Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndryshime të mëdha të mjedisit

Ndryshime të mëdha të mjedisit

Ndryshime të mëdha të mjedisit

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GJERMANI

«GRUAS sime iu copëtua zemra kur u larguam nga shtëpia,​—tha Diteri.​—Edhe vajza jonë 11-vjeçare, Mikaela, u mërzit shumë. Por nuk kishim rrugë tjetër.» A i tha këto fjalë një familje refugjatësh që po ia mbathnin nga ndonjë zonë lufte? Jo, kjo familje jetonte në një nga rajonet minerare të Gjermanisë.

Gjatë 55 viteve të kaluara, rreth 33.000 njerëz në krahinën e Renit, në Gjermani, patën të njëjtën përvojë si Diteri dhe familja e tij. Ata u shpërngulën që të lironin vendin për minierat e hapura të linjitit ose të qymyrit me ngjyrë kafe të errët. Rritja e kërkesës për energji në industri bën që vetëm në Gjermani të nxirren çdo vit afro 180 milionë tonë linjit nga minierat e hapura, domethënë nga punimet minerare sipërfaqësore. Kjo sasi peshon rreth 25 herë më shumë se Piramida e Keopsit në Egjipt.

Si ndikon kjo te vendi dhe te njerëzit që jetojnë aty? Një enciklopedi, Brockhaus Enzyklopädie, thotë: «Gërmimet minerare me përmasa të mëdha shpesh sjellin shpërngulje masive të popullsisë dhe ndryshime rrënjësore.» * Le t’u hedhim një vështrim të shkurtër minierave të hapura të krahinës së Renit dhe të shohim ç’ndikim kanë pasur ato në jetën e njerëzve.

Minierat e hapura të linjitit

Pellgu midis Këlnit dhe Ahenit, në rrjedhën e poshtme të lumit Ren, është rajoni më i madh i linjitit në Evropë. Kjo zonë është pothuajse sa Luksemburgu ose Parku Kombëtar i Josemitit në Kaliforni, SHBA. Linjiti gjendet nën sipërfaqe dhe është i mbuluar nga shtresat e zhavorrit, rërës ose argjilës, të cilat duhen hequr në fillim. Këto shtresa që e mbulojnë linjitin quhen shtresa mbulese.

Për të nxjerrë linjitin, ekskavatorët me kovë dhe rotor gërryejnë shtresat e mbulesës. Me shtresat e mbulesës që heq çdo ditë një ekskavator i tillë, mund të mbusheshin 16.000 rimorkio. Për të parandaluar shembjen e faqeve anësore me dhé, ndërkohë që miniera bëhet gjithnjë e më e thellë, gërmohet duke formuar tarraca ose shkallë. Shihni ekskavatorët që tregohen sipër, teksa gërmojnë në këto nivele të minierës. Ata janë ndër makineritë më të mëdha në botë. Lartësia e tyre është 95 metra, pra sa dyfishi i Statujës së Lirisë në Nju-Jork.

Pasi hiqen nga ekskavatori, shtresat e mbulesës largohen me konvejer. Përpiquni të imagjinoni se sa shumë material duhet transportuar. Për çdo metër kub qymyr që nxirret në krahinën e Renit, në Gjermani, duhen hequr më shumë se gjashtë metër kub shtresa mbulese. Materialet lëvizin aq shpejt në konvejer, saqë do të ishte e vështirë t’i ndiqnim, edhe nëse do t’i jepnim biçikletës. Konvejerët takohen në një pikë grumbullimi. Prej andej, materialet e ndryshme i transportojnë në bunkerët e qymyrit, i ngarkojnë në vagonë dhe i çojnë në termocentrale ose i depozitojnë. Shumica e linjitit çohet në termocentrale që të përdoret për të prodhuar energji.

