Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të projektuar që të mësojmë përgjithmonë

Të projektuar që të mësojmë përgjithmonë

Të projektuar që të mësojmë përgjithmonë

«Brenda çdo koke gjendet një central elektrik i mahnitshëm, një organ prodhimtar që nuk zë shumë vend dhe sa më shumë mësojmë për të, aq më shumë na duket se kapaciteti i tij është i pafund.»​—SHKENCËTARËT TONI BUZANI DHE TERENS DIKSONI.

SA MUND të mësojë truri i njeriut? Kjo pyetje vazhdon t’i bëjë për vete shkencëtarët dhe të mbetet enigmë për ta. Në botimin Libri i trurit (anglisht) Piter Raselli shkruan: «Sa më shumë mësojmë rreth trurit të njeriut, aq më shumë zbulojmë se aftësia e tij për të nxënë si edhe gjërat që është në gjendje të kryejë janë shumë më të mëdha në krahasim me atë që mendohej.»

Për shembull, përsa i përket kujtesës, truri ynë ka një kapacitet të jashtëzakonshëm. «Kujtesa nuk është si një enë që dalëngadalë mbushet plot,​—thotë Raselli,​—por ngjan më shumë me një pemë e cila ka grremça ku varen kujtimet. Çdo kujtim është një grup tjetër grremçash ku mund të varen kujtime të reja. Në këtë mënyrë aftësia për të mbajtur mend rritet. Sa më shumë të mësosh, aq më shumë rritet aftësia për të mësuar.» Kjo na çon përsëri në pyetjen e mëparshme se përse truri i njeriut ka rezerva kaq të mëdha dhe të pashfrytëzuara.

Teoria e evolucionit nuk na jep ndonjë përgjigje të logjikshme. Ngaqë merr për bazë konceptin e mbijetesës së më të aftit, evolucioni i lë pa përgjigje njerëzit e arsyeshëm lidhur me pyetjen se përse truri njerëzor fitoi një kapacitet kaq të jashtëzakonshëm. Po të flitnim në mënyrë të figurshme, pse do të ndërtonit një kamion të stërmadh, nëse do të ngarkonit vetëm një lopatë rërë?

Megjithatë, Bibla jep një shpjegim të thjeshtë kthjellues, por edhe të logjikshëm. Së pari ajo na tregon se prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, pra ishin të aftë të pasqyronin cilësitë e Tij të mrekullueshme. Së dyti, ajo shpjegon se ata ishin projektuar që të jetonin përgjithmonë, dhe si rrjedhojë edhe të mësonin përgjithmonë. (Zanafilla 1:27; 2:16, 17) Truri i njeriut pasqyron këtë qëllim hyjnor, ndonëse sot për sot nuk e bën këtë në mënyrë të përsosur për shkak se mëkati hyri në familjen njerëzore.​—Romakëve 5:12.

Por qëllimi fillestar i Perëndisë, që toka të mbushet me njerëz të përsosur të cilët do ta nderojnë Perëndinë dhe do të jetojnë në një parajsë, do të plotësohet. E pra, Jehovai dha Birin e tij të vetëmlindur, Jezu Krishtin, si një flijim shpërblyes që ne të fitojmë jetën e përhershme.​—Mateu 20:28; Gjoni 3:16.

Ushqimi më i mirë për mendjen

Jehovai na ka dhënë edhe Fjalën e tij të frymëzuar, Biblën e Shenjtë. (2 Timoteut 3:16; 2 Pjetrit 1:21) Meqë ky libër i çmuar është vepër e frymës së shenjtë, nuk e teprojmë po të themi se ai është ushqimi më i mirë mendor dhe shpirtëror për njeriun. (Psalmi 19:7-10) Dhe vërtet, vetë Jezui tha: «Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.»​—Mateu 4:4.

Pra, fëmijë a të moshuar qofshi, përse të mos rezervoni pak kohë çdo ditë për të lexuar ‘shprehjet’ e çmuara të Perëndisë? Ata që veprojnë kështu dhe që i zbatojnë gjërat që mësojnë do të nxjerrin dobi tani dhe në të ardhmen. Po, ata mund të kenë perspektivën që të jetojnë dhe që të mësojnë përgjithmonë, pikërisht siç ishte qysh në fillim qëllimi i Perëndisë. Çfarë shprese e mrekullueshme është kjo!​—Predikuesi 3:11; Gjoni 17:3.

[Figura në faqen 11]

Në përputhje me qëllimin e Perëndisë, truri i njeriut u projektua që të mësojë përgjithmonë

[Figurat në faqen 12]

Bibla është ushqimi më i mirë për mendjen