Fruta ekzotike nga Amazona
Fruta ekzotike nga Amazona
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRAZIL
ASAI, BAKURI DHE KUPUASUJA. A e dini kuptimin e këtyre fjalëve? Nëse jetoni në Brazil, ndoshta po. Këto janë emrat e tri frutave ekzotike që rriten në zonën e Amazonës. Brazilianëve u pëlqen më shumë shija e këtyre frutave në ëmbëlsirat e ngrira. Por përdoren edhe në mënyra të tjera. Po, le të mësojmë më shumë për këto fruta të famshme të xhunglës!
Asai me vlera ushqyese
Pema e asait (Euterpe oleracea), një palmë tropikale e hollë, rritet në vendet e lagështa dhe në moçale, sidomos në buzë të grykëderdhjes së lumenjve të Amazonës dhe të Tokantinsit në shtetin e Parait. Përgjatë bregut Atlantik të Brazilit, ajo rritet nga shteti i Parait e deri në Salvador. Kur jeni në territorin e asait ka të ngjarë që këmbët t’i keni në ujë dhe ballin mbuluar në djersë. Trungu i hollë, por i fortë i palmës së asait, ngrihet deri në 23 metra lartësi dhe përfundon me një kurorë gjethesh në majë.
Nga gushti e deri në dhjetor, palma mban nga 6 deri në 8 vile asai. Secila nga këto vile ka nga 700 deri në 900 kokrra sa një qershi. Po si e zbresin që andej? Ai që ngjitet thur fibrat e pemëve më të shkurtra të asait dhe i bën rripa. Pastaj me ndihmën
e rripit që ka te këmbët ngjitet duke i ngjeshur pas trungut. Pasi i ka siguruar mirë këmbët pas trungut i vë duart më lart sesa koka dhe fillon të kacavaret me trup duke i vënë këmbët lart e më lart derisa arrin në majë. Kur arrin në majë, këput një vile. E hedh nga lart? Jo, se do të prishej. Ashtu siç hipën edhe zbret, vetëm se në zbritje duhet të mbajë ekuilibrin me frutin në dorë.Si përgatitet asai? Eduardo, një i ri nga Parai, shpjegon: «Mamaja e fuste frutin e asait në një enë me ujë të ngrohtë. Pastaj e trazonte derisa lëkura dhe shtresa e tultë ngjyrë mavi veçohej nga farat e mëdha.» Kjo frutë ka shumë kalori dhe është e pasur në hekur, kalcium, fosfor, kalium, vitaminë B1 dhe B2. Nuk është çudi që asai kërkohet nga atletët për të marrë fuqi dhe nga nënat si ushqim për fëmijët. Shumë brazilianëve u pëlqen ta pinë asain të përzier me ujë, sheqer dhe niseshte maniokësh. Eduardos i pëlqen kur përdoret si erëz me karkaleca deti të tharë dhe me maniokë. Asain mund ta shtypësh në ujë të nxehtë e ta kalosh në sitë për të nxjerrë një lëng të trashë aromatik që pihet si lëng frutash. Por asain mund ta përgatitësh edhe në mënyra të tjera.
Palma e asait ka edhe përdorime të tjera. Palmitu ose sythat e ngrënshëm të palmës, një substancë e butë, e bardhë që gjendet në sythat e pemës ka një shije që pëlqehet dhe përdoret në sallata. Me rrënjët bëhen barna mjekësore kundër parazitëve, ndërsa fibrat e trungut përdoren për të bërë fshesa. Gjethet përdoren si ushqim për kafshët ose për të prodhuar letër, ndërsa trungu është më se i përshtatshëm për t’u përdorur në ndërtim.
Bakuri dhe Kupuasu
Bakuri (Platonia insignis) është një pemë dekorative rreth 20 deri në 30 metra e lartë. Kurora e pemës ka formën e një koni me kokë poshtë. Fruta e saj me lëkurë të trashë ngjyrë limoni, ka madhësinë e një portokalli me formë vezake. Pjesa e tultë plot lëng që mbështjell farat ka ngjyrë të bardhë, shije majhoshe dhe mban erë të mirë. Tuli i lëngshëm është plot fosfor, hekur dhe vitaminë C. Brazilianët e përziejnë bakurin me shurup, prevede, komposto dhe pije. Farat vajore të kuqërreme nuk hidhen poshtë, por përdoren për kurimin e disa sëmundjeve të lëkurës. Druri i verdhë i pemës së bakurit përdoret si lëndë druri në ndërtim.
Kupuasuja (Theobroma grandiflorum) është një pjesëtare tjetër e familjes në të cilën bën pjesë edhe një bimë tjetër më e dëgjuar, bima e kakaos (Theobroma cacao). Yndyra në farat e kupuasusë është njësoj si yndyra e gjalpit të kakaos
që përdoret për të bërë çokollatën. Edhe pse kupuasuja rritet në vende të nxehta dhe të lagështa përgjatë pellgut të Amazonës, ajo kultivohet në të gjithë Brazilin. Pema është përshtatur mirë, sidomos në shtetin bregdetar të Espirito-Santos.Në fillim pema e kupuasusë zhvillon një lëvore ngjyrë gështenjë që është mjaft e fortë për lëndë druri. Pastaj, në vitin e tetë të saj, pema lidh lulet dhe frutat. Nga degët e saj të gjata të mbuluara me gjethe në ngjyrë ndryshku, varen frutat e saj pushatore në ngjyrë kafe dhe në formë vezake. Çdo kokërr peshon nga një kilogram deri në një kilogram e gjysmë. Në fillim mund të mbyllësh hundët nga kutërbimi i saj. Por tuli i saj i bardhë, me aromë ekzotike dhe shije të thartë është shumë i mirë për të bërë akullore me lëng frutash dhe ëmbëlsira të tjera.
Nëse viziton ndonjëherë Brazilin, provoji shijet e shumta të frutave të tij unike. Dyqanet e akulloreve në qytetet më të mëdha të Brazilit po i shtojnë gjithnjë e më shumë shijet tropikale në listën e tyre. Është e vërtetë se mund t’ju ngatërrohet gjuha kur të porositni akullore me emra të tillë, si: jaka, umbu, biriba, buriti, mangaba, murisi, sapoti, kajarana, graviola, marakuja ose jabutikaba. Por, për nga shija, janë për t’i mbajtur në gojë.
[Figura në faqen 15]
«Asai»
[Burimi]
André Valentim/Tyba/BrazilPhotos
[Figura në faqen 15]
Një mbledhës «asai» duke u ngjitur në pemë
[Burimi]
Lena Trindade/BrazilPhotos
[Figurat në faqen 16]
«Bakuri» dhe pema e tij në të majtë
[Burimi]
Fruta e Bakurit: Geyson Magno/Ag. Lumiar
[Figura në faqen 17]
«Kupuasu»
[Figurat në faqen 17]
Akullore e shijshme «kupuasu» dhe pema e saj në sfond
[Burimi]
Sfondi: Silvestre Silva/Reflexo