Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Retë dhe elefantët

Sa peshon një re? ABC News raporton se një grumbull resh mund të mbajë rreth 550 tonë ujë. «Ose, nëse doni ta krahasoni me diçka që kuptohet më lehtë, . . . përfytyroni elefantët»,​—thotë meteorologia Pegi lë Mon. Po të supozojmë se një elefant peshon rreth gjashtë tonë, atëherë uji që ndodhet vetëm në një grumbull të zakonshëm resh peshon sa 100 elefantë. I gjithë ky ujë është në formën e piklave të vogla që qëndrojnë pezull mbi ajrin e ngrohtë që vjen nga toka. Ndryshe nga një grumbull resh shtëllungore, një re e madhe stuhie mund të mbajë një sasi uji që peshon sa 200.000 elefantë. Po një re uragani? Lë Moni llogariti peshën e ujit që mban një re uragani në një metër kub dhe këtë shifër e shumëzoi me të gjithë vëllimin e resë. Rezultati? Një peshë e barabartë me dyzetë milionë elefantë. Artikulli shton: «Kjo do të thotë që uji në një re uragani peshon më shumë se gjithë elefantët e planetit, e madje ndoshta më shumë se gjithë elefantët që kanë jetuar ndonjëherë.»

Kur duhen larë dhëmbët?

Gazeta e Meksikos Milenio thotë se po t’i lash dhëmbët menjëherë pasi ke pirë apo ke ngrënë ushqime me përqindje acidi mund të të dëmtohet smalti i dhëmbëve. Duke raportuar për një studim të bërë nga Universiteti i Getingenit në Gjermani, gazeta paralajmëron se ushqimet me përqindje acidi «dobësojnë përkohësisht smaltin e dhëmbëve». Kështu që larja e dhëmbëve menjëherë pas ngrënies mund të jetë e dëmshme. Në vend të kësaj «këshillohet që të presim disa minuta në mënyrë që dhëmbët të forcohen sërish».

Zbulohen lloje të reja pas shkatërrimit të habitatit

Gazeta Daily Journal e Karakasit raporton se kur në ishullin e pabanuar të Karrisalit, në lumin Karoni të Venezuelës, u prenë të gjithë drurët për të ndërtuar një digë të re, u zbulua një zog që më parë nuk njihej. Ndër zogjtë që u morën për studim para se të priteshin drurët u zbulua më pas edhe një zog trupvogël me cirka blu i familjes së harabelit. Ai jetonte në pyjet me bambu të ishullit të vogël, të cilat ishin aq të dendura sa ishin të papërshkueshme. Natyralistët shpresojnë që në habitatet aty pranë të gjejnë pjesëtarë të tjerë të këtij lloji të sapozbuluar. Studiuesi Robin Restoll thotë se «zbulimit të këtij zogu të Karrisalit . . . i bie vlera kur mendojmë që tani i shkatërruam vendin ku fshihej nga ne prej shumë kohësh».

Mbajeni të pastër vendin ku prisni ushqimet!

Cila është më higjienike, një dërrasë apo një pjesë plastike? UC Berkeley Wellness Letter thotë: «Të dyja janë të mira për sa kohë i mbani të pastra. Pavarësisht nëse e përdorni prej druri apo plastike, e rëndësishme është që, pasi të keni prerë mishin e pagatuar ta fërkoni mirë me ujë të nxehtë dhe ilaç enësh.» Nëse dërrasa ka shenja të thella thike ose mban yndyrën, kushtoji më tepër vëmendje për ta pastruar mirë. Wellness Letter vazhdon: «Mund ta dezinfektoni edhe duke e shpëlarë me klor të holluar (1 lugë çaji klor në 1 litër ujë).» Po ashtu edhe duart e thikat duhen pastruar mirë dhe tharë.

