Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Duke cimbisur në mes të gjembave

Duke cimbisur në mes të gjembave

Duke cimbisur në mes të gjembave

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AFRIKËN E JUGUT

EJANI të bëjmë një vizitë në Afrikën e Jugut, në një zonë që quhet Noursfelld. Kjo zonë me reshje të pakta quhet kështu për shkak të llojeve të bimësisë së njomë gjembore që gjenden me shumicë atje, e që quhen nours, të cilat i përkasin familjes qumështore euphorbiaceae. Siç shihet edhe në figurën e mëposhtme, bujqit në këtë zonë rritin bagëti të tilla, si dhitë angora, që vlerësohen për leshin e tyre të bardhë sipas së cilës merr emrin leshi angora. Ai përpunohet për të bërë cohë të mirë e të fortë dhe përdoret për shumë gjëra duke filluar nga veshjet e modës e deri te tapetet. Por, si mbijetojnë këto kafshë në një zonë ku shpesh bën thatësirë?

Grumbujt e kërcejve të shkurreve gjembore, në mes të të cilëve po ecin dhitë që shihni në figurë, janë thelbësore për mbijetesën e tyre. Kjo shkurre e veçantë gjembore, Euphorbia coerulescens, siguron mbi 40 për qind të ushqimit dimëror të dhive. Megjithatë, dhitë duhet të tregojnë kujdes ndërsa cimbisin në mes të gjembave të këqinj. Ato e kanë më të lehtë t’i hanë, kur mësojnë t’i largojnë gjembat mënjanë me anë të brirëve.

Pas shirave të bollshëm, dhitë hanë barin që rritet anës grumbujve të shkurreve gjembore. Por kjo është shumë e rrezikshme. Në librin e tij për Noursfelldin, bujku Jurgen Këri shkruan: «Nëse një dhi angora me kaçurrelat e saj të bukura rrezikon të cimbisë bimët që rriten poshtë dhe në mes të këtyre shkurreve, ajo mund të ngecë në mes të gjembave, si në çark.» Kjo mund t’i rrezikojë edhe jetën. «Nëse dielli i verës arrin kulmin e nxehtësisë, këto dhi rezistojnë maksimumi dy orë»,​—shpjegon bujku nga Nourfelldi.

Herë pas here në Noursfelld ndodhin thatësira të papërballueshme. Në këto periudha këto shkurre janë jetëshpëtuese. Duke përdorur kositëse bari, bujqit futen në fusha dhe i copëtojnë shkurret gjembore. Kur janë të copëtuara nuk janë më të rrezikshme për dhitë, dhe kështu e kanë më të lehtë për t’i ngrënë. Edhe kafshët e egra mblidhen për të shijuar këto shkurre. «Gjatë thatësirave,​—shpjegon Këri.​—Antilopat e mëdha [kudu] me gëzim përfitojnë nga këto mundësi jetëshpëtuese. Shpesh i sheh anës rrugës te pjesët ku shkurret janë copëtuar. Nevoja për të ngrënë e mposht frikën nga njeriu.»

Megjithëse më i vogël, një lloj tjetër gjembaçi, Euphorbia ferox, ka kaq shumë gjemba të këqinj saqë shumica e kafshëve nuk arrijnë t’i hanë kërcejtë e ngrënshëm. Edhe këto shkurre janë jetëshpëtuese për kafshët sepse mund t’i rezistojnë thatësirës. Kur nuk bie shi, bujqit dhe punëtorët e tyre shkojnë nga njëra shkurre në tjetrën duke djegur gjembat me pipë saldimi ose me mjete të tjera. Është një punë që të këput kurrizin. Libri Bimët e Savanës së Afrikës Jugore (anglisht), shpjegon: «Sapo digjen gjembat, bagëtitë turren për të ngrënë kërcejtë. . . . Gazela kërcimtare [një lloj antilope afrikano-jugore], mëson shpejt t’i hajë ‘gjembaçët e djegur’ dhe gjatë kullotjes zbuten jashtë mase . . . duke iu afruar shumë personit që djeg gjembat.»

Kur sheh dhitë duke kullotur në mes të shkurreve gjembore, është e natyrshme të mahnitesh me llojet e shumta që Jehovai ka krijuar. Megjithëse shkurret gjembore duken të egra dhe të rrezikshme për jetën, ato janë jetëshpëtuese për shumë kafshë që jetojnë në këto zona ku shpesh bën thatësirë.

[Figura në faqen 24]

Kjo shkurre gjembore siguron 40 për qind të ushqimit dimëror të dhive

[Figurat në faqen 25]

Shkurre të lulëzuara gjembore dhe një pamje nga afër e gjembave të rrezikshëm