Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Diçka më e mirë se fama

Diçka më e mirë se fama

Diçka më e mirë se fama

TREGUAR NGA ÇARLS SINATKO

Në vitin 1957, më ofruan një kontratë për të kënduar për 13 javë në Las Vegas, Nevada, SHBA. Paga ishte një mijë dollarë në javë dhe, nëse do të kisha sukses, mund të jepja shfaqje edhe për 50 javë të tjera. Kjo do të thoshte 50.000 dollarë më shumë, dhe për atë kohë ishin një thes me para. Më lejoni t’ju tregoj se si erdhën punët që m’u bë një ofertë e tillë fitimprurëse dhe përse ishte kaq e vështirë të merrja një vendim për ta pranuar ose jo këtë ofertë.

BABAI im lindi në Ukrainë, në Evropën Lindore, më 1910. Më 1913, mamaja e tij shkoi në Shtetet e Bashkuara që të bashkohej me të shoqin, duke marrë me vete dhe tim atë. Babai u martua në vitin 1935 dhe pas një viti linda unë, në Ambrixh të Pensilvanisë. Në atë kohë, dy nga vëllezërit më të mëdhenj të babait u bënë Dëshmitarë të Jehovait.

Kur unë me tre vëllezërit e mi ishim të vegjël dhe familja jetonte afër Nju-Kasëllit, në Pensilvani, mamaja studioi për pak kohë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Asnjë nga prindërit e mi nuk u bë Dëshmitar në atë kohë, por babai mendonte se vëllezërit e tij kishin të drejtën të besonin çfarë të donin. Ndonëse babai na kishte rritur me frymën e patriotizmit, ai gjithnjë e mbronte bindjen se njerëzit kanë të drejtën ta adhurojnë Perëndinë si t’u pëlqejë.

Karriera si këngëtar

Prindërit mendonin se kisha talent për të kënduar, prandaj bënë ç’kishin mundësi që të ecja përpara. Kur isha gjashtë a shtatë vjeç, babai më hipte në banakun e një klubi nate që të këndoja dhe t’i bija kitarës. Këndoja një këngë që titullohej «Mamaja». Kënga fliste për virtytet e një nëne të dashur dhe kishte një fund prekës. Burrat që ishin në klub, dhe që zakonisht e tepronin në të pirë, prekeshin e qanin dhe hidhnin para në kapelën që u zgjaste babai.

Programi i parë radiofonik ku mora pjesë ishte në stacionin WKST, në Nju-Kasëll, në vitin 1945. Aty këndova muzikë country. Më vonë në repertorin tim përfshiva edhe këngë të njohura nga Hit Parade, që ishte një program i përjavshëm radiofonik ku transmetoheshin dhjetë këngët më të suksesshme të javës. Në televizion dola për herë të parë në vitin 1950, në shfaqjen e Pol Uajtmanit. Orkestrimi që ai i bëri «Rapsodisë blu», të kompozuar nga Xhorxh Gershuini, është i famshëm edhe sot e kësaj dite. Pas pak kohësh, babai e shiti shtëpinë që kishim në Pensilvani dhe shkuam në zonën e Los Anxhelosit, në Kaliforni, me shpresën që të bëja më shumë karrierë.

Falë këmbënguljes së babait, s’kaloi shumë kohë dhe kisha programin tim të përjavshëm në radio, në Pasadenë. Gjithashtu në Hollivud jepja çdo javë një shfaqje televizive gjysmëorëshe. Bëja regjistrime në shtëpinë diskografike Capitol Records. Atje më shoqëronte orkestra me 100 instrumentistë, me dirigjent Ted Dejlin. Veç kësaj, këndoja edhe në radion CBS. Më 1955 shkova që të jepja shfaqje në liqenin Tahoe në veri të Kalifornisë. Kur isha atje, në jetën time ndodhi një ndryshim rrënjësor për sa u përket gjërave që kishin më shumë rëndësi.

Të tjera gjëra zënë vendin kryesor në jetën time

Pak para se të nisesha për në liqenin Tahoe, xhaxha Xhoni, vëllai i madh i babait, që ashtu si ne ishte transferuar nga Pensilvania në Kaliforni, më dha librin «Le të dalë Perëndia i vërtetë». * * E mora me vete në liqenin Tahoe. Pas shfaqjes së fundit, që përfundoi aty nga mesnata, para se të shkoja në shtrat fillova ta lexoja librin sa për t’u çlodhur. U drithërova kur gjeta përgjigjet e Biblës për pyetje që më kishin munduar prej kohësh.

