Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Shkrirja e akullnajave hap terren për arkeologjinë

Sipas revistës gjermane Der Spiegel, kur akullnajat shkrijnë, në vendet që zinin ato, dalin shumë rrënoja ose eshtra që janë me mjaft interes për historianët. Më 1999, në Malet Shkëmbore në Kanada, nga zvogëlimi i një akullnaje u zbuluan eshtrat e një burri indian që kishte vdekur para 550 vjetësh. Megjithatë shumica e zbulimeve janë bërë në Alpe. Për shembull, kohët e fundit gjetën kufomën e një burri, për të cilin shumë veta mendonin se, në vitin 1949, kishte braktisur të dashurën dhe fëmijën e tij paligjshëm, që ishin në gjendje të vështirë. Në të vërtetë ai kishte rënë në një të çarë të thellë dhe në çantë kishte unazat e fejesës. Sipas Haralt Shtadlerit, shefit të departamentit të arkeologjisë akullnajore në Universitetin e Insbrukut në Austri, ëndrra e historianit është të zbulojë gjëra që kanë lidhje me Hanibalin, komandantin e famshëm kartagjenas, i cili i kaloi Alpet me 37 elefantë. «Një kockë elefanti do të bënte bujë»,​—tha ai.

Adoleshentë bixhozçinj

Gazeta National Post e Torontos thotë se sipas Qendrës Ndërkombëtare për Bixhozin te të Rinjtë, pranë Universitetit të Mekgillit, «më shumë se gjysma e adoleshentëve kanadezë në moshën 12 deri në 17 vjeç mendohet se merren për qejf me bixhoz, 10% deri në 15% rrezikojnë që bixhozi t’u bëhet ves, 4% deri në 6% janë ‘bixhozçinj të sëmurë’». Shpesh bixhozi fillon t’i tërheqë njerëzit që në fëmijërinë e hershme, kur fëmijëve u dhurojnë ndonjëherë bileta lotarie ose vënë baste nëpërmjet Internetit. Studiuesit thonë se për pasojë, sot adoleshentët kanadezë që merren me bixhoz, janë më shumë se ata që përfshihen në çdo zakon tjetër që të bën të varur, si për shembull duhani ose droga. Mësuesit shpresojnë se programet e ndërmarra në shkollat e mesme kanadeze për parandalimin e bixhozit tek adoleshentët do të kenë sukses për ta mbajtur nën kontroll këtë problem.

Franca vuajti nga vapa

Gjatë 12 ditëve të para të gushtit të 2003-shit, temperaturat në Francë arritën një rekord të paparë. Që nga viti 1873, kur filloi regjistrimi i temperaturave, Parisi nuk kishte kaluar kurrë një verë kaq të nxehtë. «Sipas [shërbimit meteorologjik francez], kjo valë të nxehti ia kaloi për nga intensiteti dhe kohëzgjatja çdo periudhe tjetër të nxehtë që kishte provuar ky vend»,​—thotë revista për natyrën Terre sauvage. Vetëm në dy muaj, një akullnajë në malet Pirenej, në pjesën jugore të kufirit francez, u tkurr gati 50 metra. «Për 150 vjet, sipërfaqja e përgjithshme e akullnajave në Pirenej, nga 25-30 kilometra katrorë ka arritur në 5 kilometra katrorë»,​—tha Pier Rëne, studiues i akullnajave. A është kjo një provë e ngrohjes globale? Specialistët nuk janë të të njëjtit mendim. Megjithatë, disa meteorologë mendojnë se ka të ngjarë që periudhat e nxehta të përsëriten më shpesh në vitet e ardhshme. Kjo është diçka për t’u shqetësuar, po të marrim parasysh se për shkak të të nxehtit të tmerrshëm, gjatë verës së kaluar në Francë vdiqën gati 15.000 veta.

Depresioni te meshkujt

«Një nga gjërat më të trishtueshme për depresionin është koncepti jetëgjatë, por pa baza, se depresioni është kryesisht një ‘çrregullim i femrave’, nga i cili ‘burrat e vërtetë’ janë gjenetikisht të mbrojtur,​—thuhet në gazetën The Star të Johanesburgut.​—Specialistët thonë se depresioni mbetet i fshehur te burrat, sepse burrat shkojnë te mjeku më rrallë se gratë dhe kanë më pak mundësi të flasin për problemet e tyre», si dhe janë më pak të aftë «të shprehen e të tregojnë si ndihen kur vuajnë emocionalisht». Për këtë arsye mjekët njohin më mirë shenjat e zakonshme të depresionit te gratë. «Te gratë,​—shpjegon revista JAMA,​—shenjat e depresionit ndryshojnë dukshëm nga shenjat e kësaj sëmundjeje te burrat.» Cilat janë disa shenja tipike të depresionit te burrat? Zemërim, rraskapitje, nervozizëm, agresivitet, rënie e rendimentit në punë dhe një prirje për t’u veçuar nga të afërmit e nga miqtë. «Trishtimi,​—shton një botim afrikano-jugor i Reader’s Digest,​—nuk e shoqëron gjithnjë depresionin, sidomos te burrat.»

