Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të mbroheni nga mashtrimet

Si të mbroheni nga mashtrimet

Si të mbroheni nga mashtrimet

NË DISA vende ka një shprehje: «Njeriut të ndershëm nuk ia hedh dot.» Megjithatë, siç ndodh shpesh, edhe kjo thënie nuk është e vërtetë. Çdo ditë njerëzit e ndershëm bien viktima të mashtrimeve; ndershmëria nuk mjafton për t’i mbrojtur. Disa nga mendjet më të zgjuara të botës po hartojnë dhe po zbatojnë plane që t’ua zhvatin paratë njerëzve. Më shumë se njëqind vjet më parë, një shkrimtar tha: «Disa mashtrime për vjedhje janë të sajuara kaq mirë, saqë do të ishte budallallëk të mos bije në grackë.»

Mashtrimi ka një histori të gjatë, e cila zë fill në kopshtin e Edenit. (Zanafilla 3:1-5) Skemat e vjetra janë në shumë variante dhe po thuren vazhdimisht skema të reja. Pra, si mund të mbroheni ? Nuk ka nevojë të përpiqeni të mësoni të gjitha marifetet që përdorin kriminelët për të mashtruar njerëzit. Disa masa mbrojtëse bazë do t’ju ndihmojnë shumë që të mos bini pre e mashtrimeve.

Ruajini të dhënat personale

Nëse dikush ju vjedh bllokun e çeqeve ose kartat e kreditit, mund t’i shfrytëzojë për të blerë. Po t’ju vjedhë informacione për llogaritë tuaja bankare, mund të urdhërojë dhe të lëshojë çeqe në emrin tuaj. Në rast se merr të dhëna të mjaftueshme për ju si individ, ai mund të hiqet si ju. Pasi ju ka vjedhur identitetin, një kriminel mund të tërheqë para nga llogaria juaj bankare, të shfrytëzojë kartat tuaja të kreditit dhe të marrë hua në emrin tuaj. * Madje ju mund të arrestoheni për ndonjë krim që nuk e keni kryer!

Për t’u mbrojtur nga ky lloj mashtrimi ruajini mirë të gjitha dokumentet personale, përfshirë dokumentet bankare, bllokun e çeqeve, patentën e makinës, kartën e sigurimit shoqëror, kartën e identitetit, pasaportën ose letërnjoftimin. Mos u jepni të tjerëve të dhëna personale ose financiare përveç rasteve kur ka një arsye të fortë që ata duhet t’i dinë këto informacione. Kjo është e rëndësishme sidomos për numrin e kartës së kreditit dhe për të dhënat e llogarive bankare. I vetmi rast që duhet të jepni numrin e kartës së kreditit është kur doni të blini diçka me të.

Disa mashtrues rrëmojnë në plehra për të gjetur të dhëna si këto. Në vend që t’i hidhni dokumentet që përmbajnë të dhëna personale do të ishte e mençur t’i digjnit ose t’i grisnit. Këtu përfshihen çeqet e përdorura, dokumentet e ndërmjetësimit tregtar dhe ato bankare, kartat e vjetra të kreditit, patenta dhe pasaporta që u ka skaduar afati. Gjithashtu është mirë të shkatërroni formularët që vijnë me postë si ofertë për të blerë karta krediti. Këta formularë përmbajnë të dhëna personale që dikush tjetër mund t’i shfrytëzojë për keq.

Përdorni gjykim të shëndoshë

Në thelb të shumë vjedhjeve me mashtrim është premtimi se nga investimi që do të bësh do të nxjerrësh fitime fantastike. Një formë e përhapur mashtrimi për t’u pasuruar shpejt është skema piramidale. Ndonëse ka shumë variante të skemave piramidale, strategjia e zakonshme është që investitorët të tërheqin investitorë të tjerë, dhe për këtë marrin një shpërblim. * Letrat zinxhir funksionojnë në të njëjtën mënyrë, duke ju kërkuar t’u dërgoni para njerëzve në krye të listës. Si shpërblim ju sigurojnë se do të merrni mijëra dollarë kur emri juaj të arrijë në fillim të listës.

Skemat piramidale gjithnjë falimentojnë, sepse është e pamundur të vazhdosh të tërheqësh anëtarë të rinj. Le të bëjmë një llogari matematike. Nëse pesë veta krijojnë një skemë piramidale dhe çdonjëri tërheq pesë të tjerë, numri i anëtarëve bëhet 25. Nëse secili nga këta të 25 tërheq 5 të tjerë, numri arrin 125. Kur numri i njerëzve të regjistruar arrin në nivelin e nëntë do të jenë gati dy milionë njerëz që duhet të tërheqin më shumë se nëntë milionë të tjerë. Hartuesit e skemave piramidale e dinë mirë se kur arrin pika e ngopjes. Kur shohin se ajo po afrohet, marrin paratë dhe zhduken. Ka shumë mundësi që t’i humbni paratë dhe ata që keni regjistruar do t’jua kërkojnë juve paratë që kanë humbur për vete. Mos harroni, në një skemë piramidale, që ju të fitoni para, dikush tjetër duhet t’i humbasë.