Pas kësaj, nuk kaloi shumë dhe fillova t’u flitja pjesëtarëve të tjerë të shfaqjes ndërsa rrinim ulur pas pune në klubin e natës, shpesh deri në orët e para të mëngjesit. Bisedonim për tema të tilla, si jeta pas vdekjes, përse e lejon Perëndia ligësinë dhe nëse njeriu do ta shkatërrojë së fundi tokën dhe veten. Disa muaj më vonë, më 9 korrik 1955, në një kongres krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait, të mbajtur në Rigli-Filld të Los Anxhelosit, u pagëzova në simbol të kushtimit tim për t’i shërbyer Perëndisë Jehova.

S’kaluan as gjashtë muaj kur, në mëngjesin e Krishtlindjeve të vitit 1955, një Dëshmitar i quajtur Henri Rasëll më ftoi ta shoqëroja në një vizitë te Xhek Mekoi, i cili punonte në botën e spektaklit. Henri ishte drejtori i muzikës në stacionin televiziv NBC. Kështu, pra, kur arritëm, Xheku thirri të shoqen dhe tre fëmijët dhe u ulën të na dëgjonin, ndonëse sapo kishin filluar të hapnin dhuratat e Krishtlindjeve. Pas pak kohësh, ai dhe familja e tij u bënë Dëshmitarë.

Rreth kësaj kohe studiova Biblën me mamanë time. Ajo i kuptoi dhe i pranoi të vërtetat biblike. Si përfundim u bë Dëshmitare e Jehovait dhe pioniere, predikuese në kohë të plotë. Me kalimin e kohës, u pagëzuan edhe tre vëllezërit e mi dhe për njëfarë kohe shërbyen si pionierë. Në shtator të vitit 1956, në moshën 20-vjeçare, u bëra pionier.

Vendime për punën

Në këtë kohë, Xhorxh Marfi, një miku i përfaqësuesit tim, u interesua për të më ndihmuar në karrierën time si këngëtar. Xhorxhi kishte dalë në shumë filma gjatë viteve 30 dhe 40. Me ndihmën e tij, në dhjetor të vitit 1956 mora pjesë në shfaqjen e Xheki Glisonit që realizohej në Nju-Jork dhe transmetohej në stacionin televiziv CBS. Kjo gjë i dha hov karrierës sime, pasi shfaqjen e ndiqnin afërsisht 20.000.000 telespektatorë. Kur isha në Nju-Jork, vizitova për herë të parë selinë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin.

Pasi dola në shfaqjen e Glisonit, firmosa një kontratë shtatëvjeçare me studion kinematografike MGM për të marrë pjesë në filma. Më ofruan role të përhershme në një film serial me kauboj. Por pas njëfarë kohe filloi të më brente ndërgjegjja, sepse duhej të luaja rolet e një bixhozçiu dhe të një banditi, role që i tregonin si të këndshme imoralitetin dhe sjellje të tjera të papërshtatshme për të krishterët. Prandaj hoqa dorë. Ata që ishin në botën e artit menduan se kisha luajtur mendsh.

Në këtë kohë mora ofertën mjaft fitimprurëse që ju tregova në fillim, për të dhënë shfaqje në Las Vegas. Fjala ishte që të filloja punë javën që do të kishim vizitën e mbikëqyrësit udhëtues. Nëse nuk filloja punë në atë kohë kontrata prishej fare. Kisha një luftë brenda vetes, pasi babai mezi kishte pritur që të fitoja shumë para. Mendoja se ai e meritonte të shpërblehej për të gjitha përpjekjet që kishte bërë për karrierën time.

Prandaj fola me mbikëqyrësin drejtues, Karl Parkun, i cili ishte edhe vetë muzikant dhe kishte punuar si violinist në stacionin radiofonik WBBR të Nju-Jorkut, gjatë viteve 20. I sqarova se nëse e nënshkruaja këtë kontratë, mund të shërbeja si pionier gjithë jetën pa u merakosur për anën financiare. Ai më tha: «Nuk mund të të them se çfarë të bësh, por mund të të ndihmoj të nxjerrësh një përfundim.» Pastaj më pyeti: «A do të ikje nëse këtë javë kongregacionin tonë do ta vizitonte apostulli Pavël? Si mendon, çfarë do të donte Jezui që të bëje?»

