Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Babai që u duhet fëmijëve

Babai që u duhet fëmijëve

Babai që u duhet fëmijëve

FËMIJËT kanë nevojë për një baba që i do, që është gati t’u gjendet pranë dhe që bën gjithçka mundet për t’i ndihmuar të bëhen të përgjegjshëm e të ndershëm. Por kësaj nevoje që kanë fëmijët, nuk i është kushtuar vëmendja e duhur.

Natyrisht, janë nënat ato që i lindin foshnjat dhe nuk mund të shprehet me fjalë se sa e rëndësishme është të jesh një nënë e mirë. Megjithatë, si shpjegonte revista The Wilson Quarterly, edhe babai ka një rol po kaq jetësor. Aty thuhej: «Fakti që baballarët nuk po i përmbushin më siç duhet përgjegjësitë e tyre, është ndër shkaqet kryesore të problemeve më shqetësuese që po godasin shoqërinë amerikane.» Gjithashtu mund të shtojmë se është një ndër shkaqet kryesore edhe të problemeve që ka pjesa tjetër e botës.

Gazeta braziliane Jornal da Tarde flet për një studim që nxori si përfundim se shumë probleme të sjelljes te të rinjtë, siç është agresiviteti, mosbindja, rezultatet e dobëta në mësime dhe indiferentizmi, shpesh janë «pasojë e mungesës së babait». Gjithashtu, libri Prindër të papërsosur (italisht), shkruar nga Marçelo Bernardi, thekson se e mira e të mirave është që fëmijët t’i kenë të dy prindërit, që të rriten të mbarë.

Jeta familjare mund të përmirësohet

Edhe nëse një baba që i ka lënë pas dore detyrat familjare, ka ndikuar për keq në problemet familjare ose mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për këto probleme, kjo nuk do të thotë se gjërat nuk mund të rregullohen dhe se jeta familjare nuk mund të përmirësohet. Në ç’mënyrë? Çfarë duhet të bëjë babai?

Është e qartë se fëmijët kanë nevojë për një familje të qëndrueshme, kanë nevojë të ndiejnë se i drejton dikush që ka për zemër mirëqenien e tyre. Kur nuk plotësohet kjo nevojë, siç ndodh shpesh sot, kjo ndikon për keq në jetën e fëmijëve. Megjithatë, gjendja nuk është kurrë e pashpresë, është apo nuk është figura e babait në familje. Te Psalmi 68:5 Bibla thotë: «Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve [i djemve pa baba, BR].» *

Si ta marrin ndihmën

Ndihma e Perëndisë është jetësore për t’ia dalë mbanë, dhe kjo ndihmë mund të gjendet. Këtë e tregon qartë rasti i Lidias, vajza nga Polonia, që përmendëm në artikullin e mëparshëm. Si ishte jeta familjare në shtëpinë e saj? Si e mori familja ndihmën që vjen nga Perëndia?

Françisheku, babai i Lidias, pranon se kur fëmijët ishin të vegjël, ai e linte pas dore familjen, siç tregoi edhe vajza e tij. Ai thotë: «Nuk interesohesha se çfarë bënin fëmijët. Nuk u tregoja dashuri, dhe nuk ishim të lidhur.» Prandaj ai nuk e dinte se kur Lidia ishte 14 vjeçe, bashkë me vëllanë dhe motrën, që ishin më të vegjël, kishin filluar të shkonin në festa të shfrenuara, të pinin duhan, alkool dhe të përfshiheshin në grindje.

Më në fund, Françisheku e kuptoi se në ç’telashe po futeshin fëmijët e tij, dhe u trondit kaq shumë saqë vendosi të bënte diçka. «Iu luta për ndihmë Perëndisë»,​—thotë ai. Është interesante që s’kaloi shumë kohë dhe atij i shkuan në shtëpi Dëshmitarët e Jehovait. Ai dhe gruaja e tij pranuan të studionin Biblën. Me kalimin e kohës, prindërit filluan të zbatonin mësimet e Biblës. Si ndikoi kjo te fëmijët?

Françisheku shpjegon: «Ata vërenin se unë e kisha lënë alkoolin dhe po bëhesha një baba më i mirë. Donin t’i njihnin më shumë Dëshmitarët e Jehovait. Edhe ata filluan të studionin Biblën dhe u shkëputën nga shoqëria e keqe.» Djali i tij, Rafauli, thotë për të atin: «Fillova ta doja si shok.» Ai shton: «Pa e kuptuar, banda e rrugës s’kishte më vlerë për mua. Kohën e zinim me veprimtaritë frymore.»

Sot Françisheku shërben si mbikëqyrës në një nga kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe ende i kushton shumë vëmendje familjes së tij e kujdeset që secili nga familjarët të forcohet në besim. Gruaja e tij dhe Lidia janë pioniere, predikuese në kohë të plotë. Rafauli dhe motra e tij më e vogël, Silvia, marrin pjesë me gjithë zemër në studimin e Biblës, bëjnë komente në mbledhjet e krishtere dhe flasin me të tjerët për besimin e tyre.