Për aq sa është e mundur, shtresat e mbulesës shfrytëzohen për të rimbushur zonat nga ku është nxjerrë linjiti. Makinat që bëjnë rimbushjen quhen makina shpërndarëse. Ato e derdhin dheun në minierë, shtresë pas shtrese derisa mbushet e gjithë gropa. Gjithçka që mbetet nga shtresat e mbulesës çohet në disa pika grumbullimi. Këto janë pirgje deri në 200 metra të larta. T’i bësh këto pirgje pjesë të peizazhit dhe të dobishme për bujqësinë e pylltarinë është një punë që vë në provë zotësinë e profesionistëve që merren me sistemimin dhe zbukurimin e ambientit.

Ulet niveli i ujërave nëntokësore

Është i pashmangshëm ndikimi i madh që kanë te peizazhi dhe te ciklet natyrore minierat e hapura. Për t’i mbajtur të thata minierat e hapura, nivelin e ujit nëntokë e ulin nën nivelin e pikës më të thellë të minierës. Sasia e ujit që nxirret nga këto gropa çdo vit në Gjermani do të plotësonte nevojat e banorëve të qytetit më të madh të Gjermanisë, Berlinit, për pothuajse tre vjet e gjysmë. Ambientalistët shqetësohen që nxirret një sasi kaq e madhe uji. Ata janë të shqetësuar sidomos për rrezikun që i kanoset Parkut Natyror Mas-Shvalm-Nete, i cili ndodhet aty afër dhe shtrihet në kufirin që ndan Gjermaninë me Holandën. Ky park është një kënetë natyrore që shërben si habitat për shumë bimë dhe zogj.

Ata që drejtojnë gërmimet minerare kanë garantuar se nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Për të kompensuar sasinë e ujit që nxirret nga minierat e hapura, ujin e kthejnë përsëri në tokë pak më larg vendit të gërmimeve. Kjo bëhet pjesërisht me anë të puseve të kullimit. Në këtë mënyrë shpresojnë që toka të mos bëhet e thatë.

Krijohet një peizazh i ri

Toka është në një ndryshim të vazhdueshëm. Çdo vit në oqean derdhen rreth 25.000 milionë tonë llum, dhe ne as që e vëmë re fare këtë. Megjithatë ndryshimet e peizazhit janë më të dukshme për një njeri që qëndron pranë një miniere të hapur. Këtu krijohet një peizazh i ri. Si ka ndikuar kjo në zonën me linjit të krahinës së Renit?

Në pellgun e Këln-Ahenit, disa zona ku më parë janë bërë gërmime minerare, janë bonifikuar dhe janë kthyer në tokë bujqësore, pyje dhe parqe. Për më tepër, është ndryshuar drejtimi i rrjedhave të ujit, ashtu si ka ndodhur edhe me drejtimin e rrugëve e të hekurudhave. Botimi Gërmimet minerare për linjit në krahinën e Renit (anglisht) shpjegon: «[Bonifikimi] nuk është përpjekje për të riprodhuar natyrën. Njeriu mund të japë vetëm ndihmën fillestare. Pjesën kryesore të punës e bën vetë natyra.» Deri tani është bërë sërish e përdorshme më shumë se 65 për qind e tokës së përfshirë në gërmime. Pjesa më e madhe e kësaj sipërfaqeje po shfrytëzohet për bujqësi. Për këtë arsye, mbi shtresën e dheut të shkrifët të gërmimeve shpërndanë sa më njëtrajtësisht që ishte e mundur, deri në dy metra thellësi, një shtresë dhé të pasur me pleh organik. Për disa vjet tokën e kultivuan fermat që ishin pronë e disa shoqërive dhe pas kësaj atë e lanë të përdorej për bujqësi.

Një pjesë e vogël e pyjeve të reja dhe e liqeneve artificiale janë kthyer në zona që mbrohen me ligj. Madje zonat e bonifikuara janë bërë strehë për disa lloje që rrezikojnë të zhduken. Vetëm dy prej tyre janë një flutur e hijshme, e quajtur admirali i madh, dhe një lloj zogu, që quhet bilbili i fushave me kallama. Në këto zona rriten edhe bimë të tilla, si utrikularia dhe orkideja ushtare. Banorët e qyteteve të Këlnit dhe të Bonit kanë parë se vendi ku më parë ndodhej miniera e hapur është vend i mirë për të pushuar e për t’u çlodhur.