Parashkollorët dhe kompjuteri

Disa studiues thonë se «përdorimi i kompjuterëve për një kohë të gjatë në vend të lojërave të dikurshme» nuk është dobiprurës për fëmijët parashkollorë. Kjo «mund t’i bëjë më të mbyllur, mund t’u shkaktojë probleme me përqendrimin, humbje të aftësive krijuese e madje depresion dhe ankth»,​—raporton gazeta Vancouver Sun. Psikologia Sharna Olfman pohon se kompjuteri e transformon botën e një fëmije «nga një botë e vërtetë tri dimensionale, ku fitojnë përvojë, në një realitet që ekziston vetëm në një ekran dy dimensional». Studiuesit theksojnë se është e rëndësishme që prindërit të zhvillojnë me fëmijët «lojëra që nxitin imagjinatën» për t’u mësuar «fjalë, ngjyra, forma, numra, sjelljen e mirë dhe për të marrë njohuri praktike». Psikologia Xhein Hili thotë se lojërat si ato që bëheshin dikur janë të rëndësishme sidomos shtatë vitet e para të fëmijërisë. Këto lojëra mund t’i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë përqendrimin, ndërsa lojërat me kompjuter mund të kenë efekt të kundërt.

Televizori​—«Drogë e fortë»

«Fëmijët që shohin më shumë se dy orë televizor në ditë nuk janë shumë mirë në mësime»,​—thotë gazeta spanjolle La Vanguardia. Edhe pse pediatri Franthisko Munjos beson se televizori mund të jetë një mjet arsimimi shumë i efektshëm, ai nxjerr në pah edhe anët negative të televizorit. Munjosi beson se notat e ulëta të atyre që shohin shumë televizor janë pasojë e «një pjekurie të vonuar dhe e një moszhvillimi të mirë të të menduarit abstrakt». Gjithashtu ai komenton: «Ekziston një lidhje e qartë mes shikimit të disa programeve, reklamave dhe videoklipeve muzikore dhe faktit që adoleshentët konsumojnë alkool, duhan dhe drogë.» Edhe pse duhet pranuar që jo të gjithë të rinjtë do të imitojnë sjelljen e keqe që shohin në televizor, psikiatri i fëmijëve, Paulino Kastelsi, e ka quajtur televizorin një «drogë të fortë» për shkak të «ndikimit shkatërrues që ka te mendjet e brishta».

Klasa të zhurmshme

Revista gjermane Der Spiegel raporton se kumbimi i zërit dhe zhurmat ua bëjnë të vështirë dëgjimin nxënësve në klasë. «Sa më të vështirë ta kenë fëmijët të kuptojnë, aq më pak do të mbajnë mend»,​—thotë psikologia Maria Klate. Në disa shkolla, në Gjermani, studiuesit vërejtën që intensiteti i zërit arrinte në 70 deri 90 decibel. Studiuesi i zhurmave, Gerhart Tisleri, shpjegon: «Në vendet e punës ku kërkohet shumë përqendrim, zhurma nuk duhet t’i kalojë 55 decibel. Në industri rekomandohet të përdoren pajisje mbrojtëse nëse ka zhurma që i kalojnë 85 decibel.» Për më tepër, sa më shumë të zgjasë kumbimi i tingullit në një dhomë, qoftë i tingujve që vijnë nga të folurit, nga lëvizja e karriges ose nga kollitja, aq më e vështirë është të përqendrohesh. Tavanet akustike që thithin tingujt ndihmojnë në uljen e zhurmave, dhe si rrjedhojë mësuesit dhe nxënësit mund ta shmangin nervozizmin dhe ngritjen e zërit. Por shumë shkolla nuk kanë mundësi financiare për të ndërtuar një tavan të tillë.

Supermarketet zënë vendin e dyqaneve tradicionale

«Përhapja e shpejtë e supermarketeve në të gjithë Afrikën Lindore dhe Jugore po kërcënon tregjet e vogla, dhe si rrjedhojë edhe ekonominë e bujqve në zonat fshatare»,​—komenton buletini shkencor gjerman wissenschaft-online. Tashmë 200 supermarkete dhe 10 mapo të mëdha zotërojnë 30 për qind të shitjeve me pakicë në Kenia, dhe kjo përqindje është e barabartë me atë të 90.000 dyqaneve të vogla. Sipas Kostas Stamulisit, i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, urbanizimi i shpejtë dhe globalizimi «për Afrikën nënkuptojnë ndryshime shumë më drastike në sistemin tregtar, sesa ato që kemi parë në vendet e zhvilluara». Për të shmangur shkatërrimin ekonomik, ekspertët shpresojnë që të ngrihen kooperativa që bëjnë të mundur shitjen e prodhimeve lokale, si edhe të jepen udhëzime për të ndihmuar bujqit të kapërcejnë këtë periudhë ndryshimesh.