Priftërinjtë katolikë dhe njohuria biblike

«A e njohin mirë Biblën priftërinjtë?» Këtë pyetje e ngriti Andrea Fontana, që është edhe vetë prift dhe drejtor i Zyrës për Katekizëm në Dioqezën e Torinos. Në një artikull për gazetën katolike italiane Avvenire, Fontana tha se kjo pyetje i lindi kur «një njeri i thjeshtë iu afrua [atij] dhe e pyeti nëse dioqeza kishte hapur ndonjë kurs për të studiuar Biblën». Në famullinë e atij burri, «Shkrimet e Shenjta nuk përmendeshin kurrë». Si përgjigje, Fontana shkroi: «Ç’është e vërteta, pasi [priftërinjtë] përfundojnë kurset në seminare, pak prej tyre, mjerisht, vazhdojnë të studiojnë Biblën. . . . Shpesh predikimi i së dielës është i vetmi çast, kur shumë nga besimtarët kanë mundësi të dëgjojnë diçka nga fjalët e Biblës dhe të njihen me të.» Ky burrë i kishte thënë se «ai vetë shoqërohej me Dëshmitarët e Jehovait për të mësuar më shumë».

Probleme si pasojë e dhjamosjes

Në Amerikë, njerëzit që vuajnë nga dhjamosja po shtohen. Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, numri i të rriturve që vuajnë nga dhjamosja në Shtetet e Bashkuara është rritur nga 12,5 për qind e popullsisë në vitin 1991 në 20 për qind në vitin 2003. Kjo rritje ka ndikuar në disa biznese. «Ashtu si industria e linjave ajrore, e cila në maj [2003] u paralajmërua se pasagjerët ishin më të rëndë se dikur dhe iu kërkua të përshtaste peshën totale të pasagjerëve, po kështu edhe industria e funeraleve po riorganizohet që të përshtatet me përmasat gjithnjë e më të mëdha trupore të amerikanëve»,​—thotë The New York Times. Ndërkohë që standardi për arkivolin është 61 centimetra i gjerë, tani arkivolet po bëhen afro 124 centimetra të gjerë dhe po përforcohen siç duhet. U desh të zmadhoheshin «dhomat e nëndheshme të varrimit, varret, makinat e varrimit, e madje edhe madhësia standarde e kovës së ekskavatorëve që përdorin varrezat për të hapur varret». «Njerëzit po bëhen më trupmëdhenj, dhe kështu kur vdesin janë më trupmëdhenj, prandaj industritë duhet të përshtaten me këtë gjendje»,​—thotë Alen Stedami, drejtor ekzekutiv i një agjencie për mbrojtjen e të drejtave të atyre që vuajnë nga dhjamosja.

«Deti i Vdekur po vdes»

«Deti i Vdekur po vdes dhe vetëm një ndërhyrje e fortë inxhinierike mund ta shpëtojë»,​—thuhet në një njoftim të Associated Press. Deti i Vdekur, i quajtur kështu sepse përmbajtja e lartë e kripës e bën të pamundur që aty të ketë krijesa, përbën hapësirën ujore në nivelin më të ulët në tokë, 400 metra nën nivelin e detit. «Për mijëra vjet, ekuilibri [ndërmjet avullimit të madh dhe prurjes së ujit] mbahej në sajë të burimit të vetëm furnizues të Detit të Vdekur, lumit Jordan,​—thotë artikulli.​—Por dhjetëvjeçarët e fundit, si Izraeli, ashtu edhe Jordania kanë marrë ujë nga lumi për të ujitur sipërfaqet e mëdha me toka bujqësore përgjatë lumit të ngushtë që ndan dy vendet, duke i marrë kështu Detit të Vdekur ujin që i duhet për të zëvendësuar sasinë që avullon.» Sipas një studimi të bërë nga izraelitët, nëse nuk merren masa, niveli i ujit do të vazhdojë të bjerë afro një metër çdo vit, dhe kjo do të sjellë pasoja shkatërrimtare për tokën përreth, përfshirë edhe botën shtazore dhe bimësinë. Gjendjen e mjeruar të Detit të Vdekur, tashmë po e rëndon më shumë thatësira që po vazhdon që prej pesë vjetësh.