Shpërngulja dhe një fillim i ri

Një nga problemet më të vështira që krijojnë këto miniera është shpërngulja e njerëzve që jetojnë pikërisht në zonën ku ka linjit. Familje të tëra duhen shpërngulur para se të fillojnë gërmimet.

Shpërngulja kërkon një planifikim shumë të mirë, i cili fillon 10 deri në 15 vjet para se të nisin punimet. Bëhen përpjekje që banorët e të njëjtit fshat të vendosen afër njëri-tjetrit, kur i transferojnë në një vend tjetër. Përvoja ka treguar se afro gjysma e njerëzve të shpërngulur dëshirojnë të rrinë pranë fqinjëve të vjetër, kurse të tjerët e shohin transferimin si një mundësi për të filluar një jetë të re diku gjetkë. Njerëzit që detyrohen të shpërngulen marrin kompensim, por është e pamundur që t’u vësh një vlerë monetare disa gjërave. Për shembull, çfarë kompensimi mund t’u japin për pamjen e mrekullueshme që shihnin nga dritarja e dhomës ose për lidhjet e ngushta me fqinjët? Në vendin e ri çdo gjë mund të jetë ndryshe.

Shpërngulja nuk është thjesht një ndryshim shtëpie; gërmimet minerare e ndryshojnë një herë e mirë mjedisin. Prindërit nuk do të kenë më mundësi t’u tregojnë fëmijëve vendin ku u rritën dhe ku shkuan në shkollë. Shtëpinë e fëmijërisë e humbin përgjithmonë. Si e përballojnë njerëzit këtë rrethanë? Zgjohuni! pyeti disa prej tyre.

Frithelmi jeton në një fshat që së shpejti do të shpërngulet. Për moshën e tij, të ndërtosh një shtëpi të re për të dytën herë, nuk është një perspektivë e këndshme. «Kur ndërtuam shtëpinë e parë mësuam shumë gjëra me vlerë,​—thotë Inge, gruaja e tij,​—por nuk kemi më fuqi ta bëjmë përsëri.» Ndërtimi i një shtëpie të re, që nënkupton të jetosh në një vend ndërtimi për disa vjet, mund të krijojë vështirësi.

Verneri dhe Margareta mendojnë se shumica e njerëzve përfitojnë materialisht kur shpërngulen. Por disa grupe, si për shembull të moshuarit, fermerët dhe tregtarët, pësojnë shumë dëme. Disa njerëzve, që tashmë kanë një biznes, do t’u kushtonte tepër shtrenjtë ta fillonin atë nga e para në një vend të ri. Një fermer është shpërngulur dhe ka më shumë se 20 vjet që merret me fermën e tij në një tokë të bonifikuar. Ai thotë se gjërat kanë shkuar mirë. Synimi i tij është: «Shfrytëzoje sa më mirë rrethanën në të cilën ndodhesh, sepse fundja, për ta ndryshuar nuk e ndryshon dot.»

Sa të vërteta janë fjalët e tij! Me kalimin e kohës, edhe Diteri e familja e tij, që u përmendën në fillim të artikullit, u mësuan me shtëpinë e re. Ata janë vetëm tre nga njerëzit e shumtë që mund të thonë nga përvoja e vet se minierat e hapura i sjellin ndryshime të mëdha mjedisit dhe njerëzve që jetojnë aty.

[Shënimi]

^ par. 5 Në disa vende, çështja e minierave të hapura dhe e ndikimit të tyre te mjedisi është bërë objekt debatesh. Zgjohuni! mban një qëndrim asnjanës në çështje të tilla.

[Figura në faqen 21]

Ekskavator me kovë dhe rotor që po gërmon për linjit

[Burimi]

Rheinbraun AG

[Figurat në faqen 23]

Një makinë shpërndarëse e mbush minierën me dhé të pasur me pleh organik

Ish-minierë e hapur e transformuar

[Burimi]

Të gjitha fotografitë: Rheinbraun AG