Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla e Gjenevës​—Një përkthim i harruar

Bibla e Gjenevës​—Një përkthim i harruar

Bibla e Gjenevës​—Një përkthim i harruar

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Zelandën e Re

A KENI ndonjë Bibël që zë pak vend, mbahet kollaj dhe ka shkronja që nuk ta lodhin syrin? A jua bën të lehtë organizimi i materialit të gjeni informacionin që kërkoni? Nëse përgjigjja juaj për këto pyetje është po, atëherë i detyroheni shumë Biblës së Gjenevës, botuar në vitin 1560.

Pak njerëz sot kanë dëgjuar për Biblën e Gjenevës. Megjithatë, ky përkthim i veçantë ishte një nga librat më të shitur në kohën e vet. Saktësia e tij, që vlerësohet shumë, si dhe risitë që solli në mënyrën e paraqitjes së materialit e në faqosje, bënë që ky të ishte përkthimi i preferuar i lexuesve. Dramaturgët anglezë Shekspiri dhe Marlou e përdornin për të marrë citimet nga Bibla për veprat e tyre.

Por si ka mundësi që kjo Bibël mjaft e kërkuar, e cila i përket shekullit të 16-të dhe që u përkthye në gjuhën angleze, të merrte emrin e Gjenevës, e këtij qyteti zviceran frëngjishtfolës? Ku qëndronte e veçanta e saj? Përse doli nga qarkullimi? Si përfitojmë edhe sot nga ky përkthim?

Një Bibël me veçori të reja

Bibla e Gjenevës u përgatit nga një grup refugjatësh fetarë, që ikën nga Anglia për t’i shpëtuar përndjekjes e mbase edhe ekzekutimit, kur hipi në fron Maria Tudori, në vitin 1553. Këta studiues u mirëpritën në komunitetin protestant në Gjenevë. Meqë në këtë qytet kishte një industri tipografike të konsoliduar dhe interes për leximin e Biblës, atje lulëzoi përkthimi dhe botimi i Biblës.

Bibla e Gjenevës, e përkthyer nga Uilliam Uitinghami dhe ndihmësit e tij, doli në vitin 1560. S’kaloi shumë dhe njerëzit në Angli po e lexonin me etje. Ajo lexohej më me lehtësi se Biblat që kishin dalë para saj dhe ishte e para Bibël në anglisht që vargjet i kishte të ndara me numra, një metodë që përdoret në të gjitha Biblat e sotme. Gjithashtu, kishte edhe frazat në krye të faqes​—disa fjalë kyçe në krye të çdo faqeje për t’i ndihmuar lexuesit që të gjejnë pjesë të veçanta në tekstin vijues. Veç kësaj, në vend të shkronjave të trasha të shkrimit gotik, që përdorej në shtyp, ishin përdorur kryesisht shkronja që lexoheshin më lehtë, të ngjashme me ato që parapëlqehen edhe sot në Biblat në anglisht.

Biblat më të hershme, të përgatitura për t’u lexuar nga katedrat e kishave, kishin një format folio, pra 30 me 38 centimetra, dhe ishin të rënda. Bibla e Gjenevës ishte një botim që përdorej kollaj dhe ishte sa gjysma e biblave të hershme. Kjo Bibël më e vogël jo vetëm që ishte e përshtatshme për leximin dhe studimin individual, por edhe kushtonte shumë më lirë.

Përpjekje për t’i qëndruar besnik origjinalit

Përkthyesit e Biblës së Gjenevës u kujdesën sidomos që të ruanin karakteristikat e veçanta dhe kuptimin e tekstit origjinal në hebraisht. Në disa vargje, ku përfshiheshin edhe Eksodi 6:3; 17:5; dhe Psalmi 83:18 tregohej emri i Perëndisë, Jehova. Fjalët që përkthyesit menduan se ishte e nevojshme të shtoheshin, u vunë në shkronja të pjerrëta. Gjithashtu shtesat që iu bënë tekstit për të qenë i qartë gramatikisht, u vunë në kllapa katrore.

Shpejt Bibla e Gjenevës u bë përkthimi zyrtar në Skoci. Ajo përdorej gjerësisht edhe në Angli. Gjithashtu mendohet se ishte përkthimi që morën me vete kolonizatorët anglezë në vitin 1620, gjatë udhëtimit të tyre të famshëm drejt vendit ku sot janë Shtetet e Bashkuara. Biblën e Gjenevës e çuan edhe në koloni të tjera britanike, përfshirë atë më të largëtën, Zelandën e Re. Atje, në vitin 1845, një kopje e saj u bë pjesë e koleksionit të guvernatorit sër Xhorxh Grei.

