 turistë dynden për ta vizituar këtë vend.Çfarë e bën të veçantë këtë urë?
Në botë ka shumë ura mbresëlënëse që janë mrekulli e kohëve tona për nga ana arkitekturore. Po pse shihet si diçka e veçantë kjo urë? Nuk është aspak ura më e gjatë në botë, por thuhet që në dimër ajo është «ura më e gjatë mbi një sipërfaqe ujore të akullt».
Gati përherë, gjatë pesë muajve të dimrit, ngushtica e Northambërlendit mbulohet me akull, prandaj ura është projektuar për të përballuar këto kushte të vështira të motit. Pikënisja e saj në kontinent është në ishullin e Xhurimejnit, Nju-Brunsuik. Pastaj shtrihet përgjatë ngushticës dhe përfundon në bregun e rrethuar me shkëmbinj ranorë në jugperëndim të ishullit Princ Eduardi, afër fshatit të vogël të Bordenit. A jua ka ënda ta përshkoni me makinë këtë autostradë 11 metra të gjerë e me dy korsi? Mbi urë nuk lejohet të kalosh më këmbë apo me biçikletë, kështu që u morën masat që këmbësorët dhe ata me biçikletë të çohen me mjete të tjera matanë urës. Në atë zonë ku kalojnë anijet, ura arrin 60 metra lartësi që është baraz me një ndërtesë 20 katëshe. Pse kaq e lartë? Kjo bën të mundur kalimin e anijeve oqeanike në mes ngushticës.
Ndërtohet duke pasur kujdes për mjedisin
Një projekt me përmasa të tilla kërkon jo vetëm masa sigurie të ndërlikuara e të hollësishme, por edhe një planifikim të mirë ekologjik për të mbrojtur ekosistemin rrethues. Shumë i rëndësishëm ishte edhe ndikimi që do të kishte ura në pranverë në lëvizjen e akullit përgjatë ngushticës. Grumbullimi i akullit do të sillte shumë pasoja, si për habitatet e gjallesave të detit e të tokës, ashtu edhe për industrinë e peshkimit. Madje në disa vende të posaçme u vendosën edhe materiale të nxjerra nga fundi i oqeanit me shpresën për të krijuar habitate të reja për karavidhet.
Mbrojtëset kundër akullit me formë konike e prej bakri që qëndrojnë në një nivel me ujin në secilën këmbë të urës janë shumë të rëndësishme. (Shih skicën në faqen 18.) Për çfarë shërbejnë? Kur uji e përplas akullin pas konit, akulli ngjitet lart tij derisa thyhet nën peshën e vet. Pastaj e merr rryma me vete dhe rrëshqet anës këmbës së urës. Për të zvogëluar grumbullimin e akullit që kalon në ngushticë, këmbët e urës janë fiksuar në shtratin shkëmbor të ngushticës 250 metra larg nga njëra-tjetra.
Vështirësitë e montimit të urës
Madhësia e pjesëve të urës është e jashtëzakonshme. Katër pjesët kryesore të saj janë: (1) bazamenti i këmbëve të urës që fiksohet në një themel të fortë në shtratin e ngushticës dhe që ngrihet deri në sipërfaqen e ujit, (2) shtylla e këmbës së urës që është e lidhur me bazamentin e këmbës së urës, (3) trau kryesor që qëndron sipër shtyllës dhe (4) pjesët ndërmjetëse që bashkojnë trarët kryesorë. (Shih skicën e mësipërme.) Në ndërtimin e saj punuan më shumë se 6.000 punëtorë dhe më se 80 për qind e punës u bë në breg, në «një kantier të madh pune prej 60 hektarësh». Pjesë të veçuara transportoheshin nga kantieri tokësor për në det, ku edhe montoheshin.
Nga fillimi në fund trarët janë 192 metra. Ju mund të pyesni: ‘Po si mund të transportohet diçka kaq e madhe?’ Me anë të një transportuesi të posaçëm. Kur e sheh në punë e sipër, të jep përshtypjen e një milingone që mbart një peshë shumë herë me të madhe. Dhe të mendosh që të mbash një tra prej 7.500 tonësh është goxha peshë. Kur transportuesi lëvizte mbi një shinë çeliku, shpejtësia e tij ishte tepër e vogël, vetëm tre metra në minutë. Me këtë shpejtësi edhe breshka do t’ia kalonte! S’është çudi që të dy transportuesve që u përdorën iu vunë nofkat Breshka dhe Karavidhja.
Meqë këto «milingona» nuk ishin amfibë që notonin edhe në ujë, u përdor një vinç lundrues me shtresë të dyfishtë, 102 metra i gjatë. Një gazetar e përshkruante si «një gjë mjaft të shëmtuar, me një qafë të stërgjatur dhe këmbë vigane», por «me hijeshinë e një mjellme». Qëllimi fillestar i krijimit të tij në vitin 1990 ishte ndërtimi i urës midis ishujve danezë të Fynenit dhe Zelandës, kështu që ky mjet lundrues u riparua dhe e sollën nga Dynkerku i Francës. Për çudi, ky vinç për peshat e rënda «mund të ngrejë një peshë të barabartë me 30 aeroplanë Boing 737 dhe mund të punojë në mes të oqeanit me saktësinë e një kirurgu». E drejtuar me anë të një sistemi satelitor që përcakton vendndodhjen në glob,
i montoi trarët kryesorë dhe gjithë pjesët e tjera me një saktësi që luhatej te dy centimetra e më pak.—Shih figurën në faqen 18.Çfarë ndikimi ka pasur tek ishulli?