Mendova se gjithçka ishte shumë e qartë. Kur i thashë babait se kisha vendosur të mos e pranoja punën në Las Vegas, ai më tha se po i shkatërroja jetën. Atë natë ndenji deri vonë duke më pritur me pistoletën në dorë. Kishte ndër mend të më vriste, por e zuri gjumi, me sa duket ngaqë kishte pirë shumë. Pastaj u përpoq të vriste veten me gazin e makinës që ishte në garazh. Thirra ndihmën e shpejtë dhe arritën ta shpëtonin.

Duke e ditur se çfarë temperamenti shpërthyes kishte babai im, shumë veta në kongregacion e kishin frikë, por jo mbikëqyrësi qarkor, Roi Dauelli. Kur Roi shkoi ta takonte, në bisedë e sipër babai i tregoi se, kur kisha lindur, rrezikoja të vdisja. Babai i kishte premtuar Perëndisë që nëse do të kisha jetuar, do t’ia kishte kushtuar jetën time shërbimit të Perëndisë. Roi e pyeti nëse kishte menduar ndonjëherë se Perëndia priste që babai ta mbante premtimin. Babai shtangu. Pastaj Roi e pyeti: «Nëse shërbimi i plotkohor ishte diçka e mirë për Birin e Perëndisë, pse të mos jetë i mirë edhe për djalin tuaj?» Pas kësaj me sa duket babai u dorëzua dhe e pranoi zgjedhjen time.

Ndërkohë, në janar të vitit 1957, Shirli Larxhi dhe shoqja e saj pioniere, erdhi nga Kanadaja për të takuar disa miq. Shirlin dhe shoqen e saj i njoha kur shkonim bashkë në shërbimin nga shtëpia në shtëpi. Pas pak kohësh, Shirli më shoqëroi në Hollivud Boul, ku këndova me Perl Bejlin.

I qëndroj besnik vendimit që mora

Në shtator të vitit 1957 mora caktimin për të shërbyer si pionier special në shtetin e Ajouas. Kur i thashë babait se kisha vendosur ta pranoja caktimin, ai u ngashërye. Nuk arrinte ta kuptonte se si kishte ndryshuar pikëpamja ime për gjërat që kishin vërtet vlerë në jetë. Shkova në Hollivud dhe i prisha të gjitha kontratat. Dirigjenti i famshëm dhe drejtuesi i korit, Fred Uaring, ishte ndër ata me të cilët kisha lidhur kontratë. Ai më tha se nuk do të më jepej më mundësia të punoja si këngëtar, nëse nuk i përmbahesha marrëveshjes. Atëherë i shpjegova se po e lija karrierën si këngëtar për t’i shërbyer më shumë Perëndisë Jehova.

Zoti Uaring më dëgjoi me respekt, teksa i shpjegoja me hollësi. Më pas më habiti me përgjigjen e tij të sjellshme: «Bir, më vjen keq që po lë një karrierë kaq të suksesshme, por jam marrë me muzikë gjithë jetën dhe kam kuptuar se në jetë ka gjëra më të rëndësishme se muzika. Perëndia të bekoftë në rrugën tënde!» Ende më kujtohet kthimi për në shtëpi teksa i jepja makinës dhe në sy kisha lot gëzimi. Tani isha i lirë t’i përkushtohesha shërbimit të Jehovait.

«Ku është besimi yt atëherë?»

Bashkë me shokun tim të shërbimit, Xho Trifin, e fillova shërbimin në Strouberi-Point të Ajouas, një qytet i vogël me afro 1.200 banorë. Shirli erdhi për vizitë dhe folëm për martesën. As unë, as ajo nuk kishim para mënjanë. Paratë që kisha fituar i administronte babai. Prandaj i thashë: «Unë dua të martohem me ty, por, si do të jetojmë? Kam vetëm dhuratën e pionierit special, 40 dollarë në muaj.» Ajo m’u përgjigj me atë mënyrën e saj të qetë, të çiltër, por edhe që t’i thoshte gjërat hapur: «Çarls, po ku është besimi yt atëherë? Jezui tha që nëse kërkojmë më parë Mbretërinë dhe drejtësinë e tij, ai do të na shtojë gjithçka që na duhet.» (Mateu 6:33) Atëherë vendosëm. U martuam më 16 nëntor 1957.

Studioja Biblën me një fermer jashtë Strouberi-Pointit, i cili kishte një shtëpi të vogël prej druri në pyllin që ishte pronë e tij. Atje nuk kishte as drita, as ujë të rrjedhshëm dhe as banjë. Por, nëse dëshironim, mund të rrinim pa paguar qira. Ishte një shtëpi fare e thjeshtë, por menduam se meqë ishim në shërbim gjithë ditën na duhej vetëm një vend për të fjetur.