A po ju premton dikush që nëse bëni një investim do të fitoni para pa u lodhur fare ose do të nxirrni fitime të jashtëzakonshme? Ja tek keni një paralajmërim: në qoftë se një ofertë është aq joshëse, saqë duket e pabesueshme, zakonisht nuk duhet besuar. Mos u zini besë kollaj reklamave dhe deklaratave të atyre që thonë se kanë mbetur të kënaqur nga ajo që kanë provuar, duke menduar: «Në këtë rast është ndryshe.» Mbani parasysh se njerëzit nuk i hyjnë një biznesi për të falur para dhe nuk tregojnë sekrete për t’ju pasuruar ju. Nëse dikush pretendon se di një metodë të veçantë që do t’ju bëjë të pasur, pyeteni veten: ‘Përse ai nuk e përdor këtë metodë për t’u pasuruar vetë? Pse po e humbet kohën duke u përpjekur të më mbushë mendjen mua?’

Ç’duhet të bëni po t’ju thonë se keni fituar një konkurs ose një çmim? Mos u entuziazmoni! Mund të jetë mashtrim, një grackë ku kanë rënë shumë të tjerë. Për shembull, një gruaje në Angli i erdhi një letër nga Kanadaja ku i thoshin se kishte fituar një çmim, por duhej të dërgonte 25 dollarë si tarifë për procedurën. Pasi i dërgoi paratë mori një telefonatë nga Kanadaja dhe e lajmëruan se në një hedhje shorti kishte fituar vendin e tretë. Kështu do të merrte 245.000 dollarë, por më parë duhej të paguante një përqindje të kësaj shume, dhe kjo si tarifë për procedurën. Ajo dërgoi 2.450 dollarë, por si përfundim nuk mori asgjë. Nëse duhet të paguani për një «dhuratë pa para» ose për një çmim, jeni përpara një mashtrimi. Pyeteni veten: ‘A ka mundësi që të kem fituar një çmim në një konkurs ku nuk kam marrë pjesë?’

Bëni biznes vetëm me njerëz që kanë emër të mirë

A mendoni se jeni në gjendje ta pikasni kur njerëzit nuk sillen me ndershmëri? Kujdes! Mashtruesit dinë si t’ua fitojnë besimin të tjerëve. Ata janë mjeshtra për të fituar besimin e viktimave. Shitësit, si të ndershmit edhe të pandershmit, e dinë mirë që para se dikush të blejë një produkt, shitësi duhet të blejë besimin e tij. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se nuk duhet t’i besoni askujt, por një masë e arsyeshme dyshimi është e rëndësishme për t’u mbrojtur nga mashtrimet. Në vend që të përpiqeni të dalloni nëse është apo jo i ndershëm një njeri, duke i besuar instinktit tuaj, jini vigjilentë për të dalluar dy shenja të qarta, tipike të shumë mashtrimeve: së pari, a është një ofertë aq joshëse saqë duket e pabesueshme, dhe së dyti, a po përpiqet shitësi t’ju ngutë të vendosni sa më shpejt?

Oferta që janë tepër joshëse, saqë duken të pabesueshme, ka me bollëk në Internet. Ndonëse nëpërmjet Internetit ofrohen shumë artikuj dhe shërbime me vlerë, ai u krijon mundësi kriminelëve t’i mashtrojnë njerëzit shpejt dhe pa dalë fare në skenë. A përdorni postën elektronike? Nëse po, mund të merrni një mesazh tregtar që ju ka ardhur nëpërmjet Internetit pa kërkesën tuaj. Ndonëse këto mesazhe ofrojnë artikuj dhe shërbime të panumërta, shumë nga ato janë të rreme. Në qoftë se përgjigjeni, duke dërguar para për një artikull ose shërbim, ka shumë mundësi që të mos merrni asgjë në shkëmbim. Në rast se merrni diçka, është pothuajse e sigurt që malli nuk ia vlen për aq para sa keni shpenzuar. Këshilla më e mirë është që kurrë të mos blini nga dikush që dërgon mesazhe tregtare pa kërkesën tuaj.

