A kujdeset vërtet Perëndia për fëmijët?
Pikëpamja e Biblës
A kujdeset vërtet Perëndia për fëmijët?
QINDRA milionë fëmijë shfrytëzohen, keqtrajtohen dhe sulmohen çdo vit. Shumë fëmijë punojnë në kushte të rrezikshme, sikur të ishin skllevër. Të tjerë i rrëmbejnë dhe i detyrojnë të bëhen ushtarë ose të merren me prostitucion. Besimi i shumë fëmijëve është shpërdoruar nga njerëz që kanë kryer incest ose akte të tjera të tmerrshme ndaj tyre.
Është logjike që shumë njerëz të sinqertë dhe të kujdesshëm shqetësohen për gjendjen e vështirë të fëmijëve. Ndonëse pranojnë se lakmia e njeriut dhe shthurja morale janë kryesisht përgjegjëse për një keqtrajtim të tillë, disa njerëz ende e kanë të vështirë ta pranojnë se si një Perëndi i dashur lejon një padrejtësi kaq të madhe. Mbase ata mendojnë se Perëndia i ka braktisur këta fëmijë e ndoshta as që interesohet fare. A është e vërtetë kjo? Mos vallë realiteti tragjik që fëmijët shfrytëzohen dhe shpesh keqtrajtohen tregon se Perëndia nuk interesohet për ta? Çfarë thotë Bibla për këtë?
Perëndia i dënon keqtrajtuesit
Perëndia Jehova nuk kishte kurrë si qëllim që fëmijët të shfrytëzoheshin nga njerëz mizorë. Keqtrajtimi i fëmijëve është një nga pasojat më tragjike të rebelimit të njeriut në kopshtin e Edenit. Meqë u hodh poshtë sundimi Zanafilla 3:11-13, 16; Predikuesi 8:9.
suprem i Perëndisë, iu hap rruga shfrytëzimit të egër të njeriut nga njeriu.—Perëndia i urren ata që përfitojnë nga të dobëtit dhe të pambrojturit. Shumë kombe të lashta që nuk i shërbenin Jehovait e kishin si zakon të flijonin fëmijë, por Jehovai tha se kjo ishte diçka që ‘nuk e kishte urdhëruar dhe që nuk i kishte shkuar kurrë në mendje’. (Jeremia 7:31) Perëndia e paralajmëroi popullin e tij në lashtësi: «Nëse do ta mundosh në ndonjë mënyrë [djalin pa baba] dhe nëse ai më thërret mua, unë do ta dëgjoj patjetër klithmën e tij; në të vërtetë, do të më ndizet zemërimi.»—Dalja [Eksodi] 22:22-24, BR.
Jehovai i do fëmijët
Shqetësimi i Perëndisë për fëmijët duket qartë në porositë e mençura që ai u jep prindërve. Fëmijët që rriten në një familje ku janë të mbrojtur, ka më shumë të ngjarë të bëhen të pjekur dhe të ekuilibruar. Prandaj Krijuesi ynë themeloi martesën, një institucion që zgjat gjithë jetën. Kur martohet ‘njeriu braktis babanë dhe nënën e tij dhe bashkohet me gruan e tij dhe do të jenë një mish i vetëm’. (Zanafilla 2:24) Bibla i lejon marrëdhëniet seksuale vetëm brenda martesës dhe kështu fëmijët që lindin nga ky bashkim mund të marrin përkujdesje në një ambient ku ka stabilitet.—Hebrenjve 13:4.
Gjithashtu Shkrimet theksojnë rëndësinë e stërvitjes që prindërit u japin fëmijëve. Bibla thotë: «Bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim. Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë.» (Psalmi 127:3, 4) Fëmijët janë një dhuratë e çmuar nga Perëndia dhe ai dëshiron që ata të rriten të lumtur e të shëndetshëm. Perëndia i nxit prindërit që t’u japin një drejtim të mirë në jetë fëmijëve, ashtu si shigjetari që merr me kujdes shenjë para se të gjuajë shigjetat. Fjala e Perëndisë jep këtë këshillë: «Etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.»—Efesianëve 6:4.
Një mënyrë tjetër që Jehovai ka treguar dashurinë e tij për fëmijët është duke u mësuar prindërve që t’i mbrojnë fëmijët e tyre nga keqbërësit. Në Izraelin e lashtë edhe ‘fëmijët’ u urdhëruan të dëgjonin Ligjin, i cili përmbante norma që përcaktonin se cila ishte sjellja seksuale e përshtatshme ose e papërshtatshme. (Ligji i përtërirë 31:12; Levitiku 18:6-24) Perëndia dëshiron që prindërit të bëjnë gjithçka që munden për t’i mbrojtur fëmijët nga kushdo që ka të ngjarë t’i shfrytëzojë ose t’i keqtrajtojë.
Shpresë për fëmijët
Jezu Krishti, i cili e pasqyron në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit të tij, e tregoi në mënyrë të mrekullueshme dashurinë e pashtershme të Jehovait për fëmijët. (Gjoni 5:19) Kur apostujt e Jezuit u përpoqën në një mënyrë të gabuar ta ndihmonin duke mos i lejuar prindërit që t’i çonin tek ai fëmijët e vegjël, i indinjuar Jezui i korrigjoi. Ai tha: «Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë.» Pastaj «i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte». (Marku 10:13-16) Fëmijët nuk janë të parëndësishëm për Perëndinë Jehova dhe për Birin e tij.
Me anë të Mbretit të tij të emëruar, Jezu Krishtit, së shpejti Perëndia do të ndërhyjë për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve që keqtrajtohen. Shfrytëzuesit lakmitarë dhe keqtrajtuesit e pashpirt të kësaj bote do të shkatërrohen përgjithnjë. (Psalmi 37:10, 11) Ndërsa për njerëzit zemërbutë që e kërkojnë Jehovain, Bibla thotë: «Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.»—Zbulesa 21:3, 4.
Ndërkohë, Perëndia e tregon që tani dashurinë e tij, duke u dhënë ndihmë frymore dhe emocionale të gjithë atyre që shfrytëzohen dhe keqtrajtohen. Ai premton: «Unë do të kërkoj të humburën, do ta kthej të hutuarën, do t’i lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën.» (Ezekieli 34:16) Nëpërmjet Fjalës, frymës së tij të shenjtë dhe kongregacionit të krishterë, Jehovai i ngushëllon fëmijët që janë të keqtrajtuar ose të varfër. Sa gëzohemi kur mendojmë se tani, ashtu siç do të bëjë dhe në të ardhmen, «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi, . . . na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona»!—2 Korintasve 1:3, 4.
[Burimi i figurës në faqen 18]
© Mikkel Ostergaard /Panos Pictures