Ujin e mbushja në një burim aty afër. Ngroheshim me një sobë me dru dhe lexonim me llambë me vajguri; Shirli gatuante në një sobë me vajguri. Për të bërë banjë përdornim një govatë të vjetër. Natën dëgjonim ujqërit që ulërinin, por ndiheshim shumë të lumtur që kishim njëri-tjetrin dhe që po i shërbenim bashkë Jehovait aty ku nevoja për shërbëtorë të krishterë ishte më e madhe. Bill Malefonti dhe gruaja e tij, Sandra, që tani shërbejnë në selinë qendrore në Bruklin, në atë kohë shërbenin si pionierë specialë në Dikora, Ajoua, rreth 100 kilometra larg nesh. Here pas here ata vinin dhe e kalonim ditën së bashku në predikim. Me kalimin e kohës, në Strouberi-Point u formua një kongregacion i vogël me rreth 25 veta.

Në veprën udhëtuese

Në maj të vitit 1960 na ftuan në veprën qarkore, në shërbimin udhëtues. Qarku i parë që vizituam ishte në Karolinën e Veriut dhe përfshinte qytetet Raling, Grinsboro dhe Durham, si edhe shumë zona të vogla fshatare. Kushtet tona të jetesës u përmirësuan, pasi rrinim në shumë familje që kishin energji elektrike e madje edhe banjë brenda shtëpisë. Megjithatë nuk ndiheshim edhe aq të qetë, kur dëgjonim paralajmërimet e pjesëtarëve të familjeve që e kishin banjën jashtë. Na porositnin të kishim kujdes kur shkonim për në banjë, se mos na dilte ndonjë bollë helmuese ose gjarpër me zile.

Në fillim të vitit 1963 u transferuam në një qark në Florida ku u sëmura rëndë nga zemra dhe gati sa s’vdiqa. Ka shumë mundësi që nuk do të isha gjallë sot, po të mos ishte për Bob dhe Xhini Mekejin nga Tampa. * Ata më çuan te mjeku i tyre dhe madje na paguan të gjitha shpenzimet.

Vë në punë stërvitjen e dikurshme

Në verën e vitit 1963 më ftuan në Nju-Jork të bashkëpunoja për një kongres të madh të Dëshmitarëve të Jehovait që do të mbahej atje. Shoqërova Milton Henshelin, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait, në një bisedë në radio të drejtuar nga Leri King. Zoti King është ende një drejtues i famshëm i bisedave në studiot televizive. Ai na trajtoi me shumë respekt dhe për rreth një orë pas shfaqjes na bëri shumë pyetje për veprën tonë.

Po atë verë, Harold Kingu, një misionar që sapo ishte liruar nga një burg në Kinën komuniste, ishte mysafir në selinë qendrore të Dëshmitarëve. Një mbrëmje, ai foli para 700 të pranishmish dhe tregoi disa nga përvojat e tij. Haroldi tregoi se si i qe forcuar besimi gjatë izolimit në burg, i cili zgjati më shumë se katër vjet. Kur ishte në burg, kishte shkruar këngë që lidheshin me Biblën dhe me shërbimin e krishterë.

Atë mbrëmje të paharruar, bashkë me Odri Norin, Karl Klajnin dhe Fred Francin​—një Dëshmitar prej shumë kohësh, që kishte marrë mësime si tenor​—kënduam këngën «Nga shtëpia në shtëpi». Kjo këngë më vonë u përfshi në librin e këngëve që përdorin Dëshmitarët e Jehovait. Nejthën Nori, i cili atëherë merrte drejtimin në veprën e Dëshmitarëve, më kërkoi ta këndoja këtë këngë në Asamblenë «Lajmi i mirë i përhershëm» që do të mbahej një javë më vonë në Stadiumin Jenki, kështu që e këndova këtë këngë në atë rast.

Përvoja në veprën udhëtuese

Kur po shërbenim në Çikago, Ilinois, ndodhën dy gjëra të paharrueshme. Së pari, në një asamble qarkore, Shirli takoi Vera Stjuartin. Kur ishin në Kanada, në mesin e viteve 40, Vera i kishte predikuar Shirlit dhe nënës së saj. Shirli, që në atë kohë kishte qenë 11 vjeçe, ishte emocionuar kur kishte dëgjuar për premtimet e Perëndisë të shkruara në Bibël. Ajo e kishte pyetur Verën: «A mendon se unë mund të jetoj në atë botë të re?» Vera i ishte përgjigjur: «Pse jo, Shirli?» Asnjëra nuk i kishte harruar ato fjalë. Që nga ai takim i parë me Verën, Shirli e kuptoi se gjëja që dëshironte vërtet ishte t’i shërbente Jehovait.