I njëjti parim vlen edhe për ata që duan t’ju shesin diçka me anë të telefonit. Ndonëse shumë telefonata për shitje bëhen nga firma të ligjshme, mashtrimet në formën e ofertave në telefon u kushtojnë njerëzve miliarda dollarë çdo vit. Është e pamundur që thjesht duke folur me dikë në telefon, të zbulosh nëse një ofertë e bërë me këmbëngulje vjen nga një burim i ligjshëm. Një mashtrues mund të hiqet edhe si përfaqësues i një banke ose i një agjencie për mbrojtjen e kartave të kreditit. Keni arsye të vlefshme të dyshoni nëse dikush ju telefon dhe duke pretenduar se është nga një bankë ose firmë në të cilën keni hapur një llogari, ju kërkon informacione që tashmë duhej t’i kishin. Po të ndodhë kjo, mund të kërkoni numrin e telefonit të atij që ju telefonoi. Pasi të keni verifikuar se numri që ju dha është vërtet numri i bankës ose i agjencisë merreni ju në telefon.

Një mënyrë e mirë është që të mos i jepni numrin e kartës së kreditit ose ndonjë informacion tjetër personal një të panjohuri që ju telefonon. Nëse dikush ju telefonon për t’ju shitur diçka që nuk e doni, me mirësjellje mund t’i thoni: «Më vjen keq, por nuk bëj tregti në telefon me njerëz që nuk i njoh.» Pastaj mbylleni telefonin. Nuk keni pse të futeni në një bisedë të padëshiruar me një të panjohur që ndoshta po përpiqet t’ju mashtrojë.

Bëni tregti vetëm me firma dhe njerëz të besueshëm. Ka shumë firma të regjistruara ligjërisht me të cilat mund të bëni tregti nëpërmjet telefonit ose Internetit pa rrezikuar. Po të jetë e mundur, në ndonjë agjenci të pavarur kërkoni të dhëna për personin që dëshiron t’ju shesë diçka, për firmën dhe për investimin që do të bëni. Kërkoni informacion për investimin dhe lexojeni me kujdes që të siguroheni se është i ligjshëm. Mos u ngutni dhe mos lejoni askënd t’ju shtyjë që të merrni një vendim të nxituar.

Bëjeni me shkrim marrëveshjen

Jo çdo mashtrim nis që në fillim me këtë synim. Një biznes i ndershëm mund të falimentojë. Kur ndodh kjo, drejtuesve mund t’u hyjë frika e të përdorin mashtrimin për të zëvendësuar paratë e humbura. Pa dyshim që keni dëgjuar për raste kur administratorët e një biznesi kanë deklaruar të ardhura dhe fitime të rreme dhe pastaj, kur biznesi ka falimentuar, ia kanë mbathur me paratë e mbetura.

Për të mbrojtur veten si nga mashtrimet, edhe nga keqkuptimet, duhet t’i hidhni me shkrim hollësirat, para se të bëni ndonjë investim të madh. Në çdo kontratë që nënshkruani duhet të tregohen të gjitha kushtet e investimit dhe zotimet e marra. Gjithashtu mbani parasysh që sado i sigurt të duket një investim, askush nuk mund t’ju garantojë se çdo gjë do të ecë sipas planit. (Predikuesi 9:11) Në fund të fundit nuk ka investim pa rrezik. Prandaj në një kontratë duhen shkruar me hollësi se cilat janë detyrimet dhe përgjegjësitë e çdo personi në rast falimentimi.

Po të jeni të kujdesshëm dhe po të zbatoni parimet bazë që kemi trajtuar shkurtimisht, ka më pak të ngjarë të bëheni pre e mashtrimeve. Një proverb i lashtë biblik jep një këshillë të çmuar. Aty thuhet: «Budallai [kush është pa përvojë, BR] i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» (Fjalët e urta 14:15) Një mashtrues zgjedh njerëz pa përvojë, që kanë prirjen t’i besojnë çdo fjale që u thotë ai. Mjerisht ka shumë njerëz që nuk marrin masa mbrojtëse kundër mashtrimeve.

[Shënimet]

^ par. 9 Skema piramidale përkufizohet si «një program marketingu me shumë nivele në të cilin njerëzit paguajnë një kuotë hyrjeje, që të kenë mundësinë të tërheqin edhe të tjerë që do të bëjnë të njëjtën gjë». Zakonisht në këto skema nuk ka prodhim mallrash.

[Diçitura në faqen 7]

Në qoftë se një ofertë është aq joshëse saqë duket e pabesueshme, zakonisht nuk duhet besuar

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Këshilla për viktimat e mashtrimit

Zakonisht viktimat e mashtrimit i pushton ndjenja e turpit, ndihen në faj, në siklet dhe u vjen inat me veten. Mos ia vini fajin vetes. Ju jeni viktimë; fajin e ka ai që ju mashtroi. Nëse keni bërë ndonjë gabim, pranojeni brenda vetes dhe vazhdoni jetën duke mos e bluar më atë që ndodhi. Mos arrini në përfundimin se jeni i pamend. Mos harroni se mashtruesit arrijnë t’ua hedhin edhe njerëzve shumë inteligjentë, siç janë kryetarë shtetesh, drejtues bankash, administratorë, financierë, juristë etj.