Ura e re është një simbol i përparimit. Por, disa mendojnë se disa pyetje në lidhje me të ardhmen ngelen pezull. Edhe tani, shtatë vjet pas përurimit të saj, është shumë shpejt për të parashikuar se si do të ndikojë në përgjithësi ura, sidomos te mjedisi. Në vitin 2002 një studiues i karavidheve njoftoi se ura nuk dukej se kishte ndikuar te popullata e karavidheve. Gjithashtu, shtoi: «Pesë vitet e fundit kanë qenë më të mbarat për gaforren e shkëmbit.» Po te turizmi si ka ndikuar?
Një artikull raporton se gjatë kohëve të fundit, turizmi ka pasur «një rritje të ndjeshme prej 61 për qind». Dihet që shumica e turistëve vijnë gjatë verës. Plus kësaj, nga viti 1996 deri në vitin 2001, eksporti pothuajse është dyfishuar. Edhe vendet e punës u shtuan. Pasoja negative pati për ata që punonin me tragetet e mëparshme, sepse të ardhurat e tyre kanë rënë mjaft. Ndërsa disa ankohen për taksën e lartë që paguhet për urën. Por, siç do të shpreheshin disa në këto raste, përparimi ka çmimin e vet.
Po tani që kalohet më me lehtësi nga njëra anë në tjetrën, a është po aq tërheqës ishulli? Disa që vijnë «nga larg» për të shijuar qetësinë e ishullit nuk e dinë a do të gjejnë ende një vend larg jetës së tensionuar të kontinentit në peizazhin e virgjër dhe në dunat e rërës së Abeguitit që në gjuhën e vendësve mikmakë do të thotë «djepi mbi valë».
Është e vërtetë që Ura e Konfederatës është një arritje mjaft mbresëlënëse. Po shoferët, a ndihen zakonisht të përgjumur në timon gjatë kësaj rruge të shkurtër mbi urë? Aspak. Ura në formë S-je të stërgjatur i ndihmon të qëndrojnë të përqendruar për të shijuar rrugën. Ndoshta kjo urë do t’ju nxitë më tepër që, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo libri Ana flokëkuqja, ta vizitoni këtë «Kopsht të gjirit» dhe të shijoni jetesën e tij akoma të qetë.
[Kutia dhe figura në faqen 19]
Vështirësitë e udhëtimit gjatë dimrit
Banorët e hershëm evropianë që u vendosën në ishullin Princi Eduard shpejt kuptuan që çdo vit për pesë muaj rresht blloqet e akujve lundrues i mbanin të veçuar nga kontinenti. Ishte tepër e vështirë të kaloje blloqet e akullit lundrues që ndryshonin vazhdimisht dhe që shpesh bëheshin grumbull nga erërat e stuhishme. Sigurisht që kjo përvojë nuk ishte për ata me zemër të dobët. Përpjekja e parë që bënë banorët e ardhur për ta kaluar ngushticën në dimër ishte në vitin 1775. Ata përdorën kanoe të pajisura me ski slitash prej druri, ashtu siç bënin edhe banorët vendës mikmakë. Që nga ai moment, posta dhe udhëtarët e kalonin gati rregullisht ngushticën gjatë dimrit, edhe pse, siç thotë libri Arteria kryesore—Historia e trageteve të Atlantikut dhe e varkave bregdetare (anglisht), «ishin të rralla rastet kur udhëtarët me padurim mbanin radhë për të bërë një udhëtim të rrezikshëm me këto varka akulli». F. H. Mak-Artur, në librin e tij Mbrojtësi detar dhe Lindja e zhurmshme pohon: «Për të kaluar, gratë duhej të paguanin dyfishin e çmimit, pasi prej tyre nuk pritej që të bënin ndonjë punë fizike. Burrat që udhëtonin, lidheshin pas varkës me rripa lëkure, të cilët shërbenin edhe për të tërhequr varkën, edhe për t’i ruajtur [burrat] nga mbytja, në rast se aksidentalisht do të binin në ujë. Varkat ishin rreth pesë metra të gjata dhe një metër të gjera dhe harkun e përparmë e kishin të kthyer tamam si skitë e një slite. Pjesa e jashtme e varkës ishte e veshur me kallaj të rëndë.» Rruga e fundit e këtyre varkave mendohet të ketë qenë më 28 prill 1917, pasi pas kësaj qeveria mori një anije akullthyese që mund të lundronte përmes akullit po aq rregullisht dhe shumë më mirë sesa varkat e akullit.
[Figura]
Varkat e akullit kalonin ngushticën e Northambërlendit deri në vitin 1917
[Burimi]
Public Archives and Records Office of Prince Edward Island, Accession No. 2301-273
[Diagrami në faqen 18]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
3 Trau kryesor 4 Pjesët ndërmjetëse
2 Shtylla e këmbës së urës
Mbrojtëse kundër akullit
1 Bazamenti i këmbëve të urës
[Harta në faqen 16]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Ishulli Princi Eduard
[Figurat në faqen 17]
Ishulli Princi Eduard tërheq qindra mijë turistë çdo vit
[Figura në faqen 18]
Vinçi «HLV Svanen» duke vendosur një tra kryesor mbi një këmbë ure
[Burimi]
Fotografi me mirësjelljen e Public Works & Government Services Canada dhe Boily Photo of Summerside
[Figurat në faqet 18, 19]
Lartësia e urës në qendër është rreth 60 metra që të kalojnë anijet
[Burimi i figurës në faqen 17]
Tourism Prince Edward Island/John Sylvester