Së dyti, një Dëshmitar më pyeti nëse më kujtohej që në dimrin e vitit 1958, në verandën e shtëpisë kisha gjetur një thes 20-kilësh me patate. Po, më kujtohej. E kishim gjetur thesin një mbrëmje kur erdhëm në shtëpi përmes stuhisë. Ndonëse nuk e dinim se kush e kishte sjellë, sigurisht që meritën për të ia dhamë Jehovait. Nga bora u bllokuam në shtëpi për pesë ditë, por u kënaqëm me petulla të bëra me patate, me patate të pjekura, patate të skuqura, pure patatesh dhe supë me patate. Nuk kishim ç’të hanim tjetër. Dëshmitari nuk na njihte dhe as nuk e dinte se ku banonim, por kishte dëgjuar se disa pionierë aty afër ishin në vështirësi. Ai tha se diçka e nxiti të pyeste të tjerët se ku banonte ky çift i ri. Fermerët dinin gjithçka për fqinjët, prandaj e drejtuan shpejt në shtëpinë tonë dhe ai i solli patatet nëpër borë.

I kënaqur me zgjedhjet që bëra

Aty nga viti 1993, pas 33 vjetësh në veprën udhëtuese, shëndeti m’u keqësua deri në atë pikë sa m’u desh ta lija këtë privilegj shërbim. Shirli dhe unë u bëmë pionierë specialë me kuotë të zvogëluar orësh, e kështu vazhdojmë edhe sot e kësaj dite. Ndonëse më vjen keq që nuk kam më forca të bëj veprën udhëtuese, jam i lumtur që i harxhova energjitë e mia në shërbimin e plotkohor.

Tre vëllezërit e mi bënë zgjedhje të ndryshme. Si përfundim secili vendosi të rendte pas pasurive dhe asnjë prej tyre nuk po i shërben më Jehovait. Babai u pagëzua në vitin 1958. Ai dhe mamaja ndihmuan shumë njerëz që të njihnin Jehovain, t’ia kushtonin jetën Atij dhe të pagëzoheshin. Që të dy vdiqën në vitin 1999. Vendimi im për të mos rendur pas famës dhe pasurive ndihmoi që babai, si edhe shumë njerëz, të cilëve ai dhe mamaja u predikuan të vërtetën e Biblës, të fitonin shpresën e jetës së përhershme. Shpesh pyes veten: «A do t’i kisha shërbyer ende Jehovait po të mos kisha bërë zgjedhjet që bëra?»

Rreth pesë vjet pasi lashë veprën udhëtuese, u bëra më mirë dhe isha në gjendje të shërbeja më shumë. Tani shërbej si mbikëqyrës drejtues në një kongregacion në Dezërt-Hot-Springs në Kaliforni. Gjithashtu kam privilegjin të shërbej si zëvendës-mbikëqyrës qarkor, të shërbej në komitete gjyqësore dhe, me raste, të jap mësim në Shkollën e Shërbimit për Pionierë.

Edhe sot e kësaj dite, Shirli mbetet mikja ime më e mirë. S’vë asgjë tjetër para shoqërisë së saj. Bëjmë rregullisht biseda frymore inkurajuese dhe që të dy entuziazmohemi nga të vërtetat biblike për të cilat flasim. Ende e kujtoj me mirënjohje pyetjen që më bëri me qetësi më shumë se 47 vjet më parë: «Çarls, po ku është besimi yt atëherë?» Sikur çiftet e reja të krishtere t’ia bënin njëri-tjetrit këtë pyetje, kushedi sa shumë prej tyre do të përjetonin gëzimin dhe bekimet që patëm ne në shërbimin e plotkohor.

[Shënimet]

^ par. 11 Xhon Sinatko qëndroi besnik si Dëshmitar i Jehovait derisa vdiq, në vitin 1996, në moshën 92-vjeçare.

^ par. 11 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

^ par. 32 Në revistën Zgjohuni! të 22 shkurtit 1975, faqet 12-16, anglisht, Bob Mekeji tregon betejën e tij me paralizën.

[Figura në faqen 20]

Xhaxha Xhoni në vitin 1935, viti kur u pagëzua

[Figura në faqen 22]

Shtëpia jonë prej druri

[Figura në faqen 23]

Fotografi e prindërve më 1975. Ata mbetën besnikë deri në vdekje

[Figura në faqen 23]

Me Shirlin sot