Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Nafta Dëshiroj vetëm të shpreh mirënjohjen time për serinë e artikujve të 8 nëntorit 2003 «Nafta: A do të shterojë ndonjëherë?» Nuk i kisha dëgjuar kurrë ato statistika alarmuese, që citonit në artikull, në lidhje me derdhjet e naftës. Kur mendon që njerëzit bëjnë gjëra të tilla nuk çuditesh që toka është katandisur kështu. Kjo më bën ta pres më me padurim të ardhmen kur Jehovai ta pastrojë tokën njëherë e mirë e ta bëjë parajsë.
T. T., Shtetet e Bashkuara
Artikujt ishin trajtuar në mënyrë shumë tërheqëse dhe të paanshme. Megjithëse kam gradë shkencore në fizikë në një degë të inxhinierisë, nuk kisha dëgjuar kurrë për teorinë abiogjenike të origjinës së naftës. Zakonisht në shkolla mësohet vetëm teoria biogjenike, që nafta vjen nga shpërbërja e substancave biologjike.
E. B., Francë
Studioj në një shkollë teknike dhe gjithmonë e kam pasur të vështirë të gjej libra që e shpjegojnë mekanizmin e makinerive me skema. Ja pse më bëri përshtypje skema që tregonte se si prodhohet nafta. Duke parë atë e kisha më të lehtë ta kuptoja artikullin.
M. I., Japoni
Duhet të kishit bërë kërkime më të hollësishme për serinë e artikujve. Keni lënë pa përmendur që pusi i parë i naftës në Amerikën Veriore u shpua nga Xhejms Millër Ulliams në Ontario të Kanadasë një vit para pusit të Edvin Drejkut në Tajtësvill të Pensilvanisë, SHBA.
G. J., Kanada
«Zgjohuni!» përgjigjet: Për këtë çështje ka shumë debate. Një gjeolog nafte që ka shkruar për historikun e naftës, tha për revistën Zgjohuni! se vendi i pusit të parë të naftës është «i veshur me mister». Kështu, «The Canadian Encyclopedia» e përmbledh çështjen në këtë mënyrë: «Si për Uilliamsin, ashtu edhe për E. L. Drejkun nga Pensilvania, pretendohet se kanë hapur pusin e parë të naftës në Amerikën Veriore.»
Gjeografi Të gjithëve si familje na pëlqejnë shumë artikujt për gjeografinë. Kështu që u mahnitëm nga artikulli «Amazona madhështore—Jetike për miliona njerëz». (8 nëntor 2003) Megjithëse kemi studiuar për Amazonën në shkollë, nuk e kishim kuptuar se «sasia e ujit që sjell vetëm për 30 sekonda, mund të shuante etjen e të gjithë njerëzve për një ditë». Jemi të lumtur që artikuj të tillë na bëjnë të mundur të «vizitojmë» vende të largëta.
V. G., Sllovaki
Faleminderit për artikullin e bukur «Praga: Ejani të shihni xhevahirin tonë historik!» (8 nëntor 2003) Ishte kënaqësi të lexoja për këtë qytet historik. M’u duk sikur isha vërtet atje. Ju falënderoj edhe për fotografitë e mrekullueshme.
L. Z., Rusi
Në shkollë na dhanë për detyrë të përshkruanim një qytet në mënyrë të atillë që të ndizte dëshirën për ta vizituar. Për të shkruar esenë u bazova te artikulli për Pragën dhe mora notën më të lartë në klasë. Faleminderit!
O. K., Francë
Të afërmit jobesimtarë Ju falënderoj për artikullin «Pikëpamja e Biblës: Kur të afërmit nuk kanë të njëjtën fe si ju». (8 nëntor 2003) Duke qenë e vetmja e krishterë në familjen time ku jemi gjashtë fëmijë, për vite të tëra e kam pasur shumë të vështirë ta mbaja ekuilibrin gjatë kësaj situate. Shkrimet në këtë artikull ishin rreze drite për mua.
R. G., Shtetet e Bashkuara
Kam pak kohë që studioj Biblën. Por ato pak që di mundohem t’ua tregoj edhe të afërmve të mi të dashur që nuk janë besimtarë. Ngaqë jam 16 vjeçe, familja nuk më ka lejuar që të pagëzohem, por shpresoj që një ditë ta bëj. Ky artikull do të më ndihmojë në marrëdhëniet me familjen time.
J. G., Shtetet e Bashkuara