Ai zbatoi gjërat që u mësonte të tjerëve

Le të marrim edhe rastin e Luisit, babait të Makarenës. Është vajza 21-vjeçare nga Spanja, që u përmend në artikullin hyrës. Luisi ndiqte shembullin e babait të tij të alkoolizuar. Siç tha edhe Makarena, kishte raste kur ai ikte për ditë të tëra me shokët. Për më tepër, e trajtonte të shoqen si shërbëtore, dhe jo si një njeri të çmuar, si shoqe jete. Martesa e tyre ishte në buzë të greminës, prandaj Makarena, e motra dhe i vëllai, që janë më të vegjël, ishin të tronditur.

Por me kalimin e kohës, Luisi pranoi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ai tregon: «Nisa të kaloja kohë me gruan dhe me fëmijët e mi. Bisedonim, hanim bashkë dhe studionim Biblën së bashku. Gjithashtu bashkë bënim punët e shtëpisë dhe kalonim kohën e lirë.» Makarena thotë: «Fillova të ndieja se kisha një baba të mirë, që interesohej sinqerisht për familjen.»

Vlen të përmendet se Luisi jo vetëm që e nxiti familjen t’i shërbente Perëndisë, por i zbatonte edhe vetë ato që u mësonte familjarëve të tij. Makarena thotë se i ati hoqi dorë nga «një biznes mjaft fitimprurës, sepse i hante shumë kohë, dhe ai donte që të merrej më shumë me familjen». Ky veprim pati një ndikim të shkëlqyer. Makarena thotë: «Shembulli i tij më mësoi se si ta mbaja syrin e thjeshtë dhe të vija në radhë të parë gjërat fetare.» Sot ajo shërben si pioniere, kurse mamaja, e motra dhe i vëllai marrin pjesë aktivisht në veprimtaritë e kongregacionit të krishterë.

Vendimi i drejtorit të hekurudhës

Është e qartë se fëmijët kanë nevojë për një baba që i merr vendimet duke mbajtur parasysh të mirën e tyre. Djali adoleshent i Takeshi Tamurës, drejtorit japonez që përmendëm në artikullin e mëparshëm, kishte zënë shoqëri të keqe dhe me ç’dukej do të futej në telashe të mëdha. Kjo ndodhi në vitin 1986, po atë vit që Takeshi vendosi të jepte dorëheqjen nga posti i rëndësishëm në Rrjetin Hekurudhor Kombëtar Japonez. Çfarë mendon Takeshi tani që kanë kaluar më shumë se 18 vjet që nga dita kur mori atë vendim?

Kohët e fundit ai tha: «Mbase ka qenë vendimi më i mençur i jetës sime. Kaloja më shumë kohë me tim bir, gjërat i bënim bashkë, po kështu edhe studimin e Biblës. Kjo pati një ndikim të mrekullueshëm tek ai. U bëmë shokë, ai i preu lidhjet me shoqëritë e këqija dhe nuk sillej më keq.»

Gruaja e Takeshit ishte bërë Dëshmitare e Jehovait disa vjet para burrit. Ishte pikërisht sjellja e saj e shkëlqyer që e nxiti të shoqin të studionte Biblën dhe të interesohej më shumë për familjen. Si përfundim, ai, djali dhe vajza e tij, u bënë të gjithë Dëshmitarë. Takeshi dhe i biri sot shërbejnë si pleq në kongregacionet e tyre, kurse gruaja dhe vajza janë pioniere.

Baballarët kanë nevojë për ndihmë

Ndonëse e kuptojnë se po i lënë pas dore fëmijët, shumë baballarë nuk dinë ç’të bëjnë për ta. Gazeta spanjolle La Vanguardia kishte një kryeartikull me titull «42 për qind e baballarëve [spanjollë] pranojnë se nuk dinë si t’i rritin fëmijët e tyre adoleshentë». Por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për baballarët, fëmijët e të cilëve ende nuk kanë hyrë në adoleshencë ose janë shumë të vegjël. Ndryshe nga ç’mendojnë shumë veta, edhe këta fëmijë që janë më të vegjël, kanë nevojë për praninë dhe kujdesin e një babai të devotshëm.

A ka edhe gjëra të tjera që duhen mësuar për të qenë një baba i mirë? Cilët janë shembujt më të mirë për baballarët dhe ç’mund të mësojnë baballarët nga ata? Artikulli i fundit do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.

[Shënimi]

^ par. 7 Ju lutemi të shihni kapitullin «Familjet me një prind mund t’ia dalin mbanë!» në librin Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figurat në faqen 7]

Baballarë që ua plotësuan nevojat fëmijëve të tyre

Françisheku me familjen

Luisi me familjen

Takeshi me familjen