Shënimet anash faqeve ndezin debate

Shënimet e shumta të Biblës së Gjenevës ndihmuan që popullariteti i saj të vazhdonte për një kohë të gjatë. Këto shënime u vunë sepse përkthyesit e kuptuan që Bibla kishte ‘vende të vështira’ ose pjesë që mezi kuptoheshin. Shënimet anash faqeve nuk ishin diçka e re. Tindali i kishte përdorur në përkthimin e tij të «Besëlidhjes së Re», në vitin 1534. Përveç shënimeve anash faqeve, Bibla e Gjenevës kishte ilustrime, parathënie dhe harta; dhe që të gjitha kishin si qëllim ta bënin më të kuptueshme. Tekstit i kishin bashkëngjitur lista gjenealogjike, përmbledhje, e madje edhe një pjesë që i nxiste njerëzit ta lexonin Biblën çdo ditë.

Ndonëse privatisht e pranoi se ky përkthim ishte i shkëlqyer, kleri i Kishës Anglikane e kundërshtoi atë publikisht, sepse për të shënimet anësore devijonin rrënjësisht nga tradita. Methju Parkeri, i cili në atë kohë ishte kryepeshkop i Kantërbërit, i quajti ato «shënime të dëmshme». Mbreti Jakovi I, ose në anglisht James I, tha se këto shënime ishin ‘shumë të anshme, të rreme dhe nxitnin rebelimin’. Këto opinione nuk të habitin, pasi disa nga shënimet vinin në diskutim «të drejtën hyjnore» të mbretërve.

Bibla e Gjenevës del nga qarkullimi

Në vitin 1604, mbreti Jakov autorizoi përgatitjen e një përkthimi të ri, duke shpresuar që Anglia të shpëtonte një herë e mirë nga Bibla e Gjenevës. Historiani i teologjisë, Alister Mekgrathi, thotë se «popullariteti i vazhdueshëm i Biblës së Gjenevës ishte pengesa më e madhe që hasi përkthimi King James, ose përkthimi i Mbretit Jakov, ndërkohë që bëheshin përpjekje të pranohej nga publiku në shekullin e shtatëmbëdhjetë». Për shumë vjet, publiku preferoi Biblën e Gjenevës, dhe ajo mbeti përkthimi zyrtar i Biblës në Skoci. Botimi i saj vazhdoi deri në vitin 1644.

Një shoqëri biblike, British and Foreign Bible Society, tha se «një analizë e përkthimit King James të vitit 1611, tregon se përkthyesit e saj . . . u ndikuan më shumë nga Bibla e Gjenevës se nga çdo përkthim tjetër i Biblës në anglisht». Përkthimi King James përfshiu shumë nga risitë që solli Bibla e Gjenevës për sa i përket mënyrës së paraqitjes së materialit dhe të përkthimit të shumë shprehjeve.

Një përkthim që la gjurmë

Megjithëse si përfundim Biblës së Gjenevës ia zuri vendin përkthimi Authorized Version, ose ndryshe King James Version, prapëseprapë ajo luan një rol të rëndësishëm në historinë e veprave letrare. Ajo jo vetëm që vuri norma të reja në përkthim dhe në paraqitjen e materialit, por mbeti edhe një hallkë lidhëse jetësore në zinxhirin e përmirësimeve të përkthimit të Biblës në anglisht. Ky përkthim ndihmoi që Biblën ta lexonin dhe ta studionin shtresa të ndryshme shoqërore, njerëz që përndryshe mund të mos e kishin lexuar dot Biblën.

Veç kësaj, duke hapur rrugën për përkthimin King James, Bibla e Gjenevës bëri të mundur që të futeshin në literaturën dhe në gjuhën angleze disa shprehje biblike. Pra ndonëse shumica e njerëzve mund ta kenë harruar Biblën e Gjenevës, sigurisht që ajo ka lënë gjurmë.

[Figura në faqen 12]

Eksodi 6:3, ku lexohet emri i Perëndisë

[Figurat në faqen 13]

Frazat në krye të faqes

Një ilustrim

Shënimet anash faqeve

[Burimi]

Të gjitha fotografitë: Me mirësjelljen e Shoqërisë Biblike Amerikane

[Burimi i figurës në faqen 12]

Të gjitha fotografitë: Me mirësjelljen e Shoqërisë Biblike Amerikane