Viktimave të mashtrimit u vjedhin jo vetëm paratë ose zotërimet, por edhe sigurinë dhe respektin për veten. Në rast se mashtruesi është «një mik», ndihesh i tradhëtuar. Kur të mashtrojnë lëndohesh. Prandaj është normale që për njëfarë kohe të ndiheni i trishtuar. Shpesh është lehtësuese të flasësh me dikë tek i cili ke besim. Edhe lutja mund të jetë shumë ngushëlluese. (Filipianëve 4:6-8) Megjithatë, mos harroni se vjen një çast që duhet ta hidhni pas krahëve atë që ndodhi. Pse ta zgjatni vuajtjen? Vini synime të dobishme dhe përpiquni t’i arrini.

Kini kujdes nga ofertat mashtruese, gjoja për të fituar paratë e humbura. Mashtruesit i telefonojnë dikujt që ia kanë zhvatur paratë për t’i dhënë ndihmë që t’i fitojë sërish ato. Qëllimi i tyre është ta mashtrojnë sërish atë njeri.

[Kutia dhe figura në faqet 8, 9]

Mashtrimi në kompjuter​—Gjashtë mashtrime të zakonshme në postën elektronike

1. Skemat piramidale: Shpesh këto duken si mundësi që të fitosh shumë para me fare pak përpjekje dhe me një investim të vogël. Sipas një skeme të tillë, ju ofrojnë një kompjuter ose një pajisje tjetër elektronike me kusht që të paguani për t’u regjistruar në ndonjë klub dhe më pas të tërhiqni edhe anëtarë të tjerë. Një variant tjetër i skemës piramidale është letra zinxhir. Letrat zinxhir pothuajse gjithmonë janë të paligjshme. Shumica e atyre që derdhin para në to i humbin.

2. Ofertat për të punuar në shtëpi: Sipas njërës prej formave të këtij mashtrimi, ju vënë përpara mundësinë që duke bashkuar pjesë të vogla të krijoni gjëra të tilla si bizhuteri, lodra ose gjëra artizanale. Ju harxhoni para për të siguruar materialet, harxhoni kohë për të prodhuar këta artikuj dhe në fund ata që ju ofruan punën thonë se nuk mund ta blejnë artikullin, sepse ai nuk është sipas standardeve të tyre.

3. Mashtrimet në fushën e dietave dhe të shëndetit: Në Internet vërshojnë oferta për produkte të tilla, si tabletat që ndihmojnë për rënien në peshë pa bërë fizkulturë ose pa mbajtur dietë, kura kundër impotencës dhe kremra kundër rënies së flokëve. Ndonjëherë këto reklama shoqërohen nga komentet e disa blerësve që kanë mbetur të kënaqur me produktin. Disa shprehje të zakonshme që hasen në këto reklama janë për shembull: «zbulim i madh i shkencës», «kurë që bën mrekulli», «formulë sekrete» dhe «përbërës i lashtë». E vërteta është se shumica e këtyre produkteve nuk bën efekt.

4. Mundësi për investim: Zakonisht organizuesit e këtyre skemave ofrojnë interesa të larta, duke premtuar se rreziku është fare i vogël ose nuk rrezikoni fare. Një variant i përhapur i kësaj skeme është investimi në një bankë të huaj. Investitorët i joshin duke i garantuar se ata që do të administrojnë paratë kanë lidhje me njerëz me pozitë në qarqet financiare dhe kanë informacione të brendshme që të tjerët nuk i dinë.

5. Ndryshimi i të dhënave financiare: Kur përdorin këtë formë mashtrimi, ju ofrojnë mundësinë që nga dosja juaj e kreditit të hiqen ato informacione që nuk janë në favorin tuaj, dhe kështu të kualifikoheni për të marrë një kartë krediti, një hua për të blerë ndonjë automjet ose një punë. Pavarësisht nga garancitë që japin, ata që bëjnë këtë ofertë nuk mund t’i mbajnë premtimet.

6. Çmimet për pushime: Me anë të postës elektronike merrni një mesazh ku ju përgëzojnë, sepse keni fituar mundësinë për të bërë pushime me një çmim minimal. Disa thonë se ju kanë zgjedhur juve personalisht. Mos harroni se të njëjtin njoftim mund ta kenë marrë miliona të tjerë dhe kushtet që do t’ju sigurojnë për të pushuar janë shumë larg atyre që premtohen në reklamë.

[Burimi]

Burimi: Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA-së

[Figura në faqen 7]

Skemat piramidale gjithnjë falimentojnë

[Figura në faqen 9]

Në çdo kontratë që nënshkruani duhet të tregohen të gjitha kushtet e investimit dhe zotimet e marra